Mali i Zi ekspozon Çmimin Nobel për Letërsi

Për herë të parë qyteti malazez Herceg Novi do të ekspozojë Çmimin Nobel për Letërsi dhënë shkrimtarit jugosllav Ivo Andric, përcjellë KultPlus.

Medalja e çmimit Nobel është pjesë e objekteve të shkrimtarit të cilat do të ekspozohen sot në shtëpinë e shkrimtarit ku ai jetonte.

Kjo është hera e parë që ky çmim po ekspozohet që kur shkrimtari e mori në vitin 1961, për romanin e tij “Ura mbi Drina”.

Çmimi Nobel do të ekspozohet si pjesë e ekspozitës me titull “Shkrimtari, Diplomati dhe fituesi i Çmimit Nobel”, shkruan Ballkaninsight.

Uniforma diplomatike, valixhja e punës dhe pasaporta kur shkrimtari ishte ambasador i Jugosllavisë po ashtu do të jenë pjesë e ekspozitës. /KultPlus.com

38 vite nga ndarja e çmimit Nobel për Nënë Terezën

38 vite më parë, më 17 tetor 1979, humanistja më e madhe në botë me origjinë shqiptare, Nënë Tereza, u nderua me Çmimin Nobel për Paqen.

Siç i referohet një artikull i posaçëm i “Radio Vatikanit”, mbi këtë çmim të madh të dorëzuar ndaj saj prej jurisë ndërkombëtare të Akademisë së Shkencave të Suedisë, shqiptarja Gonxhe Bojaxhi, u ngjit në tribunën ku janë ngjitur njerëzit më të shquar të botës nga të gjitha fushat, veshur me sarin e grave të varfra indiane dhe e pranoi çmimin vetëm, sepse një pranim i tillë do t’u vlente shumë të varfërve të saj.

Ndonëse u shmangej intervistave, që e bezdisnin, më 17 tetor 1979, kur u ngjit në Tribunën e Oslos, duke marrë në dorë Çmimin Nobel, të Lumes Nënë Terezë, Gonxhe Bojaxhiut iu desh të mbante një nga fjalimet më të rëndësishme.

“Duhet të them se pranoj të shkoj në ceremoni të ndryshme publike, vetëm sepse më krijohet mundësia t’u flas për Jezusin njerëzve, të cilët nuk dihet në se do të kishin ndonjë rast tjetër për të dëgjuar fjalën e Zotit. Një herë kam thënë edhe se e kam më të lehtë të mjekoj një të gërbulur, sesa të përgjigjem në një intervistë. Në Oslo ndodhi një mrekulli e vërtetë: u lutën të gjithë, në një vend ku s’ishte dëgjuar kurrë ndonjë lutje. Ishim mbledhur në një sallë për dorëzimin e Çmimit e, sapo m’u dha mundësia të flas, thashë: Me që jemi mbledhur të gjithë për të falënderuar Zotin e Çmimit Nobel për Paqen, mendoj se do të ishte vërtetë e bukur të luteshim për paqen. E të gjithë së bashku nisëm lutjen e Shën Françeskut “Zot, më bëj lajmëtar të paqes sate”, teksti i së cilës u qe shpërndarë të pranishmëve.

“Ishte diçka vërtetë tronditëse. Prekëse. E mrekullueshme: luteshin të gjithë, ndonëse siç dihet, numri i katolikëve në Norvegji është shumë i vogël. Më pas fola për abortin e thashë: Po kremtojmë vitin ndërkombëtar të Fëmijës. Sot po ju flas për fëmijën, që nuk ka lindur akoma. Po ju flas në emër të fëmijës, që nuk e ka parë ende dritën e diellit. Të abortosh do të thotë ta dënosh fëmijën me vdekje: të mos duash që fëmija të jetojë, do të thotë ta vrasësh. Sot për sot, arma më e rrezikshme kundër paqes, është aborti. Shumëkush interesohet për fëmijët e Indisë e të Afrikës, ku vdesin me mijëra nga mungesa e ushqimit. Por në vende të tjera miliona fëmijë mbyten nga vetë prindërit e tyre. E në se një nënë mbyt fëmijën e vet, pse u dashka të çuditemi, kur njerëzit ia marrin shpirtin njëri-tjetrit?!. Duke kaluar nëpër Romë, gjatë udhëtimit të kthimit, Ati i Shenjtë Papë më tha: Mos harro të flasësh si në Oslo, kudo që të shkosh!”, ka treguar Nënë Tereza mbi atë ditë të veçantë në jetën e saj./ KultPlus.com

Disa nga të fshehtat e Nobelit, çmimit më të famshëm në histori

Që nga viti 1901 nga tani Çmimi Nobel i është dhënë 900 personave.

