Paragrafe nga libri “Vëllezërit Karamazov”

“Në rrugën time të jetës nuk kam hasur gra të shëmtuara. Unë rroj me mendimin se në çdo grua gjenden të fshehura shumë gjëra joshëse, dhe ato që i gjen te njëra, nuk i gjen të tjetra, vetëm se duhet që t’i zbulosh, ja kjo është e gjitha.

Kërkon talent! Se për mua shëmtaraqe nuk ka. Se vetëm fakti që ajo është femër, kjo është gjysma e të tërës.

Madje edhe lëneshat, në mesin e tyre ndonjëherë has thesare të tilla, që nuk i gjen te të tjerat, dhe vë duart në kokë, kur sheh që në këtë botë ka halldupë që nuk ua kanë pikasur hiret dhe i kanë lënë të plaken!”

Fyodor Dostoyevsky, “Vëllezërit Karamazov” /KultPlus.com

Fyodor Dostoyevsky, “Vëllezërit Karamazov”

Fyodor Dostoyevsky është njëri nga shkrimtarët më të famshëm të të gjitha kohërave që i ka takuar rrymës egzistencialiste. Këtu kemi zgjedhur një pjesë të shkurtër nga libri i tij “Vëllezërit Karamazov”, shkruan KultPlus.com

“Nuk ka asnjë dyshim që ndonjë i ri tjetër, natyrë e matur dhe e kujdesshme, ndonjë që i përmbajtur i shfaq ndjenjat e dashurisë dhe të adhurimit, një tjetër tip, që di të dashurojë jo marrëzisht, por vetëm aq sa duhet, një që di të bëjë punët me mendje në kokë, që e mat shtatë herë dhe e pret një herë, dhe tregohet kudo dhe në çdo gjë i arsyeshëm (e kjo nuk çmohet shumë), pra, një i ri i këtillë, për mendimin tim, do ta kishte shmangur atë që ndodhi me Alioshën.

Por, jua them unë, se ndonjëherë nderohesh më shumë kur i jepesh me gjithsej pasioneve rinore, qofshin ato edhe të paarsyeshme, por që vijnë si rrjedhojë e dashurisë së madhe, se sa kur nuk jepesh aspak.

Aq më keq, kur është fjala për moshën e re, kjo bëhet e papranueshme dhe nuk i zë dot besë atij njeriu, që në jetë udhëhiqet thjesht dhe vetëm nga arsyeja, nga të qenit esëll, duke e ulur kështu në maksimum çmimin.”

Fyodor Dostoyevsky, “Vëllezërit Karamazov. /KultPlus.com

Dy kategoritë e njerëzve sipas Dostojevskit

Njerëzit në përputhje me ligjet e natyrës, ndahen në përgjithësi në dy kategori: në të ulët (të zakonshëm), në lëndë që shërben për riprodhim të të tjerëve si ata vetë, dhe në njerëz me dhunti e talent, të zotë për të thënë fjalën e re në mjedisin ku jetojnë.

Nëndarjet janë të panumërta, veç shenjat dalluese të kategorive janë të theksuara.

Kategoria e parë janë njerëz me pikëpamje konservatore, të ngurta, këta rrojnë të nënshtruar dhe të bindur dhe u pëlqen të jenë të tillë, këtë destinacion kanë, asgjë poshtëruese në këtë mes nuk ka.

Kategoria e dytë e shkel ligjin, bënë shkatërrime apo ka prirje për të bërë, kjo varet nga rrethanat dhe zotësia e individit. Krimet e të tillëve kanë, sigurisht, karakter relativ; në të shumtën e herëve këta ngulmojnë përmes deklaratave gjithfarëshe në shkatërrimin e të tashmes në emër të më të mirës.

Dhe në qoftë se për hir të idesë këtij i duhet të ecë mbi kufomat e të tjerëve , në vetëdijen e tij, ky, për mendimin tim, mund t’ia lejojë vetes të çajë përpara qoftë edhe me gjakderdhje. Sigurisht, kjo varet nga lloji i idesë dhe përmasat e saj, kjo duhet të theksohet.

Në këtë kuptim kam shkruar për të drejtat e krimit. Sidoqoftë, asgjë shqetësuese këtu nuk ka: të zakonshmit kurrë nuk u’a njohin këtë të drejtë, i pushkatojnë, i varin, duke përmbushur kështu destinacionin e tyre konservator, ama brezat pasardhës i vënë të ekzekutuarit në piedestal dhe u përulen me nderim.

