Artistët shqiptarë shkëlqejnë në teatrin e Beogradit me operën “Carmen”

Artistët e teatrit të Operës dhe Baletit me veprën “Carmen” shkëlqyen në teatrin e Beogradit. Vikena Kamenica, Armando Likaj, Renisa Lacka dhe Armaldo Kllogjeri performuan operën “Carmen” në Teatrin Kombëtar të Beogradit duke marr duartrokitjet e publikut.

Ministria e Kulturës shkruan se kjo opera erdhi në skenë në kuadër të bashkëpunimit mes dy institucioneve.

“Kjo opera vihet në skenë në kuadër të protokollit të bashkëpunimit të nënshkruar nga Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor dhe Teatri Kombëtar i Beogradit. Kujtojmë se në muajin shtator opera “Carmen” në Tiranë u realizua me bashkëpunimet e ndërsjellta të dy teatrove, me pjesëmarrjen e dirigjentit Dejan Savic dhe këngëtarëve lirikë Ljubica Vranes dhe Janko Sinadinovic, solistë të Teatrit Kombëtar të Beogradit”, bën me dije ministria e Kulturës.

“Carmen” e Georges Bizet bazuar në libretin e shkruar nga Meilhac dhe Ludovic Halevy është opera tragji-komike në katër akte , e cila për herë të parë është performuar më 3 mars të vitit 1875 në Paris, ndërsa në Operën gjermane në Berlin premiera e kësaj shfaqje është dhënë më 11 maj 1979.

Tema e operës bazohet në nevojën absolute të Carmen për liri dhe insistimin e saj në marrëdhënie të bazuar në pavarësi të plotë. Tregimi i Carmen dhe Don Jose, përfundon me një vrasje tragjike. Vepra përmes skenave komike prezanton të gjitha emocionet dhe tiparet e gjendjes njerëzore mendjelehtësinë, marrëzinë, joshjen, mizorinë dhe fatin.

Muzika e operës është e mbushur me melodi që të mbetet në mendje dhe është e dominuar nga vallet dhe ritmet spanjolle. Bizet vdiq papritur pas performancës së 33-të të operës “Carmen” pa e ditur se puna e tij do të njihej ndërkombëtarisht dhe do të korrte sukses brenda dhjetë viteve të ardhshme, shkruan ata.

“Carmen” prej asaj kohe është bërë një nga veprat më të popullarizuara dhe më të njohura të stilit klasik. “Habanera”, arie e kënduar në aktin e parë dhe “Toreador”, arie e kënduar në aktin e 2 mbeten edhe sot dy nga ariet më të njohura të kësaj vepre. “Carmen” fillimisht fitoi reputacionin e saj nëpërmjet një seri prodhimesh jashtë Francës dhe nuk u shfaq në Paris deri në vitin 1883. Pas kësaj, ajo fitoi shpejt popullaritetin brenda dhe jashtë vendit.

Opera Carmen rikthehet në skenën e Teatrit Kombëtar

Opera ‘Carmen’ rikthehet këtë fund shtatori në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar një video nga kjo Opera. “Mirëmëngjes dhe me këtë rikthim të operas Carmen, më e ndjekura në 10 vitet e fundit, e cila do të shfaqet për 4 netë në Pallatin e Kongreseve duke ndezur sezonin e ri artistik shtator-dhjetor, ju uroj një ditë të mbarë”.

Në rolin e Carmen do të jetë sërish sopranoja Vikena Kamenica, por rivënia në skenë këtë herë konkretizon Protokollin e Bashkëpunimit që TKOB nënshkroi sesonin e kaluar me Teatrin Nacional të Operas së Serbisë.

Orkestra e TKOB do të dirigjohet nga Dejan Savić, njëkohësisht Drejtor i Përgjithshëm i Operas së Beogradit.

Opera ‘Carmen’ do të ngjitet në skenën e Pallatit të Kongreseve në datat 27, 28, 29 dhe 30 shtator, ora 19:00.

