Dhimitër Berati, profili i nënshkruesit të Deklaratës së Pavarësisë

Më 15 tetor të vitit 1886 lindi në Korçë Dhimitër Berati, nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë, atdhetar, politikan e publicist shqiptar. Mësimet e para i mori në vendlindje, ndërsa studimet e larta i kreu në Fakultetin e Shkencave Politike Administrative të Universitetit të Bukureshtit.

Më pas, po aty, kreu studimet edhe Fakultetin e Drejtësisë. Ndërkohë, u përfshi në lëvizjen patriotike të shqiptarëve të emigruar në Bukuresht,për mëvetësinë e atdheut, dhe në vitin 1904 u zgjodh këshilltar i kryesisë së tyre. Më 1907 u kthye në vendlindje dhe punoi si mësues i Shkollës Shqipe të Korçës, së bashku me patriotët Thanas Floqi, Thoma Avrami etj. Ishte anëtar i klubit patriotik “Dituria” të Korçës që në themelimin e tij më 1908.

Po atë vit mori pjesë në Kongresin e Elbasanit, kurse më 1910 në Kongresin e Dytë të Manastirit. Zgjidhet delegat i kolonisë shqiptare të Bukureshtit. Ka firmuar aktin historik të Shpalljes së Pavarësisë, me siglën “D. Beratti”, në emër të kolonisë së Bukureshtit. Më 1924 ishte në Sofje me detyrën e kryekonsullit, kurse në vitet 1926-1934 punoi si sekretar në Ministrinë e Jashtme. Më 1935 ishte ministër i Ekonomisë Kombëtare. Një vit më vonë u emërua ministër në Romë, ku dhe vdiq më 1970. / KultPlus.com

Fjalimi origjinal i Ismail Qemalit më 28 Nëntor 1912

Me rastin e ditës së Pavarësisë, e risjellim sot të plotë fjalimin e Ismail Qemalit të mbajtur më 28 Nëntor 1912 në ngjarjen e madhe të ngritjes së flamurit dhe shpalljes së Pavarësisë në Vlorë.

Nga Ismail Qemali

Oh! Sa të lumtur që e ndiej vehten sot, që shoh, këtu në Vlorë, kaqë burra Shqipëtarë të mbledhur tok, tuke pritur me kureshti e padurim përfundimin e kësaj mbledhjeje historike, për fatin e Atdheut tonë të dashur. Plot me gaz e me lot ndër sy, nga mallëngjimi, pra, po dal këtu para jush që t’ju gëzoj me sihariqin e madh, se sot, edhe këtë minutë, Kongresi çpalli mëvehtësinë e Shqipërisë, tuke lajmëruar gjithë botën mbarë për këtë punë e duke më ngarkuar mua kryesin’ e qeveris së përkohshme të Shqipërisë së lirë.

Porsi ëndër më duket ky ndryshim i madh i vendit t’onë, që hoqi e voi të zezat e të lirit pesëqind vjet me radhë ndënë sundimin turk, por që tani në kohët e fundit, ishte gati të jepte shpirtin përgjithënjë, të shuhej e të çfarrosej krejtësisht nga faqia e dheut, këjo Shqipëri, që, dikur, shkëlqente nga trimërija e pashoqe e bijve të saj; kjo Shqipëri, që kur i kërcënohej rreziku Europës nga pushtimet e Turqisë, ndënë kryetrimin e pavdekur të saj, Skënderbejnë, u bë porta e hekurtë kundra sulmeve më të tërbuara të sulltanëve më t’egër që ka pas Turqija.

Mirëpo, desh Zoti, që me punën, me trimërinë dhe guximin e pashoq të Shqipëtarëvet, sot e tutje të marrin fund mjerimet dhe vuajtjet e Atdheut t’onë, sepse, këtu e kështu, jemi të LIRË të PAVARUR dhe MËVEHTE, prandaj: qeshni e gëzoni!

