Bjeshkët e Namuna dhe malet e Sharrit në destinacionet e Euronews

Europa ka një sërë destinacionesh që ofrojnë vende e kultura të ndryshme. Disa prej tyre janë lehtësisht të aksesueshme e të tjera më të vështira.

Mes tyre shkruan Euronews janë dhe Bjeshkët e Namuna dhe malet e Sharrit.

Si pjesa më e lartë e të gjithë Alpeve Dinarike, i cili bën zig-zag nëpër gadishullin e Ballkanit Perëndimor, “”Bjeshkët e Nemuna” ofrojnë maja të thepisura për ski si Maja e Rosit ose Maja Jezerca me pamje që të lë pa frymë të veriut të Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi. Euronews sugjeron Thethin dhe Valbonën ku mund të qëndroni në bujtinat e dimrit dhe familjet pritëse dhe pse nuk ofron mundësi për ski, “por ju ngroheni me rakinë e shtëpisë- një pije alkoolike tradicionale”.

Edhe Malet e Sharrit janë një destinacion që sugjerohen nga media prestigjioze, që janë në kufi mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Në to ka më shumë vendpushime ku mund të bëhet dhe ski, ndërkohë që përmendet Brezovica dhe Prevalla në Kosovë dhe Popova Sapka në Maqedoninë e Veriut./ KultPlus.com

Alpet Shqiptare, pse quhen ndryshe dhe Bjeshkët e Namuna

Nëse jeni në kërkim të aventurës, mrekullive të shumta natyrore apo disa prej majave më të larta të jugut të Evropës, Alpet Shqiptare jua mundësojnë diçka të tillë. Të quajtura ndryshe dhe Bjeshkët e Namuna (Mallkuara) për shkak të natyrës së ashpër dhe të vështirë, për të shumtë mbeten ende hapësira ku mitet dhe legjendat takohen së bashku me realitetin duke e patur të vështirë t’i shkëputësh njëra nga tjetra. Edhe pse shtrihen në 7 shtete, Alpet Dinarike arrijnë maksimumin e tyre vetëm përmes Alpeve Shqiptare, më konkretisht falë Majës së Jezercës në lartësinë e 2,694 metrave.

Valbona & Thethi

Ndër destinacionet më të frekuentura të Alpeve janë Valbona dhe Thethi, të cilat falë natyrës së mrekullueshme e shërbimeve cilësore turistike në respekt të traditave të zonës, e bëjnë qëndrimin në këtë vend një përvojë autentike të veriut shqiptar. E tek sa Alpet rrethojnë luginat e Valbonës dhe Thethit, lumenjtë, kanionet e ujëvarat e pasurojnë zonën me disa monumente natyrore që duhet patjetër të bëhen pjesë e itinerarit tuaj të veriut.

Si Valbona ashtu dhe Thethi mund të shijohen plotësisht falë qëndrimit në bujtinat e shumta prej guri që janë ndërtuar në të dyja luginat. Vitet e fundit gjithnjë e më të shumtë janë turistët që i vizitojnë bashkë këto dy destinacione, të cilat lidhen përmes një shtegu në Qafën e Valbonës (1800 metra).

Valbona, Kukës, foto nga IntoAlbania

Malësia e Kelmendit

Në skajin më verior të Alpeve ndodhet dhe Malësia e Kelmendit, ku ndodhen fshatrat Vermosh, Lëpushë, Tamarë, Vukël, Selcë, Nikç, Brojë etj. Ato arrihen ndjekur rrugën Shkodër – Hani i Hotit – Tamarë – Vermosh, një rrugëtim plot gjarpërime e ballkone panoramike që do të të bëjnë të ndalosh herë pas here për të parë nga afër Leqet e Hotit, Luginën e Cemit,  majën e Mështjerrës (1447m), si dhe të shijosh pamjet e shumta spektakolare që shfaqen së largu.

Duke hyrë në Lëpushë, vlen të përmendet fakti se ujërat e lumit të Lëpushës derdhen deri në Danub. Fshati i Lëpushës është ndërtuar aty ku më parë barinjtë kishin vendosur stanet dhe sot së bashku me Tamarën,  tërheqin vizitorë të shumtë falë peizazheve malore dhe një natyre të mrekullueshme.