Flaka Goranci sërish sjellë rolin e Carmen, kësaj radhe në një festival në Zvicër

Fillimisht me rolin e Carmen, mezzosopranoja shqiptare Flaka Goranci u paraqit në Magdeburg të Gjermanisë, dhe mishërimi i saj në këtë rol solli edhe një tjetër paraqitje me Carmen, por tashti në Zvicër, me një realizim të ri të kësaj opere, shkruan KultPlus.

Një gjë të tillë e bëri publike nëpërmjet rrjetit social Facebook, vetë mezzosopranoja Goranci. Ajo tregoi se me këtë operë në rolin e Carmen, do të paraqitet në Zvicër në Obersaxen Opera Viva Festival.

“Te dashur miqte e mi. Jam shume e lumtur te ndaj kete lajm me ju. Kete vit do te realizoj përsëri rolin e Carmen dhe kesaj rradhe ne Zvicer – Obersaxen Opera Viva Festival”, ka shkruar Goranci./ KultPlus.com

E bukura “Carmen” dërgoi publikun në një lojë të pafund lëvizjesh e tingujsh (FOTO)

Baleti Kombëtar i Kosovës solli premierën e dytë të këtij viti me shfaqjen “Carmen”.
Gili Hoxhaj


Mes zërave agresiv filloi dalja e trupës në skenë për të vazhduar me veshje të ndryshme e skenografi që shpërfaqet përmes trajtave të ndryshme. Çdo hap e lëvizje e trupës në skenë ishte një shtjellim i historisë së një ushtari në Spanjë, Don Jose i cili joshet nga cigania Carmen. Përkundër sakrificës së tij, mes ushtarit të fortë dhe një djaloshi naiv në dashuri, dashuria e Carmen është e destinuar për dikë tjetër, për toreadorin Escamillo.

“Carmen”, kjo vepër që ka ngjallur emocione të jashtëzakonshme në skenat më të mëdha të botës, për herë të parë tingujt e saj janë dëgjuar në Paris të Francës, në vitin 1875. Që nga tingulli i parë, kur lëvizjet e baletit fillojnë të vallëzojnë me këtë vepër, çdo notë e lëvizje flet për një tragjedi që vjen si pasojë e një dashurie në trekëndësh. Krejt kjo zhvillohet si dialog mes lëvizjeve të balerinëve kosovarë. Kjo vepër që e mban peng të dashurisë personazhin kryesor “Carmen”, që përpiqet të gjej lirinë e pasionit të saj, në anën tjetër e sjellë tragjedinë e personazhit kryesor në skenë, që në çdo hap përpiqet ta gjej lirinë në dashuri, por shenjat e xhelozisë nga Don Jose do ta largojnë atë pa jetë nga skena.

Nga lëvizjet e shpeshta të balerinëve e gjatësisë së performances, kuptohej qartë se shfaqje me kërkesat e saj i kishte sfiduar dukshëm kapacitetet e balerinëve. Kjo shfaqje i mundësoi publikut të Prishtinës që të shijojë për herë të dytë lojën e e baletit kombëtar me koreografi të Natalia Osipova, e cila para po thuajse një viti kishte punuar shfaqjen “Vasha e Braktisur”. Korografja me origjinë ruso-franceze, Natalia Osipovatha se hera e dytë e punës me Baletin Kombëtar e Kosovës përveç se i ka mësuar të njoh më mirë personalitetin e kapacitetin e secilit balerin të trupës, kjo i ka mundësuar që të njoh më mirë edhe kulturën e këtij vendi.

“Arsyeja përse kemi zgjedhur “Carmen”, si performancë të bashkëpunimit tonë të dytë, është liria. Po ashtu dhe dashuria do të jetë ajo që gjithnjë do të fitojë dhe dashuria duhet të jetë gjithnjë në rend të parë, është arsyeja kryesore e të jetuarit dhe është një fat që duhet ndjekur. Përmes ngjyrave të veshjeve të balerinëve e lëvizjeve përpiqem t’i shfaqë konceptet e lirisë”, u shpreh koreografia
Januz Beqiraj, profesor i disa prej balerinëve të Trupës së Baletit Kombëtar vjen në secilën premierë të tyre për ta parë punën e këtyre balerinëve, të cilëve është munduar t’ua jap më të mirën nga përvoja e tij. Ai thotë se shpenzon shumë kohë duke u fokusuar në secilin detaj të tyre, në çdo lëvizje të këmbeve dhe duarve e shpesh përfundon duke e pyetur veten se a ka mundur t’u jap mjaftueshëm nga vetja.

