Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka prezantuar mëngjesin e sotëm projektin për Tregun e Gjelbër për të cilin tashmë veç se kanë nisur procedurat, përcjell KultPlus.
“Treg i Ri me kushte shumë më të mira infrastrukturore dhe me pastërti të duhur. Kështu do të duket Tregu i Gjelbër në Kryeqytet, për të cilin tashmë vetëm se kemi nisur procedurat për realizimin e këtij projekti”, shprehet Rama.
Tutje i pari i kryeqytetit ka njoftuar se javë më parë është pastruar e gjithë hapësira ndërsa tash është duke u krijuar një ambient shumë më dinjitoz ku mund të blini fruta e perime. / KultPlus.com
Pas fazës së parë të programit ndër-ministror “Arti në shkolla” që mblodhi qindra nxënës të Komunës së Gjilanit në shumë aktivitete edukative e artistike, faza e dytë po hapet me një koncert të veçantë në atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sportit.
Filharmonia e Kosovës, nesër duke filluar nga ora 14:00 do të prezantojë koncertin e parë që iu dedikohet nxënësve të klasave të 6-ta nga katër shkolla të Komunës së Prishtinës, SHFMU “Elena Gjika”, SHFMU “Faik Konica”, SHFMU “Ali Kelmendi” dhe SHFMU “Shkëndija”.
Nesër nxënësit do të kenë mundësi të ndjekin një program i cili prezanton disa etapa të zhvillimit të muzikës klasike në Kosovë, nën dirigjimin e mjeshtrit Gridi Kraja.
Veprat të cilat do të prezantohen nga Filharmonia e Kosovës me dirigjentin Kraja janë nga Lorenc Antoni, Rexho Mulliqi, e deri te Valton Beqiri. / KultPlus.com
Me rastin e Ditës Botërore të Turizmit e cila festohet në mbarë botën me datë 27 Shtator, si dhe Ditës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore e cila festohet me datë 29 Shtator, Komuna e Prishtinës ka njoftuar se dyert e Sahat Kullës do të jenë të hapura për të gjithë vizitorët nga ora 10:00-18:00.
Nga Komuna e Prishtinës ju bëjnë thirrje që gjatë këtyre ditëve ju mund ta shihni kryeqytetin nga një kënd tjetër. / KultPlus.com
Olimpiada më e madhe e Sporteve dhe Lojërave Tradicionale Shqiptare në Kosovë po vjen më datë 1 tetor.
Ky organizimin shumë i veçantë do të mbahet nga ora 10:00 deri në ora 17:00 në Parkun e Gërmisë dhe Amfiteatrin e Pishinës, në Prishtinë.
Organizatorët kanë bërë thirrje që t’i bashkoheni në këtë eksplorim të trashëgimisë tonë kulturore përmes sporteve dhe lojërave tradicionale shqiptare.
Kjo ngjarje vjen e organizuar nga PR Solutions me mbështetjen e Komunës së Prishtinës./ KultPlus.com
Filmi “The Land Within” nga regjisori Fisnik Maxville (Maxhuni) pas premierave ndërkombëtare dhe pas shfaqjes së parë vendore në Prishtina Film Festival, do të fillojë rrugëtimin e tij në kinematë e Kosovës duke filluar nga data 21 Shator në “Cineplexx”, Prishtinë dhe Prizren.
Ky film është prodhuar nga produksioni Ikonë-Studio në bashkëpunim me produksionin zviceran Alva Film Production. / KultPlus.com
Këngëtarja me famë botërore, Rita Ora ka pasur përherë një lidhje të veçantë me Kosovën, shkruan KultPlus.
Ora qyshmoti e kishte bërë me dije dashurinë për vendin prej ku kishte prejardhjen. Këtë ajo e dëshmoi që nga publikimi i këngës ‘Shine Ya Light’ me videoklip nëpër rrugët e Kosovës.
Ndërkaq një moment tejet i veçantë që ka ngelur në memorien e çdo shqiptari mbetet kërcimi fantastik i valles së Shotës nga Rita në koncertin e saj për Pavarësinë e Kosovës.
Përfaqësimi me dinjitet i kulturës dhe traditave shqiptare nga artistët tonë në mërgim na bën të besojmë se ata janë ambasadorët më të mirë. / KultPlus.com
Super ylli Akon u konfirmua dje si mysafiri ndërkombëtar i “Time Capsule II” që zhvillohet të premten në kryeqytet.
Lajmin e dha Capital T i cili bëri të ditur se Akon e ka pranuar ftesën e tij për të qenë me publikun kosovar në atë që po konsiderohet si ngjarja kulturore më e madhe në kryeqytet përgjatë kësaj vere.
E Akon ka pasur edhe një mesazh për shqiptarët.
Përmes një videoje, ai i ka ftuar të gjithë të jenë aty ditën e premte.
“Prishtina do jem aty me 11 gusht, live me Capital T. Do të performoj live dhe do jetë një çmenduri. Merrni biletat dhe shihemi atje”, thotë mes tjerash Akon. / KultPlus.com
Një nga betejat më të rëndësishme për kampionin tonë, Robin Kranisiqi po vjen nesër.
Boksieri Robin Krasniqi do të sjell meqin e radhës në Prishtinë, në stadiumin “Fadil Vokrri”, shkruan KultPlus.
Krasniqi është shprehur se gjithmonë e ka ndjerë obligim të bëj një mbrëmje të madhe boksi në Prishtinë dhe tani ka ardhur koha.
“Si bir i prindërve shqiptarë, si fëmijë i luftës në Kosovë dhe si kampioni i parë botëror, me prejardhje shqiptare, në boksin profesionist, gjithmonë e kam ndjerë obligim të bëj një mbrëmje të madhe të boksit në Prishtinë dhe tani ka ardhur koha, të dashur fansa dhe miq!
Luftën e radhës do ta bëj në stadiumin e futbollit të Prishtinës (Stadiumi Fadil Vokrri) më 5 gusht 2023, duke i ofruar një Event të madh atdheut tim. Unë po e pres me padurim këtë mbrëmje dhe shpresoj që të kem bërë të lumtur edhe shumë prej jush miq të dashur”, pati shkruar Krasniqi në njoftimin e tij për ndeshjen e madhe që pritet të zhvillohet nesër. / KultPlus.com
Vëzhguesit e yjeve në të gjithë botën panë një Hënë të plotë më të madhe dhe më të ndritshme se zakonisht, të martën mbrëma.
Hëna e plotë e këtij muaji, e quajtur Hëna e Sturgeon, ndriçoi qiellin e natës ndërsa u ngrit mbi horizont pak pas perëndimit të diellit, shkruan BBC, transmeton KultPlus.
Është e para nga dy superhënat e këtij muaji – hëna e plotë e ardhshme më 30 gusht do të quhet Hëna Blu pasi është hëna e dytë e plotë që shfaqet në një muaj kalendarik.
Ndërkohë, BBC ka renditur disa nga fotot më të mira të superhënës së të martës nga e gjithë bota dhe në krye të listët qëndron fotografia ku Hëna shkëlqen mbi ndërtesat në Prishtinë, Kosovë. / KultPlus.com
Data 4 gusht do të shënoj hapjen zyrtare të Festivalit të Filmit Doku Fest, po ndërkohë festivali mbrëmë zbriti në kryeqytet për të shpalosur pak nga gjithë magjia e asaj çka pritet të ofrojë festivali përgjatë këtij edicioni të 22-të, shkruan KultPlus.
DokuFesti mbrëmë në kryeqytet prezantoi filmat e metrazhit të shkurtër apo filma eksperimental, me qëllim të vetëdijesimit të qytetarëve duke riaktualizuar problemet shoqërore në vend dhe jashta saj.
Arti filmik, si çdo lloj arti tjetër, është mënyra më e mirë për të vënë në pah çdo lloj problemi duke spikatur ‘të bukurën dhe artistiken’. Në këtë rrugë, zgjidhet labirinti që shpeshherë nuk shihet nga syri i lirë i njeriut të thjeshtë.
Në hapësirën e objektit të CNP-së u prezantuan tetë filma të metrazhit të shkurtër, në versionin shqip dhe anglisht. Secili film, nxirrte nga vetja formën më të mirë, duke gjuajtur mesazhe direkte dhe indirekte për publikun.
Përpara se të tetë filmat të shfaqen përpara ekranit të madh, fjalën e mori Drejtori Artistik i DokuFestit, Veton Nurkollari, i cili shpalosi më shumë rreth programit të filmave të DokuFest-it, për natën e mbrëmshme dhe të netëve në vijim.