Malësia e Kelmendit, Shkodër, Burimi: albanian-mountains.com

Vermoshi

31 km në veri të Tamarës  ndodhet fshati i Vermoshit (mbi 1000 metra në nivelin e detit), që ofron të gjitha kushtet për një turizëm malor cilësor. Lumi i Vermoshit apo burimet e ujit dekorojnë përmes monumenteve natyrore mbresëlënëse zonën. Përgjatë 100 ditëve të vitit fshati është i mbuluar nga dëbora, ndërsa me ardhjen e pranverës ngjyrat e gjelbërta veshin të gjithë panoramën.  Përveç bujtinave në Vermosh do të gjeni dhe vende kampingu, e banorët e fshatit janë gjithmonë të disponueshëm për të të shoqëruar në përvoja hiking.

Vermosh, Shkodër, Burimi: mcnradio.al

Razëm – Bogë

Duke ndjekur rrugën Shkodër – Koplik – Dedaj – Razëm, do mund të vizitoni gjithashtu një nga fshatrat malorë më të bukur të vendit, atë të Razmës, që rrethohet nga kullota alpine shumë tërheqëse. Në morenat akullnajore apo fushën sportive të kampit të Razmës mund të praktikohet dhe sporti i skive. Rruga Shkodër – Koplik të shpie në një tjetër fshat me emër të veriut, në Bogë, që njihet jo vetëm për ngjyrat përrallore, por edhe për Shpellën e Pucit. Kjo e fundit është shpella më e madhe në Shqipëri e mbahet si një nga më të mëdhatë e Evropës, e pasur në stalaktike dhe stalagmite. / IntoAlbania/ KultPlus.com

Razëm – Bogë, Shkodër, Burimi: trover.com


Kapen pamjet e rrëqebullit në Bjeshkët e Nemuna

Është konfirmuar edhe një herë prezenca e rrëqebullit në Bjeshkët e Nemuna.

Në fotografitë e publikuara në faqen e organizatës Era Group nga Peja, e cila vazhdon projektin për të hulumtuar praninë e kësaj nënspecieje të rrëqebullit ballkanik, shihet një rrëqebull i fotografuar nga kamerat kurth të vendosura nga kjo organizatë.

“Nën-lloji më i rrezikuar në botë – rrëqebulli i Ballkanit ishte fotografuar nga sesioni ynë i 8 i studimit 2019-21 në parkun kombëtar Bjeshkët e Nemuna”, thuhet në postimin e ERA Group.

Histori interesante: Kush i mallkoi ‘Bjeshkët e Nemuna’

Bjeshkët e Nemuna, apo Alpet Shqiptare janë bukuria natyrore më e dëshiruara nga turistët, jo vetëm për shqiptarë por edhe nga të huajt, por jashtë madhështisë së tyre, ekziston një legjendë e trishtitë e një nëne me dy fëmijë e saj, shkruan Gazeta Metro.

Bjeshkët e Nemuna sjellin histori të papërfunduar nga askush, e kësaj nëne  me fëmijët, të cilës turqit ia vranë burrin.

Legjenda thotë se një nënë me dy fëmijë), mori rrugën drejt Bjeshkëve sipër Rrafshit të Dukagjinit. Me fëmijët për dore, ajo nuk u kujtua për sende të tjera, pasi koha nuk priste, sepse ushtarët e armikut mund t’i kapnin.

E frikësuar nga ndjekësit dhe e pikëlluar për vrasjen e burrit, gruaja me dy fëmijët tashmë jetim, kthente vështimin nga fshati, ku dukej shtëpia e saj, e cila po digjej nga flakët.

E pikëlluar, asaj iu nxinë sytë nga mungesa e ujit. Sa më shumë që ecte, aq më shumë bjeshkët lartësoheshin, sa më shumë përpiqej i shmangej diellit, masa e zjarrtë bëhej më e pamëshirshme, skuqte e digjte si saç, por ata ecnin e ecnin, sa më larg ushtarëve turq.

