Thesari im

Poezi nga Sharl Bodler

Nëse dhomat e shpirtit tim do t’i vizitoje.
Çfarë pretendon se do të shikoje?
Cilin përbindësh mendon se fsheh?
Po të zhgënjej, por nuk më njeh.

Nuk ka nevojë për të trokitur
Hyr, shih, kërko, mbet’ e habitur.
Mure të zbrazët lyer pa ngjyra
Fotografi, por pa fytyra.

Diku e hedhur afër shtratit
Është nje kuti e tersit, e fatit.
E mbushur plot është me kujtime.
Brenda gjithë historia ime.

Janë fjalët që kam thënë aty,
gjithkush që njoha, përfshi ty.
Gjithçka që bëra, e që vetëm i ëndërrova
vendet ku shkela, ku jetova.

Janë zënkat tona dhe mëritë
janë puthjet netëve pa dritë.
Veset e mia që aq urreve
mërgimi i ngadaltë i reve.

Dënimet që vuajta për ty
herët kur s’të pash në sy.
Jetët që pa ty jetova
të tjera femra që dashurova.

Janë dhe sekretet që s’të kam thënë
e amanetet që të kam lënë.
Fëmijët që kurrë nuk më lindën
epshet që vrava se nuk m’u bindën.

Ka letra, që për ty i shkrova
në zarfet që kurrë s’t’i dërgova.
E nëse gjithçka përmbys do ta kthesh
sekretin më të madh do ta gjesh.

E kam fshehur në fund fare
po s’e zbulove, s’ke pare gjë fare.
Nxirre mes duarsh në shtrëngim
atë më të shtrenjtin sendin tim.

Balsamin që plagët më shëronte
kur kjo djall jete më kafshonte.
Para fytyrës ngadalë afroje
dhe mbylli sytë, pastaj zbuloje.

E kur ngadalë ta kesh zbuluar.
veç një pasqyrë do ta gjesh në duar.
Do ta shohësh veten, reflektim
se ti ishe thesari im!/KultPlus.com

Asaj që shkoi

Poezi nga Sharl Bodler

Përktheu: Fan S. Noli

Rreth meje rruga ulërin edhe buçet.
E gjat’e hollë, sterrë, kujë madhështore,
Një grua shkoj me një fustan të zi për dore,
Q’e kolovitte posht’e lart me salltanet.

Si ëngjëll, si statuj’e gjallë vetëtin.
Si i shastisur dhe i cakërdisur unë,
Nga syr’i saj si qjell që mbrun furtunë
Thëthinja mjaltë që magjeps, dëfrim që grin.

Ia shkrepi dhe u-err. Moj flutur e farosur,
Që me vështrimin tënt më bëre flag’e furrë,
S’të shoh më vallë veç në jetën e pasosur

Ah, gjetkë, tutje, tepër vonë, nofta kurrë,
Se unë s’di ku ike, ti ku shkonj’s’e di,
Të desha, moj, e dinje, vetë moj, dhe ti.

Sharl Bodler, poeti i shkulmeve të pasionit që u dogj në ferrin e anatemës

Nga: Albert Vataj

Sharl Bodler është alkimisti i shpirtit, ai që mbrujti baltën dhe bëri flori Ai mbeti një ndër poetët më të rëndësishëm, krijimtaria e të cilit plazmoi gjurmët e para të modernizmit, dhe hodhi hapin vendimtar të një ndryshimi epokal në Francën që druhej nga amoraliteti dhe përpëlitej në mëdyshjet e transformimit.

  •  “Pasioni i çmendur për artin është një krimb që gëlltit gjithçka tjetër.”
  • “Bukuria është ambicja e vetme, qëllimi ekskluziv i shijes.”
  •  “Arsyeja e thjeshtë na tregon ne se gjërat tokësore janë të pakëta, dhe se realiteti i vërtetë ekziston vetëm në ëndërra”.
  • “Ne jemi të trysnuar në çdo moment nga konceptimi dhe ndjesia e kohës. Dhe ka vetëm dy mënyra për t’i ikur e për ta harruar makthin: qejfi dhe puna. Qejfi na konsumon. Puna na forcon. Le të zgjedhim”,  këto maksimë, këto predikime i përket një tokësori të apasionuar marrëzisht pas gjithçkasë që buron nga liria.

Eshtë fjala për Sharl Bodler, 9 prill 1821 – 31 gusht 1867, një nga inovatorët më të mëdhenj të letërsisë franceze. “Kush prej nesh nuk ka ëndërruar, në momentet e ambicies për mrekullinë e një prozë poetike, muzikore, pa ritëm dhe rimë, të zhdërvjellët dhe me një harlisje të mjaftueshme për ta përshtatur me frymëmarrjen lirike të shpirtit, të dallgëzuar në ëndrra dhe të furishme në hapat e papritur të ndërgjegjes. Kjo ide, kjo ngucatje në shpirtin e poetit është e ngulmët.

