Shkodra, rajon me rëndësi për kërkimin shkencor arkeologjik nga misionet e huaja

Shkodra mbetet një nga rajonet më të rëndësishme të kërkimit shkencor arkeologjik në Shqipëri për vitin 2023 me interes për misionet e huaja kërkimore, të cilat plot përkushtim i dedikohen kërkimit në terren vit pas viti.

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër bën me dije se misioni shqiptaro-francez drejtuar nga Dr. Etleva Nallbani, CNRS PARIS dhe Dr. Elvana Metalla, Instituti Arkeologjik, Tiranë vijojnë hulumtime të rëndësishme arkeologjike në dy vendbanime përfaqësuese të mesjetës së hershme: qytetit mesjetar të Sardës në ishullin e Shurdhahut dhe vendbanimit të Komanit si një bashkëpunim në kuadër të projektit “Lugina e Drinit”.

Ndërsa projekti kërkimor arkeologjik i misionit shqiptaro-polak drejtuar nga Prof. Piotr Dyczek- Arkeolog, Drejtues i Qendrës për Kërkime në Antikitet për Europën Juglindore në Universitetin e Varshavës- Poloni, Prof.Saimir Shpuza, Instituti i Arkeologjisë, Tiranë dhe Helidon Sokoli, arkeolog, DRTK Shkodër, vijojnë kërkimet arkeologjike në zonën e Bushatit, ku vit pas viti po del në dritë një qytet antik i panjohur që daton kryesisht në shek.IV-II para erës sonë.

Në Ditën Ndërkombëtare të Arkeologjisë, DRTK Shkodër shpreh mirënjohje për punën e palodhur në mbledhjen e të dhënave mbi kulturën, urbanizimin, zhvillimin, zhvendosjen e popullsive, riteve dhe stadit që kishin arritur këto vendbanime./atsh/KultPlus.com

Arkeologu Muçaj: Në vjeshtën e vitit 535 pati një vullkan të madh e cila e zhvendosi qytetërimin në zona shkëmbore

Arkeologu Skënder Muçaj, prej vitesh në pension ka prezantuar në Akademinë e Shkencave kërkimet shkencore në site arkeologjike me shpenzimet e tij.

“Duhet të keni parasysh që arkeologjia nuk është punë që bëhet ma paratë e shtetit por bëhet me pasionin që ka secili”, ka thënë ai.

Hulumtimet e tij kanë vërtetuar veprën e Prokopit të Çezaresë i cili thoshte se Justiniani ndërtoi kala në çdo kodër, tha Muçaj, ndërsa përmendi se vetëm Tirana ka 19 kala.

“Arkeologët e kanë diskutuar gjithmonë që nuk është e vërtetë. Tirana e vërteton plotësisht Prokopin, jo vetëm ato që thotë Prokopi por ka edhe shumë të tjera”, është shprehur Muçaj.

Leksioni i tij hodhi dritë edhe mbi periudhën e errët të historisë së vendit tonë, nga shekulli i 6-të në të 11-in. Ai foli për një vullkan të madh në vjeshtën e vitit 535  dhe më pas përmbytje që zhvendosën popullsinë.

“Unë e kam filluar të tjerë duhet ta vazhdojnë si studim për të gjetur gjithë këto qendrat. Pse? Kishim një qytetërim shumë të pasur të periudhës ilire, romake e antikitetit të vonë, ku vajti? Ne nuk trashëgojmë qytete.   Janë 4 dokumente, një nga Kina, një nga Aleksandria, një nga Kostandinopoja dhe një nga Ravena. Një vullkan i fuqishëm në 535. Qytetet nuk ishin në majat e maleve fillimisht, por ishin poshtë. Të prekur nga balta, lluca popullsia u ngjit në zona të larta dhe në zona shkëmbore”, ka thënë ai.

Muçaj i gjen ngulimet e reja të Mesjetës në Koman, ku janë gjetur 27 banesa kasolle 8 me 4 metra dhe më të vogla ndërtuara në shkëmbinj të gërryer, si edhe Shpirag  dhe Zhulat, ku  vëren pjerrësi të theksuara në zonat e banuara në faqe malesh dhe i përkasin harkut kohor të shekullit të 6 dhe gjatë gjithë mesjetës./Ballkanweb/KultPlus.com

Hasan Ceka – njeriu që vuri themelet e arkeologjisë shqiptare

Si sot, më 25 gusht 1900, lindi Prof. Hasan Ceka, njeriu që vuri themelet e arkeologjisë shqiptare.

