Miliarderi japonez blen çantën e Jane Birkin për 8.6 milionë euro

Çanta origjinale që u krijua posaçërisht për aktoren Jane Birkin dhe që u shndërrua në një nga veprat më ikonike të modës së shekullit XX, është shitur para disa ditësh në një ankand në Paris për shumën rekord prej 8.6 milionë eurosh (rreth 10.04 milionë dollarë amerikanë).

Prej ditësh kishte spekulime se cila figurë e famshme mund të kishte blerë këtë çantë ikonë. Tani është zbuluar se pronari i ri është Shinsuke Sakimoto, një miliarder japonez, ish-futbollist dhe aktualisht drejtor i kompanisë Valuence Japan Inc., e cila merret me rishitjen e mallrave luksoze, shkruan KultPlus

Kompania Valuence operon në nivel global përmes ankandeve ALLU dhe dyqaneve të shitjes me pakicë, duke tregtuar sende të dorës së dytë luksoze dhe dizajni. Megjithatë, kjo blerje nuk ka qenë një investim për rishitje Sakimoto theksoi se çanta nuk do të shitet më tej, por do të ruhet si një trashëgimi kulturore në nder të Jane Birkin dhe kontributit të saj në botën e modës.

“Me të arritur çanta në Japoni, kompania Valuence Japan do të organizojë një paraqitje për mediat dhe palët e interesuara. Së shpejti do të publikojmë detaje të sakta dhe afatet kohore të ekspozitës,” tha Sakimoto.

Sipas tregimeve që qarkullojnë prej kohësh në qarqet e modës, çanta e parë “Birkin” lindi në vitin 1984, kur aktorja dhe këngëtarja me origjinë francezo-britanike ishte duke udhëtuar me avion pranë drejtorit ekzekutiv të Hermès, Jean-Louis Dumas. Gjatë bisedës, ajo i kishte treguar se, si një nënë e re, kishte nevojë për një çantë që të ishte funksionale por edhe me stil. Dumas, i frymëzuar, skicoi aty për aty një çantë të madhe, të formës drejtkëndëshe, që të kishte vend edhe për biberonët e fëmijës.

Hermès e krijoi këtë çantë posaçërisht për Jane Birkin dhe më pas filloi të prodhonte versione më të vogla për tregun. Dizajni i saj u shndërrua në një sukses global dhe ndihmoi në rritjen e mëtejshme të këtij brendi të njohur francez. Çanta origjinale mban ende inicialet “J.B.” si simbol i trashëgimisë së saj./KultPlus.com

Çanta më e vogël se ‘kokrra e kripës’ shitet për 63 750 dollarë

Një çantë dore mikroskopike “më e vogël se kokrra e kripës” është shitur në ankand për 63.750 dollarë amerikanë. Sipas BBC, për të parë dizajnin e çantës duhet një mikroskop, pasi ky objekt i imët është me dimensione 657, 222 dhe 700 mikrometra.

“Mjaft e ngushtë sa për të kaluar nëpër vrimën e gjilpërës, kjo çantë është aq e vogël sa ju duhet një mikroskop për ta parë”, njoftoi ekipi i kreatorëve që dizajnuan çantën MISCHF, i njohur për krijimet e saj kontroverse.

Ndër krijimet e tyre janë këpucë që përmbajnë gjak njeriu, atlete me ujë të shenjtë në thembra dhe çizme gjigante gome të kuqe.

Këtë herë, ekipi i tyre i kreatorëve vendosi që trendin e çantave të vogla ta çojë në ekstrem. “Ka çanta të mëdha, çanta normale dhe çanta të vogla, por kjo është fjala e fundit në miniaturizimin e çantave”, tha MSCHF.

Çanta ka logon Louis Vuitton, por vetë artikulli nuk ka asnjë lidhje me këtë markë. Çanta është bërë nga fotopolimeri artificial duke përdorur teknologjinë e printimit 3D që përdoret shpesh për të bërë modele dhe struktura të vogla mekanike. Ndërsa po punohej, disa nga mostrat e çantave të dorës që brendi i dërgoi për shqyrtim ishin aq të vogla sa që ekipi i MSCHF i humbi ato/ abcnews.al/KultPlus.com

Çanta me emrin e mbretëreshës “Teutë”, që kushton 16 mijë euro (FOTO)

Marka JH nga vajza shqiptare Jola Hasimi, prezantoni të shtunën në Dubai koleksionin e parë të çantave e dhe rripave të luksit. Ndër koleksionet e çantave është edhe ajo që bartë emrin e mbretëreshës ilire Teuta.

Për këtë gjë foli vetë artistja Jola Hasimi, e cila poashtu ndau edhe fotografi ekskluzive nga Dubai Fashion Week, për KultPlus.

“Nuk mund të mungoj tributi jonë ndaj Shqipërisë i reflektuar më së miri tek koleksioni i çantave”, ka treguar Jola Hasimi për KultPlus.

Çantat që u prezantuan janë 2 lloje, ato me lëkurë krokodili dhe ato me lëkurë struci. Çanta me lëkurë krokodili gjendet në 12 ngjyra, lloji i krokodilit quhet Niloticus ose corcodili i Nilit dhe është 100 % i prerë, lyer dhe qepur me dorë. Kjo çantë quhet ‘Teuta’, tribut mbretëreshës ilire dhe kushton 16.000€.

Çanta strucit gjendet gjithashtu e disponueshme në 10 ngjyra sërish 100% puna e realizuar me dorë. Çanta quhet Aairah, tribut Emirateve Arabe, sepse sipas Joles, Aairah është emri i parë arab për femra dhe do të thotë: e para dhe më e respektuara. Çanta Aairah kushton diku 7.500€./ KultPlus.com