“Dy filmat e parë janë filma nga programi trajnues i DokuFestit, të moshave 16-18, të cilët kaluan një kurs të filmbërjes duke e finalizuar me krijimin e filmave të parë të tyre. Ndërkaq, filmat e tjerë janë filma të shpërndarë në disa programe, ku njëri nga ta është nga Kanadaja”, u shpreh Nurkollari.
Nurkollari tha gjithashtu se gati të gjithë filmat që do të shfaqen në këtë edicion të DokuFestit përgjatë ditëve në vijim janë me premierë kosovare, por se nuk mungojnë as ata filma me premierë botërore.
“Gati të gjithë filmat janë me premierë kosovare, dikur rreth 12 filma janë me premierë botërore, dhe një numër i konsiderueshëm janë filma ndërkombëtarë. Kanadaja këtë vit është në fokus të DokuFestit, andaj nga ky shtet do të paraqesim dikur rreth 20 e më shumë filma”, u shpreh Nurkollari.
Përgjatë natës së mbrëmshme nuk u sollën filmat garues që synojnë të fitojnë çmime, por filma të kuruar dhe të përgatitur pikërisht për këtë natë.
“Sot sollëm një program të vogël të asaj se çka do të pritet të shfaqet në Dokufest. Këta filma që janë këtu, janë enkas për këtë edicion. Por ne, nuk sollëm filma që janë më lartë, këtë natë, sepse presim që premierat e tyre të shfaqen në Festival”, përfundoi Nurkullari.
E tërë hapësira gjelbëruese e këtij objekti u gjallërua edhe më shumë me prezencën e njerëzve që donin dhe çmonin filmin. Çdo cep u mbush me pozitivitetin e të pranishmëve e hareja zuri vend edhe më shumë me duartrokitjet e pandalshme të tyre.
Kureshtja e madhe për të parë ekranin e për të dëgjuar zërin thumbues të personazheve të filmave, pamundësonte t’iu ikte dëgjuesve ndonjë copëz filmi.
Që prej vuajtjes së shqiptareve nga populli serb përgjatë viteve të 90-ta me detyrim ndalim-shkollimi e deri tek problemi i sotëm i shkollave shqipe, ku degët e ndryshme të studimit detyrohen të përfundojnë praktikat shkollore në të njëjtin vend, janë disa nga tematikat që u shfaqën mbrëmë.
Filmi i parë i shfaqur para publikut prishtinas, pati të bëjë me vetën tonë sot, duke dashur një rikthim pas në kohën e fëmijërisë. Në kohën, kur problemet nuk ekzistonin dhe kur çdo gjë e bënim pa sherrin më të vogël.
Filmi i parë, i krijuar nga Nea Zeka, ishte një film i shkurtër që në thelb ka të bëjë me vlerësim më të madh ndaj vetes dhe mos ndihmesën e njerëzve që nuk e meritojnë.
Ndërkohë, filmi i dytë nga Hana Krasniqi i cili u shfaq përpara publikut, ishte ai kushtuar vitit 1991. Vit ky, në të cilin pushteti serb po bënte shkatërrime masive tek shqiptarët, duke detyruar ata të ndalojnë studimet dhe të mbyllin shkollat shqipe. Në diku rreth 6 minuta të këtij filmi, u shfaqën fotografi nga rezistenca e shqiptarëve dhe qëndrueshmëria e tyre ndaj armikut serb.
“Rreth 3200 shtëpi, bodrume dhe garazhe private u dhuruan për tu shndërruar në shkolla të improvizuara”.
Ky film i shkurt tregon më së miri ‘mosnënshtrimin’ e shqiptarëve ndaj armikut serb, dhe moslodhjen e tyre për kërkimin e lirisë e ngulmin për shkollim.
Një tjetër film i shfaqur në këtë mbrëmje ishte edhe filmi… i Viti 1949 shënohet me hapjen e shkollës së muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë. Ndërkohë, sot në 2023, nxënësit e asaj shkolle detyrohen që mësimet t’i mbajnë në ndërveprim me nxënësit e mjekësisë, dy drejtime, komplet të kundërta. Zhurmat që shkaktohen nga muzika tek nxënësit e stomatologjisë, farmacisë e drejtimeve mjekësore dhe sfidat e tjera që hasen në këtë shkollë, ishin disa nga pikat kyçe të paraqitura në filmin në vijim.
Një problem serioz, i cili shfaqet më së miri përmes punës artistike të nxënësve shfaq ato problemet që gjinden mes nesh, e nuk merren ‘fort’ përbazë nga askush.
Përgjatë filmit disa minutor, rishfaqen edhe probleme të tjera me të cilat përballet kjo shkollë. Që prej detyrimit të ndërrimit të disa shkollave deri më tani, e deri tek profesorët e njëjtë që detyrohen të japin mësim në të gjitha degët.
Këto ishin disa nga premierat e shfaqura natën e mbrëmshme, me qëllim të vetëdijesimit e të kuptimit të realitetit në të cilin ndodhemi si shoqëri.
Kujtojmë që, DokuFest do të shfaq falas para publikut me më shumë se 230 filma, nga 3500 aplikime të bëra gjithsej. / KultPlus.com
Mbrëmë, me 80 fëmijë të moshës 7 deri 14 vjeç u mbajt koncerti i parë, e njëkohësisht edhe inaugurues i Orkestrës së Fëmijëve të Prishtinës, të cilin e mundësoi shkolla e parë fillore jo-publike e muzikës në Kosovë, ‘Amadeus’, shkruan KultPlus.
Ky projekt i shkollës së muzikës ka ardhur si konkludim i profesionistëve të kësaj shkolle, të cilët mendojnë se edukimi muzikor luan një rol të rëndësishëm në zhvillimin e hershëm të fëmijëve, dhe kjo orkestër që për analogji të shkollës mund të quhet qershia mbi tortë , duke bërë që fëmijët qysh në mosha të hershme të kenë mundësi të performojnë me orkestër, të njihen me skenën dhe të krijojnë bazë të qëndrueshme për karrierën e tyre.
Një sallë, enterieri i së cilës ishte me plotë shije, elegancë dhe finesë, tashmë ishte mbushur përplot me prindër dhe me familjarë të fëmijëve të cilët pas pak pritej të perfomonin. Me një nur që u shëndrriste, shumica e të pranishmëve kishin zënë vendet e tyre, edhe pse një pjesë mjaft e madhe qëndruan në këmbë pasi nuk pati ulëse në sallë, aq sa pati pjesëmarrës.
Koncertin e hapi përfaqësuesja e shkollës ‘Amadeus’, Hana Petrovci-Fetahu, e cila me një fjalë rasti i përshëndeti të gjithë të pranishmit dhe tregoi për procesin e punës në përgjithësi, për t’i lënë radhë pastaj grupit të kitaristëve ‘Amadeus’, me veprën e Zequinha De Abreu- ‘Tico Tico’, në të cilën performuan Allegra Bajrami, Dastid Ymeri, dhe Reina Zejnullahu.
Pika e dytë e performanës u shënua me grupin e solokëndimit, të cilët interpretuan Këngë Arbëreshe, të cilat krahas tingëllimës së tyre të bukur, shfaqnin edhe emocione mallëngjyese, pasi vinin nga një trevë në të cilën jetonin shqiptarë të mërguar.
Interpretues të kësaj pike ishin: Era Latifi, Morea Fetahu, Noa Basha, Viktoria Ibrahimi, Rea Curri dhe Eta Svarça. Kënga ‘Lule, lule-mace, mace’ ishte ajo e cila shndërroi ngjyrën e emocioneve duke dhënë entuziazëm dhe duartrokitje me takt në sallë gjatë gjithë kohës derisa interpretohej kjo këngë, në fund të së cilës pati duartrokitje edhe më të fuqishme për të dhënë falënderimin për këtë interpretim kaq të bukur.
Pikat tjera interpretuese qenë ‘Për ty atdhe’ e Pjetër Gacit me soliste Leona Ferati, ‘Central Park’ e James Newton Howard me soliste Arjona Ramadani (piano), ‘Pse jemi të ndarë’ e Selami Kolonjës nga kori i shkollës dhe solistja Leona Ferati, ‘Swan Lake’ e Pyotr Ilyich Tchaikovsky, ku interpretuan edhe blerinat e shkollës, Era Bajrami, Hana Bajrami dhe Ajla Talla, të cilat me vallëzimin e tyre prej fluturash e bënë mbrëmjen mjaft të bukur. Në këtë pikë orkestra u kompletua në tërësi dhe po ndiqej një mbrëmje pothuajse profesionale pasi publiku tashmë para vetes kishte orkestrën, korin dhe solistët dhe balerinët, duke dëshmuar kapacitetin e tyre.