Dielli i korrikut vazhdonte t’i përvëlonte, etja i kishte molisur si nënë e fëmijë. Vijat e ujit në këtë kohë, në të dy krahët sipër burimit të Drinit shterojnë dhe bora që dikur rrinte deri në fund të gushtit, për dreq, atë ditë korriku kur u duhej fëmijëve të nënës së ve, kishte shkrirë në luginat më të fshehura nga dielli përvëlues.

“Nanë, du ujë”, kërkonte më ngulm djali i vogël, sepse urinë e harruan nga vapa e madhe e lodhja akoma më e madhe.

Po ujë s’kishte askund. “Nanë, t’lutëm ni pikë uj”, e përgjëronte vogëlushi, pa e kuptuar se kjo gjë nuk ishte në vullnetin e nënës së gjorë. S’gjendej askund një pikë uji sa t’ua njomte buzët e përthara. Nëna e hutuar përpiqej ta ngushëllonte të voglin më fjalë kurse i madhi nuk nxirrte zë, megjithëse shkrumbi i buzëve iu bë një pëllëmbë mbi buzë, thotë legjenda.

“Tash e gjajmë ujit, drita e syve të mi, edhe pak. Gurrat e Bardha nuk janë larg”, përpiqej t’i jepte zemër nëna e shkrumbuar nga vapa e pikëllimi. Kaluan Gurrat e Bardha, por uji nuk rridhte askund dhe u ngjitën në Malit të Thatë.

Kopetë e deleve dhe barinjtë, ishin zhdukur si t’i kishte përpirë toka a ngrënë ujku dhe asnjë këmbanë nuk jehonte në tërë Bjeshkët e Nalta, siç quheshin dikur. S’kishte asnjë njeri të gjallë mbi faqen e dheut.

Fëmijët u lodhën, buzët iu bënë shkrumb, forcat iu shteruan e nuk mund të flisnin nga etja e nga lodhja, prandaj nisën të përpëliten dhe flisnin përçart. Nënën e mbërtheu kulmi i dëshpërimit

Lotët nuk i rridhnin që t’ua njomte buzët, shihte e dëshpëruar se si fëmijët po i shuheshin para syve. Por, para se fëmijët t’i kapte agonia, para se të ndodhte gjëma, ajo mall.koi në kulm të zemërimit: ” Hej, moj bjeshkë, kurrë mos paçi ujë! Flaka u daltë! U shitoftë reja!”.

Dhe ra shakull në tokë mbi kalamajtë që po kalonin çastet e fundit të agonisë.

Legjenda nuk e thotë ç’u bë më nënën e dy fëmijët. Nuk e thotë as a vdiqën apo i shpëtoi mrekullia, por legjenda vazhdon sikur qielli u mëshirua me fatkeqët që përpëliteshin në agoni. Dielli u fsheh prapa reve që nisën të qanin më ngashërim, duke lëshuar një shi të rrëmbyeshëm që vërshoi bjeshkëve.

Të tjerët prapë duke iu referuar legjendës thonë se mallkimi i nënës i zuri të gjitha bjeshkët sipër Dukagjinit, në të dy anët e Drinit të Bardhë. Bjeshkët e Namuna u dogjën nga zjarri i mallkimit, reja shkreptin ndonjëherë në qiell të kthjellët duke djegur pyje të tëra.

Gur mbi gur nuk mbetën, thotë legjenda. Të mbërthen angështia, kur i shikon mijëra hektarë të djegur, brinjë të bjeshkës që dalin në sipërfaqe, gërxha që shkëlqejnë në diell.

Mallkimi i ndjek këto bjeshkë edhe sot, zjarret përsëriten çdo vjet, në të njëjtën kohë, në të njëjtin rrugëtim të nënës: sa herë nisin të këndellen bimësia e filizat e hollë, bie një rrufe dhe i djegë filizat e bredhave e të çetinave.

