Biblioteka e Tetovës rrezikon të mbyllet

Mbi 20 vjet Biblioteka e Tetovës, po funksionon pa kushte elementare. Në një hapësirë prej vetëm 200 metra katrore, janë të vendosura në rafte mbi 83.000 libra mes të cilave mezi kalohet. Me tavane të ulëta, lagështi e dritë të tepërt që ndikon në shkatërrimin e librave.

Me dhjetëra herë, punëtorët e kësaj biblioteke përmes televizionit Alsat kanë alarmuar për kushtet e vështira, duke kërkuar një hapësirë më të madhe për të zhvilluar këtë veprimtari, por Ministria e Kulturës, asnjëherë nuk ndërmori masa për dislokimin e bibliotekës në një vend me sipërfaqe dhe kushte të duhura. Dhe sikur kjo të mos mjaftojë, ditë më parë, Ministria e Kulturës ka njoftuar organet e Shtëpisë së Kulturës ku është e vendosur edhe biblioteka, se e njëjta do të hiqet nga ai vend, dhe do të vendoset tek klasat e Fakultetit të Artit Muzikor, ku kushtet, sipas të punësuarve në bibliotekë, janë ende më të këqija.

“Faktikisht e gjitha është me kërkesë të Ministrisë së Kulturës pas çka Qeveria  pritet të sjellë vendim që në hapësirat ku gjendet Biblioteka e Tetovës, do të vendoset Delegacioni i Bashkësisë Evropiane, kurse në pjesën tjetër do të kalojë Biblioteka e Tetovës. E njëjta do të kalojë aty ku aktualisht gjendet Fakulteti i Arteve të Universitetit të Tetovës”, tha Vullnet Fejzullahu, Shtëpia e Kulturës “Iljo Anteski Smok”.

Ky dislokim, sipas drejtoreshës së bibliotekës së Tetovës, nënkupton edhe mbylljen e këtij institucioni, sepse, vendi ku planifikohet të locohet biblioteka, nuk ka aspak kushte as për vendosjen e librave e as për numrin e madh të lexuesve që ka kjo bibliotekë, e që në numër janë mbi 5.000.

“Kjo nga ana jonë është pritur negativisht dhe punëtorët kanë frikë se ne gjithë kohës pra me vite kërkojmë kushte më të mira se në këto kushte mezi veprojmë, e neve duan t’na japin hapësirat e klasave të Fakultetit të Arteve Muzikore, që janë klasa të ngushta me tavane të ulëta nuk plotësojnë aspak kushtet për funksionim të bibliotekës. Me këtë dislokim gjysma e fondit të librave do dëmtohet dhe as që do mund të funksionojmë, aty thjesht do mund të funksionojmë si magazinë dhe kjo çon drejt mbylljes së bibliotekës”, u shpreh Rezearta Ismaili, Drejtoreshë e bibliotekës së Tetovës.

Përveç mungesës së hapësirës për vendosjen e gjithë fondit të librave në biblioteke, si pasojë e të cilës, mbi 50.000 tituj rinë nëpër depotë e Shtëpisë së Kulturës, në gjendje të mjerueshme janë edhe gazetat ditore të vendit, të cilët ruhen që nga viti 1944, por që në mungesë të kushteve, janë hedhur në nënkulmin e Shtëpisë së Kulturës. /alsat.mk/KultPlus.com

Kadare shpallet “Qytetar Nderi” në Tetovë: Nuk e kam lehtë të flas para lexuesve të botës iliro-shqiptare

Shkrimtari shqiptar Ismail Kadare sot në Tetovë është shpallur qytetar nderi i qytetit. Kadare tha se momente të tilla janë të rralla për shkrimtarët, që të flitet para lexuesve të botës iliro-shqiptare.

“Duhet të më besoni se nuk e kam lehtë të flas para jush, jo se nuk di të flas fjalë nga më të ndërlikuarat që mund të gjenden në botë sepse kam atë mjeshtëri, mjeshtërinë e fjalës por sepse qaste të tilla janë shumë të rralla në jetën e një shkrimtari, të jetë para lexuesve të një prej qyteteve të pafundme të botës iliro-shqiptare”, tha mes tjerash Kadare, përcjell TV21.

Kadare shprehu falënderimet e tij ndaj të pranishmëve ndërsa tha se ngjarje të tilla pasurojnë edhe të ardhmen, që ju përket brezave të ri.

“Unë kur dëgjoj fjalët e bukura tuaja për atë çfarë kam shkruar, harroj çdo mundim që kam përjetuar, sepse shkrimtari ka mundime të mëdha kur shkruan, por nuk ka vlerësim më të madh për të sesa mbledhje të tilla kur njerëzit presin të dëgjojnë nga goja e tij diçka edhe më tepër për atë që kanë lexuar nga dora e tij. Ju falënderoj jashtëzakonisht”, pohoi mes tjerash Kadare. / KultPlus.com

Mirëpritet “Nata shkodrane” në Tetovë

Komuna e Tetovës ka organizuar netët festive të “Verës Tetovare”, nën moton “Të festojmë në vendlindje”. Mbrëmë ka qenë radha e “Natës Shkodrane” e cila është mirëpritur nga publiku tetovar.

