Akadmia e Shkencave ndan çmimin ‘Shuteriqi’ për Lucia Nadin

Në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë u mbajt ceremonia për çmimin e veçantë “Shuteriqi”, që akordohet për botimet dokumentare-burimologjike më të suksesshme, për historinë, gjuhën, kulturën, trashëgiminë dhe identitetin shqiptar.

Ceremoninë për çmimin e veçantë “Shuteriqi”, që akordohet për botimet dokumentare-burimologjike më të suksesshme, për historinë, gjuhën, kulturën, trashëgiminë dhe identitetin shqiptar e çeli akademiku  Gëzim Hoxha, Kryetar i Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike.

Ai theksoi se Akademia e Shkencave, po rivlerëson me objektivitet të gjitha botimet dokumentare historike, për të motivuar punën shumë të vlefshme në këtë drejtim.

Konkursi i hapur nga Akademia e Shkencave për çmimin “Shuteriqi” u shpall në kuadër të konferencës shkencore ndërkombëtare “Shteti i Arbërit dhe Arbëria në shekujt e humanizmit europian”, që u organizua dhe zhvillua me shumë sukses, me rastin përkujtimor të 555-vjetorit e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, me 8-10 tetor 2023, në Gëziq të Mirditës dhe këtu në Akademinë e Shkencave.

Çmimi i veçantë “Shuteriqi”, akordohet për botimet dokumentare-burimologjike më të suksesshme, për historinë, gjuhën, kulturën, trashëgiminë dhe identitetin shqiptar; për vepra të tilla të realizuara që nga viti 2001 deri në vitin 2023.

Hoxha tha se emri i këtij çmimi, është emri i një personaliteti shumë të shquar të letrave, krijimtarisë dhe kulturës shqiptare, Dhimitër Shuteriqit, si shkrimtar dhe historian i letërsisë, si poet, prozator, studiues, hulumtues i dalluar, hartues tekstesh shkollore, publicist, profesor, dhe akademik. Si shkencëtar, fusha kryesore e punës së tij, gati 60- vjeçare, deri në ditët e fundit të jetës, kanë qenë fillimet e  qytetërimit shqiptar, historia e letërsisë, tradita e hershme e shkrimit të shqipes, studimet letrare-monografike, studimet dokumentare dhe folklorike nga fusha e  albanologjisë në tërësi.

Çmimi i parë u dha për veprën “Statutet e Shkodrës, nga gjysma e parë e shekullit XIV, me shtesat deri më 1469” me autore Lucia Nadin.

Përkthyer shqip nga Pëllumb Xhufi, ky çmim u dha me motivacionin: “Zbulimi më i rëndësishëm dokumentar i dy dekadave të fundme për àrbërit dhe Arbërinë përgjatë shekujve të humanizmit europian; dëshmi historike parësore me ndikim të fuqishëm për ndryshimin e imazhit të shqiptarëve në historinë botërore të kësaj periudhe, për tipologjinë e qytetërimit dhe kulturës së tyre; për rendin dhe organizimin shoqëror në botën shqiptare deri në fundin e Mesjetës, si një vend që zhvillohej sipas modelit të republikave të Perëndimit dhe hap më hap me gjithë hapësirën adriatike; pasqyrë e një fisnikërie vendëse që ishte e denjë për të kaluar prej identifikimit patronimik në atë etnik e kombëtar; përgatitur për botim në italisht e shqip nga një skuadër albanologësh të mirënjohur, nën kujdesin, drejtimin e autoritetin e saj shkencor.

Çmimi i dytë u dha për veprën “Korrespondencë dhe dorëshkrime të Ali pashë Tepelenës” me autor Irakli Koçollari

Gjithashtu një tjetër çmim i dytë u dha për veprën “Nikollë Filja dhe veprat e tij poetike, botim kritik i dorëshkrimeve”, me autor akad. Matteo Mandalà (bot. “Ombra GVG”)./atsh/KultPlus.com

Përfundon sezoni i kërkimeve arkeologjike të vitit 2023, në Durrës

Akademia e Studimeve Albanologjike beri me dije se, sapo ka përfunduar sezoni i kërkimeve arkeologjike të vitit 2023, si pjesë e projektit “Dyrrachium në Antikitetin e vonë”. Ky është një projekt i Institutit të Arkeologjisë (ASA), drejtuar nga prof. asoc. dr. Brikena Shkodra-Rrugia dhe asistuar nga bashkëpunëtorë të specializuar arkitektë, arkeologë të Departamentit të Arkeologjisë dhe Trashëgimisë Kulturore në Universitetin e Tiranës, si edhe studentë të arkeologjisë në Universitetin e Prishtinës.

Realizimi i këtij projekti u bë i mundur falë mbështetjes shkencore dhe financiare të Institutit të Arkeologjisë, bashkëpunimit me Ministrinë e Kulturës dhe institucionet e saj të vartësisë si edhe mbështetjes së përhershme të Bashkisë së Durrësit përmes ndihmës së ofruar për rikthimin e hapësirës së gërmuar në gjendjen e para gërmimit.

Gërmimi mundësoi dokumentimin e detajeve të rëndësishme arkitektonike dhe stratigrafike të cilat rivlerësojnë kohën e ndërtimit të këtij monumenti në gjysmën e dytë të shek.V si edhe konfirmojnë ndryshimin e destinacionit të kësaj hapësire të qytetit. Forumi Rrethor duket se përfaqëson një fazë të rëndësishme të monumentalizimit të një hapësire dikur me funksione domestiko/artizanale në qendrën publike shumëfunksionale të qytetit antik të vonë.

