Dhimitër Shuteriqi, ndër krijuesit më të shquar të shekullit 20-të

Njëri ndër krijuesit e shquar shqiptarë të shekullit 20, pa dyshim se ishte edhe Dhimitër Shuteriqi, i njohur si poet, prozator, studiues, hulumtues i dalluar, hartues tekstesh shkollore dhe publicist. Dhimitri  lindi në Elbasan, më 26 korrik të vitit 1915, në një familje të njohur patriotike dhe arsimdashëse. Studimet e para i kreu në Liceun Francez të Korçës dhe ato të larta, për filozofi e drejtësi, në Grenobel dhe Lyon të Francës. Mori pjesë aktive në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare.

 Me shkrime letrare ka filluar të merret qysh në vitet  ’30, duke u bërë i njohur në shtypin e kohës si poet dhe publicist. Për një periudhë gati 60-vjeçare, e cila shtrihet deri në ditët e fundit të jetës, iu kushtua intensivisht letërsisë dhe veprimtarisë studimore letrare, albanologjike, historike dhe folklorike.

 Si shkrimtar dhe romansier Dhimitër Shuteriqi është autor i disa vëllimeve, midis të tjerash: Fyelli i Marsiasit (1963), Një mal me këngë (1975), Maratonomaku ynë (1977), 60 tregime në një (1978), Kur rend hëna nëpër re (1982), Vërshimet e vjeshtës (1984), Kroje kam et (1977), Buka dhe thika (2002) etj. Një numër i madh i veprave letrare janë përmbledhur nën titullin Vepra, në 9 vëllime, më 1982 dhe 1989.

 Vepra e tij e gjerë hulumtuese shkencore iu kushtua filleve të qytetërimit shqiptar, duke u bërë sidomos e njohur me botime të tilla monografike dhe historiografike, si Shkrimet Shqipe 1832-1850 (1965), Historia e letërsisë shqipe, apo përmes hulumtimeve dhe studimeve mbi humanistët shqiptarë, figurat e shquara të Rilindjes, historisë së kulturës kombëtare, folklorit etj. Një pjesë e tyre janë botuar si vepra monografike më vete, shumë të tjera të përmbledhura në vëllime të veçanta.

Dhimitër S. Shuteriqi drejtoi për një kohë të gjatë Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë si kryetar i saj. Ai ishte anëtar i Akademisë së Shkencave që prej themelimit më 1972 dhe një ndër themeluesit e arsimit të lartë shqiptar.

Ka vdekur më 21 korrik 2003.

Mynever Shuteriqi, kujtime  për bashkëshortin, Dhimitrin

 Këto vitet e fundit kur shpesh “midis nesh”, i ktheheshim së kaluarës sonë, Dhimitri do të përsëriste: Siç e di, kam pasur telashe, herë të mëdha, herë më të vogla, por asnjëherë aspak të vogla. Telashe me “çensorë” e “mbikqyrës” të shumtë e të ndryshëm, të Partisë e të Pushtetit, por edhe telashe me shokë shkrimtarë, me shijet e gjykimet e tyre, shpesh të pa informuar e jo njohjës të problemeve historiko-letrare. E kishte fjalën për “Historinë e Letërsisë Shqipe” së cilës i kushtoi shumë pasion, shumë vite pune (1946-1983), afro 40 vjet, po dhe brengën që nuk iu nda.

S’kishte menduar ndonjëherë në rininë e vet se do të vinte një ditë që të merrej me historinë e letërsisë dhe ta bënte atë profesion. Është e vërtetë se në vitet studentore në Francë lexonte shumë tekste e manuale histori letërsish të autorëve të njohur, ndiqte me interes aulat e historisë së letërsisë, duke qenë student i filozofisë dhe drejtësisë, por që të bëhej një ditë historian i letërsisë, asnjëherë s’e kishte menduar. Kishte botuar disa artikuj studimorë në vitet 1935-1936 në shtypin e kohës mbi simbolistët e mëdhenj francezë, si Baudelaire, Verlaine, Mallarmé, etj, ishte marrë diçka edhe me kritikën letrare, po kurrsesi me mendimin që një ditë do të bëhej historian i letërsisë shqipe. Megjithatë mendoj se nuk ishte pa një prirje të hershme në këtë drejtim. Gjej në revistën “Përpjekja Shqiptare”, Nr.2, nëntor 1936, f. 24, nën pseudonimin H.H, një shkrim kritik mbi një libër mbi literaturën shqipe të Eqerem Çabejt, me titull “Elemente të gjuhësisë e literaturës shqipe”.

Po të kthehesha në kohë, do të thosha se i ati, Simoni, mësues i pasionuar i letërsisë shqipe, ia kish nxitur, pa e kuptuar, që në fëmini dashurinë për letërsinë shqipe. Dhimitri kujtonte përherë me mallëngjim netët e dimrit në shtëpinë e zjarrit, nën dritën e llambës e të kërcunjve të ullirit që digjeshin në vatër, ku Simoni lexonte me zë një copë nga Budi e Bogdani, më shpesh një vjershë nga Naimi apo një kangjell nga De Rada që atë e mahnitnin. Por sidoqoftë, ishte rasti që e solli të bëhet historiani i letërsisë dhe ky rast zë fill në vitin 1946, kur u bë reforma e madhe arsimore. Në fillim të atij viti atë e thirrën në Ministrinë e Arsimit, për të punuar me programet dhe tekstet e lëndëve humanitare.

Si fillestar në punën me tekstet iu ngroh zemra, që ndër kolegët e tij bënte pjesë edhe Aleksandër Xhuvani, personalitet i njohur në fushën e arsimit, autor i disa teksteve shkollore. Përgatitën atëherë një antologji të komentuar të letërsisë shqipe me tekste nga shumë autorë, midis të cilëve Fishta, Konica, etj., por antologjia qarkulloi vetëm pasi i hoqën faqet me tekstet e autorëve të padëshëruar.

Po i referohem kopjes së vetme të kësaj antologjie, që ai ruante, dhe që sot ndodhet në bibliotekën tonë. Teksti botohet si: “Botim i Ministrisë së Arsimit”, Komisioni pedagogjik. Shtypur në 6000 kopje në Stabilimentin Nr.5, në muajin Dhjetor 1946 Tiranë.

Antologjia ka 479 faqe dhe ndahet në pesë kapituj: Atdheu, Lufta NAÇL, Shoqëria, Natyra, Puna. Aty përfshihen të gjithë shkrimtarët e poetët që kishin bërë emër, një pjesë e mirë e të cilëve do të hiqeshin nga programet dhe tekstet e historisë së letërsisë ose fill pas botimit të kësaj Antologjisë, ose me kalimin e viteve.

Gjergj Fishta përfaqësohej me shkrimet “I dëbuemi” f.50, “Eufrosina” f.234, “Ujku dhe Kali” f.272; Konica me “Naim Frashëri” f.26, “Anadollaku në mësallë” f.196, “Sakuentale-Kalidasa” (përkthim) f.288; Kuteli me “Hanet e Karvanet” f.174, “Lumi i Madh” f.230; Ali Asllani “Dëshira e Labit” f.191; Nexhat Hakiu me “Vajmedet çobankë” f.261; Lasgushi me “Kroi i fshatit tonë” f.365.

Antologjia u hartua për ciklin e ulët (unike). Ajo ishte përgatitur me aprovimin e ministrit të asaj kohe, Sejfulla Malëshovës. Dhimitri, i tronditur për sa kishte ndodhur, iu drejtua këtij të fundit për të marrë shpjegimet e nevojshme mbi arsyet e cungimit të librit që ai si ministër kishte aprovuar. E gjeti duke dalë nga shtëpia e tij me raketat në dorë dhe u shtang nga reagimi i ministrit të vet, i cili, në vend të sqarimit, ia ktheu me indiferentizëm: “Më fal Dhimitër, se jam nisur për tenis.” Më pas Dhimitri mësoi se pozita e Sejfullait ishte lëkundur dhe ai qëndronte formalisht si ministër.