“Mikpritja që tetovarët i rezervuan Ansamblit të Qendrës Kulturore “Pjetër Gaci”, OJQ Korit “Nexhmije Pagarusha” si dhe artistit Mirush Kabashi, do të mbahet  mend gjatë”, njoftoi bashkia Shkodër, në rrjetet sociale.

Koncerti u zhvillua në sheshin “Iliria” të Tetovës.

Komuna e Tetovës zgjodhi këtë mbrëmje artistike, për t’i akorduar “Çelësin e ardhmërisë”, kryetarit të Bashkisë Shkodër, Bardh Spahia. Çelësi është vepër e artistit Adem Bajrami.

Simboli i këtij qyteti është konceptuar për të mbyllur të kaluarën me aq shumë peripeci dhe për të hapur portat e së ardhmes.

Më herët mes bashkisë Shkodër dhe komunës së Tetovës u nënshkrua një memorandum bashkëpunimi, në fushën social- ekonomike, turizmit, mjedisit, trashëgimisë kulturore dhe sportit.

Bashkia Shkodër njoftoi se do të zgjerojë bashkëpunimet me komunat, në të gjithë rajonin, si dhe më gjerë, duke synuar krijimin e mundësive të reja që i shërbejnë zbatimit të projekteve ambicioze në të gjitha sektorët. / atsh / KultPlus.com

Orkestra Harkore e Filharmonisë së Kosovës me koncert në Tetovë

Veprat e kompozitorëve botërorë dhe shqiptar si: Benjamin Britten, Jean Sibelius, Karl Jenkins, Valton Beqiri si dhe Drinor Zymberi do të gjallërohen nën dirigjimin e Agona Cupit, me rastin e realizimit të koncertit nga Orkestra Harmonike së Filharmonisë së Kosovës, shkruan KultPlus.

Koncerti realizohet në kuadër të sezonit 2020/2021 dhe do të mbahet të premten duke filluar nga ora 19:00 në Qendrën e Kulturës “Ilo Anteski Smok‘’ në Tetovë, Maqedoni e Veriut.

Koncerti organizohet me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës, Komunën e Tetovës dhe KTV-së. / KultPlus.com



Tetova nga sonte nikoqire e “Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit”

Drama ”Sfinga e gjallë” e shkrimtarit dhe intelektualit nga Kosova, Rexhep Qosja, do hap festivalin Ndërkombëtar të Teatrit në Tetovë.

E shkruar në vitet e 70-ta, si një dramë e fuqishme që flet për gjakmarrjen e vëllavrasjet absurde të asaj kohe, “Sfinga e gjallë” e tanishme zhbiron dramën e tabuizuar të pasluftës në Kosovë dhe vrasjet politike ‘misterioze’ të disa prej intelektualëve, gazetarëve e politikanëve kosovarë.

Kjo shfaqje u dedikohet këtyre të vrarëve dhe atij pak grushti njerëzish të guximshëm që akoma dhe sot, me dinjitet, vazhdojnë të kërkojnë drejtësi për vrasjet politike të pasluftës.

Nga data 27 shtator deri dy tetor Teatri i Tetovës do të jetë nikoqir i Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit, ku para ardashësve do shfqen gjashtë trupa teatror nga trevat shqiptare dhe jo vetëm. Këtë vit pjesëmarës në festival do jetë edhe trupa e teatrit “Atakent” nga Stambolli.

Festivali ndërkombëtar i Teatrit në Tetovë është përkrahur nga Ministria e Kulturës me 2 milionë denarë, shumë e njëjtë si edhe në vitet e kaluara. Të pyetur se pse në Teatrin e Tetovës shfaqen gjithmonë e më pak shfaqe premierë, Ish-drejtori i festivalit Arsim Fazliu këtë mungesë e arsyeton me mungesën e kushteve.

Festivalin do ta hap drama “Sfinga e Gjallë” e Teatrit të Kosovës, duke u pasuar nga drama “Të Huajt” e Teatrit të Dramës Shkup, “Një letër e humbur” e Teatrit të Tetovës, “Unë kam gjithmonë një shami ne xhepin tim” nga Albania Dance Theatre Compani, “Gjiganti me sytë blu” e Teatrit Atakent Stamboll dhe do përmbyllet me dramën “Zona e pritjes” e teatrit Migjeni Shkodër. / KultPlus.com


Në Tetovë u mbajt manifestimi letrar ndërkombëtar “Shtigje Poetike”

Shoqata për kulturë dhe art “Tradita” dhe Gjimnazi “7 Marsi” në Tetovë, me rastin e 21 marsit – Ditës Botërore të Poezisë e organizuan Edicionin e III-të me radhë të manifestimit letrar ndërkombëtar “Shtigje poetike”, përcjellë KultPlus.