Sipas kësaj legjende, kur ushtria serbe, pasi pësoi disfatë nga malësorët e Rugovës e burrave të Dukagjinit, duke ngjitur Bjeshkët,dielli i pamëshirshëm i dërmoi përfundimisht.

Ushtria e shkalafitur serbe, që i kishte zënë gjaku i të pafajshmeve, ranë shakull në gërxhe. Legjenda e tyre, e sajuar nga kronistët ushtarakë, thotë se gjenerali i tyre tha: “Qofsh e mallkuar!” (prokleta da si). Në gjuhën e tyre “Prokletije”, do me thënë “të mallkuarat”.

Në hartat gjeografike mbi pesëdhjetë vjet ishin të shënuara të dy emërtimet. Alpet Shqiptare, të quajtuar Bjeshkët e Nemuna, janë vazhdimësi e Maleve Dinarit që  shtrihen në veri të Shqipërisë, në perëndim të Kosovës dhe në jug-lindje të Malit të Zi.

“TheNational”: Udhëtim i mrekullueshëm në Bjeshkët e Namuna

Majat e Ballkanit janë një rrugë e gjatë epike, që kalon nëpërmjet kufijëve malorë të Malit të Zi, Shqipërisë dhe Kosovës. Me një distancë prej më shumë se 192 kilometrash ajo gjarpëron përgjatë luginave dhe shtigjeve të larta, duke shfaqur disa prej peizazheve më të mrekullueshëm që ofron ky cep i ashpër dhe i bukur i Europës.

Shtegu është hapur nga Agjencia Gjermane për Zhvillim (GIZ) në bashkëpunim me zyrat lokale turistike dhe klubet e ecjeve në mal. Ideja është që të inkurajohet një turizëm i vazhdueshëm në këtë rajon malor (që njihet si Bjeshkët e Namuna) dhe ndihmon që të krijohen të ardhura për popullsinë lokale. Në një numër të vogël vitesh, që nga krijimi i tij, ky shteg ka pasur një rritje të ndjeshme në udhëtarë dhe shumë fshatra kanë hapur bujtina përgjatë rrugës.

Kjo rrugë ka shumë hyrje dalje në kufijtë mes këtyre tre vendeve dhe ju nevojitet një leje për të ecur në këtë shteg. Por kjo është e lehtë sepse agjencitë lokale do të merren me dokumentacionin për ju, në këmbim të një pagese të vogël.

Bjeshkët e Namuna i vizitova për herë të parë 15 vite më parë, duke qendruar në një shtëpizë dhe duke bërë ecje në luginën Grbaja, e rrethuar nga maja befasuese dhe të thepisura me emra emocionues si Dhëmb dhe Shtiza. Një ditë u ngjita në luginën fqinje Ropojana, një rrip i gjatë dhe i gjerë plot gjelbërim që shkon deri në kufij me Shqipërinë.

Moti u vrenjt, majat përreth u mbuluan nga retë. Por ende vazhdonte të ishte një vend thellësisht i bukur. Mjegulla mbuloi luginën dhe të vetmit persona që takuam atë ditë ishin disa fëmijë shqiptarë që po mblidhnin manaferra të egra, të qeshurat e tyre dhe fytyrat e njollosura me ngjyrë të kuqe.

Në krye të luginës Ropojana ka një liqen, ose të paktën ishte gjatë asaj vizite të parë, mbushet vetëm nga dëbora e shkrirë dhe sikurse u konfirmua nga një vizitë e mëpasme, shpesh herë zhduket, si një fantazëm, nën tokë. Sidoqoftë, nga ana tjetër ky liqen gri dhe i ftohtë, është i mbuluar me bar të dendur dhe të gjelbërt, sipas stinës dhe ndan kufirin me Shqipërinë.

Dikur kjo luginë ishte një rrugë tregtare mes fshatit të Thethit në Shqipëri dhe Plavës në atë që është Mali i Zi i sotëm. Tani është shumë e lehtë të vish këtu, por në fillim të shekullit të XIX, në skajet e shkatërruara të Perandorisë Osmane, kjo ishte një zonë jashtëzakonisht e largët dhe e vështirë për t’u arritur. Udhëtarja angleze guximtare, Edith Durham duhej të udhëtonte e maskuar kur kaloi këtu në fillim të viteve 1 900 dhe e përshkroi këtë zonë si shumë të vështirë për t’u arritur.