Gjurmë të mëtejshme strukturore dëshmojnë format e ripërdorimit dhe përshtatjeve të hapësirave artizanalo-tregtare të Forumit Rrethor. Që prej fundit të shek.VI duket se ambientet perimetrale që qarkojnë kolonadën rrethore, përjetojnë një fazë ndërhyrjesh transformuese arkitektonike dhe funksionale. Tavernat e shek.VI fraksionohen me materiale të thjeshta të ripërdorura duke krijuar disa ambiente më të vogla të karakterit domestik, të dhëna të reja këto për fillimin e një faze tjetër transformimesh, të cilat do të zbehin gradualisht karakterin urban të qytetit./atsh/

Pas publikimit të KultPlus, faqja e ASHAK bllokon qasjen e faqes zyrtare

Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ka bllokuar qasjen në faqen zyrtare të institucionit, pas raportimit të mediumit KultPlus lidhur me parregullsitë në kategorinë in memoriam, ku brenda saj pati të përfshirë akademikë të gjallë e të vdekur, shkruan KultPlus.

Ndonëse llogaritet të jetë institucioni më i lartë i vendit, AShAK brenda faqes ekzistuese pati të renditur në katergorinë in memoriam, edhe disa figura të shquara shqiptare të gjallë, duke dëshmuar jo seriozitetin e këtij institucioni.

Në faqen ku ishin kategoria e anëtarëve të Akademisë, e ku në nënkategoritë më pas qenë të ndara në anëtarë të rregullt dhe korrespodentë, në anëtarë të jashtëm dhe nënkategoria in memoriam, kishin mbetur të ndara vetëm me emërtime, pasi që kur klikohej nëpër nënkategori, përfshirja e listës linte shumë për të dëshiruar.

Çdo nënkategori kishte përmbajtjen e njëjtë, dhe e njëjta listë figuronte në të tri kategoritë.

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës në kategorinë in memoriam pati të përfshirë akademikë të gjallë e të vdekur, edhe përkundër përshkrimit të nënkategorisë që të drejton se kjo kategori përfshin vetëm akademikët e vdekur.

Kjo nënkategori filloi me Ferid Muratin e përfundoi me Fetah Podvorica, e në përbërje të kësaj liste përpos akademikëve që nuk janë më në mesin e të gjallëve, në listën e të vdekurve ishte i përfshirë edhe Ismail Kadare, Xhevdet Xhafa, Shkumbin Munishi, Gjyljeta Mushkolaj e shumë të tjerë, që ASHAK gabimisht i ka futë në kategorinë in memoriam.

Ndërkohë, kur jemi te kategoria in memoriam, pikërisht ata që do të duhej të ishin në atë listë, nuk qenë, sikurse është rasti me arkeologen e ndjerë Edi Shukriu,  e cila nuk figuron në faqen e ASHAK, në asnjërën kategori.

Dhe përpos kësaj përzierje të listave në faqen zyrtare të ASHAK, munguan emrat edhe të shumë akademikëve që nuk u përfshinë fare nëpër kategori, duke përfshirë: Sabri Hamiti, Kujtim Shala, Bardh Rugova…

E, jo më mirë u paraqit edhe kategoria e kryesisë së këtij institucioni, askund nuk u përmend se në krye të këtij institucioni është Mehmet Kraja, duke u përfshirë edhe në këtë kategori një listë e ngjashme sikurse nëpër kategoritë e tjera.

KultPlus në raportim pati përfshirë edhe linqet, por tashmë këto linqe janë jashtë funksionit./KultPlus.com

Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhuron koleksionin e botimeve të saj për bibliotekën e Presidentit të Kosovës ‘Dr. Ibrahim Rugova’

Biblioteka presidenciale “Dr. Ibrahim Rugova”, është pasuruar me rreth 600 tituj të rinj, botime të Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë.

Dorëzim-pranimi u bë në një ceremoni të organizuar në Akademinë e Shkencave të Republikës së Shqipërisë, në të cilën këshilltari i Presidentes Osmani z. Vehbi Miftari dhe përgjegjësi i bibliotekës presidenciale Florent Rrahmani u pritën nga sekretari shkencor i Akademisë akad. Shaban Sinani dhe akad. Vasil S. Tole, zëvendëskryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Përgjegjësi i bibliotekës presidenciale z. Rrahmani tha se ky koleksion e pasuron fondin bibliotekar dhe thellon më tej bashkëpunimin ndërinstitucional, por njëkohësisht ofron edhe mundësi të reja për studiues dhe hulumtues.

“Fondi i dhuruar nga Akademia e Shkencave, që po i dhurohet bibliotekës presidenciale, përveç pasurimit, ka peshë të veçantë jo vetëm për bashkëpunimin ndërinstitucional, por edhe për hapjen e mundësive të reja për studiues”, ka thënë Rrahmani.

Ai, më tutje, në emër të Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, ka falënderuar Akademinë për gatishmërinë dhe kontributin e tyre

Ndërkaq, Shaban Sinani, sekretar shkencor në Akademi, theksoi se është nder që botimet tona të jenë pjesë e bibliotekës presidenciale.

“Për ne është nder i veçantë që një pjesë e botimeve të Akademisë, sidomos nga fusha albanologjike, të jenë pjesë e bibliotekës presidenciale. Shprehim gatishmërinë tonë që kjo formë e bashkëpunimit të vazhdojë edhe në të ardhmen”, ka thënë Sinani./KultPlus.com

Mehmet Krajës i dhurohet diploma e anëtarit të jashtëm të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë

Akademik Mehmet Krajës i jepet diploma e anëtarit të jashtëm të Akademisë së Shkencave së Shqipërisë.

Diploma ju dorëzua nga kryetari i ASHSH, akad. Skënder Gjinushi, me motivacionin: personalitet me veprimtari e kontribute të shumanshme në kulturën shqiptare. Mehmet Kraja vlerësohet si tregimtar e romancier; si dramaturg e skenarist; si kritik letrar; publicist e eseist. Gjithashtu ai njihet si drejtues i disa prej tribunave më të rëndësishme të mendimit qytetar dhe letrar në historinë e Kosovës e veprimtar publik i vijës së parë në momente kyçe për vendin.