Në këtë veprimtari kulturore u theksua se me organizimin e këtij manifestimi realizohet një nga projektet e njohura të kulturës sonë, duke përmbushur në këtë mënyrë një detyrim që artdashësve të qytetit rrëzë Sharrit t’u ofrohet sa më tepër veprimtari letrare. Organizatorët vlerësuan njëherazi se këto ngjarje ngërthejnë në vetvete simbolikën e ngritjes së përbashkët në lëmin e arsimit, shkencës, kulturës, artit, si dhe në fushën e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të arsimit dhe subjekteve të ndryshme kulturore.

Edicionin e III-të të manifestimit letrar ndërkombëtar “Shtigje poetike” e shpalli të hapur kryetari i Shoqatës për kulturë dhe art “Tradita”, Selam Sulejmani, i cili në fjalën e tij veçoi para auditorit se nëpërmjet poezisë, krijimeve të ndryshme artistike dhe performancës muzikore, vijnë në shprehje nxënësit, studentët, shkrimtarët dhe poetët. Duke organizuar veprimtari letrare, ne bashkërisht dëshmojmë se jemi pjesë e pandarë e zhvillimeve kulturore që organizohen gjithandej në botën e qytetëruar – shtoi ai.

“Sot i gjithë globi, në ditën e saj e nderon poezinë – gjuhën amtare të racës njerëzore. Prandaj, edhe ne në Tetovë,  jemi në unison të plotë me objektivin kryesor të UNESKO-s që 21 Marsin – Ditën Botërore të Poezisë, ditën e universit artistik, ta shndërrojmë në ditë feste të letërsisë, ku fjala e ka mundësinë e lirisë, ku artisti me imagjinatën e tij artikulon ide universale që kanë të bëjnë me artin, me atdheun, me dhembjen, me dashurinë si dhe me shumë e shumë motive të tjera. Letërsia është e vjetër po aq sa të folurit. Ajo u rrit nga nevoja e njeriut për të dhe nuk ka ndryshuar, përpos që është bërë edhe më e nevojshme. Ajo shoqërohet me bukurinë, një bashkim suprem dhe si e tillë refuzon ta shkurorëzojë artin nga jeta dhe dashurinë nga perceptimi. Fillet e poezisë janë të hershme, sikundër janë të njohur poetët që e kanë krijuar atë në të gjitha zhanret e saj”, theksoi Selam Sulejmani.

Ai po ashtu deklaroi se studiues të njohur të letërsisë thonë se poezia, sidomos ajo lirike, ka lulëzuar që në shekullin VII-V para erës së re në Greqinë e lashtë, me poetët e njohur si Alkeu, Pindari dhe Arkiloku, për të vazhduar me krijimet poetike mbresëlënëse te romakët apo edhe te persët në shekujt XII-XV, ku ndërmjet tjerëve shquhet poeti i madh Omar Khajami, i përkthyer nga Noli.

“Në shekullin XIII, shfaqen lirikë të shquar në Itali si Kavalkanti, Giani, me në krye Dante Aligierin. Periudhës së Rilindjes i përkasin emra të mëdhenj si Petrarka në Itali, Ronsardi në Francë dhe Shekspiri në Angli. Në shekujt XVIII – XIX, kemi një varg poetësh të vendeve të ndryshme që shquhen me vokacionin e tyre, poetët modernë të simbolizmit, periudhë në të cilën u botua vëllimi poetik “Lulet e së keqes” të Bodlerit dhe veprat e poetëve të tjerë.

Letërsia shqiptare, në veçanti ajo gojore është e pasur me lirika të bukura që shpeshherë kanë qenë frymëzim edhe për poetët e krijimtarisë artistike. Ne të gjithë i kemi të lexuara dhe i kemi të njohura vargjet poetike të Naim, të Pjetër Zarishit, të Filip Shirokës, të Çajupit, të Asdrenit, të De Radës, të Zef Sermbes etj. Në shekullin e kaluar, në letërsinë shqiptare paraqiten emra eminentë, si: Ndre Mjeda, Gjergj Fishta, Fan Noli, Ernest Koliqi, Lasgush Poradeci, etj, pa i harruar edhe poetët dhe krijimet e tyre që kanë pasur dhe që vazhdojnë të kenë ndikim të jashtëzakonshëm te lexuesi shqiptar dhe jo vetëm, siç janë: Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Fatos Arapi, Bardhyl Londo, Dhori Qiriazi, Visar Zhiti, Esad Mekuli, Ali Podrimja dhe shumë e shumë të tjerë”, theksoi në fjalën e tij kryetari i Shoqatës “Tradita”.

