Natë magjike në Tiranë, Nikos Vertis koncert madhështor në “Air Albania Stadium”

“Magjike nata sot në Air Albania Stadium”, shkroi kryeministri Rama ndërsa ndau në rrjetet sociale pamje nga koncerti që mbajti mbrëmjen e djeshme këngëtari Nikos Vertis, në kuadër të Javës Kulturore të Greqisë.

Kjo ishte hera e parë që Vertis këndonte në Tiranë, ku siç u pa edhe nga pjesëmarrja dhe jehona që pati, këngëtari ka një numër të madh adhuruesish.

Vertis ka kënduar live, i shoqëruar edhe nga kori i spektatorëve të shumtë në “Air Albania Stadium”.

Koncerti i realizuar mbrëmë në Tiranë, renditet ndër shumë të tjerë të programuar në turneun e tij të titulluar “20 vjet ritëm dhe pasion”.

Në kuadër të këtij turneu Vertis ka qenë edhe në Sofie, Jerevan, Beograd si dhe në shumë qytete të Greqisë.

Ylli i muzikës greke gjatë vizitës së tij në Tiranë, u takua edhe me kryebashkiakun Veliaj, ku së bashku zbuluan edhe origjinën e tij arvanitase.

Ky koncert mund të konsiderohet pikë kulmore e Javës Kulturore Greke në Shqipëri./ atsh / KultPlus.com

“Ura me tri harqe” po vjen me edicionin e radhës, Universiteti i Prishtinës nikoqir i kësaj ngjarje kulturore

Po vjen edicioni i trembëdhjetë i ngjarjes së përbashkët kulturore, “Ura me tri harqe”, e të tri institucioneve shqipfolëse të arsimit të lartë: Universiteti i Arteve- Tiranë, Fakulteti i Arteve i Universitetit të Tetovës si dhe Fakulteti i Arteve i Universitetit të Prishtinës, përcjell KultPlus.

Sivjet Universiteti i Prishtinës do të jetë nikoqir i kësaj ngjarje.

Ky Manifestim gjatë këtyre dy ditëve do të shfaqë, ekspozojë e performojë, projektet artistike më me vlerë përgjatë vitit akademik 2022-23, si filma me metrazh te shkurtër, dokumentarë, shfaqje teatrale, ekspozitën e koncertin e përbashkët të tri Universiteteve. Poashtu këtë vit “urës” do t’i bashkohet edhe një shfaqje mysafire nga studentët e Fakultetit të Arteve Dramatike në Shkup.

Programi i kësaj veprimtarie artistike do të prezantohen përgjatë dy ditëve 25-26 maj 2023. / KultPlus.com

Në Tiranë promovohet kompleti i veprave të profesorit, studiuesit dhe përkthyesit Ismail Ahmedi

Shtëpia Botuese Logos – A e Shkupit në bashkëpunim me Botimet Alsar të Tiranës, do të organizojnë promovimin e kompletit të veprave të prof. dr. Ismail Ahmedit, përcjell KultPlus.

Ceremoninë e promovimit do ta nderojnë me fjalët e tyre përshëndetëse: Ali Ahmeti, kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim, Hysni Ismaili, nënkryetar i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Jeton Shaqiri, ministër i Arsimit dhe Shkencës i Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Për veprën e autorit kumtesat e tyre do t’i paraqesin: prof. dr. Xhevat Lloshi, prof. dr. Milazim Krasniqi, prof. dr. Sali Bashota, prof. dr. Adnan Ismaili dhe publicisti Agim Baçi, ndërsa promovimi do të moderohet nga Mehdi Gurra, kryetar i Fondacionit Alsar në Tiranë.

Ceremonia mbahet ditën e enjten, më 25 maj 2023, në orën 12, në Hotel Tirana International, në sallën “Balsha”, 

Ismail Ahmedi ishte profesor i gjuhës dhe letërsisë arabe në Degën e Orientalistikës në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës, që nga viti 1974 e deri në pensionim. Është i njohur kontributi i tij në fushën e edukimit, në detyrën e prorektorin për arsim në Universitetin e Tetovës, pastaj në bashkëthemelimin e disa institucioneve në Prishtinë, Shkup, Tetovë. Po kështu, me botimin e librave të veçantë, ka kontribuar edhe në fushën e përkthimeve letrare nga gjuha arabe në gjuhën shqipe dhe anasjelltas. Libri monografik për jetën dhe veprën e Hafiz Ali Korçës, konsiderohet një ndër studimet me vlera të rëndësishme shkencore të profesor Ahmedit.

Shtëpia Botuese Logos-A, që konsiderohet ndër botuesit më të njohur në rajon e më gjerë, e ka botuar kompletin e veprave të Ismail Ahmedit në tetë vëllime që tashmë është para lexuesve në Shkup, Prishtinë dhe Tiranë. / KultPlus.com

Ekspozitë qeramike në Galerinë e Artit në Tiranë

 Në Galerinë e Arteve të Tiranës (GAT) u çel ekspozita e skulptores Mira Kuçuku.

Ekspozita vjen me punime të larmishme, të cilat kanë mbushur sallat e GAT-it.

Mira Kuçuku nuk i ka vënë një emër ekspozitës, e cila është një përmbledhje e punimeve të viteve të fundit, por e quan thjeshtë “Qeramika e Mirës”, duke ia kushtuar atë 3 mbesave të saj.

“Për mua është ekspozita e parë private në vend, pas disa ekspozitave të tilla në Paris, Bordo, Holandë, Danimarke, Venecia e Prishtinë”, tha Mira Kuçuku për ATSH-në.

Teknika që mbizotëron në krijimet e Mirës është teknika japoneze “raku”, me të cilën është njohur jashtë vendit.

Ardian Devolli, kuratori i ekspozitës, shprehet se, “kemi të bëjmë me një artiste që spikat për nga origjinaliteti, forca krijuese, njohja e teknikave të qeramikës, teknologjisë së materialit etj”.

Vetë artistja e sheh qeramikën si grua: “Në përkëdheljet me zjarrin përvëlues, ajo forcohet dhe të befason, me të papriturat e saj, si një grua tekanjoze dhe kthehet më e bukur dhe vezulluese”.

