“Edhe Evropa t’i hap dyert për ne… ne nuk do ta lëshojmë!”, me fjalët e Hamëz Jasharit shpalosen bukuritë e Kosovës

Jeta Zymberi

Projekti “This is Kosovo” realizuar vitin e kaluar nga fotografi Ylber Kabashi rezultoi si shumë i suksesshëm duke marrë pëlqimin e publikut, e pikërisht kjo ishte arsyeja që e shtyri Kabashin për të sjellë pjesën e dytë të këtij projekti, shkruan KultPlus.

Përmes videos së shkurtër “This is Kosovo”, fotografi shpalos bukuritë natyrore të Kosovës, gjithmonë i magjepsur me to.

Video është realizuar me dron dhe përmes saj Ylberi synon t’i tregojë botës se Kosova është një vend shumë i bukur e i mbushur me vende mahnitëse që i ka krijuar nëna natyrë.

“Strategjia ime ndryshon gjatë kohës, por misioni im për vendin tim asnjëherë. Historia jonë më bën ta eksploroj këtë vend të bekuar e të kuptoj sakrificën. Duke ndjekur vizionin tim hap pas hapi”, thotë Kabashi për KultPlus.

Video nis me thënien e njohur të Hamëz Jasharit thënë me një intervistë para 23 viteve: Edhe Evropa t’i hap dyert për ne… ne nuk do ta lëshojmë!

Sipas Kabashit, kjo thënie është legjendare dhe ka mbetur në histori, ndërsa përmes këtij projekti ka dashur ta ripërtërijë.

Ai tutje tregon se këtë projekt e ka realizuar me shumë kënaqësi e njëkohësisht krenarë që këto bukuri po ju prezanton edhe të tjerëve.

“Edhe pse unë jam një eksplorues i bukurisë dhe sytë e mi janë mësuar të shohin pamje mahnitëse, natyra e Kosovës sime të dashur nuk pushon së më mahnituri. Shijoni pjesën e dytë të “This is Kosovo”. Shihni më shumë, ndjeni më shumë!”, thotë Kabashi. / KultPlus.com

Fshati i bukur i Italisë, prej të cilit po zhvendosen të moshuarit

Campodimele u bë vend i njohur për njerëzit e moshuar, që jetonin gjatë dhe shëndetshëm. Por në mënyrë misterioze, këta të moshuar thuajse janë zhdukur.

Të ardhurat e konsiderueshme, nga turistë të shumtë, kanë çuar në një rikonstruksion të qendrës historike të fshatit, ndryshim të stilit të jetës dhe kjo ka dëbuar banorët e moshuar.

“Në të kaluarën unë shëtisja, çdo mëngjes, në sheshin e fshatit për të kaluar kohën me miqtë e mi, të afërmit dhe njerëzit që kam njohur, duke biseduar në lokal ose duke u ulur në stola e duke admiruar luginën”, tha një vendas, 81-vjeçar, Benito Spirito.

“Po gumëzhinte nga jeta, kishte kaq shumë njerëz dhe turistë në sheshin e vjetër. Tani vështirë se shkoj më, është pothuajse bosh. Është e trishtueshme”, u shpreh një banor tjetër.
Në fund të shekullit të kaluar, kur u përhap lajmi për këtë fenomen të banorëve të tij jetëgjatë, fshati u bë një thesar kërkimi për shkencëtarët, mjekët, profesorët e universiteteve dhe turistët kureshtarë, teksa kërkonin mënyrat e të jetuarit gjatë dhe shëndetshëm.

Pas disa vitesh studime, u arrit në përfundimin se, pleqtë e fshatit përfitonin nga një kombinim i ajrit të pastër, të pasur me oksigjen që frynte në male, natyrës së pa ndotur, një diete të pasur me bishtajore dhe një mënyrë jetese të thjeshtë, por edhe faktorë gjenetikë. Shumë prej të moshuarve nuk shfaqin sëmundje të zemrës, kolesterolit, apo presionit të gjakut.

I ngritur midis Romës dhe Napolit mbi rrënojat e një vendbanimi të vjetër, emri i Campodimele, ‘’Campus Mellis’’ etimologjikisht i referohet jetës së kaluar, si një qendër e madhe e prodhimit të mjaltit.

