‘Copa paqeje’, poezia fituese e konkursit ‘Poezi për paqe’

Poezia fituese e konkursit ‘Poezi për Paqe’ organizuar nga KultPlus dhe UNWomen. Poezia është shkruar nga Vlora Konushevci, e cila mbrëmë e pranoi çmimin nga juria në natën finale të konkursit e cila u mbajt në KultPlus Caffe Gallery.

Në pranverën e vitit ’99 behari
pat harru me çel, tjerat mjegullueshëm i kujtoj
veç territ, shiut, ftohtit e autobombave që
natën shpërthenin n’ Tophane,
podrumin e Rakovicëve në fund të sokaxhikut,
sytë e nanës hamall për lugatët dhe
tankun matanë rrugës.

Në nji çantë shpine pata tregëtu
copa paqeje në fotografitë që i pata mbledh
si guacat në bregdet, me ma kujtu veten se lufta thojshin
të banë me harru kush je.
Bluzës që e mbaja vesh nana ja pat qepë dy jastëk të vegjël
brenda tyne numrat e telefonit
të lirisë, me u gjetë se lufta thojshin
t’i humbë gjurmët.

Çanta jem, mbretnesha e paqes, e kunorëzume
me buzqëshjet në albumin e fotografive,
shtypej, tërhiqej e shtrydhej vagonëve të trenit
për Bllacë, buklore si nji lule e egër plotë jetë,
dimnake e ngulitun pas meje, sfidonte
ngufatjen në vagona si mburojë beteje,
si streha e Rakovicëve, si dielli flakërues
në ledinën fëtyrënamët
t’kufinit.

Si lahuria që u këndon trimave
gjallshëm mbretnesha jem u hap
pasi e pritëm paqen n’kufi
copat e saj i shpuplova
tek ata që
copat e paqes jau kishin djeg,
i ndava
siç i ndan nana kuleçtë e bukës
për t’vegjlit e vet.

Fotografitë nga UNWomen