Ekspozita “Qeramika e Mirës” do të qëndrojë e hapur për publikun, në Galerinë GAT, deri më 30 prill./atsh/KultPlus.com

RYCO në Tiranë i kërkon Qeverisë serbe ta largojë përfaqësuesin për foton me hartën e Kosovës

Sekretariati i Zyrës Rajonale për Bashkëpunim Rinor në Tiranë (RYCO) i ka kërkuar Qeverisë së Serbisë që ta ndërrojë përfaqësuesin rinor të saj në Bordin Drejtues, pasi Jagosh Stojanoviq publikoi një fotografi me një flamurin “s’ka dorëzim”, ku harta e Kosovës ishte mbuluar me flamurin e Serbisë.

“Pas përpjekjeve joformale për të gjetur një zgjidhje javën e kaluar, Sekretariati i RYCO-s ka ftuar zyrtarisht Qeverinë e Serbisë të reagojë dhe të zëvendësojë me efekt të menjëhershëm përfaqësuesin rinor në Bordin Drejtues z. Jagoš Stojanovic. Emërimi i kontestuar i Stojanovic për përfaqësues rinor dhe fotografia kontraverse që ai postoi në mediat sociale janë kundër vlerave thelbësore të RYCO-s dhe nxisin gjuhën e urrejtjes, nga e cila distancohet Sekretariati i RYCO”, thuhet në njoftimin e RYCO-s në Tiranë.

Fotografia e publikuar nga Stojanoviq në Instagram

Kjo zyrë alarmon se Stojanoviq ka cenuar vlerat e ndërtimit të paqes nga një përfaqëssues i Bordit Drejtues të RYCO-s.

“Kjo është thënë edhe në letrën dërguar ministrit serb të Turizmit dhe Rinisë, z. Husein Memiqć, duke thënë gjithashtu se Sekretariati i RYCO-s nuk mund të pranojë kur vlerat tona të ndërtimit të paqes dhe pajtimit cenohen, aq më tepër nga një përfaqësues rinor në Bordin tonë Drejtues. Theksuam se edhe kjo situatë ka treguar se sa e rëndësishme është përmirësimi i procesit të përzgjedhjes së përfaqësuesit rinor në të ardhmen, në mënyrë që të kemi një mekanizëm të unifikuar dhe transparent të pranueshëm si për qeveritë ashtu edhe për të rinjtë”.

Zyra në Tiranë citon statutin e RYCO-s që thotë  se përfaqësuesit e të rinjve në Bordin Drejtues zgjidhen ekskluzivisht nga Palët Kontraktuese dhe Sekretariati i RYCO-s nuk ka juridiksion në këtë proces.

Neni 16/3 thotë: “Çdo Palë Kontraktuese do të zgjedhë një përfaqësues të të rinjve duke përdorur mekanizmat e veta në mënyrë transparente, gjithëpërfshirëse dhe demokratike dhe në bashkëpunim të ngushtë me shoqërinë civile që merret me rininë”.

Në fund të njoftimit thuhet se “Që nga viti 2017, RYCO ka punuar në të gjithë rajonin me të rinj nga të gjitha prapravijat në promovimin e paqes, mirëkuptimit të ndërsjellë, tolerancës dhe respektit, të cilat janë vlerat në të cilat ne besojmë fuqishëm dhe që drejtojnë punën tonë të përditshme. RYCO do të mbetet e përkushtuar për të kundërshtuar të gjitha format e veprimit që nxisin urrejtjen dhe jotolerancën midis të rinjve në Ballkanin Perëndimor dhe do të vazhdojë të promovojë frymën e pajtimit dhe bashkëpunimit rajonal”. /Express/ KultPlus.com

Takimi mbarëkombëtarë “Shqipja në Diasporë” duhet të jetë i përvitshëm

Takimi mbarëkombëtar “Shqipja në Diasporë” që u mbajt në Tiranë dhe Shkodër nga data 26-27 nëntor 2022, për hir të rëndësisë dhe nevojës që ka, me qëllim që t`i bashkërendisim aktivitetet dhe angazhimet tona të përbashkëta në shërbim të ruajtjes së gjuhës dhe kulturës kombëtare në Diasporë duhet të jetë i përvitshëm!

Shkruan: Vaxhid Sejdiu

Takimi mbarëkombëtar “Shqipja në diasporë” që u organizua ditë më parë në Tiranë dhe Shkodër me datat 26 -27 nëntor na detyron të mendojmë më shumë se njëherë, në shërbim të ruajtjes dhe zhvillimit të gjuhës shqipe në Diasporë. Një takim mirë i organizuar që na detyron ta bëjmë të përvitshëm me qëllim që të takohemi dhe të bashkëbisedojmë se çka realizuam në vitin që lëmë pas dhe çka mbeti parealizuar, që na detyron ta realizojmë në të ardhmen. Pra me një fjalë, thënë shkurt, takimi mbarëkombëtar “Shqipja në Diasporë” për hir të rëndësisë dhe nevojës që ka, me qëllim që t`i bashkërendisim aktivitetet dhe angazhimet tona të përbashkëta në shërbim të ruajtjes së gjuhës dhe kulturës kombëtare në Diasporë duhet të jetë i përvitshëm!

Në takim pashë një forcë të madhe pozitive intelektuale dhe profesionale në të gjitha panelet. E gjithë kjo është meritë e QBD dhe stafit të saj veçanërisht në drejtimin e Mimoza Hysa, të cilët arritën të bëjnë bashkë një pjesë të forcës shqiptare në mërgim. A ka nevojë që idetë dhe mendimet të zgjerohen edhe më shumë. Padyshim se po. Por në të ardhmen, në momentin që aktiviteti shndërrohet në aktivitet të përvitshëm mundësitë e shumë përfshirjes do të jenë shumë më të mëdha. Mundësitë për të bashkëbiseduar janë shumë më reale dhe jam i bindur se rezultate në përpjekjet e mërgimtarëve për të ruajtur gjuhën dhe kulturën kombëtare nuk do të mungojnë.