Një vend me peizazh piktoresk, rrugica të ngushta me kalldrëm, të rrethuar nga mure mesjetare dhe kulla antike, ka tërhequr gjithmonë turistë, por këta u shumëfishuan sidomos pas famës që u përhap.

Të gjithë donin të takonin njëqindvjeçarët heronj, të ulur në stola, duke ecur mbi shkopinj, duke biseduar në sheshin kryesor të fshatit, apo gjyshet që pushonin në prag të derës duke qëndisur, ose duke u buzëqeshur vizitorëve nga verandat e tyre të zbukuruara me vazo shumëngjyrëshe.

Tashmë, gjithçka duket se ka ndryshuar. Sot, popullsia është jo më shumë se 450 banorë, gjysma e asaj që ishte 30 vjet më parë, dhe shumica e njerëzve të moshuar të mbetur, janë zhvendosur në qytete dhe shtëpi të reja. Në vitin 2000, ata mbi 80 vjeç përbënin 80% të popullsisë së përgjithshme të fshatit, tani ata numërojnë vetëm 67%, sipas të dhënave lokale, por afërsisht vetëm 50 jetojnë aty gjatë gjithë vitit.

Vetëm 2 persona 100-vjeçarë kanë mbetur, dhe ata tani jetojnë me fëmijët e tyre në qytete më të mëdha. Kështu, fshati historik, që dikur lulëzonte me jetë, tashmë është i banuar nga vetëm disa familje me gjashtë pleq.

Një ndryshim i plotë ka ndodhur me infrastrukturën e këtij vendi, ku pak nga rrugët e fshatit kanë mbetur me kalldrëm, banesat janë restauruar, çatitë dhe dritaret kanë humbur stilin e tyre të vjetër, po ashtu dhe sheshi qendror, dikur pika e nxehtë e të vjetërve, tashmë është bosh. Mbetjet e vetme të së kaluarës janë kopshtet e harruara të shtëpive. Megjithatë, fshati ende vjen në jetë gjatë verës, kur ish-banorët kthehen për të kaluar pushimet.

“Jeta rurale pothuajse është zhdukur, përpiqemi të mbijetojnë me pensione të vogla ose me mbështetjen e familjarëve. Jeta shoqërore e fshatit, traditat janë zhdukur”, thotë një ndër të paktët pleq që kanë mbetur. Fajtorë për këto ndryshime ai bën mënyrën e re të jetesës, por edhe politikat e ndjekura apo investimet e bëra, që kanë humbur origjinalitetin e fshatit në shumë aspekte.

Nga ana tjetër, këshilltari lokal i kulturës, Tommaso Grossi, thotë se ai është i shqetësuar për trendin e shpopullimit dhe faktin që sheh se vdekjet po i tejkalojnë lindjet. Paratë publike janë investuar për ta bërë fshatin më tërheqës dhe më të arritshëm për njerëzit e moshuar. “Ne kemi dashur të ruajmë identitetin origjinal dhe integritetin arkitektonik të qendrës historike duke restauruar banesat në një mënyrë uniforme”, thotë ai.

Të moshuarit po largohen, për shkak të jetesës së vështirë. Në qendrën e vjetër, makinat nuk lejohen dhe banorëve u duhet të mbajnë gjithçka vetë, nga ushqimi e deri te drurët për zjarrin e dimrit, apo të lëvizin kudo në këmbë, gjëra këto mjaft të lodhshme për njerëzit e moshuar. Dimri mund të jetë shumë i ashpër në Campodimele dhe shpesh bie shumë borë, çka dhe mund t’i izolojë të moshuarit. Për këto dhe arsye të tjera, janë detyruar të zhvendosen, në shtëpi më të mëdha, pranë familjarëve të tyre, që mund të kujdesen për ta.

Megjithatë, shumë shtëpi të restauruara në fshatin e vjetër janë blerë nga pasardhësit e emigrantëve të pasluftës në Campodimele, të cilët e vizitojnë, fshatin gjatë verës. “Ne jemi krenarë që mburremi me një komunitet të madh Campodimele në Kanada, Brazil dhe Angli të cilët ndiejnë akoma lidhjen me origjinën e tyre dhe u pëlqen të kalojnë muaj të qetë në fshatin e paraardhësve të tyre”, shton këshilltari lokal i kulturës, Grossi.