Ishte shekulli XVIII, i përfshirë nga shtjella historike më rrapëllitëse që koha kishte hedhur si një shtërngatë egrashe mbi kokën e poetit rebel dhe kritik fin, Sharl Bodler. Një jetë me fëmijëri të cergët, e cila do të zbonte më pas një rini dhe në tansi, një kapërcyell mes njeriut dhe artistit, plot vese të Bodlerit. Ishte Franca, padyshim ajo e artit avangard dhe e mendimit iluminist, e kolosëve të letërsisë, mbi tabanin e të cilit po ngrihej një sistem i ri vlerash dhe shijesh estetike.

Për poetin, trazirat do të troshisnin jo vetëm krijimtarinë, por edhe integritetin e tij. Gjithçka do të ndryshonte. Ose e thënë më troç, tançka do të lindte e do të formësohej porsi nevoja e qënsisë së tij të garrametshme. Ai dukej se kishte ardhur për të jetuar në stuhi dhe për të lundruar në shterngatë. Dhe gjithë këtë për të mbushur zgavrrat e thella prejnga dëgjoheshin ulërimat e bishave të pasiont që e ndërsenin.

Ai krijoi në poezi, dhe në gjithçka tjetër që bëri, kritikë arti, përkthim, por veçmas në poezi, një raport vlerash të ndryshëm mgase botkuptimi frëng kishte pranuar deri asokohe.

Sharl Bodler ishte i pari, i lirë, veprues, dhe u bë dëshmitar e një ndryshimi fundamental dhe sentimental, etik dhe estetik. Anipse një stuhi që do të tërbohej në opinionin frëng, nga poezitë e tij “heretike” do ta dërrmonte anijen e tij që vijonte të pluskonte në kreshtat egrashe të hakërrisë. Trumbetat e moralit dhe kushtrimet tërsëllitëse u cytën të tkurrnin qiejt ku ky shpend mitik i pasioneve të shpirtit rrekej të maste me fluturim, liritë estetike. Të tjera përmasa ngulmonte ky rrebesh ëndërrimesh, t’i jepte qiejve që do të shpalosnin një erë të re transformimesh.

Koha nuk ishte gati ta priste atë dhe ai nuk kishte kohë për tjetër kohë për të ndryshuar kohën. Nuk u ndal, nuk u fsheh pas asgjëje. I doli ballë gjitjçkasë që ve4ndosi të ishte kundër tij dhe artit që predikonte me pasionin e një rishtari.

Duhej të ndodhte që jo vetëm fatalitetet që e përndiqnin, por edhe shtypi e më pas drejtësia ta anatemonin atë dhe kryeveprën e tij, e cila qëndronte e varur midis dy botëve asaj të perëndisë dhe të djallit, “Lulet e së keqes”. Më 1857, botimit të parë të paralajmëruar të “Luleve të së keqes” gjykata i përgjigjet me një gjobë prej 300 frangash, për krimin e përdhosjes së moralit të shoqërisë, duke i hequr botimit gjashtë poezi. Një penalizim i tillë për një borxhli si Bodler, do të ishte shokues dhe për shpirtin e tij të lëshuar hoveve dhe zjarreve të pasionit e lirisë, skarcimi i 6 poezive që përbënin “vertebrën” e kësaj kryevepre, do të ishte gjithashtu një anatemë që do ta ndiqte si një re e zezë përgjatë gjithë fluturimit. Në këtë kohë perëndon edhe ylli i artistes M. Sabatier të frekuentuar prej 5 vjetësh e fortësisht të idealizuar nga Bodleri, deri në atë pikë sa shumë biografë besojnë se kjo mund të ketë qenë shkaku i thyerjes së raportit të tyre. Dëshmi të shkrimtarëve bashkëkohorë që vizitonin të njëjtin sallon me poetin, e përshkruajnë atë si një grua me një inteligjencë të jashtëzakonshme e një bukuri të rrallë. Dënimi për përdorim fjalori të turpshëm si edhe fyerje të moralit publik i shkaktoi vëllimit poetik “Lulet e së Keqes” të njëjtën shkrepëtimë të zjarrtë në qiejt e bruztë të Francës, apogje fame, e humbëtira zhurme e dyshimi, ashtu siç ndodh jo rrallë herë edhe në ditët tona, ndaj persekutimit të krijimeve të ashtuquajtura pornografike. Poeti Artur Rembo thoshte për Bodlerin se … ai qe vetë Perëndia!, ndërkohë që gjykatësit e Napoleonit të III-të shihin te ai vetë Djallin dhe e dënuan të hiqte prej vëllimit në fjalë, gjashtë poezi, nënë akuzën se ato paraqisnin pamje të turpshme e fjalor të ndyrë, te cilat fyenin rendë moralin shoqëror. Pas kësaj, vetë Bodleri këmbënguli e protestoi duke kërkuar që libri, duhej gjykuar në tërësinë e tij dhe, jo në poezi të veçanta, se blasfemitë i drejtoheshin qiellit e jo Zotit, por më kot …