Në vjeshtë të atij viti u ngarkua të drejtonte Institutin e Lartë Pedagogjik dhe të jepte lëndën e letërsisë shqipe dhe atë të folklorit, por pa disa autorë si Fishta, Koliqi, Konica, etj., që nuk i përfshinte programi shkollor i Ministrisë së Arsimit.

Në disa shënime që ndodhen në arkivin e tij, Dhimitri shkruan: “Kjo punë me shkollën nuk më afroi aq me historinë e letërsisë se sa me tekstet, por duke lexuar tekstet, duke i rilexuar, mora një informacion direkt shumë më të gjerë nga ai që kisha deri në atë kohë për letërsinë tonë. Hartimi i teksteve, i programeve, i leksioneve, më futi në mendime. Ishte si një informacion për historianin e nesërm të historisë së letërsisë shqiptare.” Pikërisht në këtë kohë fillon edhe shtegtimi i tij në rrënjët e kulturës shqiptare, me kërkime, zbulime, studime për shkrimet shqipe, humanistët, Rilindjen dhe rilindësit, figurat e shquara të së kaluarës dhe bashkëkohësit, folklorin etj. Ishte kjo kohë që u krijua dhe skedari i tij me skedat që shtoheshin e shumoheshin me shpejtësi, që na futi në vështirësi se akoma nuk e kishim raftin përkatës për sistemimin e tyre. Mungesa e një rafti të tillë e nervozonte së tepërmi, se nuk arrinte t’i përdorte me lehtësi skedat, ashtu të shpërndara siç ishin nëpër sirtarët e shtëpisë.

Dhimitri tanimë kishte bërë përgatitjen e nevojshme shkencore për t’i hyrë punës për “Historinë e Letërsisë Shqipe” që botoi në vitin 1953.

Historia e Letërsisë Shqipe u shkrua tre herë: 1) Prej Dhimitrit për shkollat e mesme, si botim i Ministrisë së Arsimit; 2) Prej një ekipi për Universitetin, më 1959; 3) Prej një ekipi tjetër për Akademinë e Shkencave, më 1983. Të dyja këto të fundit nën drejtimin e Dhimitrit.

Ai, qysh në vitin 1945, kur u hartua antologjia e letërsisë shqipe për Ministrinë e Arsimit, u ndodh në udhëkryq. Nuk u lejuan as atëherë as më vonë, në botimet e 1955, 1959, 1983, disa autorë që konsideroheshin bashkëpunëtorë të fashizmit ose kundërshtarë politikë, ndërkohë që Dhimitri e kishte konceptuar që në krye të herës tekstin e historisë së letërsisë si një histori të plotë të letërsisë shqiptare. Kështu, në një intervistë të vitit 1945, në gazetën e Beogradit “Nasa kizevnost”, Nr.1, janar 1946, të cituar nga Dr. Xhavit Aliçkaj, në librin e tij “Lahuta e Malcisë” e Gjergj Fishtës (Prishtinë, 2000; f.43, 48), Dhimitri shprehej: “Poeti më i dashur i shqiptarëve është Naim Frashëri, por për nga fryma poetike dhe përsosmëria artistike poeti ynë më i madh është Gjergj Fishta”. Dhe më tej autori kosovar tërheq në tekstin e tij edhe një pohim tjetër të Dhimitrit: “Një histori e mirfilltë dhe e plotë e letërsisë shqipe nuk ka si të mos përfshijë shkrimtarët e mëdhenj si Konica, Fishta dhe Skiroi”.

Vendimi i marrë nga lart binte pra ndesh me ndjenjat e tij për artin, me shijet e tij letrare dhe, për më tepër, me formimin e tij letraro-kulturor mbi bazën e përvojave të teksteve të njohura analoge të vendeve të tjera, veçanërisht ato të Francës, që i njihte mirë. U trondit jo pak, por nuk u tërhoq. Besonte se ky ishte një qëndrim i përkohshëm, do të uleshin gjakrat, do të hiqej dorë nga konceptet absurde “si jeta, si vepra” e të tjera si këto dhe do të hapej patjetër, mendonte ai, rruga botimit të një historie të plotë të Letërsisë Shqiptare, ku të përfshiheshin gjithë vlerat kombëtare, jashtë kritereve politike. (Konicën e çmonte shumë për punën e madhe me gjuhën, si stilistin e rrallë, për rolin që luajti në gazetën “Albania”, kurse Fishtës i çmonte ndër të tjera meritën që vuri folklorin në bazë të krijimtarisë së tij.)

“Historia e Letërsisë Shqipe” e Dhimitrit, e vitit 1955, me antologjinë që e shoqëronte, njohu 11 ribotime dhe ai nuk reshti ndërhyrjet pranë Ministrisë së Arsimit, për çdo ribotim që bëhej, për të përfshirë autorët e censuruar. Por gjithnjë do të merrte të njëjtën përgjigje: “Ne nuk bëjmë Histori të Letërsisë për publikun e gjerë. Shteti ka programet e veta për shkollat, dhe tekstet duhet të respektojnë programet.”

Në vitin 1961, nëse kujtohem saktë, Dhimitri mori një përgjigje të drejtpërdrejtë për këtë çështje nga udhëheqësi i Partisë në një mbledhje në Universitetin e Tiranës me intelektualë të fushave të ndryshme të artit, shkencës e kulturës (mesa mbaj mend për marrëdhëniet midis brezave, – të rinj të vjetër). Gjatë një pushimi u ftua të pinte një kafe me Enver Hoxhën dhe në këtë takim të shkurtër, ai gjeti rastin të prekë tërthorazi edhe punën e Historisë së Letërsisë, duke i shtruar mendimin se tanimë jugosllavët meritojnë gjithçka pleqtë tanë kanë thënë për ta. Enveri, tregonte Dhimitri, la menjëherë filxhanin e kafes dhe qetësisht më tha: “Ti e ke fjalën për Pater Gjergj Fishtën. Ai ishte i austriakëve dhe u bë i Italisë fashiste dhe akademik i Duçes. Ne nga ai nuk mësojmë t’u qëndrojmë shovinistëve serb dhe revizionistëve jugosllavë.” Kishte marrë një përgjigje tronditëse, por përsëri nuk u zmbraps dhe as që i shkoi ndër mend të hiqte dorë nga puna e tij mbi historinë e letërsisë shqipe. Dhe kjo buronte nga një bindje e tij e fortë se më mirë të kishim një Histori Letërsie Shqipe pa autorët e anatemuar, sesa të mos e kishim fare.

Kujtonte me dhimbje vitet e tij të shkollës në Liceun e Korçës: kishte mësuar historinë e letërsisë franceze me detaje nga klasikët tek bashkëkohësit, nga shumë të njohurit dhe tek më pak të njohurit, kishte mësuar për shkrimtarë të mëdhenj të botës, kishte mësuar për qytetet malet, lumenjtë e mëdhenj të Francës deri tek lugina e përrenj, por s’kishte pasur një tekst të vetëm për të mësuar letërsinë, historinë, gjeografinë e vendit të vet. Në kujtimet e tij ai shkruan: “Ishte e dhimbshme për një nxënës liceu që libra shkolle shqip të kishte pak, aq pak sa të numëroheshin në gishtat e njërës dorë, ndërsa frëngjisht kishte ç’të doje, me barrë libra, për gjithë lëndët, për historinë e gjeografinë, për algjebrën e trigonometrinë, anglishten, gjermanishten, filozofinë. Manuale të ndryshme për të njëjtën lëndë, të zgjidhje cilën të doje, dhe të mos kishe veçse një antologji të vogël për letërsinë tënde, pale një vepër të Naimit, Çajupit tënd, De Radës, Serembes, Asdrenit…

Më 1930, më ra në dorë nga një Mantho, nxënës përmetar në Lice “Baba Tomorri” i Çajupit dhe nuk vetëm e lexova, por edhe e kopjova duke e gdhirë një natë me atë libër në dorë. Mëkat, t’i lënë fëmijët tanë, shkollarët, pa një tekst që të njohin e të mësojnë Bogdanin e De Radën, Naimin, Çajupin etj.

