Dhimitër Berati, profili i nënshkruesit të Deklaratës së Pavarësisë

Më 15 tetor të vitit 1886 lindi në Korçë Dhimitër Berati, nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë, atdhetar, politikan e publicist shqiptar. Mësimet e para i mori në vendlindje, ndërsa studimet e larta i kreu në Fakultetin e Shkencave Politike Administrative të Universitetit të Bukureshtit.

Më pas, po aty, kreu studimet edhe Fakultetin e Drejtësisë. Ndërkohë, u përfshi në lëvizjen patriotike të shqiptarëve të emigruar në Bukuresht,për mëvetësinë e atdheut, dhe në vitin 1904 u zgjodh këshilltar i kryesisë së tyre. Më 1907 u kthye në vendlindje dhe punoi si mësues i Shkollës Shqipe të Korçës, së bashku me patriotët Thanas Floqi, Thoma Avrami etj. Ishte anëtar i klubit patriotik “Dituria” të Korçës që në themelimin e tij më 1908.

Po atë vit mori pjesë në Kongresin e Elbasanit, kurse më 1910 në Kongresin e Dytë të Manastirit. Zgjidhet delegat i kolonisë shqiptare të Bukureshtit. Ka firmuar aktin historik të Shpalljes së Pavarësisë, me siglën “D. Beratti”, në emër të kolonisë së Bukureshtit. Më 1924 ishte në Sofje me detyrën e kryekonsullit, kurse në vitet 1926-1934 punoi si sekretar në Ministrinë e Jashtme. Më 1935 ishte ministër i Ekonomisë Kombëtare. Një vit më vonë u emërua ministër në Romë, ku dhe vdiq më 1970. / KultPlus.com

Homazh, Dhimitër Beratti, një nga nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë

Dhimitër Beratti, i cili është një nga nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë që gjithashtu i kushtoi rëndësi publicistikës në gjuhë të huaj mbi Shqipërinë, duke u munduar për përmirësimin e imazhit të Shqipërisë sidomos në Europë,  u përkujtua sot nga kryeministri Rama.

Kryeministri Edi Rama shprehet se Dhimitër Beratti nuk iu nda Plakut të Vlorës, me të cilin në nëntor të vitit 1912 nënshkruan Deklaratën e Pavarësisë.

“Dhimitër Berati u nda nga jeta në Romë në shtator 1970. Ai ishte njëri prej tri adashëve të kolonisë shqiptare të Rumanisë, së bashku me Dhimitër Zografin dhe Dhimitër Emanoil Mborjen, pa të cilët udhëtimi diplomatik i Ismail Qemal Beut në vjeshtën e 1912 nuk do të ishte kurorëzuar me sukses”,- shprehet Rama.

“Dhimitër Berati nuk iu nda Plakut të Vlorës përgjatë gjithë itinerarit Bukuresht, Predeal, Vjenë, Trieste, Durrës, Vlorë, duke u bërë një nga bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë. Të tre Dhimitrat u poqën sërish në Vlorë në nëntor 1912 dhe nënshkruan së bashku Deklaratën e Pavarësisë. E ndërsa dy të parët u kthyen në Bukuresht, Berati, i pajisur me diplomat më prestigjioze të kohës, shërbeu me modesti dhe kapacitet të plotë pranë Qeverisë së parë shqiptare. I detyrohemi këtij personaliteti menaxhimin e gazetës “Përlindja e Shqipënies”, e cila u be de facto zëdhënësja e veprimtarive të para të Shtetit të pavarur shqiptar, si edhe ngritjen me shumë mundime e në mënyre progresive të shërbimit të jashtëm shqiptar”,- vijon Rama.

“Përveç karrierës diplomatike që filloi të ushtronte kësodore, Dhimitër Beratti i kushtoi rëndësi publicistikës në gjuhë të huaj mbi Shqipërinë, duke u munduar për përmirësimin e imazhit të Shqipërisë sidomos në Europë. Elita e kohës e numëronte mes personaliteteve të spikatur dhe hulumtuesve me seriozë. Kozmopolit prej formimit, detyrave të larta përfaqësuese që ushtroi për dy dekada dhe afiniteteve personale, Beratti u josh nga vegimet e viteve ‘39-43, por pa rënë pre e dogmave totalitare. Mërgoi më pas në Itali, ku u shqua prej penës së hollë dhe kontributit studimor në faqet e revistës “Shejzat”. Me 1968, ishte një nga përfaqësuesit e Shqiptarëve të mërguar, në takimin solemn me Papën Pali VI, me rastin e 500 vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Vdiq larg Shqipërisë, i harruar dhe mallkuar në heshtje. Të paharrueshëm”,- përfundon Rama. Atsh / KultPlus.com