Në fakt, procesi ndaj përmbledhjes së famshme “Lulet e së Keqes”, një nga kryeveprat e poezisë franceze dhe botërore, kish nisur dhjetë ditë pas botimit të tij të parë me 1.300 ekzemplarë, pikërisht më 5 korrik 1857, me një artikulli të gazetës “Le Figaro”. Ku ndër të tjera, shkruhej se: “… është e palejueshme që, një person si autori i librit, i cili i ka kaluar të tridhjetë, të shkruajë një vepër të tillë monstruoze … Ka momente madje, kur mund të dyshohet edhe për vetë gjendjen e tij mendore … Kurrë s’kemi parë kaq shumë puthje e kafshime gjoksesh, kaq shumë demonë, djaj, kufoma, mace e krimba … Ky libër është një spital i hapur për çdo lloj idiotësie e fëlliqësie të shpirtit njerëzor”. Pas kësaj, Ministria e Brendëshme e hodhi librin në gjyq, ndërkohë, gazeta “Le Figaro” e vazhdoi edhe më tej fushatën kundër Bodlerit. Dhjetë ditë pas procesit, Viktor Hugo, që prej ishullit Guernesey, ku ndodhej në egzil, në një letër drejtuar Bodlerit, ndër të tjera i shkruante: “Lulet tuaja të së Keqes, vezullojnë e rrezatojnë si drita e yjeve. Pa dashje, regjimi, ju ka dhënë një prej dekoratave të tij më të vyera. Drejtësia ju dënoi në emër të atij, të cilin ajo e quan moral e kjo është edhe një medalje tjetër më tepër për ju …”. Më 1924 botuesit, të cilët kishin edhe të drejtën e autorit, publikuan për herë të parë edhe poezitë e dënuara, por libri u hoq përsëri nga qarkullimi. Vetëm 92 vjet më pas, më 31 maj 1949, Gjykata e Kasacionit në Paris e anuloi vendimin e procesit të zhvilluar më 1857, duke rehabilituar kështu për herë të parë dhe përfundimisht, të gjashtë poezitë e mallkuara.

Sharl Bodler ishte dhe mbeti kumti i zgripit të një epoke, çarja e pllakës tektonike të romantizmit që po praronte dhe modernizmit që ngjizej në fetusin e një France të ngërthye nga empirikët, e shpirtrat e lirë që ngriheshin flatrim mbi katakombet e të atëhershmes dhe të së kaluares, për nga horizontet që davariteshin prej mjegullave. Në truallin e thepisur të asaj kohe, poeti u miklua nga tançka, dhe u kapërtheu prej hazdisë që ishte në anën e kundërt të rrjedhës. Çmimi i këtij dedikimi të çartun e degdisi atë në portat e ferrit të anatemës. Koha që e ngjizi dhe kapërcyelli ku ngarendte Franca, e cilësoi atë si “heretik”, “mëkatar”, “pervers”. Kjo ishte shpaga e një artisti që dashurohej me lirinë, po aq shumë sa dhe me femrat. Krijimtaria e tij kumtonte një perceptim të qartë përnga konkretja që gjente si mjete shprehëse një metaforë të thukët e të ngjeshur, “plot ndyrësi” dhe “makabritet”. Ajo përvojë e kumtuar prej Bodlerit, e anatemuar asohere në Francën e ligjvënësve të Napolionit të III, gjehej e pikënisur nga realitete horror, makabër, pervers, t’përjargët e çmosndrysh, që mbushte boshllëkun e një zgafelle pasioni, që s’kishte të ngopur me eros, afsh dhe ofshamë, mish e kafshime, puthje e linja që treten para syve që i flakadan testosteroni, e trupa që fashiten përnën ndërzimin e dëshirave të shpenguara e përplot me ngulm. Një atributi të horizonteve me caqe në infinit, i’u dedikua dhe u mbrujt ai që do trazonte me fjalën e lirë kryqendrën e shtjellave të gatimit të dimensionit të vlerës, Sharl Bodler. Ai nuk ishte, por mbeti një ndër poetët më të rëndësishëm, krijimtaria e të cilit plazmoi gjurmët e para të modernizmit, dhe hodhi hapin vendimtar të një ndryshimi epokal në Francën që druhej nga amoraliteti dhe duhej të ndryshonte.