“Unë kam kënaqësinë që bëra të mësojnë shumë, ndonëse jo gjithçka”, ngushëllohej Dhimitri. Sa herë binte fjala dhe fjala binte shpesh, se brenga nuk iu nga kurrë, do të përsëriste atë që thosh Xhuvani: “Po ç’të keqe ka xhanëm fëmija nga bukuria?!”

Atmosfera disi më liberale e fillimit të viteve ’70, mundësoi, midis të tjerash, marrjen e vendimit për botimin e veprave të plota të rilindasit tonë të madh, Naim Frashërit, nën drejtimin e Dhimitrit. Kjo krijoi shpresa reale edhe për plotësimin e tekstit të Historisë së Letërsisë, që ishte në proces pune, me autorët e kërkuar. Por vendimet e Plenumit IV të vitit 1973 frenuan çdo gjë, mbyllën çdo shpresë e mundësi. Botimi i veprave të plota të Naimit u reduktua në “Vepra të zgjedhura”, të botuara në dy vëllime në vitet 1982 dhe 1985, kurse për Historinë e Letërsisë as që bëhej më fjalë. Një zhgënjim dhe brengë tjetër për Dhimitrin.

Në lidhje me sa thashë Dhimitri shkruan: “Historia e Letërsisë Shqipe ose do të shkruhej ashtu si u shkrua, ose nuk do të shkruhej. Apo më mirë: ose do të shkruhej nga ata që e shkruan, ose do të shkruhej nga të tjerë, që nuk do ta shkruanin ndryshe me një specializim të njëjtë. Fishta, Konica e të tjerë nuk do të figuronin në programet shkollore, pra dhe në faqet e saj, ose do të figuronin me një faqe e me pak rreshta, sipas “porosive” nga lart dhe jo ndryshe, ndryshe nuk mund të shkruhej. Qe një guxim edhe ashtu si u shkrua. Unë isha për një histori të plotë të letërsisë në shkolla. Luftova për këtë por dështova. Preferova të punoj për shkollat edhe pa jasakët, që më imponoheshin, se i shërbeja shkollës, që i shërbeva jo pak.” Në këto kushte Dhimitrit i mbetej vetëm një zgjidhje: të shkruante një Histori të Letërsisë të tijën. Kjo ëndërr iu përforcua pas Pleniumit IV të KQPPSh, kur u shkarkua nga funksioni i tij si kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe mendonte se do të kishte kohën e nevojshme. Miku i tij, linguisti i njohur Mahir Domi, bashkëpunëtor i afërt në të gjithë punën që ishte bërë për hartimin e Historisë së Letërsisë, e mbështeti fort në vendimin që tashmë kishte marrë. Regjistrova atëherë një bisedë të gjatë që ai pati me Dhimitrin, për këtë çështje, pas Pleniumit IV: “Tani ka ardhur koha t’i vësh kurorën veprës tënde të jetës, të shkruash një Histori të Letërsisë tënden me Fishtën, Skiroin, Konicën e gjithë të anatemuarit, ashtu siç ka qenë dhe është jeta letrare, ashtu siç e kemi konceptuar bashkë dhe ke luftuar sa herë që të është dhënë mundësia. Ti duhet ta bësh, të takon ta bësh Dhimitër.”

Por mundësia që aspironte, “koha” nuk iu krijua asnjëherë. Në ditarin e tij të datës 11.6.1977, ai midis të tjerash shkruan: “Jam shumë i ngarkuar; duhet të redaktoj përfundimisht Historinë e Letërsisë (botim i Akademisë së Shkencave 1983 – M) të kryeredaktoj botimin e veprave të Naimit dhe të De Radës, të redaktoj me Mahirin korrespondencën e Rilindjes, të përgatit për botim folklorin që kam mbledhur (“Nga kënga e popullit” botuar në 1991 – M) të përgatis botimin e veprave të mija letrare në 9 vëllime, etj. Bëhen pra disa mijëra faqe. Bisedova me Aleks Budën, kryetar i Akademisë së Shkencave, të më jepet një ndihmës.”

Sa herë bisedonim për këtë ngarkesë, për ndihmësin që i ishte premtuar më thoshte: “Hallvë e ftohtë”.

Ndërkohë iu vu punës voluminoze e të vështirë për ribotimin e pasuruar të veprës së tij “Shkrime shqipe të viteve 1332-1850” (Tekstet shqipe dhe shkrimi i shqipes në vitet 879-1800 – botuar nga Akademia e Shkencave më 2005 – M) dhe përgatitjes për një botim të pasuruar të “Fjalorit parabuzukian” (vepër në proces botim nga Akademia e Shkencave – M).

Kjo ngarkesë dhe rrethana të tjera nuk i dhanë mundësinë të realizojë ëndrrën e tij. Ky ishte pengu i tij, ndoshta pengu më i madh i jetës. Por edhe rrethanat e reja të krijuara pas viteve ’90, nuk i dhanë dorë mbasi e gjetën të rënduar nga shëndeti, të lodhur nga mosha dhe nga jeta konfliktuale e atij dhjetëvjeçari të fundit të shekullit. Dy ditë para se të mbyllte sytë përgjithnjë më foli me ngashërim për të fundit herë për Historinë e Letërsisë Shqipe dhe më tha: “Ti e di si e kam shkruar Historinë e Letërsisë Shqipe, ti e di se ç’peng të madh kam pasur”.

Dhimitër Shuteriqi, ca portrete miqësore kolegëve

Me një kalim të shpejtë të lapsit ai e ravijëzonte një portret. Mund të qëllonte të ishte në një mbledhje të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, por edhe një kafe me miqtë. Ata që e njihnin nga afër ia dinin këtë dhunti “të fshehtë” shkrimtarit dhe studiuesit Dhimitër Shuteriqi. Shpesh ato merrnin trajtën e një karikature, por askush nuk ia merrte me të keq dhe shpesh qeshnin së bashku. Një galeri e tërë portretesh, realizuar nga Dhimitër Shuteriqi, u prezantuan mbrëmë në qendrën “Tirana Ekspres”, në ekspozitën “Portrete”. Ndonëse në periferi të kryeqytetit, aty ku ende vazhdojnë të jenë magazinat, pranë Stacionit të Trenit, në ceremoninë e hapjes nuk munguan miq e të afërm të artistit, të cilët patën mundësi të rishihnin portretet dashamirëse të kolegëve të tyre dhe, pse jo, të ndanin edhe ca kujtime nga e shkuara. Duke kaluar nga njëri portret në tjetrin, të ndodh të vësh buzën në gaz. Duke u vënë në pah ndonjë karakteristikë të tipareve të tyre, Shuteriqi dëshironte edhe t’i ngacmonte nga pak miqtë e tij. Dhe ja, shquan mes tyre shkrimtarë, piktorë, kompozitorë, përkthyes, gjuhëtarë. Mes galerisë së gjerë, e cila numëron mbi 130 portrete, mund të shquash imazhin e shkrimtarit Nonda Bulka me një balluke të kreshpëruar, poetit Ali Asllani, gjuhëtarit Eqrem Çabej me kokën pak mënjanë, siç e kujtojmë të gjithë prej fotografive të tij, përkthyesit Vedat Kokona, kompozitorit Çesk Zadeja me faqet buçkane, piktorëve Vangjush Mio, Sali Shijaku e Nexhmedin Zajmi, profili imcak i sopranos Marije Kraja, për të vijuar me Ismail Kadarenë, Lasgush Poradecin, Petro Markon, Qamil Buxhelin… Por nuk mungojnë edhe autoportretet me apo pa llullë… Shumë prej tyre sot nuk janë më dhe ekspozimi i imazheve të tyre është një homazh i dyfishtë. Këto vizatime janë përzgjedhur nga një koleksion, që sipas bashkëshortes së artistit, Mynevere Shuteriqi, numëron mbi 500 portrete.

