Letërsia arbëreshe në rrjedhë të shekujve në “Ditët e Alfabetit”

“Letërsia arbëreshe në rrjedhë të shekujve” ishte tema e ditës së sotme të manifestimit tradicional kulturor–shkencor “Ditët e Alfabetit” në ITShKSh, ku referuan studiues të njohur të letërsisë shqiptare.

Në fjalën e hapjes, udhëheqësi i Departamentit të Letërsisë Shqipe në ITShKSh, Emin Azemi, tha se arbëreshët i mbajti gjallë letërsia, qoftë ajo gojore apo e shkruar, kurse figurat historike, siç ishte ajo e Skënderbeut, për arbëreshët e Italisë përveç që nënkuptonin atdheun e të parëve, ato ishin edhe bërthama tematike e fabulare e krijimeve të tyre artistike.

Kultura arbëreshe në përgjithësi dhe letërsia në veçanti për botën shqiptare paraqet kalendarin më të ndritshëm kulturologjik e emancipues.

Letërsia artistike dhe gazetaria fillin e ka tek arbëreshët me poemën Këngët e Milasoas të De Radës dhe me të parën gazetë shqiptare “L’Albanese d’Italia”, gjithashtu e De Radës, në të cilën ai shprehu pikëpamjet e tij për ngjarjet e kohës, u shpreh Azemi. Më tutje, studiuesi i njohur Anton Nikë Berisha nga Universiteti i Kalabrisë, foli në temën “Rreth letërsisë së arbëreshëve të Italisë”, Hamit Xhaferi nga Universiteti i Evropës Juglindore iu qas temës “Mbi disa veçanti të letërsisë arbëreshe”, Kamber Kamberi nga Universiteti i Gjakovës foli në temën: “Mbi krijimtarinë e Françesk Anton Santorit”.

Studiuesi nga Universiteti i Shkupit Zeqirja Neziri referoi në temën: “Gjella e Shën Mërís Virgjër” (1762) e Jul Varibobës, Labinot Berisha në temën: “Neumenia” e Anton Santorit, tragjedia e parë në gjuhën shqipe (botimi i Prishtinës)”, dhe Arben Veselaj paraqiti kumtesën “De Rada, një pamje johistoriciste”.

Studiuesi Arben Fetoshi pati një qasje të zgjeruar rreth librit “Triptikon arbëresh” të autorit Arben Veselaj.Në fund, këngëtari i njohur Ilir Shaqiri, solli emocione të veçanta me interpretimin e këngës më të re nga repertori i tij me titull “Baladë për Zef Kakocën”, që i kushtohet kantautorit dhe artistit të madh arbëresh Zef Kakoca, i cili kohë më parë iku në amshim.

Në “Ditët e Alfabetit -2021” në vijim do të ketë aktivitete të njëpasnjëshme deri më 22 nëntor, me ç’rast nga studiues të ndryshëm do të shtjellohen temat: “Gjuha arbëreshe, dëshmia kryesore e mbijetimit”, “Françesko Altimari studiues i gjuhës dhe i letërsisë arbëreshe”, “Matteo Mandala studiues i letërsisë dhe i filologjisë arbëreshe”, “Anton Nikë Berisha studiues i letërsisë së arbëreshëve të Italisë”, “Muzika arbëreshe”, etj./klanMacedonia / KultPlus.com

Exhlale Dobruna-Salihu, një jetë kushtuar arkeologjisë

Dita e katërt e manifestimit “Ditët e Alfabetit” në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup iu kushtua iluministes Exhlale Dobruna Salihu, arkeologe e njohur, një metaforë e sakrificës për arsimin e lartë shqip në vend dhe sinonim i suksesit të Universitetit të Tetovës.

Drejtori i Institutit, Skender Asani, tha se profesoresha Exhlale dha një kontribut të çmuar në mbarëvajtjen e punës së UT-së që nga themelimi. “Ajo punoi atëherë kur ishte më së vështiri të punohej aty, vetëm e vetëm të arsimoheshin dhe edukoheshin gjeneratat e reja në frymën e shkencës së vërtetë kombëtare. Jemi të nderuar që sot e kemi me ne profesoreshën Exhlale, e cila më së miri e ka argumentuar shkencërisht lidhjen e pandërprerë ilire-arbërore-shqiptare të Shkupit dhe provincës së Dardanisë. Prandaj ajo zë vend të merituar në arkeologjinë shqiptare”, theksoi Asani.

Bedri Muhadri, studiues nga Instituti i Historisë “Ali Hadri” – Prishtinë, tha se Exhlale Dobruna rrjedh nga një familje atdhetare gjakovare, e cila kishte kultivuar arsimin dhe kulturën ndër gjenerata të tëra. Ajo i ka bërë shërbim të madh studiuesve të arkeologjisë shqiptare, meqë përmes veprave të saj e njohim më së miri historinë dhe arkeologjinë e Dardanisë.

Zana Hoxha, arkeologe dhe hulumtuese shkencore në degën e Historisë pranë Institutit Albanologjik të Prishtinës, përmes një video-prezantimi paraqiti një vështrim të gjerë të hulumtimeve shkencore arkeologjike të prof.Exhlale Dobruna-Saliu.

Historiani dhe hulumtuesi shkencor i në Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, Besnik Rameti, u ndal në disa nga veprat e prof.dr.Exhlale Dobrunës, parë nga rëndësia e tyre në rrafshin historik kombëtar, por edhe në kontributin e dhënën në arsimin e lartë shqip në Maqedoni.

Kurse, arkeologu Sali Islami, i cili njëherit është asistent hulumtues shkencor në ITShKSh, ritheksoi rëndësinë e studimeve arkeologjike të prof.Exhlales, të cilat janë pikë reference për studiuesit e rinj. Ai në veçanti theksoi kontributin e saj në studimin e artit skulpturor, përkatësisht plastikën dekorative në trevat e Dardanisë.

Në fund, të pranishmëve iu drejtua edhe vetë prof.Dr. Exhlale Dobruna-Salihu, e cila u shpreh shumë e kënaqur për organizimin e manifestimit “Ditët e Alfabetit”, dhe falënderoi Institutin për nderin dhe respektin e treguar ndaj punës dhe veprës së saj.

Ndryshe, dita e nesërme në kuadër të këtij manifestimi, i kushtohet një figure poashtu të madhe të Shkupit dhe mbarë njerëzimit, Gonxhe Bojaxhiut apo Shën Tereza. /ITShKSh/ KultPlus.com