Çdo kush që mundohet në këtë rrugëtim duhet të përkrahet sepse vetëm bashkërisht duke i bashkuar forcat dhe duke zgjedhur më të mirën e mundshme në shërbim të këtyre aktiviteteve gjithëkombëtare mund të arrijmë aty ku synojmë.

Këshilli Koordinues i Arsimtarëve në Diasporë (KKAD) më se dy vite ka bërë një punë jashtëzakonisht të madhe në shërbim të regjistrimit të të gjitha kërkesave të mësimit dhe zhvillimit të gjuhës shqipe në Diasporë. Dhe sot i gëzohemi faktit se disa gjëra kanë filluar të hynë në binarë dhe me shpresë që edhe kërkesat tjera të fillojnë të realizohen. Shpresojmë që së bashku do të arrijmë suksesin e dëshiruar. / KultPlus.com

Samiti BE-Ballkani Perëndimor, 730 gazetarë dhe 14 delegacione sot në Tiranë

Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e konsideron mjaft të rëndësishëm për vendin tonë, mbajtjen e samitit BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë.

Në një intervistë për Euronews Albania, Balluku u shpreh se sonte mbërrijnë 14 delegacione si dhe janë akomoduar 730 gazetarë.

Ajo bëri të ditur se Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani do të mbërrijë sonte në kryeqytet.

Lidhur me protestën që do të orgnanizojë Partia Demokratike, Balluku nënvizoi se nuk ka asgjë për t’u shqetësuar.

“Do të jetë Presidentja Osmani, e cila mbërrin sonte. Një pjesë e delegacioneve mbërrin sot në Shqipëri. Më shumë se 14 krerë shtetesh vijnë sot, duke nisur nga pasditja deri në darkë vonë. Edhe Presidentja e Kosovës do të jetë prezente, duke aksesuar Tiranën që sonte. Në Tiranë, gjatë 48 orëve të fundit, janë akredituar më shumë 730 gazetarë të huaj, vëmendja do të jetë e përqëndruar në Tiranë nesër. Ky është eventi më i madh që ka ndodhur në Ballkanin Perëndimor.

Unë nuk e di, besoj se është supozim nga ana jote nëse gazetarët do të kenë kohë nesër që të merren me një protestë diku nëpër rrugët e Tiranës, ndërkohë që në Tiranë, nesër është skena më e madhe politike e Evropës. Duke thënë këtë, besoj se e kupton dhe ti, e kuptojnë të gjithë se sa sekonda do të harxhohen. Pastaj, protestat janë një normalitet i plotë. Kujtoj mbledhjet e G-7 apo të G-20 ku ka gjithmonë protesta dhe nuk ka asgjë për t’u shqetësuar”, theksoi ajo. / KultPlus.com

Rama: Piramida do të bëhet qendra më e madhe dixhitale e Ballkanit

Piramida në kryeqytet do të jetë qendra më e madhe multifunksionale për të rinjtë, e fokusuar kryesisht në arsimimin dixhital, por dhe të artit e kulturës.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar foto nga punimet që po vijojnë në ndërtesën më ikonike të qytetit e cila pas transformimit synohet ta vizitojnë rreth 5 mijë të rinj në ditë.

Rama shprehet se piramida e cila po merr formën e konceptuar nga arkitekti i famshëm holandez, Winy Maas, do të bëhet së shpejti qendra më e madhe digjitale e Ballkanit.

Pas përfundimit të këtij projekti me financim të qeverisë, Bashkisë së Tiranës dhe Fondit Amerikan të Zhvillimit, kjo qendër do të ketë 18 salla, ku të rinjtë të studiojnë për programe të ndryshme kompjuterike dhe 14 klasa të tjera që janë konceptuar në natyrë.

Sipas projektit, Piramida ndahet në 3 zona ku një pjesë do të jetë për Tumo dhe klasat që do të zhvillohen brenda, një pjesë do të jetë sistem biznesesh dhe sipërmarrës të IT ku do shumë prej Startup-eve do të bëjnë praktikën dhe të testojnë produkte.

Risi është riciklimi i gjithë materialit të mbetur në piramidë, i cili do të përdoret për krijimin e ndërtesës së re, ndërsa pjesa e jashtme rrëshqitëse do të jetë me shkallë si vendpushimi për studentët. / atsh / KultPlus.com

“Ditët e albanologjisë” në Tiranë, Shkup e Prishtinë

Akademia e Studimeve Albanologjike dhe institutet e saj, kanë përgatitur një program të pasur me konferenca shkencore, ekspozita, promovime e shumë aktivitete të tjera, me rastin e “Ditëve të albanologjisë”.

Edicioni i 13-të i “Ditëve të albanologjisë”, organizohen nga 21 deri më 26 nëntor 2022, në Tiranë.

Krahas tyre, janë dy aktivitete paralele që mbahen në Shkup dhe Prishtinë, respektivisht më 22 dhe 23 nëntor, në kuadër të ngjarjes kryesore “Një komb, një gjuhë” që ka në fokus gjuhën shqipe, nga Kongresi i Manastirit deri në zhvillimet e sotme.

Janë të shumtë gjuhëtarët, studiuesit interdisiplinarë që sjellin studimet dhe analizat e tyre më të fundit mbi këtë temë.

Akademia e Studimeve Albanologjike ka planifikuar gjithashtu promovime të librit të ri albanologjik dhe ceremoni mirënjohjeje për personalitete të albanologjisë. / atsh / KultPlus.com

Tirana mikpret Javën e Kulturës Hungareze

Tirana do të mikpresë Javën e Kulturës Hungareze në Shqipëri më 2 nëntor.

Si pjesë e eventit prezantues ditën e mërkurë do të jetë dhe hapja e ekspozitës “Vanice Art”, e cila do të prezantojë punimet e inteligjencës artificiale nga artisti inovator hungarez Péter Vanicsek.

Arti i inteligjencës artificiale vjen për herë të parë në Shqipëri dhe sjell një teknologji të re për botën dhe një univers pa limit për fotografinë e rindërtuar.

Festivali “Hungarissimo” do të promovojë kulturën shqiptare dhe hungareze dhe aksesin në krijimtarinë bashkëkohore.

