UNESCO: Parku “Drilon-Tushemisht” në rrezik nga ndërhyrjet pa kriter

Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore ka ngritur shqetësimin se në javën e ardhshme UNESCO pritet të zyrtarizojë vendosjen e parkut natyror Drilon-Tushemishtit në liqenin e Ohrit në listën e pasurive të rrezikuara. Prej kohësh ky shqetësim ishte ngritur nga shoqatat mjedisore për shkak të ndërhyrjeve pa kriter në bregun e liqenit.

“Kjo është merita e planit të menaxhimit të AADF në bashkëpunim me ministrinë e Mjedisit dhe Turizmit dhe shumë ndërhyrjeve të tjera të gabuara në vijën liqenore” – thuhet në një postim në Facebook.

Aty citohet edhe rekomandimi që ka bërë UNESCO: “Misioni i vitit 2024 konfirmon gjetjet e misioneve të mëparshme, duke arritur në përfundimin se ndikimet kumulative dhe të vazhdueshme – duke përfshirë zhvillimin urban, mangësitë në planifikimin hapësinor, ndërhyrjet e papërshtatshme, eutrofikimin e liqenit, infrastrukturën në shkallë të gjerë dhe projekte të tjera kanë shkaktuar përkeqësim serioz të atributeve kryesore të parkut, duke rezultuar në degradim të pakthyeshëm nëse nuk merren masa vendimtare, dhe konsideron se kushtet për regjistrimin e pronës në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik janë përmbushur, në përputhje me paragrafët 179-180 të Udhëzimeve Operacionale” – thuhet në rekomandimin e UNESCO./ KultPlus.com

Natyrë si “e pikturuar”, Pogradeci, ky destinacion turistik që duhet shijuar në çdo stinë

Në Pogradec nuk të pret vetëm natyra e bukur dhe turizmi familjar, por edhe një botë plot aventura dhe histori.

Pogradeci dhe rrethinat e tij, ofrojnë për turistët një atraksion të përhershëm turistik me natyrën, kulturën dhe historinë që i japin madhështinë, ndërsa Liqeni i jep hijeshinë.

Përveç liqenit, Pogradeci ka edhe shumë bukuri të tjera natyrore në periferinë e tij, në fshatrat që e rrethojnë, ka monumente të rëndësishme kulturore e historike që të tërheqin t’i vizitosh.

Pogradeci ofron shumë mundësi për turizëm ujor, malor dhe historik. Gjithashtu edhe kuzhina dhe kulinaria pogradecare është shumë e veçantë dhe e pëlqyeshme nga vizitorët shqiptarë dhe të huaj.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, publikoi një video me pamje nga Pogradeci për promovimin e qytetit në juglindje të vendit, që mbledh rreth vetes mijëra turistë në çdo stinë të vitit.

“Pogradeci, ky destinacion turistik që duhet shijuar. Aty gjen njerëz mikpritës e të buzëqeshur, peizazhe fantastike, atraksione që duhen shijuar”, – tha Klosi.

Në këtë qytet kudo ka bukuri si Lini, një gadishull i vogël në brigjet perëndimore të Liqenit të Ohrit me një fshat të bukur me të njëjtin emër.

Shtëpitë janë të ndërtuara prej guri dhe tulla në anët e rrugicave të ngushta mbuluar me pjergulla. Në jug të Linit, afër Buqezës në liqen, në thellësinë 2-3 m ndodhen disa palafite. Ai është një vendbanim i tipit liqenor ndërtuar në sipërfaqe të liqenit, si ajo e Maliqit në rrethin e Korçës. Ka gojëdhëna që dikur gadishulli i Linit ka qenë një ishull i bukur me bimësi të lulëzuar.

Ndërsa burimet e Drilonit që ndodhen rrëzë kodrave afër fshatit Tushemisht dhe Gurras, 4 km nga Pogradeci kanë një pamje të pakrahasueshme.

Këtë monument natyre mund ta vizitoni në qoftë se ndiqni rrugën Pogradec-Doganë-Shën Naum. Ai është një burim i madh gëlqeror që buron me rrjedhje vertikale të ujit në fund të bllokut gëlqeror, duke vazhduar më pas rrjedhjen në liqenin e Ohrit. Uji vjen nga liqeni i Prespës përmes Malit të Thatë. Uji del jashtë si një burim i madh i veçantë me një rrjedhje prej 7 m3 /sek. Zona është e rrethuar me bimësi të dendur.

Pogradeci ka edhe mjaft kisha mesjetare si Kisha e Shën Bitrit, që vendasit janë mësuar ta thërrasin kisha e Shën Bitrit, ndodhet disa qindra metra larg fshatit Potkozhan.
Kjo ndërtesë e vogël prej guri, mbuluar me plloça është me vlera unikale përsa i përket dy kupolave të vogla në anën lindore dhe murit shumë të veçantë pikturuar me afreske në pjesën e brendshme të tij. Edhe pse afresket janë dëmtuar, vizitorët përseri mund të admirojnë misterin dhe bukurinë e shenjtorëve pikturuar në muret e tij.

Një tjetër kishë është ajo e Shën Marenës në veri të fshatit Llenge, zonë e Pogradecit, me një pamje dominuese në majë të malit mbi lumin Shkumbin. Kisha është një ndërtesë e vogël afërsisht 8-12 metra e gjatë. Altari është i ndarë nga pjesa qendrore e kishës me një ikonostas druri 6 m të gjerë dhe 4 m të lartë. Ikonostasi është gdhendur me motive luleje. Gjithë pjesa e brendshme e kishës është e mbuluar me afreske që i përkasin dorës së mjeshtrit të këtyre zonave, Kostandin Shpataraku.

Qyteti i Liqenit, Pogradeci, është qyteti elitar i Shqipërisë i cili vizitohet në të katër stinët./atsh / KultPlus.com