Mehmet Kraja është figurë qendrore akademike. Ai është autor i mbi 15 romaneve, 6 vëllimeve me tregime; 7 dramave dhe 11 shfaqjeve teatrore, si dhe i 5 vëllimeve me kritikë e studime. Fitues i më shumë se 10 çmimeve dhe mirënjohjeve letrare e artistike në Shqipëri e në Kosovë si dhe i njohur për pjesëmarrjen e tij referenciale në debatet më të rëndësishëm për identitetin e shqiptarëve, historinë politike të tyre, komplekset dhe psikozat kombëtare e raportet ndërshqiptare.

Mehmet Kraja është anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe kryetar i saj prej dy mandatesh; me një rol përcaktues për mbarësinë e nismave dhe projekteve më të rëndësishme shkencore me karakter mbarëkombëtar./atsh/KultPlus.com

Ndalohet vlerësimi i këngëve të krijuara me anë të Inteligjencës Artificiale në Grammy Awards

Akademia muzikore në SHBA ka ndaluar nderimin me çmimet Grammy të këngëve të krijuara përmes Inteligjencës Artificiale. Sipas saj, në ceremoninë e radhës do të vlerësohen vetëm këngët autoriale të krijuesve njerëz.

Grammy Awards ndaloi vlerësimin për çmime të këngëve të krijuara nga Inteligjenca Artificiale në ceremoninë e radhës që do të mbahet vitin e ardhshëm.

“Vetëm krijuesit njerëz” do të fitojnë çmime në këtë ngjarje, thotë në rregullin e ri të Akademisë së Incizimeve në SHBA.

Sipas saj, vetëm kënga e realizuar nga një muzicient, që do të thotë se është autoriale, ka mundësinë të vlerësohet në Grammy Awards.

Në anën tjetër, mundësohen vetëm këngët që kanë elemente nga IA, ndërkaq pjesa tjetër ëshë punë e krijuesit njeri.

Ky rregull u vendos pasi që Paul McCartney bëri të ditur se për realizimin e një kënge të re të Beatles ka shfrytëzuar IA, më saktësisht ata kanë nxjerrë zërin e John Lennon përmes IA nga një demo e vjetër.

Me këtë rast, McCartney ka përshkruar Inteligencën Artificiale si të frikshme, por interesante.

Veç rregullit për mos vlerësimin e këngëve të krijuara përmes Inteligjencës Artificiale, kjo akademi njoftoi po ashtu se krijuesi muzikor duhet të llogarisë që së paku 20 për qind e punës së tij të fitojë në nominim në kategorinë e albumit të vitit.

Këtu përfshihen artistët, tekstshkruesit, producentët, inxhnierët, miksuesit, e disa të tjerë. Ky vendim dallon nga ai i vitit 2021, ku çdo njeri që ka punuar në album është nominuar për çmim.

Kjo akademi në mes tjerash ka njoftuar po ashtu se çmimi Jazz solo ka emër të ri, se tani quhet “Best Jazz Performance” e çmimi për albumin më të mirë rajonal meksikan u ndryshua në Best Musica Mexicana Album.

Këto ndryshime u bënë pas njoftimit për tri kategori shtesë për të cilat u njoftua ditë më parë, e që janë: “Best Pop Dance Recording”, “Best African Music Performance” dhe “Best Alternative Jazz Album”./21Media/KultPlus.com

Botohet vepra “Art popullor në Kosovë”, e autores Afërdita Onuzi

Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Akademia e Studimeve Albanologjike kanë botuar albumin ilustrativ shkencor “Art popullor në Kosovë” të autores Afërdita Onuzi, shkruan KultPlus.

Kjo vepër u botua në saje të ekspeditave të  cilat autorja e librit i ka realizuar pas viteve ’90 të shekullit të kaluar, të cilat i dhanë mundësinë të njihej më mirë me me trashëgiminë kulturore të popullit shqiptar në Kosovë e sidomos me gjinitë e ndryshme të artit popullor.

Në komunikatën e Akademisë së Shkencave thuhet se në parathënien e librit, Afërdita Onuzi shkruan se lidhjet e vazhdueshme kulturore, ekonomike, tregtare midis krahinave të ndryshme fqinjë të Kosovës me ato të Shqipërisë Veri- lindore që vazhduan të zhvillohen deri në vitet ’40-50 të Shekullit të XX, mundësuan kontakte e marrëdhënie nga më të ndryshmet , të cilat ndikuan ndjeshëm në mënyrën e jetesës së banorëve të qytetit të Kukësit dhe të disa fshatrave të tij.

“Ende dhe sot i kujtoj qilimat e Prizrenit dhe të Pejës, me të cilët mbuloheshin an e kënd dhomat e ndenjes dhe mjediset e tjera të banesave të këtyre familjeve, apo jastëkët e mindereve të qëndisur e të mbuluar me pëlhura të pambukta apo të mëndafshta e të zbukuruara me lloj-lloj qëndismash; mbulojat e shtratit dhe çarçafët e zbukuruar me qëndisje e punime me grep; djepat e arkat e gdhendura apo te zbukuruar me pikturim; tabakatë e ibrikët prej argjendi; mangallët prej bakri që shkëlqenin midis dhomave të ndenjes etj.

Veçanërisht nuk munda të harroj asnjëherë veshjet e grave sidomos ato që përdoreshin në raste ceremonish të ndryshme familjare. Mahnitëse në çdo aspekt ishin këmishët prej mëndafshi të zbukuruara me oje e qëndisje të ndryshme, jelekët e stolisur me fije ari, dimitë e bardha gjithashtu peri mëndafshi artificial të shoqëruara me këmbëza të zbukuruara me gajtanë të bërë me fije mëndafshi, ojet lloj-llojëshe që përdoreshin për të zbukuruar shamitë e lidhura prapa kokës e të modeluara në formën e kësulave dekorative etj., etj.”, – citohet të ketë thënë autorja e librit.