Kjo javë është strukturuar si një platformë shumëdisiplinore që do të ofrojë një larmi formatesh, duke përfshirë performanca muzikore, masterklasa, seminare, forume artistike, e të tjerë.

Programi që vjen ka një gamë të gjerë zhanresh dhe fushash si artet performuese dhe pamore, fotografia, letërsia, shahu, inovacioni në art, kulinaria e industritë krijuese. Mbi të gjitha, do të shoqërohet me ardhjen në Shqipëri të mjaft artistëve brilantë e të kalibrit botëror.

Almira Emiri, Drejtore e Festivalit dhe pianiste shqiptare që ka punuar dhe jetuar mbi 20 vite në Hungari, e cilëson eventin si një mundësi të artë për të sjellë sa më pranë dy vendet.

Ndërsa Mira Hoxha, ish-ambasadore në Hungari dhe Anëtare Nderi e Bordit të Festivalit vlerëson rëndësinë në kontekstin e historikut të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

“Këtë vit, ky festival vjen si një celebrim i denjë i 100-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve dhe një shenjues i asaj që duhet të vijë në 100 vitet e ardhshme”, është shprehur ish-ambasadorja.

Eventi realizohet nga Festival Academy në bashkëpunim me Ambasadën e Hungarisë në Tiranë.

Java e Kulturës Hungareze (2-6 nëntor 2022) vjen në vazhdën e javëve kulturore ndërkombëtare të organizuara nga kryeministria e në partneritet me Ministrinë e Kulturës. / atsh / KultPlus.com

Festivali Europian i Filmit Arkeologjik në Tiranë

Nga sot e deri më 29 tetor do të zhvillohet “Arkeovizion”, Festivali Europian i Filmit Arkeologjik. Tema e këtij viti është “Kthim në të ardhmen” e fokusohet në trashëgiminë arkeologjike.

Festivali prezanton 8 filma (me titra shqip) nga Shqipëria, Bullgaria, Franca, Gjermania, Greqia dhe Italia. Dita e parë çelet me podkastet nga Apolonia, në Muzeun e Arkeologjisë (Akademia e Studimeve Albanologjike). Më pas shfaqet filmi “Muzeu arkeologjik i Napolit, mbartësi i qytetërimit” me regji të Laura Pintus, 52’ dhe prodhim i vitit 2021.

Shqipëria përfaqësohet me dy dokumentarë në këtë festival: “Një udhëtim në kohë në gjurmët e karvanëve të jugut të Shqipërisë” dhe “Duke kundruar Bizantin nga Shqipëria”. Përpara çdo projeksioni do të ketë një prezantim 10 minutësh mbi një temë nga arkeologë shqiptarë dhe të huaj.

“Arkeovizion” nisi si nismë e Institutit Italian të Kulturës dhe Ambasadës Franceze, në partneritet me Institutin e Arkeologjisë (Akademia e Studimeve Albanologjike). Ka gjetur mbështetjen e EUNIC (EU National Institutes for Culture) dhe ka për qëllim t’iu qaset ngjarjeve kulturore që lidhen me vendet dhe historinë, të shpjegojë punën e misioneve arkeologjike; të përmirësojë qasjen virtuale në këtë trashëgimi si për shqiptarët ashtu edhe për të huajt si dhe të trajtojë aspekte edukative dhe ekonomike si novacioni digjital, turizmi etj.

Festivali mbahet në dy hapësira, Muzeu Arkeologjik dhe Salla UNESCO e Muzeut Historik Kombëtar. /atsh / KultPlus.com

Eda Zari sjell festivalin e jazz-it në Tiranë

Për të apasionuarit e muzikës jazz, në Tiranë do të vijë festivali Jazz & Wine International Festival Albania.

Ky festival jazz-i do të sjellë në Tiranë artisten Eda Zari dhe miqtë e saj artistë, nga vende të ndryshme të botës. Ky edicion i Jazz & Wine, me moton “Tingulli dhe fjala si një palimpsest”, vjen në kuadër të “tetorit gjerman”.

Së bashku me kolegë të tjerë, Eda Zari do të interpretojë mbrëmjen e datës 28 tetor, në Qendrën Kulturore të Katedrales Orthodhokse Tiranë.

Me të do të jetë Rhani Krija, artist me të cilin prej më shumë se dy dekadash, Zari ka krijuar një simbiozë melo-ritmike unike, kimi që ka rivitalizuar repertorin e këngëve tradicionale shqiptare.

Rhani Krija, zotëron çdo instrument perkusiv. Ai ka lindur në Marok por jeton e krijon në Këln të Gjermanisë. Krija ka realizuar turne koncertale me yje botërore dhe vlerësohet jashtëzakonisht në skenën ndërkombëtare, ku shquhet për duart magjike dhe sensin e pakrahasueshëm ritmik. Ai ka luajtur me Sting, Peter Gabriel, Annie Lennox, Herbie Hancock dhe Prince, Lady Gaga etj.  Sipas tij “Muzika tradicionale shqiptare, është një pasuri për muzikën botërore”.

Në këtë natë “Jazz dhe Poezi”, artistja, e cila këtë herë do të performojë në skenë edhe me djalin e saj Henning Jung, bashkon ‘creme de la creme’ të skenës aktuale të xhazit për të formuar një septet unik, botë orkestrale, ritme dhe poezi, të bashkuara në një ngjarje zanore kinematografike. Një varietet shpërthyes, i sofistikuar dhe tërheqës.

32 vitet e Eda Zarit mes shqipes dhe gjermanishtes tashmë, na sjellin “një shkëlqim të fshehtë ”brenda “Palimpsestit” të mendjes dhe zemrës, Lasgush Poradecit dhe Heinrich Heine-s. / atsh / KultPlus.com

Jim Belushi do të vizitojë Tiranën

Muajin e ardhshëm, aktori i njohur Jim Belushi, me origjinë shqiptare, do të udhëtojë drejt Tiranës, shkruan KultPlus.

Në një takim me biznesmenë të huaj në Tiranë, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, prezantoi lajmin dhe vuri në dukje se kjo është një kohë e shkëlqyer për të vizituar kryeqytetin shqiptar.