Hasan Ceka studioi në Vjenë ku u dallua si student i shkëlqyer. Pas kthimit në Shqipëri, në vitin 1930, punoi në Bibliotekën Kombëtare, krijoi një koleksion arkeologjik, të cilin edhe sot e trashëgon Biblioteka e Institutit të Arkeologjisë, ndërsa ka përfaqësuar Shqipërinë pranë misioneve të huaja arkeologjike në Apolloni e Butrint.

Në vitin 1947 drejtoi ekspeditën e parë arkeologjike në Apolloni si dhe punën për krijimin e Muzeut Arkeologjik Etnografik në Tiranë. Në 1956-të kthehet në Apolloni për t’ia kushtuar qytetit antik tërë veprimtarinë e tij kërkimore e studimore. Cekës i takon merita e zbulimit të një kompleksi arkitektonik në afërsi të ndërtesës së Agonoteteve, e nimfeut të qytetit dhe e shumë veprave të tjera.

Prof. Ceka u nda nga jeta më 2 nëntor 1998.

DPA ka publikuar edhe një fotografi nga Prof. Hasan Ceka si dhe promemoria mbi ndërtimin dhe formimin e Muzeut Kombëtar nga arkeologu, Hasan Ceka, e cila ruhet në AQSH. / KultPlus.com

Zbulim i jashtëzakonshëm arkeologjik në Holandë

Arkeologët në Holandë zbuluan mbetjet e tempujve ku dikur ushtarët romakë u blatonin dhurata hyjnive dhe hyjneshave të tyre.

Një grup arkeologësh zbuluan në Holandë një kompleks tempulli romak gati 2000-vjeçar. Zbulimi i ka habitur dhe emocionuar arkeologët, pasi është hera e parë që zbulohen tempuj në zonat veriore të Perandorisë së dikurshme Romake.

Kompleksi i tempullit u gjet në një zonë ku nxirret argjilë në fshatin Herwen-Hemeling, në provincën lindore të Gelderland pranë kufirit me Gjermaninë. Zona ndodhet pranë zonës Roman Limes e cila është pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

Gjetjet e para u bënë nga arkeologë amatorë, të cilët në vitin 2021 ndeshën në disa artefakte dhe njoftuan autoritetet. Pas analizës së këtyre zbulimeve Agjencia Kombëtare holandeze e Trashëgimisë Kulturore nisi gërmimet e mëdha në zonë.

2000 Jahre alte römische Tempelanlage in Niederlanden entdeckt

Ekipet e arkeologëve mendojnë se dy tempujt e epokës romake janë përdorur mes shekujve të parë dhe të katërt. Dhe bazuar në llojet e mbishkrimeve si dhe të objekteve të tilla si shtiza, mbetje pajisjesh ushtarake apo parzmore kuajsh, arkeologët besojnë se kompleksi i tempullit përdorej kryesisht nga ushtarët.

Më shumë detaje për jetën në periudhën romake

Objektet e gjetura ofrojnë për arkeologët më shumë detaje për jetën në periudhën romake. P.sh. altarët e vegjël prej guri dhe mbishkrimet e tyre të kujdesshme tregojnë mënyrën se si shprehnin falenderimin ushtarët romakë dhe për çfarë ishin mirënjohës. Sipas studiuesve blatimet për të falënderuar një perëndi ose perëndeshë dhe për të kërkuar prej tyre përmbushjen e dëshirave nuk lidheshin gjithmonë me fitimin e betejave, por edhe thjesht me mbijetesën në rajonet veriore larg nga shtëpia dhe familja./ DW / KultPlus.com

Rinisin gërmimet arkeologjike në Antigone dhe Palokastër

Pas shumë vitesh ndërprerjeje, kanë nisur gërmimet në dy site arkeologjike të Gjirokastrës, në Antigone dhe Palokastër.

Lajmin e bëri të ditur sot kryetari i bashkisë Gjirokastër, Flamur Golemi, i cili ndau edhe foto nga gërmimet arkeologjike.

“Lajm shumë i mirë që rikthehet misioni i përbashkët arkeologjik italo-shqiptar mes Universitetit të Maceratas dhe Institutit të Arkeologjisë në Tiranë. Nën drejtimin e profesor Roberto Perna, arkeologë dhe specialistë të të dy vendeve do të punojnë për një periudhë të gjatë për të gjetur zbulime të reja”, tha Golemi.