Vite më pas prof.dr. Onuzi bëri profesionin e etnologut dhe krahas ekspeditave të shumta në Shqipëri, në vitin 1979 bëri edhe një ekspeditë kërkimore në Kosovë për të parë nga afër Çarshinë dhe Pazarët e Vjetër në qytetet Prizren, Pejë, Gjakovë etj, dhe të vizitoi disa muze etnografikë të asaj kohe.

Në mënyrë të posaçme për realizimin e këtij botimi, është bërë një ekspeditë në vitin 2010, me mbështetjen financiare të Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë.

Onuzi ka bërë kërkime të tjera në terren si dhe fotografimin e një pjese të konsiderueshme objektesh, të cilat u fotografuan në Muzeun Etnografik të qytetit të Prizrenit, në atë të Gjakovës, të qytetit të Pejës dhe në mënyrë të veçantë në fondet etnografike muzeale të qytetit të Mitrovicës dhe të Prishtinës. Një pjesë tjetër i përkasin fondeve muzeale të Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Arteve, pranë Qendrës së Studimeve Albanologjike.

Afërdita Onuzi thotë se midis gjinive të ndryshme të artit popullor që u zhvilluan në Kosovë, artet e aplikuara u dalluan për larminë dhe pasurinë e madhe të shprehjes, për fushën e gjerë të përdorimit si dhe për manifestimin e fuqishëm të ndjesisë artistike.

“Përgjithësisht artet e aplikuara janë rezultat i një përvoje të pasur shekullore të krijuesve të ndryshëm në fshatra e në qytete, të cilët punonin kryesisht për plotësimin e nevojave vetjake ashtu dhe të mjeshtërve profesionistë në qytete, të cilët punonin me porosi për të plotësuar nevojat e shtresave të ndryshme qytetare por edhe pjesë veshjesh ceremoniale për banorët e fshatrave të krahinave të ndryshme”, thuhet në komunikatën e Akademisë.

Si çdo aspekt tjetër edhe kjo fushë e trashëgimisë popullore në Kosovë, është krijuar e zhvilluar varësisht nga kushtet ekonomike, sociale e kulturore të krahinave e qyteteve të ndryshëm. Pikërisht janë këto punime të cilat na informojnë për nivelin e zhvillimit të ekonomisë vendase, për masën e lidhjeve me tregun, për orientimin kulturor të qyteteve e fshatrave, për mënyrën e jetesës së tyre apo për shijet artistike të grupimeve shoqërore.

Objektet e artit popullor janë të shumta në lloje jo vetëm se krijuesit janë të shumtë por edhe për faktin se janë realizuar me materiale të ndryshme: në gur, në metal, në dru, lëkurë, baltë, tekstile prej leshi, mëndafshi e pambuku, qëndisje të ndryshme e punime me grep dhe se për realizimin e tyre janë aplikuar lloj- lloj teknika punimesh e zbukurimesh etj. Në pamundësi për të paraqitur të gjithë repertorin e këtyre punimeve, kësaj radhe janë zgjedhur disa ekzemplarë të realizuar në dru, në metal, disa tekstile, pjesë veshjesh dhe qëndisje të tjera e punime me grep./KultPlus.com

Ambasadori i Kosovës në Akademinë e Studimeve Albanologjike

Rektori i Akademisë së Studimeve Albanologjike, prof. dr. Luan Përzhita priti në një takim pune Ambasadorin e Republikës së Kosovës në Shqipëri, Skënder Durmishi, në prani të zv/rektorit të ASA-s, prof. dr. Valter Memisha.

Rektori Përzhita e informoi në detaje ambasadorin për përmbajtjen e marrëveshjes së fundit që u nënshkrua më 13 prill, mes ASA-s dhe Universitetit të Prishtinës, për bashkëpunim në fushën e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor dhe për të krijuar një strategji mbi transmetimin e dijes tek brezat e rinj, në fushat e albanologjisë, me qëllim përditësimin dhe pasurimin me teza të reja të dijes albanologjike.

“Jemi në një situatë krejt të re”, tha rektori Përzhita.

“Gjetëm mbështetje te drejtuesit e rinj të Universitetit të Prishtinës, personalisht te rektori, prof. dr. Qerim Qerimi dhe ramë dakord që në bazë të marrëveshjes, hapi i parë të jetë ngritja e një grupi të përbashkët pune për hartimin e projekteve strategjike në fushën e albanologjisë.

Po ashtu, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e përshëndeti këtë marrëveshje, e cila i hap rrugën më pas ndërtimit të programeve të përbashkëta në studimet Master dhe Doktoraturë në fushën e albanologjisë – arkeologji, antropologji social-kulturore, histori e gjuhësi.

Me hapjen e programeve të reja të edukimit, krijohen mundësi të shkëlqyera edhe për studentët nga Universiteti i Prishtinës dhe ai i Tetovës që të plotësojnë gjithë boshllëqet e krijuara në dekada nga mungesa e edukimit në këto fusha.

Aktualisht ka shumë pak profesorë nga Prishtina që japin mësim në Tiranë.

“Ne do donim që Akademia e Studimeve Albanologjike, në një periudhë afatshkurtër dhe nën një perspektivë afatgjatë, të ishte shtëpia jonë e përbashkët e albanologjisë”, u shpreh rektori Përzhita./atsh/ KultPlus.com

“Akademia”, akademi e veçantë kulturore-letrare

Varësisht natyrës së tyre, varësisht problematikave dhe temave që shtjellojnë, revistat janë mjet mediatik dhe, për nga roli, mund të jenë organ institucionesh, por edhe vepër e iniciuar nga ndonjë figurë publike, personalitet që gëzon autoritet në fushën përkatëse.

