Të enjten nis Festivali poetik “Ditët e Naimit”

Nga dita e enjte, në Tetovë fillon Festivali Ndërkombëtar i Poezisë “Ditët e Naimit”.

Drejtori i Festivalit, Shaip Emërllahu, ka deklaruar se pjesa e parë e manifestimit do të realizohet në Tetovë, ndërsa nata finale do të mbahet në Korçë, pas të cilës, edhe do të bëhet ndarja e çmimeve për poetët më të mirë.

Përndryshe, në këtë edicion të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit”, pritet të marrin pjesë 35 poetë nga vendi dhe bota.

“Në ditën e dytë të festivalit do mbahet ora letrare “Poetë dhe vargje” në Teqenë “Arabati Baba” në Tetovë dhe natyrisht poetët do të vizitojnë edhe ca monumente historike kulturore në Tetovë. Në ditën e tretë të festivalit, poetët do të nisen për në qytetin e Korçës, duke vizituar kështu Strugën dhe Pogradecin, ndërsa në mbrëmje do të mbahet nata finale e festivalit ku edhe do të caktohen nga juria poetët fitues”, deklaroi drejtori i Festivalit, Shaip Emërllahu.

Në kuadër të festivalit, sivjet pritet të botohen edhe dhjetë tituj të rinj të librave me poezi, mes të cilave edhe një antologji e poezisë moderne maqedonase, që për herë të parë ndodh në Festivalin Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit”. / KultPlus.com

Po vijnë “Ditët e Naimit”

Festivali i Poezisë “Ditët e Naimit” fillon të enjten me pjesëmarrjen e 25 poetëve nga bota.

Shaip Emerllahu, drejtorit i Festivalit “Ditët e Naimit” deklaroi se në ketë edicion të festivalit, përpos orës së madhe letrare, do të promovohen edhe gjashtë libra nga edicioni i kaluar. Emerllahu po ashtu tha se sivjet e kanë konfirmuar ardhjen 25 poetë, nga ShBA është laureati, Xhorxh Uallas, nga Portoriko, Argjentina, Franca, Danimarka, Belgjika, Gjermania etj.

Në natën e parë do të ndahet çmimi i madh “Naim Frashëri.

Festivali Ndërkombëtar i Poezisë “Ditët e Naimit” do të fillojë më 19 tetor dhe do të zgjasë deri më 22 tetor, dhe mbështetet nga Ministria e Kulturës dhe nga Bashkësia e Pogradecit. / KultPlus.com