“Tirana është këtë vit Kryeqyteti Europian i Rinisë. Është një moment i shkëlqyer për të ardhur në Tiranë. Kemi patur mbi 1 mijë aktivitete kulturore artisitke. Ne sapo organizuam Festivalin e Dua Lipës në Tiranë, Rita Ora kishte koncertin e saj po ashtu. Muajin e ardhshëm do vijë edhe Jim Belushi në Shqipëri. Edhe ai i është shqiptar”, u shpreh Veliaj.

Ai shtoi se aktivitetet e shumta të qytetit kanë gjeneruar një energji të këndshme që është e perceptueshme për të gjithë ata që e vizitojnë.

“Ne ndoshta nuk jemi vend aq i madh si disa të tjerë, por jemi origjinalë. Jemi një vend i bukur, me energji pozitive. Çdo qytet mund të ndryshojë, çdo shoqëri mund të ndryshojë, çdo vend mund të ndryshojë, por që qytetet të ndryshojnë duhet vendosmëri, disiplinë dhe një dozë e madhe kreativiteti”, u shpreh Veliaj.

Biznesmenët u mblodhën nga YPA Albania, një grup prej mbi 28 000 drejtuesish që mblidhen çdo vit për të zhvilluar dhe përmirësuar sektorin e biznesit. /KultPlus.com

Takim i Rita Orës me nxënësit e Liceut Artistik në Tiranë: Asnjëherë mos ndaloni të ëndrroni, besoni dhe krijoni (VIDEO)

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora ka arritur tashmë në Tiranë, shkruan KultPlus.

Të martën, në Javën e Kulturës Britanike, ajo do të performojë në sheshin Skënderbej, në një koncert falas për të gjithë qytetarët, por takimin e parë ka bërë me studentët e Liceut Artistik.

Kryetari i Tiranës, Erion Veliaj ka shpërndarë videon që është realizuar në Liceun Artistik. Talentët e rinj të qytetit i drejtuan mjaft pyetje Ritës, ndërkaq përcollën me interes mesazhin e saj rreth muzikës dhe suskesit në këtë fushë.

Ajo mes të tjerash ka thënë se mosha asnjëherë nuk është pengesë që të vazhdosh së ëndërruari, besuari dhe krijuari.

“Nuk ka rëndësi sa vjeç je, asnjëherë mos ndaloni dot së ëndërruari, besuari dhe krijuari. Dhe ky është qëllimi. Duhet që të gjithë së bashku të inspirojmë njëri-tjetrin dhe kjo është mënyra se si ne realizojmë ëndrrat”, ka thënë Ora.

Sipas saj, duhet që me të vërtetë të dish se çfarë doni të bëni me jetën dhe çfarë dëshironi në këtë jetë. A doni të bëni familjen të lumtur, apo vetën të lumtur, a dëshiron të këndosh apo dëshiron të bësh para; pra cila është ëndrra?

“E gjithë kjo duhet të vijë nga brenda sepse kur të rritesh dhe të takosh njerëz, disa nga ta do të të inspirojnë për të bërë diçka tjetër apo disa do të të thonë ‘Ti s’mund ta bësh atë’, dhe mund të ta shkatërrojnë besimin në vete dhe disa tjerë do të të thonë që edhe ata dëshirojnë të bëjnë të njëjtën, andaj unë mendoj që duhet të jeni vërtetë të fokusuar dhe të mos e dëgjoni atë zë që ju largon nga rruga juaj. Andaj duhet të luftoni shumë që ti përmbysni fjalët e të tjerëve. Dhe kjo është ajo se çfarë akoma më mban gjallë. Unë isha 19 vjeç kur fillova dhe jam shumë me fat që akoma e bëj. Përdoreni instinktin tuaj por jeni edhe të zgjuar, të guximshëm dhe me plot vetëbesim sepse se çfarë ne bëjmë në mënyrë kreative, askush në fakt nuk duhet ta kuptojë për arsye se ne jemi kreativë. Duhet të duroni shumë. Por as unë s’kam fare durim por është e vërtetë ajo që po them”, ka thënë Ora.

Ajo tutje ka vlerësuar lartë potencialin e të rinjve, ngaqë për të, idetë e tyre janë tejet të mira.

“Unë dua të sjell këtu disa nga miqtë e mi që kam takuar në industrinë e muzikës dhe të cilët mund të u mësojnë juve dhe që mund të vinë dhe të mbajnë mbledhje këtu me juve në mënyrë që ata të iu dhurojnë juve ide të shumta sepse fëmijët janë aty ku është e mira. Ata kanë idetë më të mira sepse ata akoma ëndërrojnë. Personalisht, unë asnjëherë nuk dua të pushoj së ëndërruari. Është shumë e vështirë ta bësh por thjesht rrini në slitën me rul. Do të jetë një rrugë e gjatë por shumë e mirë”, thotë ajo.

Më poshtë KultPlus ua sjell videon e plotë:

Dhunimi i 11-vjeçares në Prishtinë, nesër protestë edhe në Tiranë

Nesër nga ora 18:30, në sheshin “Nëna Terezë” në Tiranë, do të mbahet protestë lidhur me rastin e 11-vjeçares që u dhunua të shtunën në Prishtinë.

Këtë e ka bërë të ditur këngëtarja kosovare, Filloreta Raçi, e njohur si Fifi.

Ajo në një postim në Instagram ka shkruar: “Nesër ora 18:30 te SHESHI NENA TEREZE. VAJZA/ FEMRA/ GRUAJA është nderi jonë/ jo lodër e juaja”.

Deri tash për dhunimin e 11-vjeçares janë arrestuar katër persona, tre prej tyre të mitur, ndaj të cilëve tashmë është caktuar masa e paraburgimit, ndërsa i pesti është duke u intervistuar në stacionin policor.

Sot në Prishtinë është mbajtur një protestë, ndërsa pritet të mbahet edhe një nesër.

Çka dihet deri më tani për rastin?

