Festivali “Mirëdita, dobar dan!” zbulon datat e edicionit jubilar

Edicioni i dhjetë jubilar i festivalit “Mirëdita, dobar dan!”, ngjarje kjo unike kulturore që organizohet në Prishtinë dhe Beograd që nga viti 2014, do të mbahet këtë vit nga 4 deri më 6 maj në Kosovë, me prezantimin e skenës kulturore, artistike, e shoqërore të Serbisë dhe me diskutimin e çështjeve kritike që kanë të bëjnë me të kaluarën dhe të ardhmen në një periudhë sfiduese për të dy shoqëritë. Qytetarët e Prishtinës do të kenë mundësinë të njihen me skenën kulturore serbe duke përfshirë muzikantë, autorë filmash, shkrimtarë e aktivistë të shumtë.

Edicioni i sivjetmë i festivalit “Mirëdita, dobar dan”, do të hapet me shfaqjen e filmit “Si mësova të fluturoj” nga Radivoje Andrić, film ky fitues i shumë çmimeve i cili na sjell një histori njerëzore për rritjen, kuptimin dhe faljen. Publiku i Prishtinës po ashtu do të ketë mundësinë të dëgjoj grupin e vajzave rome “Pretty Loud”, të cilat përmes këngëve të tyre në gjuhën rome, serbe dhe angleze, këndojnë për stereotipet, drejtësinë sociale dhe racën, por edhe për sfidat, shpresat e ëndrrat e tyre. Poetët Mirjana Narandžić dhe Đorđe Simić do të kenë mundësinë të flasin për veprat dhe përmbledhjet e tyre poetike si dhe të lexojnë poezitë e tyre në formën e një mbrëmjeje poetike.

Ashtu si edicionet e kaluara, edhe gjatë edicionit të sivjetshëm do të diskutohen tema të rëndësishme për Kosovën dhe Serbinë përmes promovimit të librit “Sërbia tjetër: Srđa Popović” nga Shkëlzen Gashi dhe debatit “Trashëgimia tjetër”, debatit “Liria e lëvizjes në rajon: tani është koha”, dhe përmes promovimit të librit “Momenti kur filloi lufta për mua” që do pasohet nga një bashkëbisedim me autorët e librit.

Dita e fundit e festivalit do të mbyllet me shfaqjen teatrore “Bimët po të ngordhnin, do bëhej nami!” nga Ivor Martinić, dhe një ndejë përmbyllëse me DJ Flip nga Beogradi.

Qëllimi i festivalit “Mirëdita dobar dan!” është prezantimi i skenës artistike dhe kulturore serbe në Prishtinë, si dhe i skenës kulturore të Kosovës në Serbi, përmes takimeve të artistëve, shkëmbimit të ideve, diskutimit për të ardhmen e marrëdhënieve mes dy shoqërive, por edhe krijimit të një tradite të bashkëpunimit mes qytetarëve të Kosovës dhe Serbisë.

Frymëzim për “Mirëdita, dobar dan!” është aktori i mirënjohur shqiptar, kosovar, jugosllav por edhe i tërë botës, Bekim Fehmiu i cili simbolizon unitetin por edhe ndarjen, por gjithashtu edhe mundësinë e bashkimit të dy hapësirave kulturore në një të vetme.

Hyrja në të gjitha ngjarjet e festivalit “Mirëdita, dobar dan” është falas.

“Mirëdita, dobar dan!”, organizohet nga Integra (Kosovë), Nisma e të Rinjëve për të Drejtat e Njeriut (Serbi) dhe Iniciativat Qytetare (Serbi), me mbështetjen e Bashkimit Evropian, Fondit për Ballkanin Perëndimor, Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës dhe Rockefeller Brothers Fund. / KultPlus.com

Në Beograd nis festivali “Mirëdita, dobar dan!”, djathtistët kundërshtojnë

Në Beograd, të enjten fillon festivali „Mirëdita, dobar dan!“, i cili publikut ia prezanton skenën kulturore dhe shoqërore të Kosovës.

