UP e nderon me titullin “Doctor Honoris Causa” laureatin e çmimit Nobel, Dan Shechtman

 

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ka mbajtur sot ceremoninë e ndarjes së titullit “Doctor Honoris Causa”, për laureatin e çmimit Nobel, prof. Dan Shechtman.

Titulli i nderit i ndahet për punën e tij inovative mbi kuazikristalet dhe kontributin e rëndësishëm në avancimin e shkencës së materialeve, si dhe përkushtimin e tij të vazhdueshëm për përdorimin e shkencës dhe teknologjisë për mirëqenien e shoqërisë.

Gjatë kësaj ceremonie, rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Qerim Qerimi tha se është nderë për Universitetin që të ndaj çmimin për Dan Shechtman për punë  e tij në fushën e shkencave materiale i cili në vitin 2011 morri edhe çmimin Nobel në kimi. / KultPlus.com

Jeta Zymberi nderohet me titullin “Doctor Honoris Causa” nga rrjeti global GSFEN

Rrjeti Global Socio-Economic and Financial Evolution Network ka nderuar sot me titullin “Doctor Honoris Causa”, Jeta Zymberin, studiuesen e letërsisë dhe redaktoren e gazetës për art dhe kulturë – KultPlus.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë Zymberi përmes rrjeteve sociale duke u shprehur e nderuar për këtë vlerësim të radhës nga GSFEN, pasi në muajin qershor ajo u shpall “Ambasadore e Paqes” nga po ky rrjet.

“Rrjeti Global Socio-Economic and Financial Evolution Network më nderoi sot me titullin “Doctor Honoris Causa”. Faleminderit për këtë vlerësim që për mua është nder dhe do të mundohem t’i shërbej në mënyrën më të mirë”, ka shkruar Zymberi teksa ka njoftuar se ajo gjithashtu do të jetë një prej folësve në konferencën “Global Leadership Conference 2022” të organizuar nga GSFEN.

“Gjithashtu faleminderit për ftesën që të jem një prej folësve në konferencën “Global Leadership Conference 2022” të organizuar nga GSFEN ku bashkë me panelistë nga e gjithë bota do të flasim mbi temën “Understanding Modern Humanitarianism”.

Faleminderit Prince Blessing Lawal dhe Ambasadorit Tahir Shabani”, shkruan Zymberi.

Jeta Zymberi u lind në Gjakovë me 15 prill 1991. Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në Gjakovë. Studimet Bachelor dhe Master për Letërsi Shqipe i përfundoi në Universitetin e Prishtinës, Fakulteti i Filologjisë.

Në vitin 2016 u punësua gazetare në gazetën për art dhe kulturë- KultPlus.com ku vazhdon aktualisht si redaktore. Gjithashtu është Anëtare e bordit në Organizatën joqeveritare “ProPlus”.

Në vitin 2019 u shpall “Gazetarja më e mirë për vitin 2019 në KultPlus” çmim të cilin ia dorëzoi themeluesja e KultPlus, Ardianë Pajaziti.  

Në vitin 2020 nga Bashkimi Evropian – Europe House Kosovo, u shpall fituese e garës së fotografisë “Covid-19: Gratë dhe tregimet e tyre” (vendi i dytë), çmim të cilin ia dorëzoi Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomáš Szunyog,

Jeta Zymberi gjithashtu ka qenë anëtare e jurisë në konkursin “Poezi për Paqe” organizuar nga KultPlus dhe UN Women në vitin 2019 si dhe anëtare e jurisë në konkursin “Letër Presidentes” në vitin 2021.

Në kuadër të KultPlus, Jeta ka qenë pjesë e projekteve kulturore si: KultWoman (11/2018 – 03/2019), Ta zbardhi ftyrën (2017 – 2019), KultStrofa (2017 – 2018), Pen for Culture (11/2019 – 10/2020) e shumë të tjerë. / KultPlus.com

Petrit Ruka nderohet me titullin “Doctor Honoris Causa”

Poeti Petrit Ruka u nderua sot me titullin “Doctor Honoris Causa”, për kontributin e veçantë me anë të krijimtarisë poetike, me poezitë e të cilit përjetohen motivet e Shqipërisë së dikurshme, por dhe të kohës modern.

Për krijimtarinë poetike, që një gjymtyrë e ka të zhytur në traditën polifonike dhe tjetrën në poezinë e kultivuar, vargu i të cilit prehet tek tradita dhe pikëtakimi me bashkëkohësinë.

Në ceremoninë e zhvilluar për dhënien e titullit ishte i pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama.

Kryeministri Rama vlerësoi krijimtarinë e tij, duke e cilësuar se bëhet fjalë për një autor që krijon në vazhdimësi vlera që janë origjinale e burimore e të lidhura me shumë gjëra, që në mos i dimë, i ndjejmë si pjesë e kësaj shoqërie e vazhdues të një historie edhe pas nesh.

“Petrit Ruka është një poet, shkrimtar, skenarist, një qenie e rrallë në mexhelisin e kulturës dhe të artit tonë, një autor të cilin nuk e gjen me lehtësi siç i gjen të famshmit e të gjitha llojeve, që nga ata të llojit që meriton famën, te ata që famën e kanë të pamerituar apo sponsorizuar, stimuluar a vetëkrijuar”, tha Rama.

Rama theksoi se në qenien dhe në biografinë e qenies së tij si autor, ka një tipologji shumë të veçantë. “Jo se është i vetme apo i pari që përpiqet të shtrihet në të gjitha fushat ku krijuesi shtrihet me fjalë, por se ka një kapacitet transformues të jashtëzakonshëm në qenien e tij, duke kaluar nga një zhanër në tjetrin e duke i dhënë çdo zhanri diçka që është vërtet origjinale e për t’u admiruar”, vlerësoi Kryeministri.

“Dua t’i uroj Petriti që të vazhdojë të ketë sa më shumë energji, kohë e dëshirë për të vazhduar të jetë ai që është në këtë tokë, që siç thotë Petriti, është një teatër tragjedish ku të gjithë janë njëkohësisht dramaturgë e autorë e ku nuk ka shikues, suflerë dhe regjisor”, tha Rama.

Do të mbetet për një herë tjetër, mbase do të na jepet mundësia, vijoi Rama, për një bisedë, nëse kjo tokë është një tokë tragjedish apo komedish, apo të dyja bashkë.

Poeti, Petrit Ruka në fjalën e tij vlerësoi se botimi “Andej baltë e këtej erë” sjell disa balada arbërore që janë mbase, thesari më i madh që ka arritur të grumbullojë në shekuj gjuha shqipe dhe të cilat, theksoi Ruka, prej vitesh kam dashur t’i risjell të veshura artistikisht në kohërat tona moderne./atsh/ KultPlus.com