Albert Vataj

Pjesë nga krijimtaria e Sharl Bodler

Stolite

E embla ime qe shtrire krejt nudo, ashtu sic m’a donte shpirti

e ne trup s’kish lene gje tjeter vec stolitve te saj tingelluese

e fort te cmuara qe i jepnin nje pamje e ajer teper triumfues,

te tille si ai i sklleverve te Moreve ne ditet e tyre me te lumtura….

E, kur keto stoli tunden e hidhen me nje zhurme tallese

ne nje bote vezulluese plot drite metali e zafiresh,

ndjej te hyj ne ekstaze e te humbas ne terbim

mes gjerash ku tingujt perzihen ne drite e harrim…

E, ajo e shtire mbi divan, e dorezuar ne ledhka dashurie

qeshte krejt e leshuar e hareshem nga lumturia,

qeshte me dashurine time, te thelle e te embel si deti,

qe ngjitej drejt saj si dallga mbi shkembenj…

Me syte e saj cpues te ngulur mbi mua si nje tiger i zbutur

me pamje te perhumbur e enderrimtare merrte poza lozonjare

e me hidhte hidhte shigjeta shikimesh plot ledhka dashurie

e pamja e saj naive e sensuale shkriheshin plot nur e magji…

E barku i saj e gjinjte si dy fryte te virgjer eremire

dhe lleret dhe kembet dhe kofshet e baseni,

te lemuar si fildish, te valezuar si qafe mjelme

shfaqeshin para meje, mermer i paster e plot drite

Afroheshin e me perkedhelnin si Engjejt e se Keqes,

per te me prishur qetesine e prehjen e shpirtit tim,

per te me coroditur e rrezuar nga ai Shkemb Kristal

ku isha ulur e prehesha i qete e vetmitar…

Mbresat

Oh! Kam aq shume mbresa si te kem jetuar njemije vjet

e komone e madhe e kam plot sirtare kujtimesh:

kuintanca te bera rrotuj lidhur me kordele,

vargje, letra dashurie, fatura e romanca

qe fshehin shume me pak sekrete se sa truri im

i lodhur qe ngjan si piramide a qilar pa fund,

ku jane groposur shume me teper kufoma, shume me

teper te vdekur se sa ne nje varr te perbashket

Nje kalimtareje…

Rruga rreth e rrotull zjente e zhurmonte.

Veshur ne te zeza ne dhimbje madheshtore,

nje grua shkoi duke tundur plot salltanet,

kindet e dantellat e fustanit te saj te gjate

Po pija ne mejhane i perhumbur, tape e ekstravagant

kur ajo kaloi para meje, me kembe prej statuje e fisnike

si shqiponje. E, thelle ne syte e saj, qiell gri ku lind urugani,

pashe embelsine qe magjeps e epshin qe vret…

Ish nje vetetime verbuese e pastaj u be… nate!

O bukuri kalimtare qe me bere te fluturoj me krahe,

valle, s’do te shoh me, ne kete jete a ne eternitet?

Ajo iku e humbi mes turmes! S’do t’a shihja kurre!

Nuk dija ku vinte e as ajo s’dinte ku shkoja une.

Por, oh, qeshe i bindur! Po, qeshe i sigurte!

Ajo do ish gruaja qe do te kisha dashuruar…

Maces sime

Hajde, macja ime e hijeshme,

hajde ne zemren time te dashuruar.

Vuri putrat e buta mbi gjoksin tim

e lerme te zhytem ne syte e tu te bukur

plot ngjyre metal e gure zefiri…

E teksa duart e mia dehen ne perkedheli

mbi koken e shpinen tende elastike

e dora ime dridhet nga volupteti

mbi pellushin tend te bute e elektrik,

une ndjej trupin e se dashures sime.

Shikimin e saj qe eshte si yti, o kafshe e bekuar,

te thelle e i ftohte, cpues e i mprehte si kame !

Ndjej perreth meje nga kembet gjer tek koka,

te lehte e kercenues, nje parfum trulloses

qe endet si opium perreth trupit te saj brun…

Shtrati i dashnoreve

Shtrati yne do te jete i parfumuar

e divanet perreth, te thelle si varre

stolisur plot lule te rralla

mbledhur enkas neper qiej.