Festivali mbahet që nga viti 2014 dhe atë e organizon Iniciativa e të rinjve për të drejta të njeriut. Festivali do të zgjasë deri më 24 tetor.

Siç është paralajmëruar, për shkak të pandemisë së koronavirusit, ky festival do të mbahet duke respektuar masat.

Është njoftuar se në festivalin treditësh do të diskutohet për procesin negociator ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, si dhe për bashkëpunimin ndërmjet të rinjve të shoqërisë shqiptare dhe asaj serbe.

Qëllimi i festivalit, siç është paralajmëruar, është që përmes takimeve të bashkësive kulturore dhe shoqërore kosovare dhe serbe t’i nisë ndryshimet dhe të krijohet një traditë e bashkëpunimit, me të cilën do të jepet kontribut normalizimit të qëndrueshëm të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

Në këtë festival, publikut të Beogradit do t’i paraqiten artistët dhe interpretuesit që përfaqësojnë skenën moderne kulturore të Kosovës.

Festivali do të hapet me shfaqjen teatrore “Unë jam vet grua” të Kushtrim Koliqit.

Në ditën e dytë, në repertorin e festivalit janë debatet “Kosova-trashëgimia e kujtesës” dhe një ekspozitë me të njëjtin emërtim, ndërkaq ditën e tretë do të ketë debat për drejtësinë tranzicionale në Kosovë, do të ketë shfaqje të Tristan Halilajt, i cili do të lexojë fragmente nga libri i tij “ Richard Gere ka qenë këtu”, përmbledhje e rrëfimeve, e cila është në origjinal është publikuar në gjuhën serbe, si dhe projeksioni i filmit “Shtëpia e Agës”.

Inspirimi për këtë ngjarje kulturore është Bekim Fehmiu, aktor i shqiptar i Kosovës, i cili ka qenë i njohur si aktor në Beograd, në ish-Jugosllavi dhe në botë dhe i cili paraqet simbolin e unitetit dhe skizmës, si dhe mundësinë e ndërlidhjes së dy hapësirave kulturore në një tërësi unike.

Festivali “Mirëdita, dobar dan!”, i cili në Beograd mbahet që nga viti 2014, gjatë viteve të kaluara ka qenë cak i grupeve të djathta dhe të tifozëve, ndërkaq që Qendra për dekontaminimin kulturore (CZKD), në të cilën mbahet një pjesë e programit, në vitin 2018 ishte nën rrethimin policor për shkak të të djathtëve.

Partia Radikale Serbe (SRS), të cilën e drejton i dënuari nga Haga, Vojislav Sheshel, ka paralajmëruar më 21 tetor në faqet vet të internetit që “asnjë shtet serioz nuk do të lejonte që të mbahej festivali ‘Mirëdita, dobar dan!’, sepse bëhet fjalë për propagandë kundër shtetit si dhe për promovim të shtetit të rrejshëm të Kosovës”.

“Aksioni armiqësor i fundit me radhë është i ashtuquajturi festival Mirëdita, dobar dan, festival i cili promovon kinse kulturën e Kosovës dhe në atë mënyrë e pranon shtetin e rrejshëm të Kosovës”, thuhet në komunikatën e Partisë Radikale Serbe, ku gjithashtu është shtuar që “Është padurueshme që njerëzit që janë të lindur si serbë, të promovojnë në mes të Beogradit kinse kulturën e Kosovës dhe në atë mënyrë e njohin shtetin e rrejshëm të Kosovës”.

Paraprakisht, kryetarja e partisë së djathtë serbe “Zavetnici”, Milica Gjurgjeviq Stamenkovski, gjatë një emisioni në televizionin serb Hepi, ku ishte mysafire, e ka quajtur këtë festival “propagandë shqiptaromadhe në zemër të Beogradit” dhe “rrëmbim të trashëgimisë kulturore”, me porosinë që “këtu nuk ka mirëdita, por është vetëm mirupafshim”./REL / KultPlus.com