Golemi tha se “trashëgimia kulturore materiale është një aset shumë i rëndësishëm që ne kemi, pasi jo vetëm dëshmon për përkatësinë tonë të hershme, por prej saj sot mund të gjenerojmë të ardhura përmes turizmit”. / KultPlus.com

Zbulohet një kockë kafshe e gdhendur 51 mijë vjet më parë nga njerëzit neandertal

Dizajni mund të jetë i thjeshtë, por një model chevron i gdhendur në një kockë dreri më shumë se 50,000 vjet më parë sugjeron që Neandertalët kishin traditën e tyre artistike para se njerëzit modernë të mbërrinin në skenë, thonë studiuesit.

Gdhendja, e zbuluar në një shpellë gjermane, ku Neandertalët jetonin dhjetëra mijëra vjet më parë, nuk ka ndonjë dobi të dukshme sipas studiuesve, por artefakti hedh dritë mbi aftësinë krijuese të këtyre specieve.

Dirk Leder, një nga autorët dhe studiues në Zyrën e Saksonisë së Ulët në Departamentin e Arkeologjisë dhe Trashëgimisë, tha se kocka përfaqëson qartë një mjet shprehjeje.

“Ne jemi shumë të bindur që komunikon një ide, një histori, diçka domethënëse për një grup,” tha ai.

Fosili i gdhendur u gjet në një sit të njohur arkeologjik të quajtur Einhornhoehle – ose “Shpella e Njëbrirësh”.

Të vendosur në malet e Gjermanisë qendrore, kërkuesit e thesareve gërmuan atje qysh në Mesjetë për ato që besonin se ishin fosile njëbrirësh.

Shumica dërrmuese e veprave artistike të Epokës së Gurit zbuluar në Evropë i atribuohen Homo sapiens dhe ekspertët kanë sugjeruar prej kohësh që Neandertalët, ndër të afërmit tanë më të ngushtë, filluan të krijonin objekte simbolike vetëm pas përzierjes me to.

Por duke përdorur radiokarbonin, arkeologët përcaktuan që artefakti i zbuluar së fundmi të ishte të paktën 51,000 vjet i vjetër – para ardhjes së ”Homo sapiens” në Evropën Qendrore me rreth 10,000 vjet, sipas studimit të botuar në revistën “Nature Ecology and Evolution”.

Por fakti që zbulimi i ri i paraprinë ‘’Homo sapiens’’ do të thotë se Neandertalët mund të kenë lënë një trashëgimi më të qëndrueshme. / Gazeta Express / KultPlus.com

Exhlale Dobruna-Salihu, një jetë kushtuar arkeologjisë

Dita e katërt e manifestimit “Ditët e Alfabetit” në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup iu kushtua iluministes Exhlale Dobruna Salihu, arkeologe e njohur, një metaforë e sakrificës për arsimin e lartë shqip në vend dhe sinonim i suksesit të Universitetit të Tetovës.

Drejtori i Institutit, Skender Asani, tha se profesoresha Exhlale dha një kontribut të çmuar në mbarëvajtjen e punës së UT-së që nga themelimi. “Ajo punoi atëherë kur ishte më së vështiri të punohej aty, vetëm e vetëm të arsimoheshin dhe edukoheshin gjeneratat e reja në frymën e shkencës së vërtetë kombëtare. Jemi të nderuar që sot e kemi me ne profesoreshën Exhlale, e cila më së miri e ka argumentuar shkencërisht lidhjen e pandërprerë ilire-arbërore-shqiptare të Shkupit dhe provincës së Dardanisë. Prandaj ajo zë vend të merituar në arkeologjinë shqiptare”, theksoi Asani.

Bedri Muhadri, studiues nga Instituti i Historisë “Ali Hadri” – Prishtinë, tha se Exhlale Dobruna rrjedh nga një familje atdhetare gjakovare, e cila kishte kultivuar arsimin dhe kulturën ndër gjenerata të tëra. Ajo i ka bërë shërbim të madh studiuesve të arkeologjisë shqiptare, meqë përmes veprave të saj e njohim më së miri historinë dhe arkeologjinë e Dardanisë.