Gjatë ngjitjes së Luginës Ropojana vitin e kaluar, kur po bëja kërkime për të bërë një udhërrëfyes për në Majat e Ballkanit, koha nuk ishte më pak e zymtë. Hyra në Shqipëri nën një pëlhurë mjegulle, duke ecur nëpër një pyll deri sa arrita tek kullotat në Fushën e Ruinicës, ku dy kasolle të thjeshta që përdoreshin nga barinjtë gjatë muajve të verës qëndronin pranë një burimi.

Gjatë rrugës nëpër male kalova disa prej gjysmë milionë, pak a shumë, bunkereve të ndërtuara nga ish-lideri komunist shqiptar, Enver Hoxha mes viteve 1960-1980. Tani ato janë duke u bërë pjesë e peizazhit, prerjet e vogla të gropave të tyre që shohin mbi luginë duken si sy boshë.

Më lartë kalova pranë një liqeni të thellë të rrethuar nga gurë të mëdhenj sa një shtëpi dhe më pas dola në Shtegun e Pejës, që bie mbi Luginën e Thethit. Rruga për të zbritur kalon në anë të një humnere të thepisur, pjesa veriore e majës që ndodhet në të djathtë, Maja Harapit, që ka një lartësi prej 800 metrash. Diku, pranë kësaj maje ndodhet hyrja në sistemin më të madh të shpellave në Shqipëri, që kanë një shtrirje prej dy kilometra e gjysme nën mal. Pasi mbërrij poshtë në luginë eca në një rrugë për automjete 4×4 përmes kullotave dhe herët në mëngjes eca përgjatë femrave të mbushura me pemë frutore për të mbërritur tek Bujtina Polia, një bujtinë e ngrohtë dhe mikpritëse në fshatin e Thethit.

Mëngjesin tjetër eca poshtë luginës për tek ujavara e Gunës, një ecje e lehtë prej 45 minutash. Familje të ndryshme po zhvillojnë piknik në gurët, pas një pellgu jeshile zmerladi, me ujëvarën që bie nga një lartësi prej 30 metrash.

Më pas nga Thethi vazhdova përgjat Majave të Ballkanit, duke udhëtuar nëpër pyje dhe duke u ngjitur për në Shtegun e Valbonës, që ndan luginën e Valbonës me Thethin. Dielli ngrihet në mes të murit të madh me gurë që është Maja e Boshit, pyjeve të gjelbra që mbulojnë anët e Luginës së Valbonës dhe në veri ndodhet Maja e Jezercës, në formë piramide, që arrin 2 694 metra dhe është mali më i lartë në Bjeshkët e Namuna, që rrethohet nga një aureolë me re.

Që kur rruga për në Majat e Ballkanit u hap, ka pasur shumë ndryshime të rrugës në terren, që ende nuk janë paraqitur në hartën zyrtare.

Njëra është rruga midis Valbonës dhe Ceremit, që “zyrtarisht” shkon përgjatë një rruge të asfaltuar për disa kilometra, pastaj rruga përkeqësohet dhe e bën edhe më të vështirë ecjen në zonat malore. Megjithatë, çdo udhërrëfyes vendor mund t’ju tregojë se rruga më e mirë për ecje në këmbë nga Valbona në Ceremi është mbi Qafën e Prosllopit, në kreshtën kufitare midis Shqipërisë dhe Malit të Zi.

Unë u nisa herët në mëngjes, rruga ishte mjaft e qartë dhe të çonte drejt bujtinës mikpritëse në Valbonë, ku edhe kalova natën. Rruga në ngjitje përshkohej nga kullota dhe një kasolle e vjetër për barinj, pastaj të çonte nëpër pyje dhe livadhe të mbuluara me lule të egra dhe flutura të vogla blu. U deshën rreth katër orë për të arritur në Qafën e Prosllopit, një parzmore me bar e rrethuar me shkëmbinj gëlqerorë.