Revistat janë produkt i përpjekjeve dhe nevojave për të përcjellë mesazhe të caktuara që informojnë; revistat janë një fushë e ravijëzuar në të cilën shprehen afinitetet, shqetësimet intelektuale e shkencore, shpalosen vlera historike, por dhe bashkëkohore si dhe ndriçohen kahet dhe prurjet më të fundit në fushë të caktuar. Bota e letrave shqipe që nga Lëvizja e Rilindjes Kombëtare e deri në ditët e sotme njeh mbi 200 revista javore, dyjavore, mujore, periodike, vjetore, të fushave dhe llojeve të ndryshme.

Revistat (sidomos ato për letërsi, art e kulturë) në momente të caktuara për popullin shqiptar kanë luajtur rolin vendimtar, qoftë në ndërgjegjësimin e tij për peshën dhe rolin e identitetit kulturor të kombit, qoftë për ngritjen e nivelit të vlerave krijuese.

Nuk ka shqiptar nga viset etnike dhe më gjerë që nuk di për revistën “Jeta e Re”, të themeluar dhe të udhëhequr më shumë se dy dekada e gjysmë nga poeti i kombit, Esad Mekuli! Nuk ka shqiptar që nuk e di rolin e jashtëzakonshëm kombëtar që e luajti kjo revistë në zhvillimin kulturor e letrar të shqiptarëve që pas luftërave botërore ngelën jashtë kufirit të Shtetit amë. Kjo revistë, përveçse përpiqej që shkencërisht t’i bëjë ballë politikave shovene që po luheshin mbi kurriz të popullit shqiptar të Kosovës, pati rolin edhe të gjetjes dhe të përkrahjes së talenteve letrar si dhe të mendimit intelektual të kohës, të cilët, të rritur e të kalitur nga kjo revistë, do të bëhen intelektualë e krijues të kombit, bartës e shtytës të proceseve e shoqërore, kulturore, politike, deri në çlirimin e Kosovës.

Po kështu, rolin dhe detyrën e përkrahjes si dhe të zhvillimit kulturo-letrar të shqiptarëve të RMV-së e luajti edhe revista për letërsi, art, kulturë, “Jehona”, e Redaksisë “Flaka e Vëllazërimit”! Edhe nga kjo revistë do të dalin emrat më të spikatur të krijimtarisë artistike e letrare nga Maqedonia e Veriut.

Rrethanat e reja shoqëroro-politike, përpjekjet e fundit kolonialiste të Serbisë që u përpoq ta zaptojë përfundimisht Kosovën, ndikuan që shumë projekte kombëtare shqiptare, shumë procese të avancimit të përgjithshëm të shqiptarëve, shumë angazhime të flakta për t’i nxjerrë në pah dhe shtuar vlerat kulturore shqiptare u stopuan, u mbyllën me masa të dhunshme serbe, financimet u kushtëzuan me njohjen e autoritetit të plotë të Serbisë mbi Kosovën etj. Pas pavarësisë së Kosovës, nën rrethana të reja shoqërore-historike, të etur e me vullnet të mirë për të kontribuar gjithsecili në fusha përkatëse, në ngritjen e shtetit të Kosovës dhe në avancimin e gjithmbarshëm të shoqërisë shqiptar, u vërejtën nisma të reja, angazhime të shumta entuziaste, por dhe profesionale. Natyrisht, këto rrjedha do të ndikojnë edhe në shpërndarjen e potencialit si drejtues ashtu edhe botues, nëpër ndërmarrje e produksione që ishin në gara për të thithur sa më shumë artistë e krijues. Ky proces fuqizoi shoqërinë civile, njohu iniciative te reja kreative, hapi mundësi për përfshirje të sa më shumë intelektualëve, artistëve, krijuesve.

Rrjedhojë e këtij procesi do të jetë edhe Revista për letërsi, kulturë, gjuhë, media, AKADEMIA! Nëse i hidhet një sy numrave të deritanishme të kësaj reviste, sakaq do të shihet se AKADEMIA në fakt është një Akademi e vërtetë kulturo-letrare në Kosovë. Janë publikuar qindra autorë botërorë, kanë defiluar dhjetëra emra të rinj përkthyesish që kanë sjellë përkthime brilante të denja për t’u publikuar në një revistë që pasqyron punën profesionale dhe me vlerë të pakontestueshme. Janë sjellë qindra krijime të krijuesve bashkëkohor shqiptar, por dhe krijimet e krijuesve të rinj, në krijimet e të cilëve vërehet gati po ajo vlerë krijuese që shihet te krijuesit botëror e bashkëkohor shqiptar. Kjo flet se koncepti i AKADEMISË, politikat redaktuese të kësaj reviste mëtojnë dhe këmbëngulin vetëm në vlera, në tërheqje të krijuesve të denjë për t’u publikuar në AKADEMIA dhe për t’u lexuar prej një numri të konsiderueshëm lexuesish.

Nga ana tjetër, edhe përkundër përkrahjes simbolike të institucionit shtetëror, edhe përkundër mungesës së financave, honorarëve, rrogave, revista për asnjë moment nuk ka shprehur dilema: të vazhdojë apo të ndërpresë! Revista tashmë është e lexuesve dhe editorët e saj e dinë fare mirë se ndërprerja eventuale e daljes së numrave të rinj, do të jetë mbyllje e një dritare prej nga shihet një botë e pasur kulturo-letrare si dhe një padrejtësi e madhe ndaj lexuesve “militantë” të kësaj reviste.

Revista AKADEMIA, në çdo njësi të saj, qoftë poetike, prozaike, ese, intervistë, etj., “fsheh” një vepër më vete! AKADEMIA është një model që ofron ligjërime akademike mbi atë se si shkruhet poezia, si përkthehet poezia, si kapet tema, si materializohet motivi, si zhvillohet mendimi bashkëkohor, si definohen problemet kulturore, artistike, letrare. Përkrahja institucionale dhe shoqërore e Revistës AKADEMIA duhet të llogaritet si akt i domosdoshëm kombëtar. Sepse, historitë nga e kaluara e “Jetës së Re” të Esad Mekulit, flasin se edhe kjo revistë në fillimet e saj, por dhe përgjatë rritës së vet, gjithnjë ka hasur në probleme nga më të ulëtat financiare e politike, por ama, sot, këtë revistë e kemi ngritur në monument kulturor shqiptar të një rëndësie të veçantë. Materia e saj është një trashëgimi kulturore nga më të veçantat që i ka populli shqiptar i Kosovës.