Ndërsa interpretimi i fundit ishte ‘O vendi im’, e Rashid Krasniqit, nga Kori i shkollës dhe solistët Arjona Ramadani dhe Art Grajçevci. Në këtë pikë dukej sikur edhe vetë fëmijët u përmbushën nga perfomanca e tyre. Të koncentruar te programi i tyre, me shumë kujdes përcillnin edhe dirigjentin e tyre Vehbi Shosholli, i cili me mjaft elegancë dhe butësi arrinte të shpaloste punën e tij me sukses.
Në këtë pikë në të cilën të pranishëm qenë pothuajse më shumë se 80 fëmijë, violinistët qenë ata që për t’i dhënë një ton pak më ndryshe perfomancës filluan që të prodhoin tinguj me gishtrinjtë e tyre të vegjël. Lëvizja e gishtinjëve të tyre të vegjël, si dhe një pozitë trupore duke u munduar për të qenë profesional dhe elegant në skenë dhuronte një pamje vërtetë simpatike, të cilën familjarët e tyre dhe të gjithë të panishmit, e shijuan vërtetë shumë.
Pas koncertit të gjithë pjestarët e orkestrës, korit, solistët dhe balerinat u shpërblyen me mirënjohje nga shkolla e muzikës ‘Amadeus’, në shenjë mirënjohjeje dhe falënderimi për suksesin dhe gatishmërinë e treguar për të realizuar një koncert të tillë, i cili me plotë bindje do të mbetet i paharruar në mendjet e secilit prind që ishte i pranishëm në sallë.
Me rezultatet e koncertit ishte e kënaqur edhe njëra nga organizatoret Hana Petrovci-Fetahu e cila në një prononcim për KultPlus, tha se pritshmëritë e tyre për koncertin janë arritur në maksimum pasi sipas saj fëmijët kanë treguar pjekuri në lojën e instrumenteve edhe pse janë shumë të vegjël në moshë.
“Koncerti ka shkuar shumë mirë. Jemi shumë të kënaqur me performancën e fëmijëve. Kanë treguar një pjekuri në lojën e instrumenteve edhe pse janë shumë të vegjël. Fëmijët janë në këtë orkestër prej moshës shtatë vjeçare deri në 14. Mirëpo kanë mbajtur shumë gjatë prova. Që nga muaji mars, e kanë treguar vlerën e tyre, kanë tingëlluar shumë bukur dhe jemi të gjithë shumë të kënaqur me perfomancën të cilën na dhuruan”, ka thënë Petrovci.
Petrovci për KultPlus ka treguar edhe anën tjetër të medaljes, pasi për të arritur një perfomancë të tillë nuk ka qenë shumë e lehtë, pasi në këtë orkestër kishin të bënin me fëmijë, të cilët për të ndjekur ushtrimet ishin të varur nga prindërit e tyre të cilët kanë edhe angazhimet e tyre profesionale.
Ndërsa dirigjenti Vehbi Shosholli në një prononcim për KultPlus, tha se është shumë i lumtur për performancën dhe se pritshmëritë e tij janë arritur ne maximum
“Koncerti ka qenë jashtëzakonisht mirë. Jam shumë i këënaqur me nivelin interpretues të fëmijëve. Pritshmëritë e mija janë arritur dhe besoj që edhe publiku janë ndarë të kënaqur”, ka thënë Shosholli.
Ai po ashtu tregoi edhe për procesin e punës, i cili fillimisht nuk kishte qenë aspak i lehtë, por se me punë dhe përkushtim tanimë kishin arritur rezultatet e dëshiruara, gjë që e bënte të ndihej mjaft i lumtur.
“Realisht kjo gjeneratë është pak e vështirë për të performuar në grup kaq masiv, sepse nuk kanë përvojë të madhe që të luajnë me orkestër. Fillimi ka qenë goxha i vështirë mirëpo gradualisht duke punuar kemi arritur që të përgatitemi për performancë”, ka thënë Shosholli.
Dirigjenti Shosholli më tej tha se në të ardhmen do të tentojnë që të rrisin numrin e fëmijëve pjesëmarrës dhe numrin e perfomancave.
“Mendojmë jo vetëm me vazhdu por edhe me rrit numrin e fëmijëve për të të qenë pjesë e orkestrës edhe pa dyshim ta rrisim edhe numrin e performancave. Totali i fëmijëve që marrin pjesë në orkestër është rreth 30 që varion në bazë të veprave p.sh pjesa e fundit ka qenë ‘O vendi im’ ka qenë një vepër ku kanë performuar më shumë se 30 instrumentistë dhe një kor prej 50 personave”, ka thënë Shosholli.
Një koncert i tillë i radhës, pritet të mbahet për festat e fundvitit, pasi pas kësaj pune të madhe, fëmijët presin t’i shijojnë pushimet verore . Organizatorja e koncertit Hana Petrovci- Fetahu ka thënë që planifikojnë që të zgjerojnë aktivitetin e tyre, duke zhvilluar turne nëpër qytete të ndryshme të Kosovës./KultPlus.com
Venera Mustafa dhe IMG Models organizojnë Open Model Casting për herë të parë në Kosovë për të gjetur fytyra të reja për përfaqësim global.
Më date 8 korrik, nga ora 10:30 deri në ora 18:30, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës ‘Pjeter Bogdani’ në Prishtina do të mbahet ngjarja ku ftohen të marrin pjesë modele dhe modelë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, dhe Mali i Zi.
Thirrja e hapur për casting organizohet nga agjentja amë dhe dizajnerja Venera Mustafa bashkë me agjencionin ndërkombëtar IMG Models.
IMG Models do ta vizitojë Kosovën për herë të parë për të zbuluar fytyra të reja nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi.
Krahas Venera Mustafës dhe skautëve nga IMG Models, prezente në casting do të jetë edhe modelja nga Kosova Sihana Shalaj e cila është nën menaxhimin ndërkombëtar të IMG Models.
Që nga kontrata me IMG Models, Sihana ka korrur sukses të madh ndërkombëtar dhe ka sfiluar për shtëpitë më të mëdha të modës botërore përfshirë Prada, Miu Miu, Yves Saint Laurent, Versace, Balenciaga, Givenchy dhe Raf Simons mes shumë tjerash.
Suksesi i pakontestueshëm i Sihanës po e sjell IMG Models për herë të parë në rajon për të identifikuar fytyra të reja mashkullore dhe femërore për tu bërë pjesë e këtij agjencioni prestigjioz.
IMG Models është lider ndërkombëtar në identifikimin e talentëve dhe në menaxhimin e modeleve e njohur gjerësisht për portfolion e saj diverse të klientëve. Agjencioni ka zyra në gjashtë kryeqendra botërore: New York, Los Angeles, Londër, Paris, Milano dhe Sidnej. Në mesin e modeleve të menaxhuara nga IMG Models janë edhe Gigi dhe Bella Hadid, Ashley Graham, Hailey Bieber, Paloma Elsesser, Alton Mason, Precious Lee, dhe shumë të tjerë. / KultPlus.com
CineStar, kinemaja më e madhe rajonale, hapi sot dyert për herë të parë në Prishtina Mall.
Për të përjetuar të parët pamjet ekskluzive të kinemasë brenda, ishin ftuar mediat ku secili i pranishëm qysh në hyrje mahnitej nga kjo prurje e re në vendin tonë.
Në hapat e parë të hyrjes në kinema, fryma artistike e CineStar vjen me një shfaqje ndryshe. Dritat e buta po na ndriçonin rrugën për të na përcjell në një botë tjetër të imagjinatës. Dizajnet e jashtme moderne që ishin punuar me shumë mjeshtëri, ndihmonin të ndizet interesi dhe kureshtja për të zbuluar mrekullitë e fshehura brenda mureve të kësaj kinemaje e cila qysh në korridor dukej magjike, shkruan KultPlus.
Në këtë rrugëtim po na shoqëronte menaxheri i kinemasë CineStar për Kosovë, Arben Shabani, i cili kujdesej që në detaje të na njoftonte për specifikat e secilës sallë ku asnjëra nuk ngjasonte me tjetrën.
Kur hynim në sallat e brendshme, mahnitja artistike arrinte kulmin. Në këto salla, kufizimet e realitetit humbasin kuptimin dhe spektatori vendoset përballë imazheve të bukura dhe emocionuese që shfaqen në ekranin gjigand. Dyshemetë e mbarëvajtjes ishin një tjetër pikë tërheqëse, duke ofruar një ambient të ngrohtë dhe mikpritës për të shijuar çdo moment të eksperiencës kinematografike.
Kur flasim për të rejat teknologjike të kinemasë CineStar ato sjellin një përjetim të pakrahasueshëm për publikun. Sallat janë pajisur me teknologji të fundit në fushën e kinemasë, me ekrane të gjera dhe cilësi imazhi të jashtëzakonshme. Sistemi i tingullit dhe zërit ofrojnë një efekt tërheqës duke përmirësuar ndjeshëm eksperiencën e shikuesit.
