Libri ‘Memorie dhe traumë’ i autores Blerina Rogova- Gaxha promovohet në Cyrih të Zvicrës

Në ambientet e Konsullatës së Republikës së Kosovës në Cyrih, është promovuar libri i autores Blerina Rogova Gaxha “Memorie dhe traumë: Kujtesa e luftës 1998–99 në letërsinë shqipe në Kosovë”.

Ky promovim është organizuar në kuadër të shënimit të Ditës së Personave të Zhdukur me Dhunë gjatë luftës në Kosovë, në bashkëpunim me Lidhjen e Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë.

“Në këtë mbrëmje reflektimi dhe nderimi, përmes fjalës së shkruar u rikthye në vëmendje dhimbja e pashuar e atyre që ende mungojnë dhe nevoja për drejtësi e kujtesë kolektive.

Falënderoj të gjithë pjesëmarrësit për solidaritetin dhe përkushtimin ndaj kësaj çështjeje të ndjeshme dhe jetike për shoqërinë tonë”, ka shkruar Vigan Berisha në rrjetin social Facebook.

Libri ‘Memorie dhe Traumë: Kujtesa e luftës 1998-99 në letërsinë shqipe në Kosovë’ – është studim letrar-interdisiplinar që e trajton reprezentimin e luftës në letërsinë aktuale në Kosovë. Është vepra e parë e kësaj natyre, e cila dokumenton ruajtjen e memories kolektive të luftës nëpërmjet letërsisë./ KultPlus.com

Blerina Gjylameti zgjidhet numri dy i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës

Deputetja Blerina Gjylameti është zgjedhur zëvendës Presidente e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Zgjedhja e Gjylametit, e cila është njëkohësisht dhe kryetare e Delegacionit shqiptar, u mor në mbledhjen e sotme të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

“E vlerësuar për besimin e kolegëve deputetë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës në zgjedhjen time unanimisht si Zëvendës Presidente e Asamblesë!

Ky post i rëndësishëm është një tjetër konfirmim i besimit dhe vlerësimit që gëzon Shqipëria sot në arenën ndërkombëtare për të kontribuar në konsolidimin e demokracisë, të drejtave të njeriut dhe shtetit të së drejtës!

Me marrjen e kësaj detyre te lartë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ku ulen delegacionet kombëtare të 46 vendeve anëtare të kontinentit tonë, së bashku me delegacionin e Shqipërisë do të vijojmë angazhimet për forcimin e vlerave demokratike si dhe për të cuar përpara agjendën e antarësimit të Kosovës në KiE.”, shprehet deputetja Gjylameti pas zgjedhjes Zëvendës Presidente e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Me marrjen e kësaj detyre te lartë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ku ulen delegacionet kombëtare të 46 vendeve anëtare të kontinentit tonë, Gjylameti pritet të luajë një rol të rëndësishëm në promovimin e mëtejshëm të parimeve dhe vlerave të Këshillit të Evropës./TopChanel/KultPlus.com