Qytetarë, të larguar herët nga ky vend, akoma kanë kujtime të gjalla nostalgjike të fëmijërisë së tyre duke përmendur meshat e së dielës, gratë e moshuara ulur në shkallët e rrugës ose para kishës dhe gjallërinë e fshatit, kur ishte në kulmin e shkëlqimit të tij në vitet 1900.

Në jo më shumë se 10 vite, banorët e mbetur kanë frikë se gjithçka që do të mbetet nga Campodimele do të jetë kujtimi i një qyteti fantazmë. Disa prej tyre betohen se nuk do ta braktisin kurrë vendlindjen e tyre, dhe zotohen të vazhdojnë rutinën dhe mënyrën e jetesës, që kanë bërë gjithmonë, e që u ka falur atyre një jetë të shëndetshme dhe të gjatë.

Këta të paktë banorë të mbetur apo dhe pasardhës që kanë investuar në fshat, mundohen vazhdimisht t’i rikthejnë gjallërimin e dikurshëm. Edhe në kohë të vështira si ato të një izolimi global, që shkaktoi, pandemia Covid-19, festime dhe panaire të ushqimit organizohen për të joshur turistët dhe për t’u ofruar atyre receta që thuhet se kontribuojnë në jetëgjatësinë.

Pavarësisht se fshati po zbrazet dhe shumëçka po venitet, për autoritetet vendase, Campodimele ka ende të gjitha mundësitë që u duhen qytetarëve për të jetuar deri në një moshë të pjekur. Mjekët, sipas tyre, po analizojnë një grup të rinjsh dhe duket se edhe ata mbajnë të njëjtin gjen, duke u mburrur për një shëndet të mirë, me yndyra të ulëta të gjakut. Shumë pleq ende vazhdojnë të jenë në gjendje të ecin nëpër fshat, duke shkuar në bar për një kafe, e të vazhdojnë ritmin e tyre të jetës. /indeksonline/ KultPlus.com

Mrekullia e Nënës Natyrë: Tunelet e mahnitshme në Irlandë (FOTO)

Nëna natyrë ka ditur që gjithmonë të mahnisë njerëzimin me bukuritë që dora e njeriut rrallë herë mund t’i realizonte, shkruan KultPlus.

Ndër vendet që cilësohet për natyrën e mrekullueshme është edhe Irlanda. Vizitorët e këtyre tuneleve janë të shumtë, mirëpo ata që i vizitojnë më shumë janë çiftet që realizojnë sete të ndryshme fotografike.

Në vijim, KultPlus ju sjell disa fotografi të tuneleve të krijuara nga vetë Natyra, tunele këto që gjenden pikërisht në Irlandë. / KultPlus.com

Pamje fantastike të Kosovës nëpërmjet dronit, i riu kosovar: Ky është vendi im

Ylber Kabashi i cili me profesion është fotograf, ka realizuar një video të shkurtër përmes secilës shpalos bukuritë natyrore të Kosovës, shkruan KultPlus.

Video është realizuar me dron dhe përmes saj, Ylberi synon t’i tregojë botës se Kosova është një vend shumë i bukur e i mbushur me vende mahnitëse që i ka krijuar nëna natyrë.

“Ky projekt domethënës do të shpalosë disa nga bukuritë spektakolare në natyrën e Kosovës. Gjatë xhirimeve të tyre, unë vazhdimisht u kujtova për njerëzit, falë kujt mund të dalim dhe të vizitojmë këto vende sa herë që duam. Ata mbeten heronjtë e mi! I dashur shikues, unë jam Ylber Kabashi. Ky është vendi im. Kjo është Kosova. Ju lutemi shijojeni me anë të këtyre pamjeve”, ka shkruar Kabashi në publikimin e videos. / KultPlus.com

Travel Stained: Syri i Kaltër duhet parë për ta besuar që ekziston

Syri i Kaltër në Shqipëri është një nga ato peizazhe tepër të rralla natyrore, që duhet parë për ta besuar që ekziston, sepse duket kaq shumë si nga një botë tjetër, si një skenë e shkëputur nga ”Avatar”,  shkruan Shelley, blogere në faqen e njohur turistike travel-stained.com.

