Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit organizoi diskutim për botimet historike, premtoi se do ta mbështes këtë kategori

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit gjatë ditës së sotme mbajti takim me Akademinë e Studimeve Albanologjike dhe Departamentin e Historisë në mjediset e Muzeut Kombëtar në Tiranë, shkruan KultPlus.

Zyrtarë institucional dhe historianë e studiues të shumtë u takuan për të diskutuar për librat historik, nevojat dhe kërkesat e kësaj fushe, përkthimet, autorët dhe lexuesit.

Drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Alda Bardhyli u shpreh se po tentojnë t’i japin zë fushave që kanë qenë më pak në fokus, e siç është edhe çështja e botimeve historike.

“QKLL-ja do të krijojë një fond të posaçëm mbështetjeje për albanologjinë, por dhe do t’i japë më shumë hapësirë, përmes kooperimeve ndërkombëtare, që libri historik e albanologjik shqiptar të jetë pjesë e panaireve, apo aktiviteteve ndërkombëtare te Librit, ku merr pjesë Ministria e Kulturës”, premtoi Bardhyli.

Pos të tjerash ajo theksoi se është e domosdoshme ndihma ndaj kësaj kategorie, e veçanërisht autorëve të historisë.

“Mendoj se është shumë e rëndësishme që të rrisim kulturën e leximit në përhapjen e vlerave identitare që mbartin botimet historike, sidomos te brezi i ri”, përfundoi drejtoresha e QKLL-së.

Të pranishëm ishin edhe Prof. Dr. Hamit Kaba, Prof. Dr. Mariglen Verli, Prof. Ass. Sonila Boçi, Prof. Ass. Ledia Dushku, Dr. Dorian Koçi. / KultPlus.com