AKADEMIA po ecë me hapa galopante drejt botës së “Jetës së Re”, hapa këto që shumë shpejt do të tejkalojnë çdo vlerë tradicionale për t’u shndërruar në simbol të vlerës bashkëkohore. Revista AKADEMIA për momentin po kundrohet dhe po vlerësohet si akademi kulturo-letrare që me shumë finesë e profesionalizëm po e kryen misionin e vet në përcjelljen dhe publikimin e trendeve të reja në fushën e krijimtarisë së gjithmbarshme. /HEJZA/ KultPlus.com

Akademia e Shkencave e Shqipërisë zgjerohet me anëtarë të rinj të botës së shkencës

Asambleja e Akademisë së Shkencave e Shqipërisë në mbledhjen e sotme kreu procedurat e parashikuara në Statutit për zgjedhjen e anëtarëve të rinj “Akademik” e “Akademik i asociuar”, për avancime në titullin “Akademik” të dy anëtarëve të saj të brendshëm, si dhe për zgjedhjen e anëtarëve të jashtëm.

Pas paraqitjes së kandidaturave nga kryetari i Akademisë Asambleja zgjodhi komisionin e votimit për administrimin statutor të procesit zgjedhor, me këtë përbërje: akad. Neki Frashëri (kryetar), akad. Floran Vila (anëtar), akad. Jorgaq Kaçani (anëtar) dhe akad. emeritus Gjovalin Shkurtaj (anëtar).

Referuar rezultatit të shpallur nga komisioni i posaçëm pas numërimit të votave Asambleja vendosi se “fitojnë titullin akademik anëtarët e Asamblesë me titull të mëparshëm akademik i asociuar: Arjan Durrësi; Ilirian Malollari”.

Po ashtu, zgjidhen anëtarë të Asamblesë duke fituar titullin akademik: Genc Sulçebe, Ilia Mikerezi, Pëllumb Xhufi.

Gjithashtu, zgjidhen anëtarë të Asamblesë duke fituar titullin akademik i asociuar: Adrian Civici, Artan Boriçi, Kristina Jorgaqi, Mimoza Hafizi dhe Rajmonda Bualoti.

Ndërsa për sa i përket anëtarëve të jashtëm të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë u zgjodhën Ardian Ndreca dhe Ardian Vehbiu. /KultPlus.com

Akademia e Studimeve Albanologjike, 50 tituj librash për bibliotekën e Librazhdit

Bashkia e Librazhdit dhe Akademia e Studimeve Albanologjike do të bashkëpunojnë jo vetëm në fushën e historisë, por edhe në fusha të tjera si: gjuhësi, folklor, arkeologji, etnografi, folklori, bibliotekonomi etj.

Kështu u theksua gjatë takimit të zhvilluar mes kryetarit të bashkisë Librazhd, Kastriot Gurra me Kryetarin e Akademisë së Studimeve Albanologjike, Prof.Mariglen Verli.

Ky takim pati për objekt konsolidimin e bashkëpunimit ndërmjet bashkisë Librazhd dhe Qendrës së Stidimeve Albanologjike, për studimin e historisë lokale të Librazhdit, bashkëpunim ky i filluar që në vitin 2018, në kuadrin e Vitit të Skënderbeut. Në atë vit u organizua dhe Konferenca e Dytë mbi Aranitët, materialet e së cilës u botuan në përmbledhjen “Aranitët në Librazhd”.

Rezultat konkret i takimit të sotëm qe firmosja e kontratës për Konferencën e ardhshme këtu në Librazhd, me temë “Librazhdi në optikën e defterëve osmanë”.

Gjithashtu, Kryetari i Qendrës së Studimeve Albanologjike, Prof Verli i dhuroi Bibliotekës së qytetit një sasi prej 50 tituj librash, në 2 kopje, me temë nga fushat albanologjike, sasi kjo që, sipas tij, do të përsëritet me tituj të tjerë të rinj, deri sa të arrihet një sasi e mjaftueshme për krijimin e fondit albanologjik të literaturës pranë Bibliotekës së bashkisë Librazhd.

Në vijim të punës për ta pasuruar dhe bërë sa më funksionale këtë bibliotekë, Prof Verli ofroi mundësinë e kualifikimit të personelit të saj pranë Qendrës së Studimeve Albanologjike, kualifikim ky që do të bëjë të mundur rikonceptimin dhe organizimin e Bibliotekës sipas kritereve dhe standardeve digjitale bashkëkohore.

Nga ana e kryetarit të bashkisë, Kastriot Gurra u premtua mbështetje institucionale dhe sipas mundësive, edhe financiare, për realizimin sa më cilësor dhe të efektshëm të këtyre projekteve bashkëpunuese. /Atsh /KultPlus.com

Kthimi i ligjit për Akademinë e Shkencave, Gjinushi: Metës i jepet nderi të dekretojë e jo të bllokojë për arsye klienteliste

Kryetari i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi ka reaguar në një lidhje telefonike në një studio televizive lidhur me vendimin e presidentit Ilir Meta për të kthyer në Kuvend ligjin për Akademinë e Shkencave me argumentet se i cenon kompetencat.

Gjinushi tha se Meta është bërë pjesë e segmenteve politikë për të sabotuar Reformën në Akademi e cila tashmë është përshëndetur edhe nga Akademive Europiane.

Ai tha se Akademia nuk mund të sjellë përplasje kompetencash, pasi duhet të jesh injorant në fushën e jurisprudencës që të kesh përplasje.