Syri i Kaltër në Shqipëri është një burim i pafund ujërash të ëmbla të bruzta, që duket pikërisht si një sy njerëzor i shndritshëm. Ngjyra është kaq verbuese dhe e ndritshme, saqë është e vështirë të besohet se është një fenomen krejt natyror.

Ai është një burim karstik vertikal, të paktën 50 metra i thellë, sepse vetëm aq është thellësia më e madhe deri ku kanë shkuar zhytësit. Nuk ka arritur kurrë njeri deri në fund.

Vendasit dhe turistët dynden te Syri i Kaltër në korrik dhe gusht për të shijuar ujin e ftohtë dhe për t’u kënaqur me gjelbërimin e shelgjeve dhe lisave që rrethojnë burimin.

Gjatë verës së nxehtë shqiptare,  ky burim mistik është jashtëzakonisht ripërtëritës, pasi temperatura në sipërfaqe qëndron në 10 gradë Celcius, edhe në temperaturat më të larta.

Gjithashtu, aty mund të gjeni edhe një platformë panoramike, që bie drejtpërdrejt mbi Syrin e Kaltër.

Ai është edhe vendi nga ku hidhen më trimat, për t’u zhytur në qendër të Syrit të Kaltër.

Syri i Kaltër ndodhet pranë fshatit Muzinë, në jug të Shqipërisë.

Këtë vend të mrekullueshëm është më e lehtë ta vizitosh gjatë një udhëtimi ditor nga qyteti veror i Sarandës ose nga qyteti i listuar në UNESCO, Gjirokastra. /atsh/ KultPlus.com

Natyrë si “e pikturuar”, Pogradeci, ky destinacion turistik që duhet shijuar në çdo stinë

Në Pogradec nuk të pret vetëm natyra e bukur dhe turizmi familjar, por edhe një botë plot aventura dhe histori.

Pogradeci dhe rrethinat e tij, ofrojnë për turistët një atraksion të përhershëm turistik me natyrën, kulturën dhe historinë që i japin madhështinë, ndërsa Liqeni i jep hijeshinë.

Përveç liqenit, Pogradeci ka edhe shumë bukuri të tjera natyrore në periferinë e tij, në fshatrat që e rrethojnë, ka monumente të rëndësishme kulturore e historike që të tërheqin t’i vizitosh.

Pogradeci ofron shumë mundësi për turizëm ujor, malor dhe historik. Gjithashtu edhe kuzhina dhe kulinaria pogradecare është shumë e veçantë dhe e pëlqyeshme nga vizitorët shqiptarë dhe të huaj.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, publikoi një video me pamje nga Pogradeci për promovimin e qytetit në juglindje të vendit, që mbledh rreth vetes mijëra turistë në çdo stinë të vitit.

“Pogradeci, ky destinacion turistik që duhet shijuar. Aty gjen njerëz mikpritës e të buzëqeshur, peizazhe fantastike, atraksione që duhen shijuar”, – tha Klosi.

Në këtë qytet kudo ka bukuri si Lini, një gadishull i vogël në brigjet perëndimore të Liqenit të Ohrit me një fshat të bukur me të njëjtin emër.

Shtëpitë janë të ndërtuara prej guri dhe tulla në anët e rrugicave të ngushta mbuluar me pjergulla. Në jug të Linit, afër Buqezës në liqen, në thellësinë 2-3 m ndodhen disa palafite. Ai është një vendbanim i tipit liqenor ndërtuar në sipërfaqe të liqenit, si ajo e Maliqit në rrethin e Korçës. Ka gojëdhëna që dikur gadishulli i Linit ka qenë një ishull i bukur me bimësi të lulëzuar.

Ndërsa burimet e Drilonit që ndodhen rrëzë kodrave afër fshatit Tushemisht dhe Gurras, 4 km nga Pogradeci kanë një pamje të pakrahasueshme.

Këtë monument natyre mund ta vizitoni në qoftë se ndiqni rrugën Pogradec-Doganë-Shën Naum. Ai është një burim i madh gëlqeror që buron me rrjedhje vertikale të ujit në fund të bllokut gëlqeror, duke vazhduar më pas rrjedhjen në liqenin e Ohrit. Uji vjen nga liqeni i Prespës përmes Malit të Thatë. Uji del jashtë si një burim i madh i veçantë me një rrjedhje prej 7 m3 /sek. Zona është e rrethuar me bimësi të dendur.