Ai u shpreh për KultPlus se mbrëmë është ndjerë i kënaqur dhe shumë krenar me punën e të gjithë balerinëve. Ai tregoi se e njeh detajisht këtë shfaqje, të cilën e ka luajtur shpesh herë edhe si student, mirëpo me modesti shprehet se balerinët sot e tejkalojnë lojën e tyre dikur.

“Georges Bizet është me të vërtetë një kompozitor i lakmueshëm që ta ofron dëshirën që ta dëgjosh edhe t’i përcjellesh lëvizjet.Teuta Krasniqi, Sead Vuniqi, Sinan Kajtazi ishin të mrekullueshëm si dhe të gjithë balerinët e tjerë, secili ishte më i mirë se tjetri. Edhe pse e kam luajtur edhe vet shpesh herë këtë shfaqje po më duket se këta po e luajnë më mirë se ne”, tha për KultPlus, balerini Januz Beqiraj.
Teuta Krasniqi ishte “Carmen” i mbrëmjes. Në të shumtën e rasteve e veshur me të kuqe e me një lule në njërën anë sjellë lëvizje që dëshmojnë kapacitetin e saj të dëshmuar prej balerine. Këmbët e duart e saj prekin kulmin e lartësisë që mund të arrijnë, e herë pas here trupi i saj shtrihet në tokë. Ajo është mes dashurisë se atyre që e dashurojnë. Përballë tyre, ajo shpesh është përballë vetes në ndjenjën për ta ndjerë lirinë. Ajo tregoi për KultPlus se kjo shfaqje është një nga shfaqjet më kërkuese që kanë luajtur balerinët e kësaj trupe, për shkak të anës teknike dhe artistike si dhe për shkak të kohëzgjatjes së saj. Për të arritur këtë rezultat, procesi i punës deri tek shfaqje u ka marrë pothuajse një muaj punë intensive trupës së baletit.

“Për të qenë gati një orë e gjysmë në skenë, nuk është aspak e lehtë por provat i kemi zhvilluar pa asnjë ndërprerje edhe pse një muaj nuk është kohë e gjatë për ta përgatitur një shfaqje të tillë, prandaj kemi punuar gati 12 orë në ditë, çdo ditë të javës që kështu ta fitojmë sigurinë në çdo koreografi dhe çdo gjë që koreografia ka dashur që përmes lëvizjeve tona ta transmetoj të publiku”, tregoi balerina Teuta Krasniqi.


Publiku mund ta shijojë sonte reprizën e parë të shfaqjes “Carmen”, duke filluar nga ora 20:00 në Teatrin Kombëtar të Kosovës./KultPlus.com




Opera “Carmen” projekt gjigant në TKOB, në skenë do të ngjitet edhe Tinka Kurti

Projekti gjigant që hap sezonin e ri operistik në TKOB, është opera “Carmen”, shkruan KultPlus.

Kjo shfaqje ndërthurë ekselencën shqiptare në botë me emra të mëdhenj të muzikës operistike shqiptare. “Carmen” vjen me regji të baritonit të njohur shqiptar Gëzim Myshketa e nën dirigjimin e Ricardo Casero.

Kjo operë që vjen premierë më 30 janar, sjellë në skenë aktoren Tinka Kurti, pastaj i ftuari special, koreografi me famë ndërkombëtare Gheorghe Iancu, të ftuar special janë edhe balerinët: Anbeta Toromani dhe Alesandro Macario ndërsa Carmen vjen nën interpretimin e Vikena Kamenica dhe Ivana Hoxha.