Gjinushi komentoi edhe vendimin e Metës për të kthyer në Kuvend emërimin tij në krye të Akademisë së Shkencave. Ai tha se në këtë rast presidentit i jepet nderi vetëm të dekretojë dhe jo të bllokojë për arsye klienteliste.

“Tani mesa duket kanë viktimizuar Ilir Metën duke e bërë pjesë të këtyre segmenteve politikë për të sabotuar reformën në akademi. Reforma është ajo që është përshëndetur edhe nga Bashkimi i Akademive Europiane. Argumentet që e sulmojnë nuk kanë lidhje fare. Akademia ka një mision për kërkimin shkencor dhe përpiqet ta ushtrojë këtë mision fisnik dhe nuk mund të sjellë përplasje kompetencash. Duhet të jesh injorant në fushën e jurisprudencës që të kesh përplasje”, tha Gjinushi.

Gjinushi vijoi se, “Meta nuk zgjodhi rrugën e bashkëpunimit, as në rastin e emërimit. Ai duhet t’i ketë cilësitë për ta ushtruar këtë nder. Si mundet që një president të shqetësohet se ligji parashikon zhbllokim, Të shqetësohesh për këtë do të thotë se Meta si specialist i bllokimeve është i shqetësuar për zhbllokimet. Dekreti i tij i para një muaji është anti- kushtetues”.

“Ka bërë një autogol. Kushtetutën në 98 e kemi bërë se bashku. Meqë do të dijë pse është shkruar kështu ky nen, le të lexojë. Nuk marr përsipër t’ia shpjegoj. Vetëm në kërkim shkencor nuk ka status më të lartë apo më të ulët. Kjo është një pengesë 2-3 javore dhe këto lloj argumentesh janë shteruar. Nuk dua të bëj leksione jurisprudence por qëllimi i institucioneve është i përbashkët. Në shkencë më lart dhe më poshtë të vënë rezultatet, sepse këtë e ka në dorë formimi jo ligji. E ardhmja është e qartë. Nuk lejohet asnjë lloj ndërhyrje nga politika në emërime të tilla. Atij i jepet nderi vetëm të dekretojë. Këtu është lapsusi i parë injorant. Ligji dhe vetëm ligji e shpjegon. Meqë klanet politike për arsye klienteliste shkon deri këtu ligji parashikon edhe një zhbllokim”u shpreh Gjinushi.

Kreu i shtetit ktheu dje në Kuvend për rishqyrtim ligjin për Akademinë e Shkencave. Katër janë arsyet që renditi Meta për kthimin e ligjit; bie ndesh me parashikimet e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, cenon autonominë e institucioneve të arsimit të lartë, cenon kompetencat e Presidentit të Republikës dhe nuk është në harmoni me kuadrin ligjor ekzistues në Republikën e Shqipërisë.

Ligji i miratuar në Kuvend detyron Presidentin që brenda 10 ditëve të kryejë emërimin e kryetarit të Akademisë së Shkencave që i është propozuar. Për Metën kjo është antikushtetuese, pasi Kushtetuta nuk ka vendosur një afat të përcaktuar, brenda të cilit Presidenti i Republikës duhet të shprehet.

Partia Fashiste tashmë është dhjetëmilionëshe

Ernest Hemingway

Toronto Star Weekly/24 qershor, 1922

Benito Mussolini, kryetar i lëvizjes fashiste, ulet para tavolinës së punës si para siguresës së depos së madhe të barutit që e ka shtrirë përgjatë krejt Italisë Veriore dhe Qendrore dhe, herë pas here, ledhaton veshët e qenushes, që ngjason me sojin e qenve veshshkurtër, që po luan me letrat e zhubravitura përtokë afër tavolinës së madhe. Mussolini është njeri me fytyrë të madhe e me ballë të gjerë, me gojën që ka një nënqeshje të lehtë e me duar të mëdha ekspresive.

“Fashistët tani janë forcë gjysmëmilionëshe”, më deklaron mua. “Jemi një parti politike e organizuar si forcë ushtarake”.

Teksa flet ngadalë në italisht dhe zgjedh fjalët me qëllim që të sigurohet se po kuptoj gjithçka që po nxjerr nga goja, tregon se si fashistët kanë 250 mijë trupa të organizuara në skuadra në Camicie Nere, ose këmisha të zeza, si trupa të gatshme reagimi në shërbim të partisë politike. “Garibaldi kishte këmishët e kuqe”, qeshet në shenjë protestimi ndaj pakënaqësisë eventuale.

“Nuk kemi dalë që ta kundërshtojmë asnjë qeveri italiane. Nuk jemi kundër ligjit”, shpjegonte Mussolini teksa me kujdes theksonte fjalët, duke lëshuar trupin në kolltukun e tij, njëherësh duke vënë theksin në pikat më të rëndësishme nëpërmjet gjesteve të duarve. “Por”, theksoi ai ngadalë dhe me kujdes, “ne kemi mjaftueshëm forcë sa për të rrëzuar çdo qeveri që mundohet të na kundërshtojë ose të na shkatërrojë”.

“Po puna e Guardia Regia?” – e pyes unë. (Guardia Regia është forcë e trupave, e organizuar së fundi nga Jugu i Italisë, prej ish-kryeministrit Nitti, për ta ruajtur paqen në rast të plasjes së luftës civile.)

“Guardia Regia kurrë nuk do të na luftojë!” – thekson Mussolini.