Në emër të Komunës së Tetovës, me fjalë rasti i përshëndeti të pranishmit Ahmed Qazimi, i cili i përgëzoi organizatorët për shënimin e Ditës Botërore të Poezisë dhe shprehu gatishmërinë për bashkëpunim në projekte të tilla kulturore.

Referatin kryesor për rëndësinë e poezisë e paraqiti para të pranishmëve presidentja e Qendrës PEN nga Shqipëria, Entela Klasi, e cila me këtë rast u shpreh se ndihej e nderuar dhe lumtur që merr pjesë në këtë ngjarje letrare-artistike.

“Më lejoni të ndaj me ju të gjithë ndjenjën e gëzimit që jemi të gjithë së bashku në këtë vend, për të nderuar poezinë, artin e krijimit në edicionin e tretë, Shtigje poetike, që tashmë është shndërruar në traditën më të bukur, nga Shoqata për kulturë dhe art – Tradita, me qendër në Tetovë. Në këtë ditë, dëshmohet trashëgimia mbarëbotërore e poezisë, në gjuhët e gjithë secilit krijues, prej poetëve, krijuesve të këtij arti mistik, magjik, ku njeriu, qenia më e bukur e krijuar, rikrijon vetveten, si frymë, si lëndë, si kulturë, si identitet, pavarësisht mjedisit, kohës, kufijve, kufizimeve me të cilat udhëton, jeton nga antikiteti në modernitet. Temat për të cilat ne shkruajmë jemi ne. Me këtë dua të them se kur shkruajmë ne krijojmë qenie veten. Thënë shkurt: shkruajmë njeriun në thellësitë dhe dimensionet duke dëshmuar njeriun. Kjo nuk mund të kryhet pa gjuhën, pa gjuhën e gjithë secilit autor, sepse ne jemi lindur me gjuhë, ajo që quhet gjuha e nënës, në të cilën njeriu mendon dhe shkruan gjithçka që shqisa ka parë, gjithçka që intelekti ka përmbledhur, gjithçka që duhet thënë”, theksoi Entela Kasi.

Ajo po ashtu vuri në dukje se gjithçka që është shkruar prej etërve të letërsisë së gjuhës shqipe, nga Buzuku në Meshar, nga Pjetër Budi, nga Bogdani, nga Marin Barleti, nga Lekë Matrënga, në kohën e shkrimit të gjuhëve kombëtare në Evropën që po rilindte, ishin pikërisht këta patriarkë, etër të ndritur që përmblodhën në vepra dijen për shqiptarët, dijen kulturore, antropologjike dhe etnike.

“De Rada, Jeronimi ynë, me Këngë të Milosaos, shënjon në vepër letrare gjithçka që ndodhi me ne, vepër kjo ku dëshmohet ekzistenca e njeriut shqiptar të botës së Arbrit, në botën e madhe të letërsisë. Gjuha shqipe, e cila është një nga gjuhët e rralla dhe të vjetra të botës, ishte një gjuhë e ndaluar. Kjo dëshmohet nga arkivat që mbajnë dokumentet. Në botën e qytetëruar janë ndërtuar muze për gjuhët. Le të imagjinojmë ne një muze të gjuhëve, të gjuhës shqipe, në të cilin së paku të kishim vepra origjinale, dorëshkrime, e libra të parë kur Gutenbergu, i mundësoi formën që libri i botuar ka. Le të imagjinojmë sot muzeun si një muze të letërsisë, ku do të kishte jo vetëm emra por vepra letrare, poezi. Them poezi sepse poezia ishte e para, pastaj erdhi romani në letërsinë shqipe, po ashtu edhe në letërsinë botërore. Nëse ne jemi këtu, në manifestimin letrar ndërkombëtar “Shtigje poetike”, në Gjimnazin “7 Marsi” në Tetovë, në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe nëse shohim emrat e shkruar, ne shohim një muze të krijimit. Kjo nuk është retorikë. Le të lexojmë së bashku nga Gjon Buzuku, Budi, Bogdani, Barleti, Matrënga, De Rada, Serembe, Naim Frashëri, Fishta, Imzot Fan Noli, Lasgush Poradeci, Filip Shiroka, Mitrush Kuteli, Migjeni, Abdylazis Islami, Esad Mekuli, Camaj, Jusuf Gërvalla, Ali Podrimja, Azem Shkreli, Adem Demaçi, Beqir Musliu, Murat Isaku, Teki Dervishi, Resul Shabani, Dritëro Agolli, Fatos Arapi, Xhevahir Spahiu, Petro Marko, Trifon Xhagjika, Vilson Blloshmi, Frederik Rreshpja, Havzi Nela, Musine Kokallari, Imzot Vinçens Prenushi, At Zef Pllumi, një konstelacion hyjnor në tërësinë e këtij muzeu yjesh, ne ndriçohemi nga kjo dritë. Në këtë univers letrar të poezisë dhe të letërsisë shqipe, Kadare, autoritet letrar i përmasave të letërsisë botërore, ka krijuar Shqipërinë e përjetshme, Shqipërinë historike në vepër letrare tashmë të njohur nga bota ndërkombëtare e letrave. Kjo na bën të besojmë se çfarë fuqie shprehëse paska pasur kombi e gjuha shqipe për t’i dhënë njerëzimit letërsi të shkëlqyer.