Duke përdorur të dhënat e databezit të Fondacionit të Nobel nga viti 1901 deri më 2016, National Geographic ka zbuluar disa sekrete që qëndrojnë pas çmimit të famshëm.

Shtetet e Bashkuara udhëheqin botën në Nobel falë emigrantëve:
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë numrin më të madh të fituesve individualë të çmimit Nobel, por numri më i madh i tyre janë emigrantë që kanë ardhur në SHBA gjatë fëmijërisë apo shumë të rinj. Më shumë se 30 % prej tyre janë të lindur jashtë SHBA-së.

Mesatarisht, fituesit e viteve të fundit të çmimit Nobel janë më të moshuar:
Nga laureatët e këtij viti në mjekësi, fizikë dhe kimikë, të gjithë, përveç njërës, janë mbi moshën 70 vjeçare. Kjo reflekton një lloj trendi midis laureatëve.

Laureatët e çmimit Nobel në shumicën dërrmuese janë meshkuj:
Nga 881 individët që fituan Çmimet Nobel në periudhën 1901 – 2016, vetëm 48 kanë qenë femra. Në disa disiplina, ‘thatësira’ ka vazhduar për dekada: Gruaja e fundit që fitoi Çmim Nobel për Fizikën ishte Maria Goeppert Mayer, e cila u nderua në vitin 1964. Hendeku pasqyron paragjykime institucionale gjatë viteve të fundit kundër grave brenda shkencave.

Gjithnjë e më shumë, laureatët e Nobelit përfaqësojnë bashkëpunime shumë më të mëdha shkencore:
Rregullat e Fondacionit Nobel thonë se një çmim Nobel mund t’u jepet vetëm tre individëve, duke reflektuar shkencën e vogël që mbizotëronte në fillim të shekullit të 20-të.
Por sot, përparime të mëdha vijnë gjithnjë nga bashkëpunime shkencore masive dhe Komiteti i Çmimit Nobel ka qenë i kujdesshëm për të dhënë shpërblime shkencore për grupe më të gjera.
Kontrasti është sidomos i zymtë në fizikë, ku bashkëpunimet shkencore mund të përfshijnë mijëra studiues, siç ilustrohet nga zbulimi që fitoi Çmimin Nobel për fizikën 2017, shkruan bota.al
Çmimi shkoi në Rainer Weiss, Kip Thorne dhe Barry Barish për zbulimin e valëve gravitacionale. Ndërsa kontributet e treshes ishin të mëdha, ata vetë argumentojnë se çmimi duhet të kishte njohur bashkëpunimin më të gjerë i cili përfshin qindra shkencëtarë.
Në fund të fundit, studimi që njoftoi zbulimin e valëve gravitacionale ka 1.001 bashkautorë. Vetëm 0.3 për qind e tyre u nderuan me emër në Stokholm./ KultPlus.com

Ukaj: Me çmimin Nobel apo jo, vepra e Kadaresë rri në piedestalin e vlerave letrare më të fisme botërore

Sot është ndarë çmimi Nobel për letërsi. Ndonëse u tha e u shpresua shumë që ky çmim të shkojë për shkrimtarin e njohur shqiptar Ismail Kadare, kjo gjë nuk ndodhi as kësaj radhe, shkruan KultPlus.

Ishte shkrimtarit britanik Kazuo Ishiguro të cilit i është ndarë çmimi prestigjioz për letërsi Nobel.

Por edhe pse jo fitues i këtij çmimi, të paktën jo edhe kësaj radhe, Kadare mbetet shkrimtari më i pëlqyer dhe më i lexuar shqiptar.

Shkrimtari dhe publicisti, Ndue Ukaj, përmes një statusi në Facebook është shprehur se edhe pse jo fitues i Nobelit, Kadare rri në piedestalin e vlerave letrare më të fisme botërore.

“Me Çmimin Nobel apo jo, vepra e Kadaresë rri në piedestalin e vlerave letrare më të fisme botërore. Aty ku nuk depërtohet nëpërmjet kulisave të kafeve ku turfullohet e llafoset kundër gjithsecilit, por në saje talentit të jashtëzakonshëm letrar”, shkruan Ukaj. / KultPlus.com