Ejup Statovci, “arkitekti historik” i Universitetit të Prishtinës

Tetori brenda kujtesës sonë na rikthen në qëndresën studentore, atëherë kur individi përfaqësonte vullnetin e grupeve, e grupet brohoritnin interesat e Kosovës të viteve të 90-ta. Mirëpo, një rol kyç për protestat studentore të asaj kohe padyshim që kanë pasur edhe profesorët, të cilët në vijën e parë të frontit i qëndronin besnik kërkesave për Universitetin, shkruan KultPlus.

Një ndër emrat kryesorë që i dhuronin shtysë studentëve, ishte edhe akademiku Ejup Statovci. I shkolluar në Zagreb, Lubjanë, Kembrixh e Harvard, gjithë jetën ia dedikoj akademizmit dhe jetës universitare. Ai kishte marrë pjesë edhe në hartimin dhe komentimin e Kushtetutës së Kaçanikut. Ndërkaq, rezistenca e tij e shkëlqyeshme shfaqet më së miri në vitet përgjatë të cilave Universiteti i Prishtinës kishte kohën e saj më të rëndë.

Periudha 1991-1997 do ta gjente profesorin universitar në Fakultetin Juridik në pozitën e rektorit, duke i kthyer këto vite në përpjekje krahë më krahë me studentët, për të vetmin qëllim, arsimimin dhe Kosovën e lirë.

Arsimimi shqip dhe liria universitare kanë burim te figura të mëdha përgjatë historisë, të cilët përmes aksioneve të veta kishin bërë një kthesë të madhe të gjendjes. Ejup Statovci e bëri këtë përmes punës së tij për institucionalizimin juridik të Universitetit, duke nxjerrë Dekretligjin mbi shkollimin e lartë dhe Statutin e Universitetit; duke e transformuar atë në një Universitet të kohës sipas përvojës evropiane dhe botërore, duke e afirmuar dhe pranuar atë brenda dhe jashtë si Institucion shtetëror.

Sot, qëndrueshmëria e themelit universitar iu atribuohet këtyre figurave, e një ndër ta padyshim edhe Statovci. Kontributi i tij i madh si rektor, u kurorëzua me një mirënjohje nga Universiteti i Prishtinës, më 15 shkurt 1999, atëherë sa akademiku ishte ende gjallë.

Ndërkaq, “mirënjohje post mortum për kontributin e veçantë për rifillimin e punës së Universitetit të Prishtinës dhe për udhëheqjen e tij në kushte të jashtëzakonshme në periudhën 1991-1997”, iu nda edhe me rastin e 30-Vjetorit të themelimit të Universitetit të Prishtinës, më 16 maj 2000.

Ejup Statovci i mbylli sytë më 19 tetor të vitit 1999, për të mbetur një ndër arkitektët e Universitetit të Prishtinës./KultPlus.com