Dhunimi i vajzës, sipas dosjes së Prokurorisë Themelore të Prishtinës, të cilën e posedon Gazeta Express, ka nisur të shtunën në parkun në lagjen “Arbëria” në Prishtinë, për të vazhduar në një lokacion tjetër të panjohur. Në dosjen e prokurorisë përshkruhen detaje tronditëse.

Prokuroria Themelore e Prishtinës ka dje kërkuar paraburgim ndaj 26 vjeçarit dhe një të mituri, vëllezër mes vete, si të dyshuar për dhunimin e vajzës 11-vjeçare. Dje, Gjykata Themelore e Prishtinës, ua ka caktuar atyre masën e paraburgimit.

Dy të dyshuar tjerë për dhunimin e të miturës janë arrestuar mbrëmë, ka njoftuar Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Më vonë, Policia ka dalë me komunikatë, përmes së cilës ka njoftuar se është identifikuar edhe i dyshuari i pestë për rastin, i cili është ende në arrati.

Sipas prokurorisë, i pandehuri E.R, 26-vjeç, ka kryer marrëdhënie seksuale pa dëshirën e të dëmtuarës, “në atë mënyrë që të pandehurin fillimisht e kishte thirrur në telefon vëllai i tij, i mitur., pastaj i pandehuri ka shkuar me “Pickup” tek parku në lagjen “Arbëria” në Prishtinë dhe e ka marrë me veturë vëllain e tij dhe të dyshuarit Xh.S., dhe G.J., të cilët ndodhen në arrati dhe të dëmtuarën. Pastaj rrugës tek varrezat kanë zbritur i mituri dhe, dhe Zh.S., ndërsa i pandehuri së bashku me G.J,.dhe të dëmtuarën janë larguar me veturë, ashtu që pas pak E.R., ka ndaluar veturën në një vend të panjohur dhe ka kryer marrëdhënie seksuale me të dëmtuarën. Edhe pse e ka ditë që e dëmtuara është nën 14-vjeç”, përshkruhet në kërkesën për caktimin e paraburgimit ndaj tij.

Aty shkruan se nga deklarata e të miturës dhënë në polici me datën 28.08.2022 rezulton se “përderisa e mitura ka qenë në park, i janë afruar tre persona, ku kanë filluar ta ngacmojnë me fjalë, ku e dëmtuara ka vazhduar të ecë por më pas njëri ka filluar edhe ta prekte”.

“Më pas të njëjtit, sipas viktimës, kanë vazhduar që ta ndiqnin dhe njëri nga ta e ka tërhequr me një qosh dhe të dy kanë filluar t’ia heqnin rrobat. Personi me maicë të bardhë ia ka kapur duart ndërsa perosni tjetër ka kryer marrëdhënie seksuale pa dëshirën e saj. Kur e dëmtuara ka filluar të bërtasë ata ia kanë mbyllur gojën dhe marrëdhënia ka ndodhur në këmbë. E dëmtuara ka deklaruar që pasi ka përfunduar njëri marrëdhënien e ka filluar tjetri” thuhet në përshkrimin e rastit që ka bërë prokuroria, transmeton Gazeta Express.

Më pas sipas saj, ka ardhë një automjet “pickup” ku dy persona janë ulur mbrapa dhe viktima përpara. Ajo ka deklaruar se edhe shoferi i veturës ka kryer marrëdhenie me të. / KultPlus.com

Mbyllet “Sunny Hill Festival”, Rama: Dua Lipën e presim me padurim në nëntor (VIDEO)

“Sunny Hill Festival”, që konsiderohet një nga ngjarjet më të rëndësishme artistike në trevat shqiptare, mbylli dje siparin në Tiranë.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale momente nga ky event i rëndësishëm, që u zhvillua në mjediset e parkut të Liqenit Artificial.

“Mirëmëngjes dhe me superenergjinë e “Sunny Hill” e me falënderimin për Duan, që e presim me padurim në Tiranë në nëntor, ju uroj një javë të mbarë”, shkruan Rama.

Në natën e parë të festivalit performuan artistët e njohur shqiptarë Capital T, Dafina Zeqiri, Dren Abazi, Art Lokaj, Sanchet, Art Haliti, etj.

Ndërsa atmosfera u bë më elektrizuese kur në skenë u ngjit reperi italian Fedez dhe reperi Action Bronson, të cilët sollën këngët më të bukura të repertorit të tyre.

Ndërkohë, në ditën e dytë të festivalit performuan vetëm DJ të njohur botëror e shqiptarë si, Hardwell, Afrojack, Regard Merk&Kremont, Drop G, Kamela Ampov, Vin Veli.

Në ditën e tretë të festivalit interpretuan Stormzy, Mc Kresha dhe Lyrical Son, Ledri Vula, Mozzik, Getinjo, Elgit Doda, Asgjë Sikur Dielli, Nika Paris- Vegas Jones- Rooms, Barny Fletcher, Alban Chela, Ardian, Rrrrron.

Festivali më herët u zhvillua edhe në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, pjesë e së cilit ishin rreth 100 mijë pjesëmarrës./KultPlus.com

“Sunny Hill Festival” në Tiranë, rregullat që duhet të zbatoni për të ndjekur artistët botërorë

Kur kanë mbetur edhe pak orë nga nisja e Sunny Hill Festival Tirana 2022, gjithçka është pothuajse gati. Teksa shitja e biletave po vijon me shpejtësi për shkak të kërkesave të shumta dhe nga jashtë vendit, organizatorët kanë publikuar disa nga rregullat që duhet të ndjekin të gjithë pjesëmarrësit në këtë festival. Të gjithë ata që tashmë kanë siguruar një biletë, duhet të marrin me vete kartën ID dhe Biletën, ndërsa nuk duhet të marrin me vete mjete të ndaluara.

Gjërat që duhet të dini:

1-Mosha minimale për të ndjekur festivalin vetëm është 16-vjeç.
Të rinjtë nën moshën 16-vjeçare duhet të jenë të shoqëruar nga të rriturit.

2-Ju mund ta rimbushni byzylykun tuaj direkt në vendin ku zhvillohet eventi, por ne ju rekomandojmë ta bëni pagesën nëpërmjet aplikacionit të Sunny Hill Festival për të shmangur radhët e gjata.

