‘Memorie dhe Traumë’, triologjia e autores Blerina Rogova- Gaxha që synon memorizimin e luftës në mbamendjen kolektive

Vjollca Duraku

Projekti ‘Memorie dhe Traumë’, i cili në vete ngërthen librin me të njejtin titull, esenë filmike ‘Bijë Lufte’ dhe ekspozitën  ‘Rojtarë të Memories’ nga autorja dhe ideatorja Blerina Rogova- Gaxha, u promovua sot në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, shkruan KultPlus.

Në amfiteatrin e Bibliotekës Kombëtare, për pjesëmarrësit fillimisht u shfaq eseja filmike- ‘Bijë lufte’, pas një fjalimi hyrës në këtë ceremoni promovimi, nga moderatorja Alketa Gashi.

Kjo ese filmike që ishte e ideuar nga Blerina Rogova- Gaxha dhe e realizuar nga Petrit Domi, trajton njeriun e traumatizuar në shoqërinë e pasluftës. Në këtë ese filmike luajtën Sheqerie Buqaj dhe Nino Gaxha, në rolet nënë dhe bir, si dy personazhe të prekur dhe të traumatizuar nga pasojat e luftës, në mënyrë direkte dhe indirekte.

Pas kësaj përmbajtje e cila publikun e vuri në mendime të thella, vëmendja u fokusua te paneli diskutues i cili do të promovonte librin ‘Memorie dhe Traumë: Kujtesa e luftës 1998-99 në letërsinë shqipe në Kosovë’, të cilin e përbënin: Majlinda Bregasi, Agron Gashi, Donika Dabishevci dhe vetë autorja e këtij projekti, Blerina Rogova- Gaxha.

Sipas moderatores Alketa Gashi, libri në fjalë është studimi i parë letrar, i cili ka qasje interdisiplinare, duke trajtuar reprezentimin letrar të luftës në fiksion.

“Libri mëton të dëftojë se si letërsia e dokumenton traumën e luftës dhe nocionet komplekse të kujtesës individuale  dhe të kujtesës kolektive, për të dëshmuar kështu tronditjen radikale të një shoqërie në kryqëzimin e sa të madh politik e historik”, ka thënë moderuesja Gashi, e cila më pas ia kaloi fjalën panelistes Majlinda Bregasi.

Panelistja Bregasi e vlerësoi lartë librin e autores Rogova-Gaxha, duke thënë se edhe pse libri i takon një zhanri më studimor, ka një qasje të atillë që lexuesit i jep një kërshëri të mahnitshme gjatë të lexuarit.

“Ky libër ka një forcë ilokutive të mahnitshme, një performancë që e bën librin, që në momentin që t’i fillon ta lexosh, të mos ndalesh dot. Është stili i saj, kur ti e lexon librin as që e mendon që është një libër studimor, sepse zakonisht librat studimor dijnë të jenë të mërzitshëm për ata që nuk merren me qështje studimore. Ky është një libër ku secili lexues që nuk ka afrimitete letrare ose studimore librin do ta lexojë me kërshëri të jashtëzakonshme”, tha Bregasi, e cila i lëshoi radhë panelistit tjetër, Agron Gashit, i cili tha se ky krijim i autores Rogova-Gaxha trajton temën “Memorie dhe Traumë” përmes një zhanri mes letërsisë dhe filozofisë.

“Blerina bën një ekuivalencë mes poezisë dhe kritikës, apo më mirë mes letërsisë dhe interpretimit. Nëse poezia e saj zgjedh teknika të unijësimit muzikal, e njohur nga avangardistët herë si metodë, e herë si teknikë e sintetizimit letrar, me poetikë intermediale, e mbushur me reflekisone “objektive” e përvoja jetësore, poezi që “mitizon” pa qëllim dhimbjen e anima-s , por demitizon me qëllim muzat, në studime aplikon një unjisim kërkues mes letësisë dhe filozofisë”, ka thënë panelisti Gashi.

Ai më tutje tha se puna të cilën e kishte bërë autorja Rogova-Gaxha, përtej një pasioni letrar, paraqet edhe një mision kombëtar, në trajtimin e temave të luftës dhe të pasojave të saj.