Zana Hoxha, arkeologe dhe hulumtuese shkencore në degën e Historisë pranë Institutit Albanologjik të Prishtinës, përmes një video-prezantimi paraqiti një vështrim të gjerë të hulumtimeve shkencore arkeologjike të prof.Exhlale Dobruna-Saliu.

Historiani dhe hulumtuesi shkencor i në Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, Besnik Rameti, u ndal në disa nga veprat e prof.dr.Exhlale Dobrunës, parë nga rëndësia e tyre në rrafshin historik kombëtar, por edhe në kontributin e dhënën në arsimin e lartë shqip në Maqedoni.

Kurse, arkeologu Sali Islami, i cili njëherit është asistent hulumtues shkencor në ITShKSh, ritheksoi rëndësinë e studimeve arkeologjike të prof.Exhlales, të cilat janë pikë reference për studiuesit e rinj. Ai në veçanti theksoi kontributin e saj në studimin e artit skulpturor, përkatësisht plastikën dekorative në trevat e Dardanisë.

Në fund, të pranishmëve iu drejtua edhe vetë prof.Dr. Exhlale Dobruna-Salihu, e cila u shpreh shumë e kënaqur për organizimin e manifestimit “Ditët e Alfabetit”, dhe falënderoi Institutin për nderin dhe respektin e treguar ndaj punës dhe veprës së saj.

Ndryshe, dita e nesërme në kuadër të këtij manifestimi, i kushtohet një figure poashtu të madhe të Shkupit dhe mbarë njerëzimit, Gonxhe Bojaxhiut apo Shën Tereza. /ITShKSh/ KultPlus.com

Zbulim i rrallë arkeologjik në Durrës (VIDEO)

Në vitin e dytë të vijimit të projektit “Durrësi në antikitetin e Vonë”, del në dritë pjesa tjetër e një ndërtese luksoze me funksion publik, që i përket periudhës bizantine.

Drejtuesja e projektit të Institutit të Arkeologjisë, arkeologia Brikena Shkodra Rrugia, u shpreh për “Amfora.al” se këtë vit është zbuluar vijimi i ndërtesës madhështore, ku ka dalë në dritë një pilastër në formë kryqi, me lartësi rreth 3.5 metër, pranë të cilit gjendet një sipërfaqe e shtruar me pllaka mermeri, ambient që besohet të ketë shërbyer si pishinë.

Arkeologia Rrugia bën me dije se në sipërfaqen e shtrojes me pllaka mermeri, janë zbuluar varre, inventari i të cilave i daton ato në shek VII të Erës Sonë. Ndërtesa luksoze duket se ka pasur edhe mozaik, për shkak se numri i copërave të gjetura orientojnë mbi ekzistencën e një mozaiku mural.

Monumenti që nga periudha bizantine ka njohur 4 nivele përdorimi, ku pas çdo braktisjeje të niveleve të banimit, hapësira shfrytëzohej për varreza. Një shtresë e djegur jep detaje për banimin e monumentit në mesjetën e hershme dhe të mesme. Por edhe në sipërfaqe, një pus dhe muret e një banese të shek XVIII, dëshmojnë për përdorimin në vijimësi të monumentit.

Zbulimi ka ngjallur interesin e qytetarëve durrsakë, të cilët e kanë vizituar monumentin përgjatë muajit që kryhej sondazhi arkeologjik. Gjithashtu zbulimi krijoi një “forum” ekspertësh, ku arkeologë, arkitekt, restaurator, dhe emra të njohur, si Artan Shkreli, përveç vizitës jepnin mendimin e tyre mbi zbulimin dhe funksionin e godinës publike.

Vendi ku u krye sondazhi arkeologjik gjendet në rrugën “Mustafa Varoshi”, në lagjen numër 11, që ka falur mrekulli të nëntokës së Durrësit, si mozaiku “Bukuroshja e Durrësit. Aktualisht objekti i zbuluar është mbuluar me dhe, me qëllim ruajtjen e tij, pasi gjendet midis shtëpive të banuara.

Gërmimet e këtij viti nuk do të ishin bërë të mundura pa kontributin e çmuar të familjes Dakoli, të cilët lejuan që në bahçen e tyre të bëhej sondazhi arkeologjik. Projekti “Durrësi në antikitetin e vonë” pritet të vijojë vitin e ardhshëm, për njohjen e pjesës tjetër të ndërtesës luksoze me funksion publik, po në pronën e familjes Dakoli. / KultPlus.com