Po të ndalemi te Nëna Terezë, Shën Tereza, përsëri ne shohim një vepër të përjetësuar të sublimuar, një dëshmi humaniteti të njerëzimit, për dinjitetin e njeriut, për dashurinë për njeriun” – deklaroi mes tjerash në referatin e saj tematik Entela Kasi, presidente e Qendrës PEN nga Shqipëria.

Në Edicionin III të manifestimit letrar ndërkombëtar “Shtigje poetike” u mbajt edhe orë letrare në të cilën morën pjesë emra të njohur poetësh dhe shkrimtarësh nga Tetova e më gjerë,  Klubi  letrar i nxënësve të Gjimnazit “7 Marsi”, u prezantua një program i pasur artistik i realizuar nga nxënësit e kësaj shkolle si dhe nga studentët e programit muzikor të Fakultetit të Arteve të Universitetit të Tetovës.

Për kontributin e veçantë në zhvillimin e kulturës, në kultivimin e traditave atdhetare, të gjuhës, të historisë, si dhe përkushtimin për arritjen e aspiratave kombëtare, Shoqata “Tradita” në këtë manifestim u ndau MIRËNJOHJE  Gjimnazit “7 Marsi” – Tetovë dhe PEN Qendrës nga Republika e Shqipërisë.

Realizimi i Edicionit III të manifestimit letrar ndërkombëtar “Shtigje poetike’’ u mbështet financiarisht nga Ministria e Kulturës e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe i njëjti i paraprin organizimit të disa veprimtarive të tjera – arsimore, shkencore, kulturore dhe artistike të shoqatës “Tradita” për vitin 2019. / KultPlus.com

“Kosova” e Jusuf Buxhovit promovohet në Tetovë

Sot në Universitetin e Tetovës, në orën 11:30 dhe të enjten, më 8 nëntor, në Universitetin e Evropës Juglindore (UEJL)- në orën 13:00, promovohet “Kosova” VI, VII dhe VIII e Jusuf Buxhovit.

Ne këtë rast, autori do të mbajë ligjëratën “Vendi i shqiptarëve në Maqedoni i parë nga këndvështrimi historik, etnik dhe politike nga antikiteti deri te koha jonë”.

Gjatë qëndrimit në Tetovë, të enjten, në orën 17:00, në librarinë “Nobel”, autori do të ketë edhe një takim me lexuesit dhe dashamirët e librit. /KultPlus.com

Shoqata për kulturë dhe art ‘Tradita’, organizoi manifestimin letrar ‘Lirika e vjeshtës’

Me leximin e poezisë “Perëndim vjeshte” të patriarkut të letrave shqipe, Dritëro Agollit, filloi manifestimi letrar “Lirika e vjeshtës”, i organizuar nga Shoqata për kulturë dhe art “Tradita” nga Tetova.

Në këtë takim letrar –artistik, u tha se poezia dhe lexuesi kanë nevojë të takohen disa herë, për t’u njohur mes tyre. Në çdo takim publiku ndjen diçka më shumë për të, mëson diçka të re për poezinë dhe rolin e saj. Manifestimin letrar “Lirika e vjeshtës” e shpalli të hapur Selam Sulejmani – kryetar i Shoqatës për kulturë dhe art “Tradita”, i cili tha se, ne të gjithë së bashku takohemi në një veprimtari letrare, ku fjalën kryesore e ka poezia, poezia lirike, gjinia më përfaqësuese në letërsisë shqipe.

“Në të gjitha përcaktimet që i janë bërë poezisë lirike, që nga autorët e parë, Aristoteli e deri në studimet e sotme, bosht i këtij lloji cilësohet ndjeshmëria e lartë – si tipari kryesor e i patjetërsueshëm i poezisë lirike. Sikurse thotë edhe Kristo Floqi, “përgjithësisht poezi lirike quhet ajo që shpreh ndjenja individuale, ndjenja subjektive të çfarëdo kategorie, gëzimi, apo hidhërimi etj. Me qenë se këto ndjenja lidhen edhe me përfytyrimet elementare shpirtërore, prandaj në këtë zhanër poezie, thelbi është kurdoherë: ndjenja shpirtërore”.