 Dimensioni tjetër

 Përveç dashamirësisë së Mynevere Shuteriqit, e cila vuri në dispozicion koleksionin e të shoqit dhe është gjithnjë e gatshme për të ndihmuar këdo kur vjen puna për veprën e bashkëshortit, që djemtë e “Tirana Ekspres” të ngrinin këtë ekspozitë ka ndihmuar edhe shkrimtari e studiuesi Moikom Zeqo. Sipas tij, krijimtaria në vizatime dhe skica e Dhimitër Shuteriqit, kryesisht në portrete e peizazhe, dokumentohet qysh në periudhën studentore, në vitet ’30. Znj. Shuteriqi e lidh me periudhën kur ai studioi në Francë dhe pati mundësi të njihte artistë e profesorë të fushës e të vizitonte galeri të shumta. “Ka vizatuar portrete të njerëzve të njohur, të shkrimtarëve francezë, shqiptarë, të cilëve ai u realizonte portrete që u afroheshin karikaturave miqësore. Janë vizatime me përmasa jo shumë të mëdha, që quhen kroki”, thotë Zeqo, teksa shton se të tilla vizatime Shuteriqi realizoi përgjatë gjithë jetës së tij dhe tani që shumica e personazheve të vizatuar nuk jetojnë më, marrin edhe më shuam vlera. “Vizatimet e tij janë interesante, kryesisht të realizuara bardhezi, por ka edhe pak me ngjyra. Një ndër to është Mali i Tomorrit. Përveç portreteve të emrave të njohur, ka fiksuar në letër edhe imazhet e njerëzve të thjeshtë. Ka një galeri të tërë me portrete malësorësh, realizuar gjatë udhëtimeve të tij në Malësi. Është shumë i kujdesshëm në kapjen e detajeve dhe hollësive nga jeta. Janë vizatime të shkëlqyera, të cilat mbërthejnë karakterin e personazhit. Shumë syresh shfaqin tendenca kubiste e futuriste”, shton studiuesi. Sipas tij, vizatimi i jep një tjetër dimension figurës së Dhimitër Shuteriqit, duke u bërë ndër të paktët shkrimtarë që lëvronin edhe pikturën, në krah të Lasgush Poradecit. “Por, nëse Poradeci ka marrë mësime në pikturë, për Shuteriqin ka qenë një pasion”, thotë Moikom Zeqo. Megjithatë, ekspozitës do t’i mungojë aspekti familjar. Dhimitër Shuteriqi ka realizuar dhjetëra portrete të vajzave të tij, të cilat sot varen nëpër muret e shtëpisë së tij, apo të mbesave. “Janë shumë të dashura për ne. I kemi vendosur nëpër mure, të tjera ua kam dhënë vajzave apo mbesave”, thotë Mynevere Shuteriqi.

Në galerinë alternative

 Galeria alternative “Tirana Ekspres”, në fund të rrugës “Karl Gega”, ka pritur me shumicë të rinj artistë apo dashamirës të artit. Ata moshatarë nuk janë shumë të shpeshtë andej nga periferia, por me rastin e hapjes së ekspozitës “Portrete” nga Dhimitër Shuteriqi, shumë syresh shkuan mbrëmë. Por, qëllimi i drejtuesve të kësaj galerie nuk ka qenë vetëm tërheqja e një publiku ca më të pjekur në moshë, por pikërisht për t’i njohur të rinjtë me veprën e të vjetërve. Ndaj edhe poshtë çdo portreti janë theksuar mirë emrat e personazheve. Ndërsa në momentin e parë të duket një ide e çuditshme që një ekspozitë e Shuteriqit të hapet në një galeri të tillë, kur e sheh atë duket se lapsi i çlirët u shkon mirë mureve të ish-magazinës, që do të thotë se çka është e bukur shijohet, pavarësisht vendndodhjes së galerisë. Ekspozita e hapur mbrëmë do të qëndrojë e hapur deri në datën 15 tetor.

ALMA MILE -Panorama

 Veprat e botuara të Dhimitër Shuteriqit

Kangët e rinisë së parë (1935)

Kangë (1936)

Çlirimtarët, roman (1952)

Fyelli i Marisiasit (1963)

Gjashtëdhjetë tregime në një, tregime

Tregime të zgjedhura (1972)

Një mal me këngë (1975)

Kur rendte hëna nëpër re (1982)

Vërshimet e vjeshtës (1984)

Shkrimet shqipe në vitet 1332-1850 (1976)

Autorë dhe tekste (1977)

Mbi Barletin dhe shkrime të tjera (1979)

Syte e Simonidës, (1998) /KultPlus.com

Fjalët e fundit të shkrimtarit Dhimitër Shuteriqi

Dhimitër Shuteriqi është një nga prozatorët, poetët dhe studiuesit më produktiv të letërsisë shqipe. Lindi në Elbasan më 1915 dhe ka vdekur më 22 korrik të vitit 2003.

Shuteriqi lindi dhe vdiq ditën e hënë. Jetoi në tri periudha: mbretërinë, socializmin dhe demokracinë. Ai mbi të gjitha i ka dhënë letërsisë kombëtare duke shkruar dhe historinë e saj. Por, edhe më mbresëlënëse janë momentet e fundit të jetës së vetë.

Bashkëshortja e tij, Myneveri, tregon se në një moment kur po i rrinin tek koka e gjithë familja, ai u shpreh se “ç’bukuri ish, që aty ishin të gjithë”. Por, edhe më kuptimplotë se kjo, ishte ajo që tha shumë më gjerë dhe me brengë. “Ti, Mynever, e di si e kam shkruar historinë e letërsisë, me një brengë për tërë jetën”, një fjali që nënkupton se shumë poetë dhe shkrimtarë që nuk iu lejuan t’i përmendte në atë libër, do të mbetet një brengë që do ta merrte me vete në varr.

Por, në të njëjtën kohë edhe një thirrje për letrarët shkrimtarët e historianët për të shkruar një vepër të plotë dhe të saktë të letërsisë.

Për të gjitha këto, Dhimitër Shuteriqi punoi tërë jetën. Por, nuk arriti që të plotësonte atë që mbante thellë në vete. Megjithatë, ato fjalë jo vetëm për familjen, por edhe për të gjithë mbeten si një këshillë e thënë me zë të ulët në vesh. / KultPlus.com

Jeta studentore e Dhimitër Shuteriqit

Nga: Feride Papleka

Në tetor të vitit ’36 të shekullit që shkoi, udhëtonte nga Shqipëria në një universitet të Francës, një djalosh elbasanas, poet, tepër i hijshëm, me sy tërë dritë e ëndërrues. Në fytyrën e tij të menduar, me ca tipare të harmonishme, herë pas here binte një hije melankolie përzier me nostalgji, sepse kishte braktisur një dashuri që mosha e adoleshencës ia jep dhuratë thuajse të gjithëve, por edhe pse po e merrte malli për vendin ende pa u larguar. Flokët e dendur e të valëzuar, të ndarë me vijë në mes, bënin t’i shquhej një ballë i lartë. I shëndetshëm dhe plot energji, i veshur si në perëndim me kostum të errët, ai dallohej për një sjellje aristokratike. Kishte mbaruar Liceun Francez të Korçës.

Ai që shkruante se qe “andërrtar i penduam”, ishte edhe komunist i ri. Kishte botuar dy libra poetikë dhe ishte vetëm 21 vjeç. Quhej Dhimitër Shuteriqi. Në dy librat poetikë “Kangët e rinis së parë” (1935) dhe “Kangë?” (1936) emrit dhe mbiemrit të tij i kishte shtuar edhe një S të madhe në mes, domethënë Simon, emri i të atit. Në universitet ai po shkonte me shpenzimet e familjes. Edhe pse kishte dalë me nota të shkëlqyera, qeveria e Zogut nuk mund t’i jepte bursë një revolucionari, ashtu si u dha disa të tjerëve. Simoni, i ati, i premtoi se do t’i jepte çdo muaj gjysmën e rrogës së vet mujore, si mësues, dhe kështu u bë. Qyteti që ka zgjedhur Dhimitri për të bërë studimet është Grënobla. Profesori i filozofisë në Liceun Francez të Korçës, pozitivisti Meyer, ia pati lavdëruar shumë universitetin e atjeshëm, si një qendër të madhe kulturore nga më të hershmet në Francë e në botë. Dhe, vërtet, atë vit që vajti ai, bëheshin festimet e 600-vjetorit të themelimit të universitetit.