Pogradeci ka edhe mjaft kisha mesjetare si Kisha e Shën Bitrit, që vendasit janë mësuar ta thërrasin kisha e Shën Bitrit, ndodhet disa qindra metra larg fshatit Potkozhan.
Kjo ndërtesë e vogël prej guri, mbuluar me plloça është me vlera unikale përsa i përket dy kupolave të vogla në anën lindore dhe murit shumë të veçantë pikturuar me afreske në pjesën e brendshme të tij. Edhe pse afresket janë dëmtuar, vizitorët përseri mund të admirojnë misterin dhe bukurinë e shenjtorëve pikturuar në muret e tij.

Një tjetër kishë është ajo e Shën Marenës në veri të fshatit Llenge, zonë e Pogradecit, me një pamje dominuese në majë të malit mbi lumin Shkumbin. Kisha është një ndërtesë e vogël afërsisht 8-12 metra e gjatë. Altari është i ndarë nga pjesa qendrore e kishës me një ikonostas druri 6 m të gjerë dhe 4 m të lartë. Ikonostasi është gdhendur me motive luleje. Gjithë pjesa e brendshme e kishës është e mbuluar me afreske që i përkasin dorës së mjeshtrit të këtyre zonave, Kostandin Shpataraku.

Qyteti i Liqenit, Pogradeci, është qyteti elitar i Shqipërisë i cili vizitohet në të katër stinët./atsh / KultPlus.com

Blick promovon bukuritë e Kosovës, publikon pamje fantastike nga maja e Gjeravicës (Video)

Përpos kuzhinës së pasur tradicionale, mikpritjes, trashëgimisë kulturore, Kosova shquhet edhe për bukuritë e rralla natyrore.

E përditshmja gjermano-zvicerane Blick, ka publikuar një video interesante të Arton Krasniqit nga i cili ka marrë leje për përdorimin e pamjeve.

Ky i fundit i është përgjigjur në mënyrë pozitive kërkesës së tyre pa kurrfarë kompensimi financiar, pasi që beson se publikimi i tyre është në interesin kombëtar, dhe se ndihmon zhvillimin e turizmit të vendit tonë.

Në video shfaqen bukuritë e majës së Gjeravicës e cila është 2556 metra mbi nivelin e detit, dhe konsiderohet si një nga atraksionet më të kërkuara turistike në Kosovë.

Atë e vizitojnë qytetarë nga e mbarë bota e në veçanti gjatë dimrit, kur hapësirat e mbuluara me borë dhurojnë peizazhe të rralla që gjithkush ëndërron t’i shoh. /Telegrafi/ KultPlus.com

The Guardian: Liqeni i Ohrit, një nga 10 bukuritë e Evropës

“Nuk duhet të jeni buzë detit që të shijoni plazhet dhe sportet e ujit. Resortet buzë liqeneve ofrojnë gjithashtu plazhe, shëtitje me varkë, ngjitje në mal dhe pamje mahnitëse”.

Kështu e përshkruan britanikja “The Guardian” në një artikull pamjen rreth liqeneve duke listuar 10 qytetet dhe fshatrat më të bukur në Evropë buzë liqeneve. Dhe në vend të parë është Liqeni i Ohrit dhe banimet rreth tij. Ohri, liqeni më i thellë dhe më i vjetër në Evropë.

“I ndodhur në kufirin mes Shqipërisë dhe Maqedonisë, ky liqen është një nga më të thellët në Evropë.

Vizitorët mund të zgjedhin të bëjnë dhe zhytje apo eksplorime në ujë, ngjyrat e të cilit janë herë blu e herë jeshile, -shkruan ‘The Guardian’. /KultPlus.com

Eksploro Kosovën me anë të fokusit të alpinistëve

Alpinistë të ndryshëm shpesh marrin rrugën për të eksploruar bukuritë natyrore në Kosovë, por gjatë këtij eksplorimi, kur ata përballen me bukuritë e natyrës, është e pamundur të mos shkrepin edhe ndonjë fotografi. USAID Kosovo, ka shpalosur një album me fotografitë më të bukura të shkrepura nga alpinistët gjatë udhëtimeve të tyre. Me të vërtetë mahnitëse këto fotografi. / KultPlus.com