Kategoria e parë është zot i të sotmes, kategoria e dytë është zot i të ardhmes. Të parët ruajnë paqen dhe shumojnë njerëzimin, të dytët shtyjnë përpara botën, e përcjellin atë te qëllimi.

Si të parët, ashtu edhe të dytët kanë të drejtë të plotë për ekzistencë…

Libri i Dostojevskit mes qindra librave të ndaluar në Kuwait

Autoritet e Kuwaitit kanë vendosur në listë të zezë rreth 1,000 libra në një festival të letërsisë, përfshirë edhe ‘Vëllezërit Karamazov’, tematika e së cilës është e vendosur në Rusinë e shekullit të 19, që trajton moralin, vullnetin e lirë dhe egzistencën e Zotit.

Dostojevski i është bashkuar një numri në rritje të shkrimtarëve që po përfshihen në trendin konzervativ të politika dhe shoqëri.

Ministria e Kuwaitit ka vënë në listë të zezë më shumë se 4,000 libra gjatë pesë viteve të fundit përshirë, Viktor Hygon dhe Gabriel García Márquez. /KultPlus.com

“Ai është atje…”, pesë libra që flasin mbi Zotin

Zoti nuk paraqitet shpesh në librat e zhanrit trillim, por në librat e tillë, sikur tek Dostojevski e tek Burgess, Zoti vjen në forma të ndryshme.

Po i prezantojmë këtu pesë libra në të cilët flitet për Zotin, më shumë se në librat tjerë.


– Vëllezërit Karamazov / Dostojevski
“Zoti është i vdekur”, dhe kësisoj është interpretimi i Ivan Karamazov. Debati vazhdon midis tij dhe vëllait, Alyoshas, për vuajtjen e njerëzve në botë, për dhunën që përjetojnë fëmijët, vrasjet. A ja vlen të jetohet me dashuri në një botë ku fëmijët, sidomos ata, vuajnë?

– The Last Temptation / Nikos Kazantzakis
Është diçka thelbësore në këtë libër rreth jetës së Jezusit që mungon tek Ungjilli, ndërsa rekomandohet për ata që duan të dinë më shumë për natyrën e jetës së Jezusit dhe për udhëtimin nga njeriu tek Zoti. Pjesa e fundit e librit, shumë e përfolur nga të krishterët, është një prej pasazheve letrare më misterioze, imagjinuese dhe magjepsëse.


– Earthly Powers / Anthony Burgess
Në qendër të këtij libri 800 faqësh është Carlo Campanati, një prift që bëhet kardinal, e më pas Papë (përfaqësues i Zotit në Tokë), ndërsa e rrahë një biznesmen nga Malajzia, e torturon një oficer gjerman, e krejt në fund e shkruan një traktat për dashurinë e përbetuar të krishterimit. Ky mbetet një ndër personazhet letrare, morali i të cilit mbushet plot me predikime e me errësirë.

– The Time of the Angels / Iris Murdoch
Kjo i ngjan një telenovele ku “Zoti ka vdekur”. Shtatë karaktere provojnë të jetojnë, në frekuenca të ndryshme të sikletit, në një botë ku nuk ka Zot. Kjo është problematika kryesore ekzistenciale, me ngjarjen që ndodhë në një kështjellë të vjetër rrethuar me mjegull, ku edhe të jesh njeri i mirë është një betejë. Boshllëk do të jenë engjëjt keqdashës, edhe nëse bota ka a s’ka Zot. Nëse largohemi individualisht nga Zoti, më pas do të detyrohemi të dëgjojmë vetëm Tchaikovskyn, shkruan autorja e librit.

– Moderniteti dhe Holokausti / Zygmunt Bauman
Jo një novelë, por një libër studimor ku Zoti vjen në forma të ndryshme. “Zoti, është atje, në flakët ku po digjen fëmijët”, thonë viktimat e Holokaustit në kërkim të Zotit që do ti shpëtojë. Bauman e shkruan librin pasi ka hulumtuar për vite e vite se si është e mundur që moderniteti e lejoi Holokaustin. Sot, diçka e tillë mund të ndodhë me lehtësi e bota të jetë e trullosur prej aktualiteteve tjera. Zoti, ku është?

(Një pjesë e listës është marrë nga The Guardian ) / KultPlus.com