“Kjo nuk është një ditë e përshtatshme për të ngjitur Majën Kolata (mali më i lartë i Malit të Zi), rreth 500 metra në të djathtë, barometri në orën time tregon se do të afrohet një stuhi dhe unë duhet të largohem shpejt nga kjo zonë e lartë.”

Pasi u ndala për pak çaste, për të ngrënë kastravecë të shijshëm, djathë të bardhë deleje dhe një fetë të madhe bukë fshati, u ktheva në Mal të Zi, pastaj u ngjita sërish në Qafën e Borit dhe përsëri zbrita në Shqipëri.

Më në fund mbërrita në mbrëmje vonë në shtëpinë mikpritëse të Kujtim Gocaj në Ceremi, një fshat i vogël në krye të luginës, ku u mirëprita ngrohtë, shijova një darkë jashtëzakonisht të mirë dhe një çaj të nxehtë që shërbehej me gota në formë tulipani.

Majat e Ballkanit janë një rrugë e mrekullueshme përmes peizazhit të mahnitshëm dhe maleve pak të njohur , që ende tërheqin vetëm një pjesë të vogël të udhëtarëve të apasionuar pas zonave malore të Europës.

Është një mundësi për të përjetuar mikpritjen e vërtetë rurale që shoqërohet nga një ndjenjë e rrallë që nuk mund të haset shpesh këto ditë në Europë. /ata

Financial Time, artikull për bukuritë e “Bjeshkëve të Nemuna

Financial Times ka shkruar një artikull për bukuritë natyrore të bjeshkëve në kufirin ndërmjet Kosovës, Shqipërisë dhe Malit të Zi.

Martin Fletcher, që shkruan këtë artikull, thotë se “jeta baritore ka mbetur e pandryshuar pavarësisht trazirave politike që ka zgjatur me dekada dhe numrit të madh, gjithnjë e në rritje, të vizitorëve”, transmeton Koha.net.

“Me dhimbje në këmbë, dhe mushkëritë që po shpërthenin, u ndalëm në majën shkëmbore të malit Gjeravica, malit më të lartë në Kosovës. Ishte një përpjekje që ia vlejti.

Nga pikëpamja jonë prej 8714 metrave ne anketuam disa prej peizazheve më të egra, më mahnitëse dhe më së paku të prishura që kanë mbetur në Evropë”, shkruan ai.

Fletcher më tutje thotë se, “nën qiellin e kaltër, dhe me ajër të pastër, ne admironim majat dhe kurrizet, dhe luginat e gjelbra të pacenuara që shtriheshin në çdo drejtim. Asnjë ndërtues i modeleve hekurudhore nuk do të mund të krijojnë peizazh aq epik”.

Kjo distancë e largët dhe misterioze malore, shumica e saj e arritshme vetëm në këmbë, ofron më shumë se bukurinë.

Ajo strehon barinjtë dhe kopetë e traditat e lashta baritore që ende nuk janë shkatërruar nga mekanizimi. Në fshatrat e izoluara, gjurmët vazhdojnë të mbijetojnë nga një kod i sjelljes shekullore që kombinon ekstremet e dënimit dhe bujarisë, thuhet në artikull.

Fletcher më tutje shpjegon se çka i kishte kapur më së shumti vëmendjen e tij.

“Ishte emri – Bjeshkët e Nemuna – që së pari kapi vëmendjen time. Një kërkim në Google më tregoi se ato shtriheshin në kufijtë e Kosovës, Shqipërisë e Malit të Zi”, thotë Fletcher.

Fletcher tregon se më pas është takuar në aeroport me Virtyt Gacaferin, personin që ndihmonte gazetarët perëndimorë gjatë luftës së Kosovës dhe tani organizon ecjet në Bjeshkët e Nemuna, iu siguron transportin turistëve, i udhëzon ata dhe iu siguron strehim.

Më poshtë mund të shikoni xhirimet nga udhëtimi i Fletcherit dhe përshtypjet e tij për “Bjeshkët e Nemuna”