Kujtime letrare, për Edgar Degasin

Do t’ju them tani disa fjalë për piktorin Edgar Degas, që e kam njohur mirë e që zë vend krejt natyrshëm pranë Huysmans-it dhe Mallarmé-së. Ju e njihni veprën e Degas-it; sot ajo ndodhet nëpër muze. Ky njeri ishte personaliteti më i palëkundur, më i gjallë, shpeshherë më i parehatshëm; njeri i mendjes dhe i një inteligjence të rrallë.

Kur e njoha unë, Degas jetonte në një shtëpi në rrugën Victor-Massé, sot e shkatërruar, ku ai kishte zënë tre kate. Në të parin ishte muzeu i tij vetjak. Kishte grumbulluar atje vepra të piktorëve që adhuronte. Kishte disa piktura shumë të bukura nga Delacroix, Corot, Ingres etj. Sipër, ishte apartamenti i tij, një nga apartamentet më të pluhurta që kam parë në jetën time. Kishte vetëm pluhur dhe mrekulli; skicat e tij të preferuara mbulonin muret. Në katin e tretë ishte atelieja. Atje gjendeshin vaska e banjos, legeni dhe sfungjerët që i kanë shërbyer aq shpesh si modele e që paraqiten në një numër të madh të kompozimeve të tij.

Por, nuk dua t’ju flas për Degas-në piktor dhe kritik të admirueshëm. Do flas për një Degas më pak të njohur, për Degas-në njeri të letrave dhe poet. Kishte brenda tij një shkrimtar latent e, para së gjithash, një njeri të mendjes, fjalët e të cilit janë aq të njohura saqë unë s’do t’i përsërit aspak përpara jush. Kishte gjithashtu një Degas poet, një Degas që u përket këtyre kujtimeve letrare që po ju tregojmë sot.

Nuk do flas për të si për një poet amator. Degas-i, mendje e përpiktë, nuk mund të duronte të mbetej në stadin larvor të amatorit. Ai kishte një kureshtje të drejtpërdrejtë e të pafundme për gjithçka që përbën zejen, do thoshim sot teknikën, në arte. Ai bënte, pra, vargje me ndjesinë e një zanati që nuk e zotëronte; nga ana tjetër, i bënte këto vargje me mundimin më të madh, sepse kush bën vargje pa mundim nuk bën aspak vargje. Kur e kapte shqetësimi, kur muza i mungonte artistit apo artisti muzës, ai merrte këshilla, shkonte të ankohej pranë njerëzve të artit. Rendte sa te Heredia, sa te Stéphane Mallarmé-ja; u shprehte këtyre mjerimet, dëshirat, pamundësitë e tij, thoshte:

“Kam gjithë ditën që punoj për këtë dreq soneti. Më iku një ditë e tërë, larg pikturës, duke bërë vargje dhe nuk arrij dot aty ku dua. Më ka zënë koka.”

Një herë që po i mbante këtë fjalim Mallarmé-së, përfundoi duke i thënë:

“Nuk e shpjegoj dot përse nuk arrij të mbaroj poezinë time të vogël, sepse, tek e fundit, kam plot ide.”

Dhe Mallarmé-ja iu përgjigj:

“Poezitë nuk bëhen me ide, Degas, por me fjalë.”

Ka në këtë frazë një mësim të madh.

Nga: Paul Valery
Përkthyer nga: Alket Çani /KultPlus.com

Piktura e vjedhur e Edgar Degas është gjetur në një autobus

Një pikturë e shekullit të XIX, e artistit francezë Edgar Degas e cila ka vlerë rreth 800 mijë euro (saktësisht 700 funta), është gjetur në një autobus afër Parisit, përcjell KultPlus.

Piktura e Degas është realizuar në viti 1877 kurse ishte vjedhur nga një muze në Marseilles, nëntë vite më parë.

Vepra e arti, u zbulua në një depo të bagazheve të një autobusi, pasi policia po bënte kontrolle të rastësishme, në një zonë pushimi në një autostradë, rreth 20 milje në lindje të Parisit. Asnjë nga pasagjerët e autobusi nuk e kishte marrë pikturën, kurse më vonëautenticiteti i pikturës ishte konfirmuar nga muzeu Orsay.

Ministri francez i kulturës, Francoise Nyssen, siç raporton independent është shprehur i lumtur më rikthim e kësaj vepre, zhdukja e të cilës pat qenë një humbje e madhe për trashëgiminë e Francës.

Artisti francezë është i famshëm për pikturat e tij dhe skulpturat e valltarëve. Ai ka lindur në Paris në vitin 1834, dhe konsiderohet si një nga themeluesit e impresionizmit francezë, lëvizje kjo e artit në shek. XIX. / KultPlus.com