Duke djegur prushin e fundit,

zemrat tona do behen pishtare

e do hedhin nje drite te dyfishte

ne zemrat tona si dy pasqyra binjake.

Ne nje mbremje ne roze e blu mistike

ne do te reflektojme te njejten drite

perzier plot vaj, rrenkime e lamtumira.

Pastaj nje Engjell

duke hapur portat

e qiejve do na ringjalle

e flaket e shuara do rimarrin jete,

e ne do te jemi perseri se bashku

besnike e te lumtur…

Parfum egzotik

Kur, sy mbyllur, ne nje mbremje te vaket vjeshte

thith kendshem aromen e gjoksit tend te nxehte,

shoh para meje imazhe brigjesh te lumtura

qe perflaken ne zjarre perendimesh plot diell.

Shoh, nje ishull te bardhe e te vogel,

ku rriten peme te vecanta plot fruta gjithe arome;

burra me trup te vogel, por te forte e,

femra me sy te cilter e plot pushtet…

Pastaj, aroma e trupit tend, me con fluturim drejt

klimash mahnitese, ku shfaqet nje port plot vela

e marinare te sapokthyer nga udhetime te largeta.

E, pastaj, nga gjithe kjo enderr, mes kengesh detaresh

ndjej perreth meje te me futet gjer ne shpirt thelle,

parfumi i luleve egzotike qe ne ajer lodron perhere…

Ne floket e tu

…Lerme t’u marr ere, te thith thelle, pafundesisht, aromen e flokeve te tu, te zhys ne to krejt fytyren si ne ujet e nje burimi

te kristalte e, pastaj, me gishtat e mi t’i shushpuris ato si nje shami eremire qe shperndan kujtime te embla ne eter. Ah, sikur ti

te mund te imagjinoje gjith’ato qe une shoh, gjith’ato qe ndjej, gjith’ato qe degjoj ne floket e tu! Shpirti im lundron mbi parfume

si shpirti i te tjereve ne muzike… I zhytur mes flokeve te tu, shoh nje enderr plot anije, vela e dyreke te cilet musonet i

shtyjne drejt klimash te mrekullueshme, mes detrash pafund, aty ku qielli eshte teper blu e deti shume i thelle, aty ku thithet ajer

i parfumuar nga aroma e frutave, barit e lekures njerezore. Ja, ne oqeanin e flokeve te tu shoh nje port plot dallge kengesh

melankolike, me njerez te forte racash te ndryshme e plot anije lloj-llojesh te cilat lartojne arkitekturat e tyre te perkryera

nen nje qiell te pafund ku prehet nje ngrohtesi e perjetshme. Duke ledhatuar floket e tu, ndjej ofshamat e lengatat e

dikurshme, te perjetuara shtire mbi nje divan, ne dhomezen e nje anije te bukur perkundur nga valet e lehta te molos; aty mes vazo

lulesh e amforash freskuese. Mes vatres se zjarrte te flokeve te tu, tani thith arome duhani egzotik perzier me opium e kallam

sheqeri e, nderkohe, ne naten e flokeve te tu, me shfaqet shkelqimi i pafund i kaltersive tropikale; mbi brigjet e kadifejta

te flokeve te tu mbushem plot aroma ku ndjej perzier bashke: gudron, myshk e vaj kokoje. Ah, lerme te kafshoj floket e tu. /KultPlus.com

Letra e vetëvrasjes së Bodlerit shitet për 234 mijë euro

Një letër e Charles Baudelaire, në të cilën njoftonte se do vriste veten është shitur në ankand për 234 mijë euro.

Letra e shkruar nga poeti francez i shekullit XIX, daton më 30 qershor 1845. Ajo i drejtuar të dashurës e tij, Zhin Dyval shkruan Bbc. Poeti, i cili ishte 24 vjeç në atë kohë, u përpoq të bënte vetëvrasje atë ditë, por mbijetoi.

“Në kohën që do ta kesh marrë këtë letër, unë do të kem vdekur. Po vras veten sepse nuk mund të jetoj më, as të mbaj barrën e rënies në gjumë dhe as të zgjimit përsëri”, shkruante në letër Bodler.

Shkrimtari, i cili kishte probleme me paratë pas harxhimit të trashëgimisë së tij, qëlloi veten në gjoks, por nuk pësoi lëndime të rënda. Ai jetoi edhe për 22 vite të tjera, duke shkruar në atë kohë një vëllim që krijoi reputacionin e tij, Les Fleurs du Mal (Lulet e së keqes).

Poeti i njohur vdiq nga sifilizi në 1867. Faqja e ankandit tha se letra iu shit një blerësi privat me trefishin e çmimit që ishte parashikuar./ KultPlus.com