Lirika si gjini e mirëfilltë letrare i ka hapur dyert letërsisë autoriale shqipe. Autorët e saj të parë lëvruan poezinë lirike e cila vinte nga një traditë gojore shekullore dhe shërbeu si gur themeli në letërsinë shqipe. Mjafton të përmendim fillesat e dokumentimit të saj të hershëm me Mesharin e Buzukut (1555), vjershat e Budit e Bogdanit ku spikati lirizmi”, theksoi Selam Sulejmani. Ai po ashtu shtoi se kudo letërsitë kombëtare në stadet e tyre të para janë shfaqur me krijime poetike, me shprehjen e përjetimeve e ndjesive shpirtërore.

“Në rrugën e vështirë prej disa dekadash të themelimit e të konturimit të letërsisë kombëtare shqiptare poetët luajnë rolin kryesor. Në krijimet e tyre përfaqësuese do të mbizotërojë fryma lirike. Autorët e Rilindjes si, De Rada, Dara, Naim Frashëri, Ndre Mjeda, Fishta, Çajupi, Asdreni paraqiten me krijime me frymë lirike. Kështu, poezia e Rilindjes përmes pasrilindësve fillon të transformohet te poetët e parë modernë, në një pjesë të poezisë së Asdrenit, përmes poezisë së Lasgush Poradecit, si dhe përmes poezisë së Migjenit, ku pëson një transformim esencial me kuptimin e ri të qenies shoqërore, e jo vetëm kombëtare, të vështruar përmes subjektivitetit poetik e që me këtë dhe me revoltën për shkatërrim krijon idenë e barazisë sociale. Poezia lirike dëshmohet si gjinia që i ka prirë Shoqata për kulturë dhe art ‘Tradita’ lindjes së letërsisë së kultivuar shqipe dhe si mbizotëruese në periudha të ndryshme të saj’’, theksoi kryetari i Shoqatës për kulturë dhe art “Tradita”.

Manifestimin letrar e përshëndetën edhe kryetari i Këshillit komunal i Komunës së Tetovës, Bekim Memeti dhe profesor Arben Sulejmani – Kryetar i komunitetit bektashian i Teqesë Harabati Baba në Tetovë. Ata e vlerësuan lart organizimin e manifestimit, kontributin për zhvillimin e kulturës shqiptare, bashkëpunimin mes krijuesve për ta mbajtur gjallë fjalën poetike dhe frymën e saj. Pas ceremonisë së hapjes solemne, u mbajt edhe ora letrare në të cilën, një numër i konsiderueshëm poetësh, si: Ejup Ajdini, Bujar Plloshati, Zejnepe Alili –Rexhepi, Shaip Emërllahu Daim Iljazi, Xhelal Zejneli, Muhabije Fejzuli, Rami Kamberi, Adem Abdullahu, Berzat Sadiku, Selajdin Qazimi, Nazife Qazimi, Eroll Velija, Nadi Arifi, etj, para auditorit lexuan pjesë poezish të zgjedhura nga krijimtaria e tyre dhe të autorëve të njohur shqiptarë e të huaj.

Në kuadër të “Lirikës së vjeshtës” u realizua edhe programi artistik, në të cilin performuan maestro Shkelzen Pajaziti me violinë, studentja e Fakultetit të Arteve të UT-së Teuta Emini me flaut dhe profesori Nuhi Musa me mandolinë, ndërkaq fotografitë i realizoi Dritan Abdiji.

Ky manifestim letrar – artistik u organizua me përkrahjen e Ministrisë së Kulturës të Republikës së Maqedonisë dhe i njëjti u mbajt në Teqenë Harabati Baba në Tetovë. /KultPlus.com

Ledri Vula vlerësohet me një çmim në Tetovë

Ledri Vula është një nga reperët më të përfolur përsa i përket jetës private dhe profesionale.

Ai është vlerësuar me një çmim të veçantë nga kryetarja e komunës së Tetovës.

Reperit i është dhënë titulli i mirënjohjes së qytetit shqiptar të Maqedonisë teksa këtë gjë e ka bërë të ditur përmes rrjeteve sociale.

Ai ka falënderuar të gjithë qytetarët e këtij qyteti duke përfshirë edhe të parën e këtij vendi, Teuta Arifi.

“Faleminderit për mirënjohjen dhe mikpritjen kryetares së Tetovës, Teuta Arifi. Faleminderit për çdo gjë që shqiptarët e Maqedonisë kanë bërë për ne. Faleminderit”, ka shkruar ndër të tjerash në llogarinë personale në Instagram, Arifi.

Eugent Bushpepa nesër në Sheshin Iliria në Tetovë

Këngëtari shqiptar që fitoi zemrat e publikut ne festivalin më të madh europian, Eugent Bushpepa nesër performon në Tetovë, shkruan KultPlus.com

Bushpepa ishte fitues i edicionit të 56-të të Festivalit të i Këngës me këngën “Mall” dhe me të njëjtën këngë u klasifikua në vendin e 11-të në Eurosong 2018.