Mjeshtri Gheorghe Iancu do të jetë koreografi i trupës së baletit të TKOB. Ai sot ka mbërritur në Tiranë që t’i bashkohet stafit të operës “Carmen”. Inacu për dy vite radhazi nga viti 2008 drejtoi trupën e baletit të Operas Shtetërore të Bukureshtit.

Kjo shfaqje gjigante, vjen më 30 janar në Pallatin e Kongreseve me fillim nga ora 19:00. Pas premierës pasojnë edhe reprizat ku e para do të jetë menjëherë më 31 janar, 1, 2 dhe 3 shkurt./ KultPlus.com

Carmen këndon një këngë dashurie: a s’ më dashuron më

Poezi nga Tua Forsström

Ne arritëm pak pas orës pesë
Pastaj u orientuam një grimë.
Malli i fëmijëve dhe nipërve u bë më i lehtë
Ne bëmë një shëtitje të gjatë dhe freskuese.

Mantegna shkroi në pikturën e tij të fundit:
“Asgjë tjetër përveç Zoti s’qëndron çdo gjë tjetër është tym …”
Ne do të kalojmë fundjavën me disa miq
Mezi e pres këtë.

U zgjuam në një peizazh të qetë dhe të mrekullueshëm
me ujë dhe bredh pa erë!
Ndryshe ishte gati ashtu si e imagjinoja
E falënderoj të dashurin tim te mrekullueshëm

Ushqimi është i shijshëm dhe i shëndetshëm
Pra dashuria juaj ka përfunduar? këndon
Carmen me fustanin e kuq si gjaku.
Sigurisht ju mendoni për mua.

Dhe pyesni veten: si jam unë?
Ditët shkojnë shumë lehtë
Më mire do t’i dërgoj pyetjet e mia me shkrim
Megjithatë shpresoj, do të kthehem./KultPlus.com

Përktheu nga suedishtja Edita Kuçi Ukaj

Kritika e Vjenës vlerëson lartë Flaka Gorancin për rolin e Carmen (FOTO)

Fotot:Andreas Lander
Fillimisht me rolin e Carmen, mezzosopranoja shqiptare Flaka Goranci u paraqit në Magdeburg të Gjermanisë, dhe mishërimi i saj në këtë rol solli edhe një tjetër paraqitje me Carmen, por tashti në Vjenë të Austrisë, nëpërmjet kompanisë In den höchsten Tönen, shkruan KultPlus.

Kritika e botuar të mërkurën, në IOCO në Vjenë, me autor Marcus Haimerl, Flaka Gorancin e përshkruan si një figurë ideale për rolin e Carmen, ku sipas tij, jo vetëm me pikëpamje optike, por me një zë të thellë melodioz, me nota të larta dhe të forta, të sigurta dhe me një frazim të bukur muzikor, por edhe me një paraqitje komplet natyrale, ajo arrin të sjellë të gjitha aspektet e lojës, bindshëm në skenë.
Kurse vetë Flaka Goranci ka treguar për KultPlus për ndjesinë që i ka dhënë ky rol, ku sipas saj, Carmen është një ndër rolet më të bukura dhe të veçanta për mezosoprano.

Sipas saj, veçantia e këtij roli është se nëse këndon Carmen, do të thotë të duhet jo vetëm të këndosh në skenë, por edhe të kërcesh flamengo dhe të luash kastanjetat spanjolle. “Carmen është ai rol që derisa je duke kënduar, duhet edhe të kërcesh”, ka thënë Goranci.
Poashtu ajo ka shtuar detajet mbi këtë rol, ku Goranci detajon se roli i Carmen kërkon edhe një lojë aktoriale të kompletuar, ku fillon nga një vajzë çapkëne duke arritur në dramën e një ciganeje andaluziane deri ne aktin final, vrasjen nga ish i dashuri xheloz Don Jose! Flaka Goranci, të njëjtën operë do ta realizoj edhe në muajin tetor, poashtu në Vjenë./KultPlus.com