Mehmet Krajës i dhurohet diploma e anëtarit të jashtëm të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë

Akademik Mehmet Krajës i jepet diploma e anëtarit të jashtëm të Akademisë së Shkencave së Shqipërisë.

Diploma ju dorëzua nga kryetari i ASHSH, akad. Skënder Gjinushi, me motivacionin: personalitet me veprimtari e kontribute të shumanshme në kulturën shqiptare. Mehmet Kraja vlerësohet si tregimtar e romancier; si dramaturg e skenarist; si kritik letrar; publicist e eseist. Gjithashtu ai njihet si drejtues i disa prej tribunave më të rëndësishme të mendimit qytetar dhe letrar në historinë e Kosovës e veprimtar publik i vijës së parë në momente kyçe për vendin.

Mehmet Kraja është figurë qendrore akademike. Ai është autor i mbi 15 romaneve, 6 vëllimeve me tregime; 7 dramave dhe 11 shfaqjeve teatrore, si dhe i 5 vëllimeve me kritikë e studime. Fitues i më shumë se 10 çmimeve dhe mirënjohjeve letrare e artistike në Shqipëri e në Kosovë si dhe i njohur për pjesëmarrjen e tij referenciale në debatet më të rëndësishëm për identitetin e shqiptarëve, historinë politike të tyre, komplekset dhe psikozat kombëtare e raportet ndërshqiptare.

Mehmet Kraja është anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe kryetar i saj prej dy mandatesh; me një rol përcaktues për mbarësinë e nismave dhe projekteve më të rëndësishme shkencore me karakter mbarëkombëtar./atsh/KultPlus.com