3-Për t’u futur, mos harroni:
Kartën ID/Pasaportën
Biletën (digjitale ose të printuar)

4-Në hyrje do të kaloni përmes kontrollit të sigurisë.

Sende të ndaluara:
Mjete të mprehta
Ushqim dhe pije
Produkte aerosoli (spraj)
Parfume
Narkotikë ose substanca të ndaluara
Çakmakë. / KultPlus.com

“Kino Pishina”, një argëtim më shumë për kryeqytetasit

Mbrëmja e kaluar, në Aqua Park Tirana, ka qenë tejet argëtuese, me shfaqjen e filmit në pishinë.

“Kino Pishina” është bashkëpunimi më i ri mes Bashkisë Tiranë dhe Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit. Agjencia e Industrisë Kreative organizoi shfaqjen e filmit shqiptar për fëmijë “Shpella e piratëve” mundësuar nga AQSHF.

Përveç imazheve të filmit, që ngjallin nostalgji, kënaqësia për të pranishmit ishte më e madhe pasi për herë të parë shijuan kinemanë mbi ujë. Organizatorët njoftuan se do të ketë të tjera netë të veçanta në vazhdim.

“Shpella e piratëve” u shfaq në mbrëmje rreth orës 20:00 dhe u shoqërua me muzikë e lojëra. Më herët, organizatorët kishin njoftuar se hyrja për në këtë festë, do të ishte falas dhe se pjesëmarrësit do të duhej të vinin me veshje të përshtatshme për të ndjekur filmin mbi dyshekët e ujit, në pishinë. /atsh / KultPlus.com

“Nuk e vrau varka, por shteti!”, protestë në Tiranë për vrasjen e 7-vjeçares në Himarë

Partia Demokratike ka njoftuar mbajtjen e një proteste në ambientet përballë Ministrisë së Brendshme në Tiranë ditën e enjte në ora 19:00.

Në njoftimin publik të selisë blu, theksohet se protesta mbahet në lidhje me përplasjen për vdekje me gomone të 7-vjeçares në plazhin e Potamit në Himarë, nga ana e oficerit të lartë të policisë, Arjan Tase.

PD njofton si kërkesë të protestës dorëheqjen e ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi dhe ministres së Turizmit, Mirela Kumbaro. / KultPlus.com

Në Tiranë u përkujtua poeti Xhevdet Bajraj

Ambasada e Kosovës në Tiranë organizoi mbrëmjen homazh kushtuar poetit Xhevdet Bajraj.

Pakëz më shumë se një muaj nga kalimi në amshim, Xhevdet Bajraj u kujtua në Tiranë në një mbrëmje poetike.

Shkrimtarë, publicistë dhe miq thanë se Bajraj i kushtoi jetën poezisë dhe me shumë ndjenjë e lartësi njerëzore.

Ata theksuan se poezia e Bajrajt është thirrje për liri, këngë e pambarimtë për Kosovën dhe për shqiptarinë.

Publicisti Halil Matoshi e quajti Bajrajn poetin më të madh të Kosovës:

“Në secilin variant, sille nga ta sjellësh, Xhevdeti është më i madhi! Megjithëse, ka jetuar në Meksiko Siti dhe ndoshta shumë njerëz në Kosovë nuk e kanë trajtuar qysh e meriton”, tha ai.

Poet i veçantë i letrave shqipe dhe shprehës i një dimensioni tjetër të lirisë, u cilësua Bajraj nga studiuesja Alda Bardhyli, drejtuese e Qendrësë Kombëtare të Librit dhe Leximit:

“Ndryshe nga ajo liria që flet Ali Podrimja, Azem Shkreli, apo Din Mehmeti. Flet për një liri që është e brendshme. Është një liri e një sfere tjetër, është një liri që të gjithë e kërkojmë dhe që është kërkimi i përjetshëm i poezisë”.

Ambasadori i Kosovës, Skënder Durmishi në mbrëmjen poetike homazh për poetin Bajraj tha se nderimi i intelektualëve tregon emancipimin shoqëror.

“E kam dëgjuar thënien se një shoqëri vlerësohet për nivelin e emancipimit për aq sa i nderon krijuesit, artistët, intelektualët në radhët e veta. Besoj që është një hap edhe kjo në atë drejtim që edhe ata që nuk e kanë lexuar sa duhet, ku bëj pjesë unë, por që e dimë që na nderojnë krijuesit”, shtoi Durmishi.

Gazetari Aleksandër Çipa tha se duke u njohur me eseistikën dhe publicistikën e Bajrajt në vendet amerikanolatine, e çmon atë si përfaqësuesin më të shquar të ekspresionit shqiptar në botë./ rtk / KultPlus.com

Mediet braziliane për “Air Albania”: Një nga stadiumet më të bukur në Evropë

Finalja e Conference League tërhoqi vëmendjen jo vetëm në Evropë, por në mbarë botën.

Kjo jo vetëm nga dy skuadrat që u përballën në finalen e Tiranës, por edhe nga stadium ku luajtën ato.

Shumë media të huaja shkruajtën për “Air Albania”, por duket se ky impiant vijon të impresionojë akoma.

Së fundmi është “GOAL Brasil” që postoi një video duke shkruar për stadiumin “Air Albania”: “Një nga stadiumet më të bukur në Evropë! Ejani të takoheni me stadiumin Arena Kombëtare, në Tiranë, kryeqyteti i Shqipërisë Stadiumi i parë që priti një finale të Ligës së Konferencës!”.  / KultPlus.com

Rita Ora koncert në Tiranë

Shumë shpejt Tirana do të mikpres një nga këngëtaret më të famshme në nivel ndërkombëtar.

Drejtoresha e Përgjithshme e Promovimit të qytetit, në bashkinë e Tiranës, Mirela Koçollari, ka postuar ne rrjetet sociale lajmin se në datë 6 shtator, në Tiranë, do të ketë një koncert të Rita Orës.

Koncerti i këngëtares së famshme shqiptare, është parashikuar të mbahet në sheshin “Skënderbej”, mbrëmjen e 6 shtatorit, në kuadër të Tirana European Youth Capital 2022.