Por mbi të gjitha, është programi i filmave të ofruar nga CineStar që bën hapjen e tij ende më të ndjeshme, ku disa nga trailerat e këtyre filmave patën rastin t’i shohin sot gazetarët e pranishëm.
Duke sjell filma të pasur në përmbajtje dhe vizionarë në kinematografi, CineStar ka krijuar një vend të veçantë për magjinë e kinemasë në një vend ku diçka e tillë kishte munguar dukshëm.
Ky megapleks ishte i përbërë nga hiq më pak se 15 salla.
Po e nisim me konceptin “Destination Cinema”, i cili është një trend absolut në industrinë e kinemasë botërore, nga sot është në dispozicion në Prishtinë për të gjithë ata që dëshirojnë filma dhe argëtim pa fund në ekranin e madh, si dhe shumë përmbajtje dhe formate kinemaje të papara deri më tani.
CineStar Megaplex Prishtina Mall sjell formate ekskluzive të kinemasë premium, dhe pikërisht sot u zbulua një lajm i madh: kjo është kinemaja e parë në rajon me sallën SCREEN X.
Screen X është një teknologji speciale e sallës dhe kinemasë në të cilën ekrani shtrihet majtas dhe djathtas të ekranit qendror, i cili i mundëson shikuesit një përvojë filmi panoramik 270 gradë. Të ashtuquajturit – Kinema Pa Kufi.
Oferta e pasur e formateve premium përfshin Gold Class për ata që pëlqejnë një takim luksoz me darkë në kinema. Pastaj sallën eXtreme me një ekran më të madh dhe teknologji më të fortë, Ultimate nga Dolby Atmos është perfekt për adhuruesit e zërimit më të fundit në botën e teknologjisë. Ka edhe një Gaming sallë për e-sports, një Kids sallë për fëmijë që do të ketë një program dhe tingull të personalizuar për fëmijët e vegjël nga ora 11:00 deri në orën 17:00. Krahas tij ofrohen edhe dy dhoma ditëlindjeje, që e bëjnë këtë lokacion të preferuar për prindër dhe fëmijë. Të gjitha këto formate janë në dispozicion nga sot, ndërsa CineStar njofton se salla 4DX do të hapet më 15 qershor me filmin “The Flash”.
Me 15 salla kinemaje të pajisura në mënyrë modern, të dimensioneve dhe identitetit vizual të ndryshëm, me afërsisht 2000 ulëse, CineStar Megaplex në Prishtina Mall është kinemaja më e madhe, më moderne, por edhe më e bukura në Kosovë dhe më gjerë. Përveç epërsisë teknologjike që përfshin ekranet Harkness nga muri në mur, projektorët lazer Barco 4K RGB, Real D Ultimate 3D, altoparlantët JBL dhe përforcuesit audio Crown, pjesa e brendshme e CineStar të Prishtinës ka një shumëllojshmëri materialesh, ngjyrash dhe stilesh, të nënshkruara nga dizajnerë të njohur që kanë montuar dhe kinema të tjera CineStar të vlerësuara me shumë çmime, përfshirë çmimin për kinemanë më të mirë të sapondërtuar në Evropë 2018 (CineStar Split).
Biletat për CineStar me ofertën me 50% zbritje do të shiten në arkat e kinemasë duke filluar nga dita e sotme, 2 qershor në orën 15:00 kurse online në www.cinestarcinemas-ks.eu janë të disponueshme që tani.
CineStar Cinemas është zinxhiri më i madh i kinemasë në rajon me 28 multiplekse, 182 salla dhe afërsisht 28,000 dhe me këtë megaplex në Prishtinë, CineStar tani hyn fuqishëm edhe në Kosovë.Shoqata Ndërkombëtare e Kinematografëve (UNIC) e shpalli CineStar Cinemas kinemanë më të mirë në Evropë për vitin 2019, pasi përfaqëson një shembull konkret të një kompanie që ngrit nivelin në industri dhe arrin rritje të vazhdueshme. / KultPlus.com
Po vjen edicioni i trembëdhjetë i ngjarjes së përbashkët kulturore, “Ura me tri harqe”, e të tri institucioneve shqipfolëse të arsimit të lartë: Universiteti i Arteve- Tiranë, Fakulteti i Arteve i Universitetit të Tetovës si dhe Fakulteti i Arteve i Universitetit të Prishtinës, përcjell KultPlus.
Sivjet Universiteti i Prishtinës do të jetë nikoqir i kësaj ngjarje.
Ky Manifestim gjatë këtyre dy ditëve do të shfaqë, ekspozojë e performojë, projektet artistike më me vlerë përgjatë vitit akademik 2022-23, si filma me metrazh te shkurtër, dokumentarë, shfaqje teatrale, ekspozitën e koncertin e përbashkët të tri Universiteteve. Poashtu këtë vit “urës” do t’i bashkohet edhe një shfaqje mysafire nga studentët e Fakultetit të Arteve Dramatike në Shkup.
Programi i kësaj veprimtarie artistike do të prezantohen përgjatë dy ditëve 25-26 maj 2023. / KultPlus.com
Zyra Ndërlidhëse Helenike në Prishtinë në bashkëpunim me Institutin e Albanologjisë do të prezantojë përkthimin e librit “Zorba” të shkruar nga Nikos Kazantzakis, i cili konsiderohet si një nga shkrimtarët më të mëdhenj dhe më të shquar grekë në mbarë botën, përcjell KultPlus.
Prezantimi i “Zorba” është bërë nga Stavros Dagios / Stavro Dajo i cili bëri përkthimin e kësaj vepre nga greqishtja në shqip.
Ngjarja do të mbahet të enjten, më 25 maj 2023, në Institutin Albanologjik në Prishtinë, me fillim nga ora 11:00. / KultPlus.com
Një program i ri, ‘Ora e Leximit’ do të filloj të implementohet në të gjitha shkollat fillore, të ciklit të ulët të kryeqytetit, shkruan KultPlus.
‘Ora e Leximit’, është një program i cili është marr si koncept nga shtetet e Suedisë dhe Kanadasë, shtete të cilat kanë korrur rezultate konkrete pas problemeve të shumta që kanë pasur nxënësit në pjesën e leximit dhe kuptimit të teksteve.
Gjatë kësaj ore të leximit nxënësit do të kenë mundësi që të lexojnë libra të cilët u pëlqejnë, e të cilat më pastaj do t’i analizojnë së bashku me shokët e klasës dhe mësimdhënësit.
‘’Në Orën e Leximit, nxënësit e klasëve 1 deri në 5 të Prishtinës do të lexojnë libra që ju pëlqejnë, që i kuptojnë, dhe që do t’i komentojnë e analizojnë në klasë së bashku me shokët e klasës dhe mësimdhënësit.’’, thuhet në njoftim.
Më poshtë gjeni të plotë njoftimin të publikuar nga Besianë Mehmeti:
Ora e Leximit po fillon në shkollat e Prishtinës
Jam e lumtur të ju njoftoj se po e fillojmë Orën e Leximit në të gjitha shkollat fillore të Prishtinës, për të gjitha klasët e para deri në klasën e pestë.
Bashkë me Agon A. Ahmeti nga ETEA, konceptin e kësaj ore të leximit e kemi marrë nga Suedia dhe Kanada, ku të dyja shtetet kanë pasë probleme në lexim-kuptim të nxënësve dhe e kanë nxjerrë si politikë që ka dhënë rezultate konkrete.
Së pari kemi blerë libra të rinj, në vlerë prej mbi 100 mijë euro dhe do ti shpërndajmë në shkolla.
Fëmijët do të lexojnë libra që atyre ju pëlqejnë. Do të lexojnë Utën e Maleve, Piter Panin, Princin e Vogël, Aventurat e Profesor Kantit, Çarlin që transformohet në T-Rex, Ditarin e Djaloshit Nerd, do të mësojnë për Musinë Kokalarin, Greta Thunberg, Nënë Terezën, e shumë e shumë personazhe të tjera.
Në Orën e Leximit, nxënësit e klasëve 1 deri në 5 të Prishtinës do të lexojnë libra që ju pëlqejnë, që i kuptojnë, dhe që do t’i komentojnë e analizojnë në klasë së bashku me shokët e klasës dhe mësimdhënësit./KultPlus.com
Një treshe fantastike e muzikantëve New York-ez elektrizuan mbrëmë publikun prishtinas me një performancë të mahnitshme që u mbajt në kuadër të Jazz Festival Prishtina i cili mbrëmë hapi siparin në Teatrin Oda, shkruan KultPlus.
