Carlos Cardoso me rolin e Don José në operën ‘Carmen’ të Georges Bizet

Opera e Kosovës ka njoftuar sot se artisti Carlos Cardoso do të prezantohet me rolin e Don José në operën “Carmen”, të Georges Bizet.

Cardoso ka lindur në Tarouquela, Portugali. Ka studiuar këndim me Paulo Ferreira në Shkollën Beira Interior. Ka qenë anëtar i studios së Operës së Teatrit São Carlos në Lisbonë dhe, nga viti 2011 deri në 2013, i Accademia del Teatro alla Scala në Milano, ku interpretoi, ndër të tjera, rolin e Don Ramiro në La Cenerentola.

“Që nga sezoni 2017/18 është anëtar i ansamblit të Aalto Theater Essen, ku ka interpretuar rolet e Dukës së Mantovës (Rigoletto), Ismaele (Nabucco), Alfredo (La traviata), Rodolfo (Luisa Miller), Don José (Carmen), Rodolfo (La bohème), Pinkerton (Madama Butterfly), Narraboth (Salome), Edgardo (Lucia di Lammermoor), Riccardo (Un ballo in maschera), Adorno (Simon Boccanegra) dhe Pollione (Norma)”, thuhet në njoftimin e Operës së Kosovës.

Ka performuar gjithashtu në Rossini Opera Festival në Bad Wildbad, Gran Teatre del Liceu në Barcelonë, Teatro Verdi di Busseto, La Monnaie në Bruksel, Landestheater Salzburg, Teatro São Carlo në Lisbonë, Stadttheater Klagenfurt, Operën Kombëtare të Lituanisë në Vilnius dhe Teatro Verdi di Trieste.

Opera “Carmen” e Georges Bizet do të mbahet më 22 dhe 24 korrik, në ora 20:30, në AMC Hall./ KultPlus.com

Vikena Kamenica me rolin kryesor ‘Carmen’ në operën e Georges Bizet

Opera e Kosovës ka njoftuar se Vikena Kamenica do të prezantohet me rolin e Carmen në operën “Carmen” të Georges Bizet, që do të mbahet më 22 dhe 24 korrik, shkruan KultPlus.

Vikena Kamenica është një prej solokëngëtareve më të njohura shqiptare në fushën e muzikës operistike dhe koncertale. E lindur në Tiranë, ajo është diplomuar në Akademinë e Arteve të Bukura në degën e Këndimit Lirik, ku ka studiuar me profesorë të njohur të muzikës shqiptare.

Menjëherë pas diplomimit, Kamenica u bë pjesë e trupës së Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë, ku ka interpretuar një repertor të gjerë rolesh operistike.

“Është e njohur veçanërisht për interpretimin e roleve kryesore në opera si Carmen (Georges Bizet), Rosina në Il Barbiere di Siviglia (G. Rossini), Dorabella në Così fan tutte (W. A. Mozart), si dhe për pjesëmarrje në opera shqiptare, duke kontribuar në promovimin e repertorit kombëtar”, thuhet në njoftimin e Operës së Kosovës.

Karriera e saj përfshin edhe turne dhe koncerte ndërkombëtare në Itali, Francë, Gjermani, Kosovë, Maqedoni të Veriut e vende të tjera, ku ka përfaqësuar denjësisht artin shqiptar. Ajo njihet për timbrin e ngrohtë, teknikën e saktë vokale dhe interpretimin emocional që përcjell në skenë.

“Përveç veprimtarisë së saj si soliste, Vikena Kamenica është angazhuar edhe në mësimdhënie dhe mentorim të brezave të rinj të këngëtarëve, duke dhënë një kontribut të çmuar në edukimin artistik në Shqipëri. Me një karrierë të pasur e të qëndrueshme, Vikena Kamenica mbetet një nga figurat më të rëndësishme të skenës operistike shqiptare”, thuhet në njoftim.

Opera “Carmen” e Georges Bizet do të mbahet më 22 dhe 24 korrik, në ora 20:30, në AMC Hall./ KultPlus.com