Si rrëfimtar i madh që ishte, kur përshkruante Francën, Shuteriqi e niste gjithnjë me Tiranën. Gjatë ditëve që merrej me problemet e nisjes, ai njohu nga afër shkrimtarët e rinj që jetonin në kryeqytet: Aleks Çaçi, Nexhat Hakiu, Petro Marko, Shefqet Musaraj, Andrea Varfi e të tjerë. Mes tyre ai çmonte shumë Petro Markon, me të cilin ishte njohur në redaksinë e revistës “ABC”. Ndërsa, Andrea Varfi ishte edhe ai disi më i njohur se të tjerët, ngaqë kishte shkruar me dashamirësi për librin e tij të dytë. Ai u shoqërua kryesisht me Petro Markon dhe fjeti në shtëpinë e tij, në rrugën e Durrësit, pas centralit elektrik të dikurshëm. “Ishte një dhomë e varfër plot rrjeta merimange, me shtrat hekuri e me një karrige. Petroja ishte një djalë i gjallë, me flokë kaçurrela që i binin mbi ballë, përherë buzagaz. Ai shkruante e bënte jetë si poetët bohemë dhe kishte njohje të gjerë. Punonte redaktor te ‘Përpjekja shqiptare’ e Branko Merxhanit” (Bisedë, prill 1995). Edhe Petroja ishte me bindje komuniste.

Vërtet që poeti ynë ishte simbolist, bodlerian, por në botëkuptim kishte ndryshuar shumë qëkurse kishte hyrë në lidhje me idetë komuniste. Ato ditë ai dhe Petroja bënin diskutime, nëse mund të kishte një mendim filozofik shqiptar. Kur ndodheshin në redaksi, Brankoja futej në një mënyrë shumë interesante në diskutim, sa i bënte të rinjtë ta dëgjonin me vëmendje. Bisedonin pastaj për poezinë, për poetët, për përpjekjet e tyre nën regjimin censurues të Zogut. Sigurisht nëpër biseda kishte edhe çaste lirike si ai i ditës kur ai me Petron dhe Nexhatin, i kushtuan secili nga një poezi, një vajze në kafe Venecia. Në një nga ato ditë ai kishte pranuar që me këshillën e Petros të takonte edhe Etëhem Toton, megjithë mosbesimin që kishte ngjallur te të rinjtë revolucionarë. Por, sa ishte gjendur te dera e tij, i qe kthyer mendja. Dhe, të dy të rinjtë i kishin zbritur shkallët me vrap. Poeti i ri udhëton drejt Italisë me një vapor të vogël që niset nga Durrësi natën. Është si në balada, sepse në mëngjesin që gdhihet me diell, ai gjendet në Bari. Ka kapërcyer detin Adriatik dhe ngjan pak me personazhet mitikë që nisen në kërkim të fatit.

Në molo e pret shoku i liceut, Hajdar Delvina që kishte shkuar më parë dhe ishte regjistruar atje për farmaci. Bashkë me Hajdarin i uron mirëseardhjen edhe një shqiptar tjetër, një i mërguar politik i vitit 1924, Qamil Çela, shok i Avni Rustemit. Me Qamilin ai do të miqësohej më shumë, kur një vit më vonë, ai do të rimërgonte në Lion. Qamili kishte qenë edhe nxënës i Simonit. Do të dijë për shkollat shqipe dhe shumë gjëra të tjera, që i kujtonin mëmëdheun. Dhimitri i përgjigjet me krenari dhe ndihet edhe ai i lumtur që po njihet me një komunist të vjetër, i cili pas ardhjes në fuqi të Ahmet Zogut, ishte arratisur me demokratë të tjerë si: Zai Fundo, Selim Shpuza, Sejfulla Malëshova, Ali Kelmendi, Thanas Ziko e të tjerë. Ndërkohë pajtoni qëndron para hotelit “Moro” ku do të flejë. Rastësisht, ato ditë hoteli është plot me tregtarë elbasanas, që e shtojnë “ziafetin” kur vjen “çuni i zotit Simon”. Ata “jetonin si mos më keq, se gatuanin vetë dhe flinin disa vetë në një dhomë”.

Në Bari, Hajdari e shëtit në qytetin historik. Ndër të tjera ai viziton kishën e Shën Kollit, ndërtuar që në kohën e Normandëve në shekullin XI. Thuhej se aty ruhej gishti i Shën Jon Vladimirit, por ai nuk e pa. Një tempull mesjetar ishte i ruajtur mirë. Aty Mesjeta pati, si të thuash shfaqjen e saj të parë konkrete që më vonë ai do ta pasurojë shumë, megjithëse që në klasat e fundit të liceut, është njohur pjesërisht me poezinë mesjetare epike franceze, me disa këngë të kreshnikëve, si edhe me trubadurët. Ai kalon edhe nëpër shitoret që ndryshonin shumë nga tonat. Hajdari e ndihmoi të blinte një pardesy të mirë te një tregtar hebre, që në fillim u dha një çmim të lartë e pastaj e uli deri në gjysmë. Djali nuk i kupton ligjet e tregtisë, por ka marrë pak njohuri për sistemin e përfitimit në shoqërinë kapitaliste, kur lexonte në pranverë broshurat marksiste. Gjithashtu, Hajdari që e di poetin e ri “të virgjër”, një mbrëmje i bën një të papritur dhe e shpie në një shtëpi publike. Para tij del “një femër e bukur, e bardhë” që i hap krahët “e trëndafiltë” për ta pritur. Ai rri disa sekonda i shtangur para saj dhe befas kthehet mbrapsht e del me vrap jashtë “i tromaksur”. Hajdari që pret te dera, ngre supet i çuditur. Natën e dytë shkojnë në opera dhe shohin pjesën e famshme të Donizetti-t “Luçia di Lamermoor”.

“Italia ndryshonte krejtësisht nga Shqipëria. Në Itali bëhej jetë e gjallë kulturore. Ato ditë ishte hapur sezoni i fillimit të veprimtarive muzikore. Të nesërmen shkova në Romë bashkë me një shok që kishte qenë edhe ai student në lice dhe studionte mjekësi në Lion. Tomço e quanin. Në Romë u bëmë tre shqiptarë studentë dhe vizituam disa nga bukuritë arkitekturore të saj. Na la mbresa të pashlyeshme Koloseu dhe Katedralja e Shën Pjetrit. Kur po vizitonim Shën Pjetrin, para nesh kaloi një kor murgeshash që m’u dukën hyjnore dhe njëri nga shokët më pëshpëriste në vesh se Marksi nuk më linte të mendoja për Parajsë e për engjëj” (Bisedë, maj 1995).

Që nga Roma, rruga drejt Grënoblës përshkon bregdetin tirenian që atë mëngjes ishte derdhur në kaltri. Studenti i Lionit ndahet që në fillim të udhëtimit, se përgatitet për një provim, ndërsa Dhimitri rri me kokën në dritare, duke soditur peizazhet, tokën e qëndisur si me dorë, qytete të skalitura me bardhësi, fshatra si lule të shumëngjyrshme mes gjelbërimit. Djaloshi futet në ëndërrime, ashtu si ndodh me të gjithë poetët kur bien në hasje me bukurinë, por atij i tërheq shumë vëmendjen, një qytet që duket e zhduket duke u pasqyruar në një lumë, nën ca kodrina të mbjella me ullinj e limonë.