Tirana është Kryeqyteti Evropian i Rinisë për 2022 – Një titull që jepet nga Forumi Evropian i Rinisë i krijuar për të fuqizuar të rinjtë, për të nxitur pjesëmarrjen e të rinjve dhe për të forcuar identitetin evropian.

Tirana EYC 2022 paraqitet si një makro program prej 365 ditësh, gjatë të cilave do i jepet jetë një kalendari projektesh me iniciativa e aktivitete të shumta, që shohin në qendër rininë. Tirana EYC 2022 implementohet nga Kongresi Rinor Kombëtar, në bashkëpunim me bashkinë Tiranë.

Të shumta kanë qenë aktivitet gjatë këtyre muajve, por duket se ato do të kulmojnë me koncertin e Rita Orës, në 6 shtator./ KultPlus.com

“Gjon Mili, Jazz&Blues Festival” vjen në Tiranë dhe Korçë, sjell një mori artistësh

Në datat 12, 13, 14, korrik vjen në Tiranë festivali “Gjon Mili, Jazz&Blues” si dhe në Korçë në datat 15-16 Korrik. Shijoni magjinë e muzikës Jazz & Blues që mjeshtri i madh dhe novator i fotografisë botërore, Gjon Mili ka kontribuar artistikisht në zhvillimin e saj kryesisht gjatë Luftës së Dytë Botërore.

“Gjon Mili Jazz&Blues Festival” synon promovimin e figurës së Gjon Milit, si e vetmja urë lidhëse që kombi shqiptar ka me historinë botërore të muzikës Jazz dhe Blues, duke e bërë pjesë të Trashëgimisë Kulturore dhe Artistike të Shqipërisë.  Lindja e këtij festivali u motivua nga realizimi i projektit “Ëndrra e Gjon Milit” në vitin 2019, mbështetur nga Ministria e Kulturës. Festivali do të zhvillohet me dt 12-13-14 Korrik ne Tirane, ora 20:00 n’bahce te Rese dhe me dt. 15-16 Korrik 2022 prane Pedonales ne Korçë.

Ky projekt është aktivitet Flagship në kuadër të Titullit, “Tirana Kryeqyteti Evropian i Rinisë” për vitin 2022, zbatohet nga Kongresi Rinor Kombëtar në bashkëpunim me organizatën RIAS, Muzika për të Rinjtë dhe me mbështetjen e Bashkisë Tiranë, dhe një përfaqësi institucionesh kombëtare dhe ndërkombëtare në vend.

Grupet pjesëmarrëse që do performojnë në festival janë si më poshtë:

Grupi finlandez “Pylkkanen Nu Botega dt 12 korrik
Pekka Pylkkanen saksofon
Adam Pache
Roberto Tarenzi
Kimon Karoutzos

Grupi “Kejdi Barbullushi Trio”, 12 Korrik
Kejdi Barbullushi- Kitarë
Nesim Maxhuni- Bateri
Ilir Bajri- Piano Elektrike

Grupi “Just Trio” 13 Korrik
Roni Gjura
Emiljan Dhimo
Mateos Gjipi

Grupi Austriak “TechRider – Julie Island guitar-trio” 14 korrik dhe 15 Korrik

Martin Bayer, Kitarë
Andi Tausch, Kitarë
Kenji Herbert, Kitarë

Grupi “Ermal Rodi Quartet” datë, 14 Korrik dhe 16 Korrik

Ermal Rodi- Saksofon
Angjelin Toma- Kitarë, Bas
Besjan Heri- Bateri
Kejdi Barbullushi Kitarë

Grupi “Philippos Nakas Big Band Selanik” 16 korrik

Grupi “Ivanov Quartet”

Ivan Ivanov – Tenor, soprano saksofon
Gordan Spasovski – piano
Andrea Mirchevska – doubleBass
Slavko Kocev – Bateri. / KultPlus.com

Photographer Gjon Mili outside his office on Warner Bros. lot where he is directing film, Jammin’ the Blues. (Photo by Gjon Mili/The LIFE Picture Collection/Getty Images)

“Dita Botërore e Muzikës” sjell larmi aktivitetesh në Tiranë

Dita Ndërkombëtare e Muzikës, një event që kremtohet në mbi 200 vende të botës, i solli dje kryeqytetit të Shqipërisë një mori aktivitetesh artistike muzikore.

21 qershori përveç se dita më e gjatë e vitit (solstici i verës) tashmë ka hyrë edhe në kalendarin shqiptar si dita e muzikës.

Ministria e Kulturës dhe Bashkia e Tiranës bënë të mundur koncertin e këngëtares Manjola Nallbani, në Pallatin e Brigadave, ku publiku mundi të shijojë perla të muzikës popullore qytetare, një spektakël instrumentesh, tingujsh e efektesh vizive.

“Një udhëtim i bukur nëpër Shqipëri, nga Veriu, në Jug, në Shqipërinë e Mesme, Kosovë e Çamëri”, kështu e ka cilësuar ministrja e kulturës Elva Margariti.
“Një atmosferë e jashtëzakonshme mbrëmë në Pallatin e Brigadave, ku mes miqsh festuam Ditën Botërore të Muzikës! Nuk mund të festonim më bukur se me këngët tona” shprehet ministrja në një postim duke bërë edhe premtimin se Ministria e Kulturës do të vazhdojë të mbështesë aktivitete që promovojnë trashëgiminë tonë

Njëkohësisht, në Amfiteatrin e Tiranës, u zhvillua koncerti i një grupi të njohur këngëtarësh si Irma Libohova, Aleksandër Gjoka, Mentor Haziri, Gena, Bojken Lako etj. Koncerti pop rock i titulluar “Këngët e trevave” kishte gjithashtu mbështetjen e Bashkisë Tiranë dhe Ministrisë së Kulturës.

Por aktivitetet muzikore për Tiranën, nuk përfunduan me 21 qershorin. Po tek Amfiteatri i Tiranës, sot do të zhvillohet koncerti i grupit të njohur blues dhe rock “The Animals and Friends”. /atsh / KultPlus.com