Festivali i cili erdhi në kryeqytet pas pothuajse një dekade pauzë, dukej sikur iu kishte munguar prishtinasve, meqë entuziazmi i tyre për të ndjekur një ngjarje të tillë vërehej kur ata me padurim prisnin që të fillonte koncerti.
Kaltër, vjollcë dhe kuq ishin ngjyrat dominuese të skenës në të cilën pritej të performonin artistët. Ndërthurja e këtyre ngjyrave krijonte një spektër madhështor nuancash, të cilat të dërgonin në një univers paralel, në të cilin njerëzit rrethoheshin nga një aurë dashurie dhe lumturie, ku mbretëronte vetëm energjia pozitive.
Rrjedhën e kësaj magjie e ndryshoi dalja në skenë e organizatorit të festivalit Armend Xhaferi, i cili me një energji të paparë sikur e ktheu publikun në realitetin fizik, por po ashtu të bukur, me një falënderim të ngrohtë për të pranishmit në koncert.
Përkundër faktit se puna për organizimin e një festivali që kishte pauzuar rreth 10 vite, mund t’i ketë sjellë organizatorit mundim dhe stres të madh, tash kur po fillonte perfomanca, Xhaferit dukej sikur të gjitha i ishin larguar nga supet dhe me padurim e priste edhe ai fillimin e koncertit. Kjo gjë vërehej lehtësisht nga vibrimi ngazëllues i zërit të tij.
Ai me shaka tha se grupi (sa është në Kosovë) do të performojë vetëm për ta dhe askund tjetër dhe me përfundimin e performancës ata do të nisen direkt për në New York pa u ndalur askund tjetër, duke dashur të bëj me dije publikut se para vetes do të kishin maestro të muzikës jazz.
Më pas me duartrokitje të zjarrta, publiku prishtinas priti tre muzicientët New York-ez, të njohur si Brian Marsella Trio, i përbërë nga Brian Marsella – Piano, Kenny Wollesen- Bateri dhe Trevor Dunn – Kontrabas.
Emocionet e publikut morën hov qysh me fillimin e koncertit, pasi para tyre publiku tashmë kishte njerëz të cilët i kishin kushtuar një jetë të tërë, instrumentit me të cilin ata tashmë performonin.
Interpretimi i Brian Marsella në piano edhe duke qëndruar në këmbë herë pas here, si dhe lëvizjet e tij trupore të shpejta dhe strikte, dukej sikur i jepnin tonin mbrëmjes me tingujt e pianos, e pashmangshmërisht krijonin stil në vete.
Vendosja e shkopinjve në gojë, nga i cili interpretim u krijuan tinguj unik, e të pa dëgjuar deri tani gjatë mbrëmjes, nga Bateristi Kenny Wollesen, i dha kulminacionin performancës së tij, e cila u shoqërua me ovacione dhe duartrokitje të zjarrta.
Kurse Trevor Dunn, i cili performoi me kontrabas, pothuajse pati barrën kryesore për të mbajtur konstant ritmin e mbrëmjes me një lëvizje mega të shpejtë, të pa ndalshme të gishtërinjve, duke vënë po ashtu në pah dashurinë, përkushtimin dhe profesionalizmin e tij për atë instrument.
Kombinimi i kësaj treshe muzicientësh, e cila krijoi një harmoni pothuajse perfekte, la një shije të paharrueshme te publiku, i cili këtë mbrëmje e përmbylli duke dhënë duartrokitje të shumta, kundrejt artistëve në shenjë falënderimi dhe admirimi për artin e ofruar.
Këto duartrokitje të publikut, e kishin ngazëllyer edhe drejtoreshën e kulturës në Komunën e Prishtinës, Arta Balajn, sepse jepnin mesazhin e qartë se publiku u kënaq gjatë kësaj mbrëmje dhe me këtë rast misioni i tyre si mbështetës kishte arritur cakun e suksesit.
Drejtoresha Balaj në një prononcim për KultPlus u shpreh se si Komunë, janë shumë të kënaqur me organizimin dhe rikthimin e këtij festivali në Prishtinë, me shpresë që vitin e ardhshëm ky festival do të mund të mbahet edhe me vetëfinancim.
“Jemi të lumtur që pas shumë viteve po rikthehet në Prishtinë ky festival kaq i rëndësishëm. Falënderim i jashtëzakonshëm shkon për Armend Xhaferin, i cili ka qenë përkrahës prej ditës së parë. Edhe pse festivali përfundon pas katër netësh, organizimi ka marrë disa muaj me radhë, dhe të sjellim një bend të tillë si Brian Marsella Trio, ka qenë e jashtëzakonshme. Ne e pamë publikun të kënaqur dhe shpresojmë që viteve të tjera do t’i marrin këmbët dhe do të organizohen edhe vetë. Komuna është për këtë arsye, për të ndihmuar festivale të tilla që të rimëkëmben. Kështu që jemi super të kënaqur që kemi pasur mundësi për të ndihmuar Jazz Festivalin për tu kthyer në Prishtinë”, ka thënë Balaj.
Balaj gjithashtu u shpreh se ky koncert ndikon pozitivisht në imazhin e Komunës së Prishtinës pasi prezenca e artistëve botërorë e ngrit nivelin e performancës, e me këtë rast edhe entuziazmin dhe energjinë për të sjellë edhe artistë të tjerë të mëdhenj nga bota, në vitet e ardhshme.
Se ishte shumë i kënaqur me koncertin dhe se i kishin arritur pritshmëritë e tyre tha për KultPlus edhe organizatori Armend Xhaferi.
“Koncerti ishte fenomenal, shumë i mirë edhe pse kur organizon koncert është një farë stresi që nuk të lë rehat sepse e mendon çdo milimetër, çka bën dhe nuk bën, apo si po shkon koncerti në përgjithësi, por fantazi ishte”, ka potencuar Xhaferi.
Xhaferi, më tutje tregoi edhe për përshtatshmërinë e hatashme mes artistëve tanë me ata botërorë në procesin e punës në këtë festival, duke thënë se ideja themelore e jazz-it është bashkimi i njerëzve në mënyrë paqësore.
“Ideja e jazz-it është që të bashkohen njerëzit në mënyrë paqësore. Komuniteti i jazz-it gjithmonë vëllazërohen shumë shpejtë, pavarësisht se kush, çfarë nacionaliteti është. Kjo është një veti që e kanë jazz muzikantët”, tha Armend Xhaferi, organizatori i Prishtina Jazz Festival, i cili krejt për fund falënderoi edhe Komunën e Prishtinës për mbështetjen e vazhdueshme për organizimin e festivalit.
Prishtina Jazz Festival mbrëmë nisi por sonte do të vazhdojë me koncertin e radhës, poashtu në Teatrin Oda, duke filluar nga ora 21:00 ku do të performojnë 18 anëtarë, muzikantët më të mirë të Ballkanit me: Dirigjent dhe Kitarë – Armend Xhaferi, Saksofonët: Kiril Kuzmanov, Arian Randobrava, Ivan Ivanov, Arnau Garoffe, Ivan Yordanov, Boritë: Todor Bakarijev, Trajče Velkov, Aleksandar Milanov, Rajkard Bardhi, Trombonët: Saško Nikolovski, Vladislav Mičev,Ilir Vorpsi, Nikola Ristevski, Ritëm Sekcioni: Ilir Bajri – Piano, Kiril Tufekćievski – Kontrabas dhe Nesim Maxhuni – Bateri.
Ndërsa më 5 Maj, do të performojë Sara Decker Quartet, në përbërje me: Sara Decker – Vokal, Billy Test – Piano, Nicolai Amrehn – Kontrabas dhe Jeroen Truyen – Bateri, në Kino Armata, ora 21:00.
Kurse me datën 6 maj për të përmbyllur festivalin, do të ketë muzikë më melankolike nga Derya Cenk Enver Trio, në përbërje me: Derya Türkan – Kemençe, Cenk Erdogan – Kitarë dhe Enver Muhamedi – Kontrabas, në Kino Armata, në ora 21:00.
Prishina Jazz Festival këtë vit po mbahet nën patronatin e Komunës së Prishtinës., dhe tashmë ju presin edhe tri netë të tjera të mbushura me tinguj të bukur jazz. /KultPlus.com
Prishtina Jazz Festival është një ngjarje kulturore tejet e rëndësishme që po rikthehet sonte në Prishtinë pas një pushimi të gjatë. Ky festival mban të gjallë traditën e muzikës jazz në Kosovë duke prezantuar muzikantë të njohur nga bota e Jazz-it, shkruan KultPlus.