Pyet një udhëtar e ai i përgjigjet “Flloransë, monsieur, Flloransë” e zbret. Francezët i thonë Firences, Florence (Florans), por ai e shqiptonte me ll, dhe me ë në fund, i ndikuar nga dialekti i Jugut. Mbase ishte edhe francez që banonte në Firence, ku ta dish. Qyteti i Rilindjes, par excellence, Firencja, që ngrihet mbi lumin Arno, atë ditë shkëlqente dhe dukej sikur shqiptonte me zë melodioz emrat e mëdhenj Alighieri, Botticelli, Donatello e të tjerë. Dhe, sigurisht, në ajrin e qëruar mbase kishte zbritur nga parajsa Beatriçe Portinari, që e frymëzoi Danten për të shkruar një nga krijimet më të mëdha të njerëzimit. Shumë këngë të poemës “Komedia hyjnore” Dhimitri i ka lexuar në origjinal kur ishte në lice dhe po përpiqej të sillte ndër mend një strofë: “Ma dimmi: al tempo de’dolci sospiri, / a che e come concedette amore / che conosceste i dubbiosi disiri? (Më thuej, në koh’n e t’amblave psherëtime / si e në ç’rasë me njohë dashninë ju ra, / tue u përpëlitë n’dëshira e ndër dyshime (AligheriDante, Komedia Hyjnore, Ferri, përktheu Pashko Gjeçi, f.30).

Studenti që tashmë kishte ardhur në zemër të Evropës. Treni dukej sikur fluturonte. Para syve të tij vazhdonin të parakalonin qytete, fshatra, pyje me pisha, plantacione palmash, zona turistike, shkëmbinj si të vendosur me dorë. Një peizazh i mahnitshëm. Kaluan pastaj ca tunele të vegjël dhe papritur mes palmave doli në dritë një qytet i mermertë, si i mbirë nga ndonjë përrallë. Quhej Santa Margerita. Qyteti ishte vërtet ashtu si e kishte emrin, një Margaritë e gjallë, plot ngjyra jete dhe drite. Djali i ri mbërthen çantën dhe zbret nga treni “si era”. Shëtit gjer natën vonë si i magjepsur dhe të nesërmen që me natë niset për Torino. Paratë “e kanë pësuar” dhe ai herë pas here i heq sytë nga dritarja, se mos joshet për të zbritur prapë. Gjatë rrugës i ngjallen shumë kujtime, por Korça e kulturës, e poezisë dhe e dashurisë është si një pikë referimi në këtë udhëtim të gjatë.

Në stacionin kufitar, ndërron tren për të kaluar tunelin e Frejusit, që lidh Italinë me Francën. Në fillim djaloshi zmbrapset se mos ka gabuar klasin, se vagonët e veshur me pelush të kuq i duken të rinj dhe treni ndrin nga pastërtia, por fatorinoja e siguron se është në rregull. Ai ulet në trenin e rehatshëm francez dhe për një çast në trurin e tij kalon një mendim i errët: “Po sikur të vdiste në tokë të huaj?” Megjithatë, ai buzëqesh e pëshpërit heshtazi, se gjallë apo vdekur do të kthehej në atdhe. Në kabinën e ngushtë bisedohet diçka për Francën, jo ndonjë gjë e mirë, sepse burrat e ulin zërin kur shohin djaloshin që hap gazetën frënge “Le Temps “ (Koha), të cilën e pati blerë në Torino. Dikur njëri prej tyre e pyet. Kur djali i ri përgjigjet se është shqiptar dhe se shkon për të studiuar në Universitetin e Grënoblës, njëri prej tyre që me sa dukej ishte fashist, thotë me zë të lartë se Italia kishte me dhjetëra universitete dhe “shqiptarët nuk kanë pse shkojnë në Francë”.

Çudia e tyre shtohet kur djaloshi shton se në Shqipëri kishte vazhduar një lice francez. Por, ata zbresin në stacionin tjetër. Ai dëgjon aty një frëngjishte, që nuk i tingëllon si gjuha që fliste vetë ai, por me fjalë që kishin theks fundor e që shqiptoheshin në mënyrë të turbullt në rrokjet e para. Treni niset prapë dhe ecën me shpejtësi. Studenti shqiptar gjendet tashmë në atë tokë ku kishin jetuar Ronsard dhe Villon, Descartes e Pascal, Corneille dhe Racine, Voltaire e Hugo, Rousseau e Diderot, Danton e Luise Michel, Emilie du Chatelet e Marie Curie, Flaubert e Proust, Sarah Bernard e Paul Eluard dhe shumë të tjerë që i kanë dhënë dritë jetës dhe mendimit francez me veprën e tyre. Atdheu i tij i dytë, për të cilin kishte studiuar nëntë vjet dhe dinte për të gati më shumë se një francez, po i uronte mirëseardhjen. Ishte pajisur me një barrë dijesh, që do t’i pasuronte e zgjeronte. Kishte edhe një përvojë të re, një ëndërr utopike që priste të realizohej.

Në Grënobël treni mbërrin vonë. Qyteti që studenti italian në bisedë e kishte quajtur “mbreti i Alpeve”, ndriste nga dritat. I informuar nga ata me të cilët udhëtoi Dhimitri ndalet në hotelin pranë stacionit. Gjen një dhomë, papafingo që ka mbetur pa u zënë në katin e pestë dhe ngjitet menjëherë. Studenti i ri që tashmë ka ardhur në zemër të Evropës, pasi pushon pak nga rruga e gjatë, del në dritare dhe vështron qytetin që duket nga dritat si një qiell me yje i përmbysur. Një lumë me ujëra që shkëlqenin zgjatej tutje. Bie pastaj në një gjumë pa ëndrra dhe zgjohet herët me një bosh në shpirt. Në atë qytet të huaj ai ndien edhe gëzimin e një jete të re që do të nisë, por edhe trishtim. I duket vetja i vetmuar. Paguan dhe pas ca ditësh e merr vesh se aty flinte edhe një tjetër shqiptar, Petrit Dakli, student në inxhinieri, djalë i një patrioti të njohur elbasanas.

Njëri nga udhëtarët italianë, punëtori i cili i ka premtuar se do ta ndihmonte për të gjetur një dhomë me qira, e mban fjalën dhe vjen në hotel herët. Taksia ndalet ku thotë ai, në rrugën “Lieutenant Chanaron” numër 12. Derën ua hap një zonjë e moshuar. Dallohej, tek ajo, sjellja tipike aristokratike, kur i fton që të hyjnë. Marangozi mund të kishte punuar atje se zonja “ia lëvdoi punën”. Ai i kërkon një dhomë me qira dhe i flet me bindje për fisnikërinë e studentit shqiptar. Zonja as që e kishte dëgjuar ndonjëherë emrin Shqipëri. Dhimitri preket. Ai deshi të thotë se ne jemi të njohur si pasardhës të Ilirëve, por hesht se nuk është vendi dhe ndien një mëri ndaj historisë. Zonja pranoi t’i jepte një dhomë me një çmim të lirë dhe studenti i ri zgjohet nga përjetimet. Edhe pse ajo e quan lirë, atij prapë i duket shtrenjtë. Në të vërtetë, dhoma kishte qenë e lirë me 140 franga në muaj, por ai do ta mësojë më vonë këtë gjë.

Zonja i vë një kusht: Të mos sillte kënd në shtëpi, sepse bën mësime kantoje për vajzat e reja dhe i duhet qetësi. Ajo i tregon dhomën e tij, pianon që ishte në sallon, kopshtin dhe në çastin e ndarjes e fton për darkë, duke shprehur kështu mikpritjen tradicionale franceze. Kështu nis jeta e re e studentit shqiptar. Atë ditë ai gjen ndërtesën e fakultetit që është në qendër të qytetit dhe regjistrohet në dy fakultete njëherësh: drejtësi dhe filozofi. Këtë e bëri, siç thoshte, nga “dashuria për letërsinë”. Dhe, i riu mendon: “Si mund të jesh poet pa kaluar nëpër rrugët e filozofisë e të drejtësisë?”. Ai nuk mundi të regjistrohej për letërsi, sepse si kriter parësor ishte latinishtja që e braktisi dikur në lice. Gjithsesi, ai i premtoi vetes se do ta merrte si degë edhe letërsinë me kurse leksionesh të lira.