“Blerina ka bërë një punë jo vetëm me vlera studimore letrare, por historike e nacionale. Përzgjedhja e teksteve dhe e veprave është më e duhura e muundshme. Mbi të gjitha na ka ftuar që të kujtojmë dhe të mos harrojmë. Ky nuk është vetëm një pasion letrar por edhe mision kombëtar!”, tha më tej panelisti Gashi.

Ndërsa panelistja Donika Dabishevci, tha se autorja arriti në konkulzonin që lufta dhe pasojat e saj, e kanë riformësuar letërsinë në Kosovë duke sjellë motive dhe tema të përqendruara rreth luftës, kujtesës dhe identitetit, reflektuar në të njëjtën kohë mes së shkuarës dhe të tashmes.

“Blerina në këtë studim kërkon memorien dhe traumën e luftës, duke u ndalur në atë se si është përjetuar, përbrendësuar e shpërfaqur si dëshmi gjithnjë fiksionale, si tematikë, ide, motiv, lajt-motiv në letërsinë shqipe. Ajo po ashtu studion edhe raportin e këtyre koncepteve me aktin e shkrimit të dëshmisë letrare, duke pasur para vetes kundruall bagazhin teorik, një material të gjerë e të bollshëm hulumtimi” ka thënë Dabishevci, e cila gjithashtu tha se këtij libri do t’i referohen studimet e ardhshme, sa i përketë kësaj fushe të studimit.

Kurse vetë autorja Blerina Rogova-Gaxha, tha që ky studim ka një rol të rëndësishëm në të kuptuarit e pasojve të luftës, e që më pas ndikon edhe më shumë në të kuptuarit e të vërtetës historike, specifikisht të asaj që ka ndodhur në luftën e vitit 1998-1999.

“Reprezentimi i memories së luftës në letërsinë shqipe në Kosovë luan rol kyç në kuptimin e ndikimit të luftës në shoqëri, duke e thelluar kuptimin e së vërtetës historike. Kujtesa si triumf i mendjes, kështu bëhet një faktor themelor për ta kuptuar procesin e tranzicionit: nevojat e shpirtit të komunitetit dhe përfaqësimin e kësaj fryme në rrëfimet letrare”, ka thënë autorja.

Ajo më tej shpjegoi edhe arsyen se përse një libër i tillë ka qenë më se i nevojshëm për të qenë në duar të lexuesve.

“Lufta e ka më se të nevojshme ta ketë kujtesën fiktive, interpretimin shpirtëror dhe emocional që shkon paralelisht me të vërtetën, sepse fuqia e letërsisë për ta mbajtur gjallë memorien koektive dhe për të memorizuar të kaluarën, është e jashtëzakonshme. Letërsia e dalë nga mitra e luftës shplon pëlhurën që mbuloi traumën e thellë për ta kthyer këtë në këngë e lament në dëshmi poetike, e në testament letrar. Letrat e kujtesës bëhen storja më e madhe e njeriut të këtij vendi, saga nacionale që banohet nga vdekja, fantazmat dhe fuqia e rilindjes nga hiri” e cila tha se për të pjesa me e ndjeshme gjatë shkrimit të librit ka qenë pjesa  e fëmijëve të vrarë”, ka thënë Rogova-Gaxha duke bërë të ditur se vetë shkrimi i një libri të tillë ka qenë një proces mjaft traumatik edhe për vet atë, duke e specifikuar vrasjen e fëmijëve si pjesën më të ndijshme.

Poezia “Izbicë” e autorit Shqiptar Oseku, u interpretua me një emocion të jashtëzakonshëm në aktorja Sheqerie Buqaj, nën përcjelljen e kitaristit Ehad Dula.

Pas ceremonisë së promovimit të librit, pjesëmarrësit patën mundësi që në hollin e Bibliotekës të vizitojnë edhe ekspozitën ‘Rojtarë të Memories’ – ku u shfaqën Poezi dhe Proza të autorëve të ndryshëm, krijimtaria e të cilëve kontribuoi në mbamendjen kolektive dhe memorizimin e luftës.

Ky projekt u mundësua nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit/KultPlus.com