Festivali do të sjell në Prishtinë 4 koncerte të cilat do të organizohen në dy lokacione të ndryshme dhe do të ofrojnë një spektër të gjerë të zhanreve të jazz-it.
Sonte, më datë 03 Maj, në Prishtinë do të prezantohet Brian Marsella Trio, i përbërë nga Brian Marsella – Piano, Kenny Wollesen- Bateri dhe Trevor Dunn – Kontrabas. Ky koncert do të mbahet në Teatrin Oda, duke filluar nga ora 21:00.
Më datë 04 Maj, Prishtina Jazz Orchestra do të performojë poashtu në festival me 18 anëtarë, me muzikantët më të mirë të Ballkanit: Dirigjent dhe Kitarë – Armend Xhaferi, Saksofonët: Kiril Kuzmanov, Arian Randobrava, Ivan Ivanov, Arnau Garoffe, Ivan Yordanov, Boritë: Todor Bakarijev, Trajče Velkov, Aleksandar Milanov, Rajkard Bardhi, Trombonët: Saško Nikolovski, Vladislav Mičev,Ilir Vorpsi, Nikola Ristevski, Ritëm Sekcioni: Ilir Bajri – Piano, Kiril Tufekćievski – Kontrabas dhe Nesim Maxhuni – Bateri. Teatri Oda do ta mirëpres këtë koncert nga ora 21:00.
05 Maji vjen nën ritmet e Sara Decker Quartet, në përbërje me: Sara Decker – Vokal, Billy Test – Piano, Nicolai Amrehn – Kontrabas dhe Jeroen Truyen – Bateri. Koncerti mbahet në Kino Armata, ora 21:00.
Për të përmbyllur festivalin, më datë 06 Maj është rezervuar Derya Cenk Enver Trio, në përbërje me: Derya Türkan – Kemençe, Cenk Erdogan – Kitarë dhe Enver Muhamedi – Kontrabas. Koncerti mbahet në Kino Armata, ora 21:00.
Prishtina Jazz Festival është një ngjarje e rëndësishme për kulturën dhe muzikën në Kosovë, andaj ky festival do të sjellë një atmosferë të veçantë në qytetin e Prishtinës dhe do të jetë një përvojë e paharrueshme për të gjithë ata që e vizitojnë.
Koncertet do të mund t’i ndiqni duke siguruar biletat tuaja online në www.rave-travel.com.
Festivali vjen nën patronatin e Komunës së Prishtinës. / KultPlus.com
1 Maji njihet si Dita Ndërkombëtare e Punës. Ky manifestim lindi nga lufta e punëtorëve për të kërkuar dhe siguruar të drejtat, liritë dhe kushtet e punës e të jetesës.
Kjo ditë iu referohet protestave të punëtorëve, për orar të punës 8 orë, për paga mesatare të garantuara, për pajisje mbrojtëse në vendin e punës.
Për të shënuar këtë ditë, sot në mbarë botën janë mbajtur protesta, një e tillë është mbajtur edhe në Prishtinë.
Blloku anti-kapitalist, asamble e përkohshme organizative e protestave të 1 Majit, edhe sot kishte mbledhur organizata dhe individë të spektrit të gjerë anti-kapitalist për të protestuar, si: Grupi Anarko-Sindikalist i Prishtinës, Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, Komuna – Qendra Sociale, Lëvizja Feministe Studentore dhe Social Space for Deconstruction.
Në këtë protestë u bë thirrje që të kundërshtohet shtypja e klasës punëtore. Sipas tyre, pothuajse secili nga ne është i poshtëruar dhe ky poshtërim vjen kryekëput nga një sistem i cili na sheh edhe na shfrytëzon si vegla për krijim të kapitalit për klasën sunduese.
KultPlus ju sjell deklaratën e plotë të Bllokut anti-kapitalist.
Shoqe e shokë, punëtorë e punëtore, studentë e studente, të papunë e të papuna. Jemi mbledhë këtu për ta kundërshtu shtypjen e klasës punëtore, që na kapë 99% prej neve. Sot është 137 vjetori i protestave të para të ditura të klasës punëtore që refuzuan të punojnë më shumë se 8 orë në ditë. E sot 137 vite pas, ne kumtojmë që për shumicën prej nesh, kjo thirrje ka ndryshuar fare pak.
Secili nga ne, jemi më se të vetëdijshëm për nënçmimin e përditshëm që përjetojmë duke kaluar një jetë të tërë të tjetërsuar nga vetëvetja, familja dhe shoqëria. Ky poshtërim vjen kryekëput nga një sistem i cili na sheh edhe na shfrytëzon si vegla për krijim të kapitalit për klasën sunduese. Puna jashtë orarit, puna pa kontrata, rroga minimale 170 euro, vendet e pasigurta të punës, vdekjet, abuzimet, krimet seksuale nuk janë simptoma të një sistemi të keqmenaxhuar. Përkundrazi, janë pjesë të një sistemi të mirëdizajnuar i cili mbahet e rritet përmes pabarazisë, shtypjes dhe dhunës ndaj klasës punëtore. 110 vdekje dhe qindra lëndime në vendin e punës, nuk janë thjesht aksidente, ato janë vrasje. 80 përqind e grave jashtë tregut të punës nuk është thjeshtë papunësi, është pasqyrë e shtypjes sistematike ndaj grave përmes ndarjes gjinore të punës që feminizon dhe devalvon punën e kujdesit dhe riprodhimit shoqëror, për të përfituar prej saj pa ndonjë kompensim. Përjashtimi sistematik i grupeve të racializuara rome, egjiptiane e ashkalike dhe heteroseksizmi i normalizuar tregon dhunshëm që ky sistem kapitalist e patriarkal mbijeton veç përmes dhunës.
Pushtetarët, si ata social-demkorat të tanishëm, po ashtu edhe pushtetet e kaluara të djathta, së bashku me oligarkët ekonomik, tentojnë të na reduktojnë në votues e konsumator, pra në individë pa pushtet, që jetojmë në qytete të zotuara nga oligarkët mafioz, ku vlera jonë matet me sasinë që e prodhojmë dhe sasinë e gjërave që blejmë.
Mirëpo ata nuk kanë guxim të na quajnë klasë, se klasa nënkupton që ne ndajmë një realitet të përbashkët; ne punëtoret e punëtorët na përbashkon shtypja që e përjetojmë, përderisa pushtetarët i përbashkon eksploatimi që e bëjnë. E mbi të gjitha se ata janë të vetëdijshëm që nëse ne organizohemi, mund t’i këpusim zinxhirët e shtypjes e ta përmbysim këtë rend shtypës.
Prandaj ne të mbledhurit sot këtu, pjesë të klasës punëtore, para së gjithash i flasim klasës punëtore dhe nuk tentojmë të hyjmë në dialog me strukturat e tanishme. Ne jemi këtu për të kumtuar se ëndrra për shoqëri revolucionare është ende gjallë. Ne jemi këtu për t’i bërë thirrje punëtoreve e punëtorëve brenda shtëpive, fabrikave e punishteve të ndërtimit, marketeve e zyrave, nga rruga deri tek hapësirat e pastrimit, studente/ë e pensioniste/ë, të bashkohemi në solidaritet e të organizohemi në rezistencë të pëbashkët kundër sistemit shtypës e eksploatues kapitalist; drejt çlirimit dhe drejt një shoqërie të lirë e të barabartë! / KultPlus.com
Kino Rinia, e ndërtuar në Prishtinë qysh në vitin 1956, ka qenë qendër e takimeve kulturore, ku janë mbajtur edhe mbrëmje letrare, teatrore e tubime sociale.
Kjo ndërtesë ikonike tashmë është nën menaxhimin e Komunës së Prishtinës dhe së shpejti asaj do t’i kthehet funksioni i dikurshëm.
Kryekomunari i Prishtinës, Përparim Rama, ka falënderuar nënkryetaren Donjeta Sahatçiu dhe organizatën Shtatëmbëdhjetë, të cilat organizuan këtë aktivitet të veçantë, si dhe Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për bashkëpunimin.
Vite më parë, Kino Rinisë, rrezikoi t’i ndërrohej destinacioni, por organizata të kulturës në bashkëpunim me institucionet arritën që ta mbanin larg transformimit të saj në objekt tregtar. Ndërtesa është e pozicionuar në zemër të qytetit, por prej më shumë se 20 vjetësh pothuaj e braktisur.