Përgjatë karrierës së tij, Bushpepa ka fituar një sërë çmimesh, ndër të cilat veçohen “Vokalisti Më I Mirë Mashkull” (Best Male Singer) në 2008 dhe 2011, Vodafone Club Award në vitin 2009, me pjesëmarrjen e tij në Top Fest 6 me këngën “Stinë Dreqi”.

Koncerti do të mbahet në sheshin Ilira në Tetovë në orën 20:00./KultPlus.com

“Karnavalet Ilire” ngjyrosën Malësinë e Sharrit të Tetovës (FOTO)

Sot në Bozovcë të Tetovës, është mbajtur 10-vjetori i Karnavaleve Ilire. Me këngë, valle, veshje e ushqim tradicional shqiptar, Bozovca sot është vërshuar nga shumë njerëz që e duan kulturën shqiptare dhe përveç që e duan edhe vazhdojnë ta ruajnë atë me fanatizëm, shkruan KultPlus.

Të pranishëm në këtë ngjarje kulturore, ishin edhe studentët e disa universiteteve shqiptare, ku edhe ata kishin veshje tradicionale dhe u bënë pjesë e ecjes deri tek vendi kryesor aty ku do të kishte performanca të ndryshme.

Mezzo sopranoja, Besiana Mehmeti ishte ajo që këndoi disa këngë, Erodita Qorkadiu Haxhiu shpalosi ekspozitën e saj me veshje tradicionale ndërsa të pranishëm ishin edhe ansamble të ndryshme që madhështuan edhe më shumë këto karnavale.

Sofra me fli, pite e gjëra të tjera nuk kishte se si të mungonte në këtë ngjarje. Ndërkaq vallja e Opojes ishte ajo që emocionoi edhe më shumë të pranishmit./ KultPlus.com

Akademi përkujtimore në 30 vjetorin e ndarjes nga jeta të Lasgush Poradecit

Klubi letrar “Metafora” që vepron në kuadër të Shoqatës për kulturë “Tradita”, organizon Akademinë Përkujtimore kushtuar gjeniut të letërsisë shqiptare, Lasgush Poradecit, shkruan KultPlus.

Akademia do të organizohet në 30 – vjetorin e ndarjes nga jeta të poetit kombëtar, me ç’rast intelektualë të njohur, profesorë universitarë, studentë, veprimtarë të arsimit, të shkencës dhe të kulturës nga qyteti i Tetovës dhe më gjerë, do ta përkujtojnë jetën dhe veprën e poetit dhe shkrimtarit emblematik të letërsisë sonë.

Ky aktivitet realizohet në kuadër të edicionit të pestë të “Tetova feston nëntorin” dhe do të mbahet më 12 nëntor (e diel), në orën 18:00, në Klubin e artistëve “Oda” (Qendrën për kulturë të Tetovës). / KultPlus.com

Shkëlzen Doli sot dërgon tingujt e violinës së tij në festivalin “Skena e Muzikës Serioze Shqiptare” në Tetovë

Me rastin e 5 vjetorit të Festivalit “Skena e Muzikës Serioze Shqiptare” në Tetovë, shoqata “Alegretto” organizon koncert me virtuozin e muzikës shqipe, violinistin e Filarmonisë së Vjenës Shkëlzen Doli dhe orkestrës së Radiotelevizionit Shqiptar, nën dirigjimin e Gridi Krajës.

Koncerti Gala do të mbahet sot në Qendrën e Kulturës-Tetovë, me fillim në ora 18:30. Biletat mund të gjenden në Qendrën për Kulturë.

Me 14 nëntor, do të mbahet koncert me muzikë orientale, me ç’rast do të bëhet edhe promovimi i albumit “The last breath”. Në “Nay” do të interpretojë Abas Jahja, ndërsa në kitarë do të performojë Ebrar Mazhar. Koncerti do të mbahet në klubin e artistëve “ODA”, me fillim në orën 19:00, në Qendrën për Kulturë-Tetovë, kurse hyrja do të jetë e lirë.

Koncert recital do të mbajë pianisti virtuoz tetovar Shkëlzen Baftiari. Koncerti do të mbahet në sallën e Fakultetit të Arteve në Universitetin e Tetovës, në ora 19:00, në Qendrën për Kulturë-Tetovë, kurse hyrja do të jetë e lirë.

Më 17 nëntor me fillim në orën 19:00 në Pallatin e Kulturës do të performojë tenori i njohur shqiptar Kastriot Tusha dhe sopranoja Nita Zenuni. Ansamblin do ta dirigjojë Prof.dr.Isak Shehu. Për këtë koncert hyrja do të jetë falas.