Në mbrëmje, gjatë darkës, zonja e pyet për udhëtimin. I bëhet qejfi që kishte të bënte me një djalë profesori. Ai nga krenaria i thotë se është poet, i tregon librin “Kangë?”. Nuk përmbahet dhe i thotë se i bie mandolinës: Në lice kishte qenë në grupin e mandolinistëve. Zonja tund kokën dhe i përgjigjet se do të ketë rast ta provojë sa virtuoz ishte. Ajo nuk u beson veshëve kur ai i flet për liceun francez në Shqipëri. Më në fund i jep një palë kufje për të dëgjuar muzikë. Kur shkon për të fjetur, ai dëgjon ende tingujt e veprave të Saint-Saëns, Debussy, Ravel e të tjerë.

Të nesërmen djaloshi nis leksionet. Jeta studentore hap siparin. Ky njeri me vullnet të hekurt dhe me pasion prej mistiku fillon të ndjekë leksione për filozofi e drejtësi, që i ka në program, por edhe leksione të lira për letërsi. I shkruan të atit dhe i shpjegon arsyet përse nuk u regjistrua fillimisht për letërsi. Ai bëhet menjëherë anëtar i bibliotekës së universitetit. “Ajo ishte një nga më të pasurat e Francës, me 300 mijë libra. Ishte parajsë e vërtetë” (Bisedë, prill 1995). Kurset e filozofisë janë thuajse të përditshme. Z. Chevallier, që ia kishte rekomanduar profesori i filozofisë në liceun e Korçës, zhvillonte leksione për filozofinë idealiste, që për djaloshin materialist nuk është edhe aq e këndshme. Dhimitri lexon dhe studion gjer në orët e vona të natës. Leximi është bërë natyrë e tij e dytë. Kuptohet që në universitet hapësira e leximeve bëhet e pafundme.

Pasi kalojnë dy javët e para, një ditë që nuk ka leksion paradite, ai i kushtohet njohjes së qytetit. Ka lexuar në një libër për historinë e tij: Në fillim qytet i Allobrozhëve (Allobroges, popullsi kelte në Galinë transalpine gjer në shekullin II p.e.s., kur u pushtua nga romakët, pastaj me emrin e perandorit romak Gratianus Gratianopolis). Në shekullin VIII dhe XI bënte pjesë në mbretërinë e Burgonjës dhe i bashkohet Francës në shekullin XIII. Në shekullin XIV, aty u ngrit një universitet i rëndësishëm, vazhdimësi e të cilit është universiteti që ndjek Shuteriqi në kohët moderne. Në qytet ka shumë ndërtesa klasike, si katedralja Notre Dame dhe porta e madhe Saint Laurent, të dyja ndërtime të shekullit XVII, por ka edhe ndërtime më të hershme, si kisha Saint-André dhe Saint Louis, të dyja të shekullit XIII, Pallati i Drejtësisë i shekullit XV dhe XVI etj., që ai i lë për një ditë tjetër dhe viziton muzetë.

Së pari hyn në Muzeun Bashkiak, një ndërtesë madhështore, e ngritur në kohën e mbretit Louis XIV dhe pastaj Muzeun e Arteve, muze i shquar, shumë i pasur; atë kohë i dyti në Francë pas atij të Luksemburgut. Dhimitri e shijon pikturën si profesionist, ai ka një dosje me qindra vizatime e skica të liceut, kur ishte nxënës i Vangjush Mios, por si njeri që vjen nga Shqipëria, një vend pa muzera, atij i bën përshtypje të fortë sidomos gërshetimi i traditës me bashkëkohësinë.

Dhe, atë ditë, paksa i nxituar se do që të vizitojë edhe një muze të vogël të piktorit Fantin-Latour para orës 14:00, ngatërron adresën dhe futet në një rrugicë të ngushtë, si rrugicat e Korçës. Aty i tërheq vëmendjen një tabelë me emrin “Coopé” (Restorant kooperativë për studentët e varfër, që e kishin ngritur çifutët polakë në fillim të viteve 1930) në katin e dytë e që kishte afishuar poshtë menynë për të ngrënë me çmime të lira. Ai ngjitet lart, ulet dhe porosit. Dreka i duket e mirë. Garsoni i premton se në darkë do të hante më mirë, se ngaqë ishte vonë “gjellët e drekës kanë mbaruar” dhe e shoqëron pastaj në kafe Glacière. Ai është student polak.

Dhimitri tani e zgjidh edhe problemin e të ngrënit. Të dielën, ai vazhdon vizitën në pjesën e vjetër të qytetit me ndërtime mesjetare. Muzeu Fantin-Latour i shekullit XIX ishte shtëpia e vetë piktorit. Atje mes të tjerash kishte një tablo për idhullin e tij Baudelaire, që e jep ulur në një kënd me libër në dorë e që poeti ynë e pëlqeu shumë.

Leksionet dhe seminaret vazhdojnë me ritme të reja. Z. Chevallier jep katër orë, pra dy herë në javë. Ditët e tjera ai i kalon në ndonjë universitet të Francës apo Evropës… Në universitet, atmosfera është e larmishme. Si njeri i shoqërueshëm që është, universitari i ri ka bërë menjëherë disa miq. I ka takuar pothuajse gjithë studentët shqiptarë. Madje, i pari fare e bëri të përballej me një qëndrim antisemit, kur i tregoi për pardesynë që kishte blerë te një shitës çifut në Bari. Me bllok në dorë, duke i bërë një portret, ai u largua atë ditë, pa i dhënë shpjegime. Nuk e takoi më.

Ai është i gllabëruar nga leximet filozofike e letrare, por duke qenë i angazhuar lexon edhe shkrime të majta në të përjavshmen “L’Humanité”, që ishte gazetë e seksionit francez të internacionales. Si komunist i ri, informohet se viti 1936 në Francë kishte ardhur edhe me vijën e ndarjes së qartë midis së majtës dhe të djathtës. E djathta ekstreme përpiqej t’i kundërvihej së majtës, që ishte bashkuar me qeverinë e Frontit Popullor (Front Populaire), drejtuar nga socialisti Léon Bloom, që ka ardhur në pushtet, me idenë e ndryshimit të kushteve të jetës dhe punës së punëtorëve. Kjo ide ishte shfaqur në luftën e tij si politikan, që më 1904 kur kishte filluar bashkëpunimin me Jean Jaurès (1859-1914), filozof dhe politikan, themelues i gazetës “L’Humanité” (1904), deputet i së majtës që më 1885, anëtar i partisë punëtore franceze, drejtues dhe udhëheqës i partisë socialiste që ishte për bashkimin e lëvizjes së majtë. Ka zhvilluar betejat socialiste me ligjin për një shkollë laike dhe për përmirësimin e jetës së klasës punëtore. U vra nga një nacionalist më 1914…

Në ditët e para të vajtjes në Grënobël studenti shqiptar është njohur dhe ka lidhur miqësi me studentin ukrainas, Alik Fichtenreich. Aliku ishte komunist i vendosur. Dy të rinjtë bëhen shokë ideali. Ata dëgjojnë së bashku me mallëngjim për parakalimet e rinisë në mbrojtje të Republikës dhe paraqiten në Komitetin Krahinor të Partisë Komuniste Franceze për t’u regjistruar si vullnetarë për në Luftën e Spanjës. Mbrojtja e Republikës ishte si “karta e identitetit” të një revolucionari të vërtetë. Spanja ishte shndërruar në simbol. Dhe të ishe student në atë kohë, do të thoshte ta kishe pjesë shpirtërore frymën e zjarrtë revolucionare.

