Destinacion “COVID FREE”, 100 milionë lekë për promovimin e Shqipërisë turistike

Qeveria shqiptare ka vendosur të shtojë një fond prej 100 milionë lekësh në programin “Zhvillimi i turizmit”, për të promovuar vendin.

Këshilli i Ministrave, të mërkurën në mbrëmje, me propozim të të Ministrisë së Turizmit ka vendosur të shtojë një fond prej 100 milionë lekësh në programin “Zhvillimi i turizmit”, program  i cili ka si synim promovimin e Shqipërisë si një vend “COVID FREE”.

Në vendimin e publikuar në faqen e Këshillit të Ministrave bëhet me dije se ky fond do të përballohet nga nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, i miratuar për vitin 2021.

Vendimi vjen në prag të sezonit turistik dhe është do të shpenzohet nga Agjencia Kombëtare e Turizmit, dhe synimi është promovimi në tregjet ndërkombëtare post COVID-19 dhe prezantimin e Shqipërisë si një destinacion mikpritës COVID-free.

Më poshtë vendimi i plotë:

NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2021, MIRATUAR PËR MINISTRINË E TURIZMIT DHE MJEDISIT, PËR MBËSHTETJEN E TURIZMIT SHQIPTAR PËR PROMOVIMIN NË TREGJET NDËRKOMBËTARE POST COVID-19

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 14, të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

  1. Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, në buxhetin e miratuar për vitin 2021, në programin “Zhvillimi i turizmit”, në artikullin 602 (shpenzime operative), për Agjencinë Kombëtare të Turizmit, i shtohet fondi prej 100 000 000 (njëqind milionë) lekësh, për përballimin e shpenzimeve për mbështetjen e turizmit shqiptar për promovimin në tregjet ndërkombëtare post COVID-19 dhe prezantimin e Shqipërisë si një destinacion mikpritës COVID-free.
  2. Efekti financiar, prej 100 000 000 (njëqind milionë) lekësh, të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, i miratuar për vitin 2021.
  3. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Turizmit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”. / atsh / KultPlus.com