Dhe tani rendi e do që të bëhen disa shpjegime a krahasime. Platforma fashiste është asi e konservatorizmit të skajshëm. Merreni me mend Partinë Konservative të Kanadasë me 25 mijë burra dhe gra me armë në duar, si “parti politike të organizuar si një forcë ushtarake” me prijatarin e saj që deklaron se ka forcën e nevojshme për ta rrëzuar çdo qeveri liberale ose cilëndo tjetër që mund ta kundërshtojë. E keni një pasqyrë të qartë, apo jo? Njëherësh, merreni me mend një forcë policore ushtarake speciale të krijuar për t’i parandaluar konservativët që të maten me liberalët në rrugë, dhe mund të keni një vlerësim edhe më të kristalizuar. /KultPlus

(Marrë nga numri i pestë i revistës “Akademia”)

Promovohet vepra e Kristo Frashërit për Skënderbeun, konsiderohet përmbledhja më monumentale për heroin tonë

Në ditën e pestë të Panairit të Librit Prishtina 2019, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Seksioni i Shkencave Shkencore dhe Albanologjike, promovoi përmbledhjen dokumentuese dhe një bibliografi të studiuesit të historisë Kristo Frashëri “Skënderbeu dhe lufta shqiptaro-osmane në shek. XV”, vëllimi I-X (në origjinal dhe me përkthim shqip), shkruan KultPlus.

Kolana e veprës së historianit u cilësua si më e rëndësishmja e botimeve të Akademisë, për vitin 2019, e cilësuar si vepra më monumentale e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu,  ku bëhet përmbledhje e gjithë dokumentacionit mbi Skënderbeun, hulumtuar dhe nxjerrë nga arkivat.

Profesor Filip Koçollari, pjesë e panelit në këtë promovim, shprehet se “në përmbledhjen e kolonës prej dhjetë vëllimesh, që na ka sjellë profesor Frashëri, në fakt që u butua me iniciativën e të birit, në të përmblidhen dokumente të ardhura nga arkivat e Raguzës, Romës, Napolit, Milanos, Barcelonës, Parisit etj, në të përmblidhen dokumente kancelarike, kronikat e burimeve osmane, bizantine, por edhe atyre latine. Tematika është nga më të larmishmet, ku pjesa më e madhe e këtij dokumentacioni është e panjohur, dhe që vlen për t’u shfrytëzuar qoftë nga hulumtuesit, apo edhe studiuesit e veprës së heroit tonë kombëtar”.

Duke e strukturuar fillimisht dokumentin origjinal, të gjuhëve përkatëse, krahas tij është edhe përkthimi shqip, ku në përkthime përveç Kristo Frashërit, morën pjesë edhe një numër i madh përkthyesish të tjerë, kur kemi parasysh që dokumentacioni është i përbërë prej 16 gjuhëve.

Në panel ishte edhe prof: Shaban Sinani, që vlerëson lartë punën e Kristo Frashërit, por edhe pjesëtarët e institucioneve që punuan në vepër, që nuk ishte e mundur që t’i vendosej emri në ballinë. “puna e bërë është komoditet që dikush tjetër të ketë më të lehtë në të ardhmen, të mos jetë i detyruar që të mos shkoj nëpër biblioteka dhe arkiva, por që ta ketë koleksionin në tavolinen e tij”, shprehet prof. Shaban Sinani.

Në këtë promovim të Akademisë, u prezantua edhe vepra e Edmond Buharajas “Niçeta i Remesiana-s”, i cili njihet si Niketë Dardani. Një vepër e ndarë në tri pjesë, ku e para flet për Dardaninë deri në periudhën e Konsilit të Niçeas, ku vendosen konturat e kristianizmit,  pjesa e dytë që i kushtohet pikërisht këtij autori, Niçetas, Buharaja e quan Niçeta i Remesiana-s në kulturën Niçeane, ku flet për pjesëmarrjen e Dardanëve si popull në kristianizëm, dhe pjesa e tretë i kushtohet projektimit të figurës së Niçetas.

Botimet e Akademisë së Shkencave, tregojnë edhe njëherë rëndësinë në sjelljen e kësaj literature, si një nevojë për lexuesin por edhe studiuesit, që të kenë sa më të lehtë qasjen në literaturën përkatëse që ata e kërkojnë. / Visar Shabani / KultPlus.com

Gjeneralët që kryen krime në Kosovë, japin mësim në Akademinë e Beogradit

Akademia ushtarake e Serbisë ka vendosur që krimet e eprorëve ushtarakë të saj në Kosovë t’i shndërrojë në një doktrinë të re e të posaçme lufte.

Për këtë dëshmon vendimi më i ri i saj që në Akademi të ligjërojnë gjeneralët dhe oficerët më të dalluar për krimet e luftës e në Kosovë.

Publicisti Veton Surroi, në një postim në Facebook, ka publikuar një pjesë nga libri i tij i fundit “Gorillat që s’i pamë” në të cilin ka përshkruar një krim special të këtyre kriminelëve ushtarakë nga të cilët Serbia nuk heq dorë dhe nuk distancohet.

Përkundrazi, edhe zyrtarisht i bënë edukatorë të akteve kundër njerëzimit siç është krimi i luftës duke ligjëruar këtë lëndë, po duket e posaçme kundër shqiptarëve në Kosovë.

Ata edhe kanë çfarë të ligjërojnë pasi e kanë të pasur përvojën nga krimet në Kosovë.

Surroi ka rikujtuar njërin nga krimet:

Më 1 maj të vitit 1999 , afër “Ferronikelit” u ekzekutuan Shyqri Deliu së bashku me 24 të tjerë. Shyqri Deliu ishte 13 vjeçar, të tjerët së bashku me të ishin që të gjithë të mitur.
Komandant i zonës së përgjegjësisë , në ushtrinë serbe ishte Lubisha Dikoviq, sot shef i shtatmadhorisë të Ushtrisë së Serbisë. Epror i tij ishte gjenerali Vlladimir Lazareviq, i dënuar me dhjetë vjet burgim nga Gjykata e Hagës për krime lufte.

Me vendim të Ministrit të mbrojtjes të Serbisë, gjeneralët Dikoviq dhe Lazareviq do të japin mësim në Akademinë ushtarake të Serbisë.

Njëra prej orëve mund të jetë ekzekutimi i fëmijëve si mjet për mbrojtjen e integritetit dhe sovranitetit të Serbisë, shkruan Insajderi./ KultPlus.com