Për t’ia arrijtur kësaj dite të bardhë e të madhe, na ka ndihmuar gjaku i dëshmorëvet dhe puna e vlefshme e patriotëve t’anë dhe e të gjithë shokëve që muarrnë pjesë në këtë mbledhje dhe e të gjithë juve, që tani po ju gufon zemëra nga gazi i madh që ndieni; mirëpo mbledhja si më plak që jam, m’a ngarkoi mua Ngritjen e shënjtë të shënjës t’onë Kombëtare, të flamurit t’onë të ëndërruar e të dashur (nxjerr Flamurin, të cilin e ka të vendosur në një shtizë hekuri, natyrisht të vogël, dhe të pshehur nën pallto dhe passi e mba një sekondë në dorë e ngul në shtyllat e ballkonit. Shqiptarët, posa e shohin Flamurin thërrasin me gëzim e me zë të lartë: Rroftë Flamuri, Rroftë Shqipërija e Lirë).

Ja, pra, ky është Flamuri Ynë i kuq e me shqiponjën dykrenare të zezë në mest.

Dhe tani, të gjithë bashkë, si një trup i tërë dhe i pandarë, le të punojmë për t’a mburuar, për t’a përparuar e për t’a qytetëruar si i ka hije Atdhenë t’onë të Lirë.

Tuke përfunduar, s’më mbetet gjë, veçse t’i drejtoj një lutje Zotit të Madh, që, bashkë me bekimet e Tij që i lipij të na japë për të qenë të denjë të kësaj dite, të pranojë që këtej e tutje të jem unë dëshmori më i parë i Atdheut, ashtu siç pata nderin dhe fatin që të jem i pari ta puth e ta bëj të valvitet i Lirë.

Flamuri i ynë, n’atdhenë t’onë të lirë.

Rroftë Flamuri!

Rroftë Shqipërija! /dp/ KultPlus.com

Avokati Kujtim Cakrani pretendon se ka humbur Deklarata e Pavarësisë së Shqipërisë, denoncon Arkivin Qendror të Shtetit

Dokumenti origjinal i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë mund të ketë humbur sipas avokatit Kujtim Cakrani, i cili ka denoncuar në SPAK Arkivin Qendror të Shtetit në Tiranë dhe Bankën e Shqipërisë.

Në denoncimin e tij, Cakrani shkruan se është interesuar për këtë dokument, por nuk ka marrë përgjigje.

Institucionet përkatëse janë treguar të papërgjegjshme në ruajtjen e një dokumenti kaq të rëndësishëm për historinë e Shqipërisë, shprehet Cakrani.

Ai shprehet se publikut i jepet dhe i prezantohet si version zyrtar vetëm fotokopja e deklaratës së pavarësisë.

“Jam interesuar pranë institucioneve shqiptare, përkatësisht në Arkivin Qendror të Shtetit si institucioni kryesor për administrimin dhe ruajtjen e dokumentacionit të vjetër që i përket historisë, pranë Akademisë së Shkencave, por edhe pranë Muzeut Kombëtar, ku kam kërkuar se a ndodhet pranë AQSH deklarata origjinale  e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Nëse nuk gjendet pranë këtyre institucioneve, atëherë ku është dhe përse nuk është denoncuar ky fakt, por publikut i jepet dhe i prezantohet si version zyrtar vetëm fotokopja e deklaratës së pavarësisë. Në të gjithë këtë kohë është vënë re se nga institucionet e vendit nuk ka pasur asnjë interesim konkret që të hetojë apo denoncojë këtë fakt si një nga më të rëndësishmit, siç është dokumenti themeltar i një shteti”, shkruan Cakrani.

Më tej Cakrani shpreh në dokumentin e denoncimit se humbja e Deklaratës Origjinale të Pavarësisë dëmton rëndë historinë e kombit tonë.

“Humbja e deklaratës së pavarësisë dhe papërgjegjshmëria e institucioneve përgjegjëse për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e saj, gjymton rëndë fizionominë e historisë tonë, por edhe vetë ekzistencën që zbret tashmë, jo më kombit, por vetë shtetit të tij” thuhet në dokumentin e denoncimit. /konica/ KultPlus.com