Objekti për katër dekada pati rolin e një prej hapësirave kryesore kulturore në kryeqytet duke bërë bashkë filmbërës e filmdashës, duke inspiruar gjenerata të tëra për filmin dhe përtej. Kino Rinia 1 dhe Kino Rinia 2, bashkë me kinemanë verore akomodoi qindra shikues në ditë, me shfaqje të filmave vendor, rajonal e botëror. Vlera e këtij objekti shkon përtej filmit, duke u cilësuar si “strehe” apo “arratisje nga përditshmëria”. Po ashtu edhe një pjesë shumë e rëndësishme e Kino Rinia është roli që pati në procese të ndryshme shoqërore. / atsh / KultPlus.com
Edicioni i dhjetë jubilar i festivalit “Mirëdita, dobar dan!”, ngjarje kjo unike kulturore që organizohet në Prishtinë dhe Beograd që nga viti 2014, do të mbahet këtë vit nga 4 deri më 6 maj në Kosovë, me prezantimin e skenës kulturore, artistike, e shoqërore të Serbisë dhe me diskutimin e çështjeve kritike që kanë të bëjnë me të kaluarën dhe të ardhmen në një periudhë sfiduese për të dy shoqëritë. Qytetarët e Prishtinës do të kenë mundësinë të njihen me skenën kulturore serbe duke përfshirë muzikantë, autorë filmash, shkrimtarë e aktivistë të shumtë.
Edicioni i sivjetmë i festivalit “Mirëdita, dobar dan”, do të hapet me shfaqjen e filmit “Si mësova të fluturoj” nga Radivoje Andrić, film ky fitues i shumë çmimeve i cili na sjell një histori njerëzore për rritjen, kuptimin dhe faljen. Publiku i Prishtinës po ashtu do të ketë mundësinë të dëgjoj grupin e vajzave rome “Pretty Loud”, të cilat përmes këngëve të tyre në gjuhën rome, serbe dhe angleze, këndojnë për stereotipet, drejtësinë sociale dhe racën, por edhe për sfidat, shpresat e ëndrrat e tyre. Poetët Mirjana Narandžić dhe Đorđe Simić do të kenë mundësinë të flasin për veprat dhe përmbledhjet e tyre poetike si dhe të lexojnë poezitë e tyre në formën e një mbrëmjeje poetike.
Ashtu si edicionet e kaluara, edhe gjatë edicionit të sivjetshëm do të diskutohen tema të rëndësishme për Kosovën dhe Serbinë përmes promovimit të librit “Sërbia tjetër: Srđa Popović” nga Shkëlzen Gashi dhe debatit “Trashëgimia tjetër”, debatit “Liria e lëvizjes në rajon: tani është koha”, dhe përmes promovimit të librit “Momenti kur filloi lufta për mua” që do pasohet nga një bashkëbisedim me autorët e librit.
Dita e fundit e festivalit do të mbyllet me shfaqjen teatrore “Bimët po të ngordhnin, do bëhej nami!” nga Ivor Martinić, dhe një ndejë përmbyllëse me DJ Flip nga Beogradi.
Qëllimi i festivalit “Mirëdita dobar dan!” është prezantimi i skenës artistike dhe kulturore serbe në Prishtinë, si dhe i skenës kulturore të Kosovës në Serbi, përmes takimeve të artistëve, shkëmbimit të ideve, diskutimit për të ardhmen e marrëdhënieve mes dy shoqërive, por edhe krijimit të një tradite të bashkëpunimit mes qytetarëve të Kosovës dhe Serbisë.
Frymëzim për “Mirëdita, dobar dan!” është aktori i mirënjohur shqiptar, kosovar, jugosllav por edhe i tërë botës, Bekim Fehmiu i cili simbolizon unitetin por edhe ndarjen, por gjithashtu edhe mundësinë e bashkimit të dy hapësirave kulturore në një të vetme.
Hyrja në të gjitha ngjarjet e festivalit “Mirëdita, dobar dan” është falas.
“Mirëdita, dobar dan!”, organizohet nga Integra (Kosovë), Nisma e të Rinjëve për të Drejtat e Njeriut (Serbi) dhe Iniciativat Qytetare (Serbi), me mbështetjen e Bashkimit Evropian, Fondit për Ballkanin Perëndimor, Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës dhe Rockefeller Brothers Fund. / KultPlus.com
Prishtina Jazz Festival është një ngjarje kulturore e rëndësishme që po rikthehet në Prishtinë pas një pushimi të gjatë. Ky festival mban të gjallë traditën e muzikës jazz në Kosovë duke prezantuar muzikantë të njohur nga bota e Jazz-it, shkruan KultPlus.
Festivali do të sjell në Prishtinë 4 koncerte të cilat do të organizohen në dy lokacione të ndryshme dhe do të ofrojnë një spektër të gjerë të zhanreve të jazz-it.
Më datë 03 Maj, në Prishtinë do të prezantohet Brian Marsella Trio, i përbërë nga Brian Marsella – Piano, Kenny Wollesen- Bateri dhe Trevor Dunn – Kontrabas. Ky koncert do të mbahet në Teatrin Oda, duke filluar nga ora 21:00.
Më datë 04 Maj, Prishtina Jazz Orchestra do të performojë poashtu në festival me 18 anëtarë, me muzikantët më të mirë të Ballkanit: Dirigjent dhe Kitarë – Armend Xhaferi, Saksofonët: Kiril Kuzmanov, Arian Randobrava, Ivan Ivanov, Arnau Garoffe, Ivan Yordanov, Boritë: Todor Bakarijev, Trajče Velkov, Aleksandar Milanov, Rajkard Bardhi, Trombonët: Saško Nikolovski, Vladislav Mičev,Ilir Vorpsi, Nikola Ristevski, Ritëm Sekcioni: Ilir Bajri – Piano, Kiril Tufekćievski – Kontrabas dhe Nesim Maxhuni – Bateri. Teatri Oda do ta mirëpres këtë koncert nga ora 21:00.
05 Maji vjen nën ritmet e Sara Decker Quartet, në përbërje me: Sara Decker – Vokal, Billy Test – Piano, Nicolai Amrehn – Kontrabas dhe Jeroen Truyen – Bateri. Koncerti mbahet në Kino Armata, ora 21:00.
Për të përmbyllur festivalin, më datë 06 Maj është rezervuar Derya Cenk Enver Trio, në përbërje me: Derya Türkan – Kemençe, Cenk Erdogan – Kitarë dhe Enver Muhamedi – Kontrabas. Koncerti mbahet në Kino Armata, ora 21:00.
Prishtina Jazz Festival është një ngjarje e rëndësishme për kulturën dhe muzikën në Kosovë, andaj ky festival do të sjellë një atmosferë të veçantë në qytetin e Prishtinës dhe do të jetë një përvojë e paharrueshme për të gjithë ata që e vizitojnë.
Koncertet do të mund t’i ndiqni duke siguruar biletat tuaja online në www.rave-travel.com.
Festivali vjen nën patronatin e Komunës së Prishtinës. / KultPlus.com
Njerëzit qanin dhe puthnin autobusin e pluhrosur, sepse brenda ishte këngëtarja e madhe shqiptare – Vaçe Zela, ishte vitit 1980.
Kujtime nga Hys Shkreli, moderator i koncertit të vetëm të Vaçe Zelës në Prishtinë para tri dekadash.
Vaçe Zela! Kur degjova se ke shkuar, se ke ndërruar jetë, mu ngjall një Vaçe , të cilën e takova 34 më parë në kufirin qe ndante Kosovën më Shqipërinë… Ajo Vaçe, e kujtimeve te mia, po hynte në Kosovë për turnenë e sajë të parë e të fundit në këtë vend. Ajo Vaçe, atë ditë Maji , zbriti qetë si një flutur nga një kombi-bus i vjetër. Më përqafoi mua dhe të tjerët qe ishin tubuar për ta pritur… Në atë moment, mu bë sikur po takohëshin dy shekuj, dalë nga një popull. Sepse, aq e gjatë na ishte bërë ajo ndarje. Ne po prisnim në atë kufi afro dyzetë vjet Vaçe… Kishim dalë në kufirin që atëherë quhej jugosllavo-shqiptar, për të takuar grupin më të madhe e më të njohur të artistëve nga Shqipëria, të cilët po vizitonin për herë të parë Kosovën. As qe kam mund të ëndërroj në atë moment që, një ditë do të lavdërohem pse isha unë ai që e pagëzova kufiri shqitaro- shqiptar, e të tjerët e shpërndanë këtë emër. Atë ditë, më ty Vaçe filloi shëmbja simbolike e kufirit shqiptaro-shqiptar. E vërteta, kënga jote e kishte kaluar e rrënuar atë kufi shumë vite më parë.
