Poema e Kthimit nga Jose Angel Buesa

Jose Angel Buesa
Përktheu: Fatbardha Statovci

Nga fundi i errët i një nate të paepur po vij
yjet i sodis krejt i habitur.
Fajin e pranoj posa te porta jote mbërrij
e një pëllumb bardhok për supi më është puthitur.

Para satës portë zemra ime e përulur ndalet në vend
me dorën e shtrirë posi një lypës i moçëm;
në kopsht qeni yt nga gëzimi leh gjithë shend,
sepse, sidoqoftë, vazhdon të jetë miku im i sotshëm.

Trëndafili që nuk rritej u rrit më në fund
tani gonxhet prapa portës së hekurt ofron:
Kam ndryshuar shumë nga ajo ditë gjithashtu edhe unë
se netët e mërgimit yjësia s’i mbulon.

Ndoshta prapa portës së mbyllur shpirti yt është i hapur;
por me ta hapur portën tënde, sikur një lypësi i hapet pa një pa dy,
shikomë ëmbëlsisht, krejt e shushatur, atëherë do ta kuptosh që s’jam kthyer… sepse gjithmonë isha me ty! / KultPlus.com

‘Jam në atë moshën, ku ndonjëherë dashuria është si një qoshk qetësie, si një perëndim dielli në plazh’

Poezi nga Jose Saramago

Jam në atë moshën, ku gjërat shihen me qetësi, por duke mos harruar se rritja vazhdon.

Jam në atë moshën, ku ëndrrat përkëdhelen me duar dhe iluzionet bëhen shpresë.

Jam në atë moshën, ku ndonjëherë dashuria është një hov i çmendur dhe plot ankth, që digjet nga dëshira për jetë dhe pasioni i shumëpritur.

Jam në atë moshën, ku ndonjëherë dashuria është si një qoshk qetësie, si një perëndim dielli në plazh.

Sa vjeç jam?

Nuk kam pse t’i tregoj vitet e mia me një numër, pasi dëshirat e përmbushura, lotët e derdhur gjatë udhës teksa shihja iluzionet e mia të humbura, vlejnë më shumë se një numër.

Çfarë rëndësie ka nëse mbush 20 vjeç, 40 vjeç apo 60 vjeç ?!

Rëndësi ka vetëm mosha që ndiej.

I kam aq vite mbi shpinë sa të jetoj i lirë dhe pa frikë.

Ta vazhdoj pa frikë udhën time, sepse kam me vete përvojën dhe forcën e ëndrrave të mia.

Sa vjeç jam unë?

Kujt i bëhet vonë!

I kam aq vite mbi shpinë sa ta braktis frikën dhe të bëj çka dua dhe çka ndiej.

Përktheu: Elona Caslli / KultPlus.com

Më 10 qershor të vitit 2010 u nda nga jeta nobelisti portugez José Saramago

Bujar Meholli

José de Sousa Saramago ka lindur në Azinhaga të Portugalisë, më 16 nëntor 1922. U zhvendos në Lisbonë me familjen në moshë të re, dhe i braktisi studimet universitare për shkak të vështirësitë ekonomike; filloi të merret me punë të ndryshme. Ai në fakt ka punuar si farkëtar, projektues, lektor, përkthyes, gazetar, gjersa u punësua në mënyrë të përhershme në një Shtëpi Botuese, ku punoi për dymbëdhjetë vjet si redaktor letrar.

Romani i tij i parë, “Toka e mëkatit”, i vitit 1947, nuk do të ketë një sukses të madh në Portugalinë obskurantiste të Salazarit, diktatorit ndaj të cilit Saramago nuk e ka ndaluar luftën, duke u përballur me censurën sistematike të shkrimeve të tij gazetareske. Në vitin 1959 ai u regjistrua në Partinë Komuniste Portugeze, ku vepron në fshehtësi, duke ikur gjithmonë nga kurthet dhe intrigat e Pidës famëkeqe, policisë politike të regjimit. Në fakt, duhet të theksohet se për të kuptuar jetën dhe punën e këtij shkrimtari, nuk mund të injorojmë angazhimin e vazhdueshëm politik në çdo aktivitet.

Në vitet gjashtëdhjetë, ai u bë një nga kritikët më të mëdhenj të vendit nëpërmjet edicionin të ri të revistës “Seara Nova” dhe më 1966 publikon përmbledhjen e parë të poetike “Poezi të mundshme”. Më pas bëhet drejtor në një Shtëpi Botuese dhe nga 1972 deri 1973, ishte redaktor i shtojcës kulturore dhe editoriale të gazetës “Diario de Lisboa”, gjer në shpërthimin e të ashtuquajturit Revolucioni i Karafiltë në vitin 1974. Saramago botoi librin poetik “Ndoshta lumturia”, 1970, kronikat “Për këtë dhe botën tjetër”, 1971, “Bagazh udhëtar”, 1973, “Mendime që DL kishte” 1974, drama, novela dhe romane. Saramago (zëvendës kryeredaktor i gazetës “Diario de Noticias” më 1975 dhe shkrimtar me kohë të plotë) e çliron letërsinë portugeze nga kompleksi i mëparshëm dhe krijon një brez post-revolucionar.

Në vitin 1977, Saramago publikoi romanin e gjatë me titull “Manual i pikturës dhe kaligrafisë”, ndjekur nga “Një vend i quajtur Alentejo,” i 1980, fokusuar në revoltën e popullit të rajonit në lindje të Portugalisë. Por me “Përkujtimorja e manastirit” të 1982-ës, më në fund arrin suksesin e shumëpritur. Në gjashtë vite botoi tri veprat me ndikim të madh (përveç Përkujtimores, “Viti i vdekjes së Richard Reis” dhe “Rafti i gurtë”) duke marrë vlerësime të shumta nga kritika. Vitet nëntëdhjetë e kanë shenjtëruar atë në skenën ndërkombëtare me “Rrethimin e Lisbonës” dhe “Ungjillin sipas Jezusit”, e më pas me “Verbërinë”. Në vitin 1998, duke ngjallur polemika sidomos nga Vatikani, ai u nderua me çmimin “Nobel” për letërsi.

José Saramago vdes më 18 qershor, 2010 në banesën e tij në Lanzarote, në qytetin e Tías, në Ishujt Kanarie. /KultPlus