Por, kur djemtë shkojnë përsëri në Komitet në ditën e caktuar të marrin njoftim për datën e nisjes, u kthejnë përgjigje negative. Për Alikun thonë se ishte sovjetik, kurse Dhimitrit nuk ia tregojnë arsyen. Duhej të priste. Dhimitri i shkruan edhe njërit prej shokëve të tij të ngushtë, ish-liceistit Gani Narazani, që tashmë ishte në Turqi, revolucionar, komunist me të cilin qe arrestuar në shkurt, por ai nuk i kthen përgjigje. Ndoshta nuk i vete letra. “Kur vonoheshin përgjigjet e Dhimitrit, babës i shkonte mendja se kishte ikur në luftën e Spanjës” (Bisedë me motrën e Shuteriqit, Lumnije Baba Shuteriqi, shtator 1998)…

Në këtë atmosferë të ndezur, meqë përpjekja për të shkuar në Spanjë dështon, Dhimitri e shton edhe më tepër zellin ndaj studimeve. Ai është lidhur me Partinë Komuniste Franceze që në fillim dhe merr pjesë nëpër mbledhje ku përgjithësisht diskutohet politika e ditës dhe shpallen direktivat e partisë. Është zgjedhur edhe sekretar i rinisë komuniste për kuotat në organizatën ku bën pjesë, duke patur njëkohësisht si detyrë të punojë me të rinjtë e lagjes së vjetër, të quajtur Lagjja Italiane. Dhimitri i zgjeron njohjet me revolucionarë edhe gjatë drekave apo darkave në “Coope”… Djali i ri vazhdon i qetë studimet. “ Bursa” e vogël që i ka dhënë Simoni, i mundëson që të bëjë një jetë të rregullt. Ai ndjek edhe leksionet e lira. Një fotografi e auditorit ku zhvillon leksione letërsie profesori Jacoubet, e tregon studentin shqiptar të përqendruar…

Studentin Shuteriqi e tërheq edhe një kurs për Edgar Poe-n dhe Baudelaire-in. Emri Baudelaire ka një kuptim të veçantë për të. Një profesor tjetër, Monglond quhej, ishte specialist i pararomantizmit. Ai jep leksione për dy përfaqësues të shquar të kësaj rryme: Benjamin Constant dhe Madame de Stael, e cila ishte një ndër gratë e ditura të kohës në Francë dhe kishte qenë e dashura e Constant-it. Duke zgjeruar njohuritë, ai i rizbulon romantikët Musset, Sand, Lamartine apo Goethe, që i jepnin një pasqyrë ideale melankolisë së tij natyrore. Ai mban shënime sistematike dhe lexon shumë. Në letrat që i dërgon të atit vihet re përpjekja për ta bindur se i ka hyrë shkollës seriozisht. Në një letër të datës 7 nëntor 1936, ai ndër të tjera shkruan: “ […] Po mos u trembni se do të mësoj fare mirë” (Arkivi familjar). Mos kanë shprehur ndonjë lëkundje prindërit e tij? Është disi e pabesueshme të kesh dyshim për një student që ka dalë i shkëlqyer në lice. Por, arsyen përse “tremben” ata e sqaron letra tjetër e pas tri javëve që mban datën 27 nëntor e që shpreh synime të qarta: “I dashur babë, punën e kam nisur me qejf e do t’ia dal në krye. Sivjet do të përgatis edhe një tjetër certifikatë […] Deri tani kam blerë tre libra latinishteje. Në orët e frëngjishtes kam edhe linguistikën frange; linguistikën romane dhe atë të gjuhës së vjetër franceze; certifikatën që duhet të bëj në vend të greqishtes së vjetër, do ta zgjedh më vonë”. (Arkivi familjar).

Fillimisht, leksionet e z. Chevallier iu dukën shumë të pasura Dhimitrit. Vërtet, z. Chevallier ishte pedagog i shkëlqyer, por ligjërata e tij ishte e mbrujtur aq shumë me teologji sa studentit materialist ndonjëherë i bëhet i padurueshëm. Po ta kishte ditur këtë gjë që në fillim nuk do t’i ndiqte leksionet e tij. Përveç mistikëve që i mbante si provë të ekzistencës së Zotit, ai edhe Platonin e quante provë të tillë. E quante “një i krishterë, të cilit i mungon hiri i shenjtë”. Njëherë studenti shqiptar debaton me profesorin e i thotë: “Platoni vështirë të futet në rrethin hyjnor, sepse ka jetuar disa shekuj përpara se të lindte krishterimi”. Profesori e argumenton me filozofinë idealiste që është e lidhur me paraekzistencën e ideve dhe që e tregon realiteti ynë mistik. Salla kthen kokën të shohë atë të huaj që e flet aq rrjedhshëm frëngjishten…

Ai nuk i lë pas dore leximet për letërsinë. Në Francë lexon poetët grekë, por edhe latinët, Virgjilin, Plautin, Terencin, Juvenalin, pastaj autorë të tjerë, spanjollë, anglezë , sidomos Shekspirin, poezinë skandinave, gjermane.

Kohën e lirë ai e kalon duke lexuar poezi, duke ndjekur jetën e pasur artistike të qytetit, atë që nuk ishte e kushtueshme, por edhe duke bërë flirte platonike me vajza. Te shtëpia e zonjës vijnë përditë çupa të bukura që ushtrohen në piano. Ndonjëherë vjen edhe një prift katolik, abati Fernand, i cili në rininë e vet kishte qenë poet i njohur. Ai donte të pajtonte pianisten me të birin që nuk fliste. “Si për ironi, hasja ime e parë me krijimtarinë e grënobleze, ishin poezitë e këtij prifti katolik” (Bisedë, nëntor 1995). Zonja ia prezanton si poet shqiptar. Abati e njeh pastaj me një poet të ri, njeri me kulturë që kishte dhënë ca kohë frëngjishten në universitetin e Abeerdenit në Angli, Louis e quanin. Ai foli për letërsinë shqipe në radion e Grënoblës dhe lexoi frëngjisht dy-tre poezi të Shuteriqit. Madje, një ditë nëntori, ai iu lut ta shoqëronte në Lion ku ishte laureuar nga Shoqata e Poeteshave Lamartiniane.

Shuteriqit i kujtohej befasia e tij kur priste të shihte vajza ta reja dhe u ndodh në mes ca zonjave flokëbardha. Klubi i tyre ishte një ndërtesë baroke e shekullit XVII. Ato qenë mbledhur në një sallon të madh dhe i pritën dy të rinjtë me duartrokitje. Ata zunë vend pranë kryetares dhe Roberti e paraqiti Dhimitrin si poet shqiptar. Zonjat bëhen shumë kureshtare. Mes tyre shumica e dëgjojnë për herë të parë emrin Shqipëri. Gjatë ceremonisë kur iu dha fjala të recitonte një poezi, të cilën e përktheu frëngjisht vetë në çast, kryetarja i bëri lëvdatë dhe e pyeti nëse kishin erotikë poezitë e tij. Djaloshi iu përgjigj se kishin edhe lirikë. Zonjat qeshën. Njëra i tha se ai duhej të ishte më i guximshëm si poet, sepse poezia që recitoi ishte e zhveshur nga erotizmi.

Ai zbulon edhe rrethinat me male të larta. Një shkrep në lindje, gati kërcënues për atë që e sheh për herë të parë, quhej “Le Casque de Neron” (Përkrenarja e Neronit). Dhimitrin e tërheq natyra në çdo kohë. Ai merret edhe me sport. Në Alpet e Grënoblës kishte pika për ski që njihen në të gjithë botën. Dimri me borë sillte gjallëri dhe bukuri nëpër lartësira. Në nëntor, një fundjave, ai shkon për ski me një grup djemsh e vajzash që ishin miq. E kalojnë natën në një lokal me qira. Dhimitrin e pëlqejnë vajzat, ngaqë ka sjellje të kulturuar, por edhe se është i pashëm. Pikërisht kjo gjë e bën pak të druajtur. /KultPlus.com

Jeta dhe vepra e studiuesit dhe shkrimtarit të njohur shqiptar, Dhimitër Shuteriqi