Ai kufi, at ditë pranvere të vitit 1980, dukej si “toke e vdekur”, tokë e askuj, pa jetë e gjallëri. Aty s’ kishte arrijtë pranvera kurr, shekujt ishin ndalur. Dhe kjo pamje dëshmonte se sa e thellë ishte kjo ndarje e imponuar midis Kosovës e Shqipërisë. Por, atë ditë, u ngjallë ai vend si asnjëherë më parë, më ty e të tjerët qe po e thyenit at mur duke na sjellur kengëtarët e ndaluar – në Kosovën e izoluar. Vendkalimin kufitar e kishin vërshuar banorë të fshatrave për rreth , të cilët kishin dëgjuar për arrijtjen tënde e të artistëve tjerë të këngës. U dorëzuam para emicioneve. Lulet qe sollem në kufi për ju , u përzien më lote dhe… sikur u rriten për disa minuta. Ti po shkelje për herë të parë në Kosovë. Mbase nuk e dije, se ti kishe jetuar në Kosovë shumë vite – si këngë.Në atë karavan yjesh te kohës , pos teje, ishte edhe Limos Dizdari, Gaqo Çako, Luan Zhegu, Liliana Kondakçi, Zina Zdrava, Hysni Zela, e shumë të tjerë, më të cilët ne jetonim në Kosovë, por kurr nuk i kishim takuar. Ato vite, pas disa dekadave te izolimit, muri i ndarjes – po plasaritej. Në këtë klimë të re politike, artistët më të njohur të kengës nga Shqiperia, po fillonin turnenë e tyre të parë në Kosovë e Maqedoni. Disa prej tyre, nuk kishin udhëtuar kurr më parë jashtë Shqipërisë. Për herë te parë po shkelnin në një tokë të dytë – shqiptare.Ishin këto, yje të Shqipërisë të cilët ndriçonin edhe në Kosove, mirëpo kurr nuk e kishin parë këtë vend…
Isha gazetar , por bëja edhe moderime spektaklesh publike të asaje kohe. Më zgjodhen të shoqeroja këtë grup dhe të drejtoi koncertet e tyre. Udhëtimi më artistët nga Shqipëria ishte udhëtim nepër kohe, dhëmbje e ngjarje. Mbushur më momente gëzimi e gazmendi, por gjithnjë të përshkuara më situata prekëse e emocionuese. Ishte ndjenjë e çuditshme të celebrojsh takimin e shqiptarëve – më shqiptarët, rilidhjën e rrenjëve të shpërndara, ngjalljen e urave të rrënuara, bashkimin e gjakut të shprishur. Udhetonim më autobusa nga një qytet në tjeterin. Kudo që ndalëshim, rruga bëhej lum njerëzish, lagja ngjallej, qyteti zgjohej . Zejtarët para dyqaneve, plakat në dritare, të rinjte më lule – sikur takonin ëngjujt e ëndrruar. Mirëpo, në çdo turmë, kishte ndonjë nga “ata”, për të kontrolluar shprehjen e asajë, që politika e quante “manifestim i nacionalizmit”. Ndaj verehej së kishte edhe dashuri të kontrolluar, posacërisht kur njerëzit flisnin më fytyra e jo më goje. Kur goja heshte e sytë, mimika, e shpirti flisnin. E dinim se çdo eufori e tepruar, do te rezultonte më limite të reja nga pushteti jugosllav. Ndaj, edhe në këto emocione kishte vetëpermbajtje. Në vendet e palestra ku kendonit ju Vaçe, njerëzit prisnin më lule, mall dhe zjarr. Të ekzaltuar, ata xhvishnin këmishat e xhaketat dhe u venin flakën. Digjëshin këmishat e zemrat nga malli. Digjëshin ndarjet e kufijt. Ato koncerte, ishin kremte dhe protestë. Simbolikisht, ata po digjnin kohën e politiken qe ndau kombin. Ndaj, ato tubime nuk ishin vetem muzikore. Ishte ai vit i çmalljes së madhe shqiptaro-shqiptare… Shoqëronte Orkestra e Madhe e Radiotelevizionit te Prishtinës. Me vjen keq qe s’mbaj mend drejtuesit e Orkestrës, por di se Severin Kajtazi, Isak Muqolli, Krist lekaj…ishin nder më të angazhuarit . Kjo Orkestër, për herë të parë po shoqëronte solistë nga Shqipëria, ndaj të gjitha orkestrimet duhej pregaditur, dhe luajtur drejtëpërdrejtë para publikut apo “live” siç do te thonim sot.
****
Në çdo qytet qe vizitonim shpërthenin vullkane admirimi e dashurie për ju.
Eprorët tu , më këshilluan që moderimin ta bëj sa më zyrtar . Ata kritikuan pse moderimi im, sipas tyre, dukej pakëz perendimor. Më këshilluan që të mos e ngrisë zërin, kur shqiptoj emrat e artistëve, sepse kjo ua kujtonte moderatorët italian, stil ky i vleresuar si modernist e borgjez në Shqipëri. Pastaj, unë mora kritika edhe nga ana tjetër, kosovare. Pasi që në atë kohë, dygjuhësia në Kosovë ishte e obliguar në tubime publike, më thanë së do te duhej pershendetur publikun më një fjali edhe në gjuhen serbokrate, ose do te angazhonin një serb Ishte ky nje provokim. Nëse publiku serb, vjen në koncerte të Vaçe Zelës, atvherë bisedojmë për çeshtje, sygjerova unë. Vaçe Zela. A të kujtohet koncerti në Prishtinë? Na the, së as në Shqipëri nuk kishe përjetuar momente te tilla. Ishte ngjarja më e madhe skenike që kishte parë Prishtina në ato vite. Në Palestrën e Sportit, ku mbahej koncerti, po takohëshin të gjithë lumejtë shqiptarë. Njerëzit nga rajonet, kishin ardhur për të i lidhur dekadat e shkëputura nepërmjet zërit tënd. Ti e ndeze Prishtinvn dhe ua shkunde rrudhat atyre që kishin filluar të vjeshtohën e nuk shpresonin që një ditë do të t’kenë në skenën e qytetit të tyre. Këngët tua i dhanë një shpirt të ri atij qyteti. Sot, sikur i shoh imazhët e nënave që sjellnin edhe foshnjët e tyre për t’ u fotografuar më ty, të bindura së ato momente nuk vijnë më, por bëhen histori.. A to kujtohet gazetarja që nderpreu intervistën më ty, sepse nuk i permbante dot lotët…Njerëz që kurr nuk të kishin takuar, hynin më fëmijë, nëna, gjyshe… në dhomën tënde prapa skenës, dhe shtangoheshin kur të shihnin: Ata qanin – ti qaje. Kishte diçka te çuditshme, gadi hyjnore në ato përqafime. Herë herë, u ngjanin takimit më dikend që sapo da dal nga burgu. Disa, si të hipnotizuar qëndronin para teje e ti puthnin duart. Nuk flisnin shumë. Lotët u zenin vendin fjalëve.
*****
Vaçe Zela. A të kujtohet mbrëmja e fundit para se të ndahemi në Ohër? Nata e fundit në Hotelin “Metrpopol”, ku kënduam, festuam e qeshem deri në mengjes. E ne agim, si një këmbonë, na ngriti në këmbë Gaqo Çako me thirrjet e tij nga teraca e hotelit, më tërë zërin që kishte…”Ooo Selimoooo”…Kush është Selimi, pyetem ne? E dinim se Gaqo kishte pirë pakëz raki, por nuk ishte i dehur. Thërriste më tërë zërin. Pastaj sqaroi se, matanë liqenit, në Poradec, paska një kolegë ushtrije qe quhej Selim …” Dua ti them atij , ja ku jam unë e ku je ti”, shtoi ai.Për ne, kjo tinglloi si humor ,pasi s’dinim nëse nga Selimi kishte kujtime të mira apo të keçija. Një orë më vonë, Gaqo Çako, dhe të tjerët, ishin pertej liqenit, në anën e Selimit… Ne që mbetem në këtë anë të liqenit, e veshem pikllimin. Të dy palët po kthëheshim në botërat e tyre të ndara. Shqipëria e Madhe e Këngës, të cilën e ndertuam gjatë atyre ditëve, përfundoi. Serish u nda në dysh…
Vaçe Zela. Pas tri dekadash,u ktheve për herë të dytë në Prishtinë. Herën e kaluar na solle këngën, kësaje radhe – pikllimin. Hyre për herë të fundit në Teatrin e Operas dhe Baletit në Tiranë dhe nga aty shkove lartë në qiell. Yjet si ti – i takojnë qiellit. U bashkove më yjët tjera shqiptare, Elena Gjikën, Aleksander Moisiun, Gjon Bellushin, Elena Ciriqin, Ibrahim Kodrën, Bekim Fehmiun.Ti mbetesh Teuta jonë e këngës tonë . Të fala yjeve Vaçe. Pusho atje lartë të Dielli yt i Ri , dhe vazhdo te ndiçojsh… / KultPlus.com