Më 19 nëntor me fillim në orën 19:00 koncert do të mbajë ansambli i njohur kosovar “ATTACCA”. Koncerti do të mbahet në sallën e Fakultetit të Arteve në Universitetin e Tetovës, në Qendrën për Kulturë-Tetovë, kurse hyrja do të jetë falas./ KultPlus.com

Shkëlzen Doli me koncert në Tetovë (VIDEO)

Të premten mbrëma në Tetovë përmes një koncerti madhështorë do të interpretoj violinisti shqiptar Shkëlzen Doli, shkruan KultPlus.

Me rastin e 5 vjetorit të Festivalit “Skena e Muzikës Serioze Shqiptare”, Shoqata Alegretto këtë të premte do të organizoj një koncert me virtuozin e muzikës shqipe, violinistin e Filharmonisë së Vjenës, Shkëlzen Doli dhe orkestrën e Radiotelevizionit Shqiptar, nën dirigjimin e Gridi Krajës, shkruan KultPlus.

Koncerti Gala do të organizohet në Qendrën e Kulturës-Tetovë, duke filluar nga ora 18:30./ KultPlus.com

Trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës sonte me shfaqje në Tetovë

Trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës është nis sonte në Qendrën për Kulturë të Tetovës me shfaqjen “Një legjendë për dashurie”, shkruan KultPlus. Shfaqja vjen me koreografi të Pullumb Agalliu ndërsa sonte në hapësirat e Qendrës për Kulturë në Tetove shfaqet me fillim nga ora 19:00.

Kjo shfaqje nis me ngjarjen kur në oxhakun e Bardhëve lindi vajzë. Vendosën ta quajnë Borana (Teuta Krasniqi) me rastin e borës së parë. Borana rritet dhe bëhet vajza më e bukur në fshat. Të gjithë e duan. Djemtë e fshatit çmendeshin për bukurinë e saj. Bajrori (Fatmir Smani, Sead Vuniqi) dhe Ujkani (Sinan Kajtazi, Donmir Bilalli) janë dy djemtë që shprehin dëshirë të miqësohen më të. Borana ua vë një kusht të dyve. Ajo thotë se cili do ta rrëmbejë shaminë e kuqe do të miqësohet me të. Shaminë e rrëmben Bajrori dhe këtu nis gjithçka. Ujkani nga xhelozia e tepërt vendos të hakmerret.

“Një legjendë për dashurinë”, u dha premierë në Prishtinë pikërisht në 45 vjetorin e themelimit të Baletit Kombëtar të Kosovës./ KultPlus.com

Po vijnë “Ditët e Naimit”

Festivali i Poezisë “Ditët e Naimit” fillon të enjten me pjesëmarrjen e 25 poetëve nga bota.

Shaip Emerllahu, drejtorit i Festivalit “Ditët e Naimit” deklaroi se në ketë edicion të festivalit, përpos orës së madhe letrare, do të promovohen edhe gjashtë libra nga edicioni i kaluar. Emerllahu po ashtu tha se sivjet e kanë konfirmuar ardhjen 25 poetë, nga ShBA është laureati, Xhorxh Uallas, nga Portoriko, Argjentina, Franca, Danimarka, Belgjika, Gjermania etj.

Në natën e parë do të ndahet çmimi i madh “Naim Frashëri.

Festivali Ndërkombëtar i Poezisë “Ditët e Naimit” do të fillojë më 19 tetor dhe do të zgjasë deri më 22 tetor, dhe mbështetet nga Ministria e Kulturës dhe nga Bashkësia e Pogradecit. / KultPlus.com

TIFF – ODA nis sonte në Tetovë

Edicioni gjashtë i TIFF – ODA nis sot më 3 tetor në Tetovë, Maqedoni, shkruan KultPlus.

Ky festival i cili ka për qëllim qasjen e të gjithë artistëve të filmit dhe rritjes së ndërgjegjësimit të qytetarëve, shkëmbimit të ideve dhe prezantimit të veprave kulturore, do të mbahet deri më 7 tetor.

Brenda kësaj javë do të shfaqen filma nda vende dhe artistë të ndryshëm.

Ceremonia e hapjes është sonte me fillim nga ora 20:00 me shfaqjen e filmit ‘Hunting Flies’, me regji të Izer Aliut./ KultPlus.com

Filmi i Izer Aliut hapë festivalin TIFF-ODA

Edicioni VI i TIFF – ODA do të nis më 3 tetor në Tetovë, Maqedoni, shkruan KultPlus.

Ky festival i cili ka për qëllim qasjen e të gjithë artistëve të filmit dhe rritjes së ndërgjegjësimit të qytetarëve, shkëmbimit të ideve dhe prezantimit të veprave kulturore, do të mbahet deri më 7 tetor. Brenda kësaj javë do të shfaqen filma nda vende dhe artistë të ndryshëm.

Ceremonia e hapjes është më 3 tetor me fillim nga ora 20:00 me shfaqjen e filmit ‘Hunting Flies’, me regji të Izer Aliut./ KultPlus.com