Elvira Haxhiaga në FemArt: Shëndeti mental në Kosovë është lënë pas dore

Medina Pasoma

Njohja, pranueshmëria, respekti e dashuria ndaj vetes, kurajoja për të kundërshtuar shoqërinë në këmbim të asaj çfarë dëshiron individi të jetë dhe plotë tema tjera të cilat kanë pikënisje unin, u diskutuan në episodin e 5-të të podcastit të FemArt në mes të moderatores Uresa Ahmeti dhe psikologes Elvira Haxhiaga, nën temën “Qysh me e dashtë veten që me e dashtë edhe tjetrin?”, shkruan KultPlus.

Podcasti i parë feminist “FemART Podcast: Feminism 101” është realizuar në kuadër të edicionit të 8-të të Festivalit FemArt, i cili këtë vit erdhi para publikut me moton “Solidariteti dhe Qëndrueshmëria”. Nën autorësinë dhe moderimin e Uresa Ahmetit, ky podcast vie me 6 episode, e që në secilat prej tyre trajtohen tema sociale dhe aktuale.

Mysafirja e episodit të 5-të të Podcastit ishte psikologia dhe pjesëtarja e komunitetit LGBTI, Elvira Haxhiaga, e cila një pjesë të jetës së saj e ka kaluar në Suedi, ndërkaq që 5 vite jeton dhe vepron në Kosovë duke punuar me njerëz rreth shëndetit të tyre mental dhe emocional.

Podcasti “Qysh me e dashtë veten që me e dashtë edhe tjetrin?”, kishte tematikë njohjen dhe pranimin e vetes, që dikur do të shndërrohej në komunikimin të mirëfilltë me tjetrin. Përderisa diskutimi filloj me kërkesën e moderatores që folësja ta prezantoj veten, Elvira Haxhiaga nisi rrëfimin e saj duke thënë se do të filloj të tregoj nëse e do veten dhe çfarë ka bërë për ta arritur këtë dashuri deri më tani.

Shëndetin mental në Kosovë, Haxhiaga e vlerëson se është lënë pas dore, teksa tregoj përvojën e saj se në Skandinavi përpara fillimit të rrugëtimit psiko-terapeutik për të tjerët, ajo vet iu është nënshtruar terapisë një vjeçare, rregull ky që ua mëson qasjen e duhur psikologëve.

Për një shëndet mental të mirë, Haxhiaga thotë se ne duhet ta tregojmë të vërtetën sepse fshehja e saj te ne shkakton “mbeturina”, ashtu siç ajo iu qaset gjërave të cilat i heshtim në brenditë tona. Ndërkaq shfaqja e këtyre “të fshehtave” sipas saj na bën që të shërohemi.

“Sa më shume gënjejmë, mbajmë sekrete, nuk e tregojmë të vërtetën, më shumë do të sëmuremi, më shumë kemi me vdek para kohës”, shprehet psikologja Haxhiaga.

Kujdesi ndaj vetes duhet të jetë prioritet i individit sipas Haxhiagës. Këtë mund ta bëj nëpërmjet ndjekjes të asaj që i pëlqen personit dhe jo shoqërisë, madje edhe duke e shpërblyer veten me kohë e dhurata të ndryshme.

“Kur e shtroj pyetjen se çfarë ke bërë sot që të ndjehesh mirë, askush nuk e kupton, sepse askush si ka pyet “si je sot?”, “çka po bën për veten tënde”. Është e jashtëzakonshme kjo pyetje dhe pastaj s’e dinë përgjigjën”, vazhdon tutje Elvira.

Përgjatë diskutimit ajo shprehi ndikimin e orientimit seksual në raport me shëndetin mendor, duke thënë se në shoqëritë të cilat kanë rregulla strikte për gjininë, është e vështirë pranueshmëria e vetes.

“Krijimi i identitetit varet nga individi në çfarë rrethana kalon dhe a ka presion për të qenë një identitet i caktuar. Vetëm të menduarit ndryshe mjafton për të pasur presion, e lëre me nëse ke preferenca për gjininë e njëjtë”, u shpreh ajo, duke folur për vendin tonë.

Mirëpo, çështja identitare për Elvirën mbetet e shtresuar në shumë hallka të cilat ndikojnë drejtpërsëdrejti, duke nisur qysh në familje.

“Në Kosovë është shumë e vështirë të punosh dhe ta pranosh veten sepse këtu askush s’na mëson si ta pranojmë veten, jemi të rrethuar me njerëz që askush s’e ka pranuar veten, as babai, as nëna, as gjyshja. Andaj, i takojmë krejt njerëzit agresiv, të dëshpëruar, të hidhëruar, në ankth e në depresion e pikërisht ata duhet të na rrisin”, shpjegoj Haxhiaga.

Ajo vazhdoj duke thënë se tragjedia më e madhe e jona si komb mbetet se ne këshillohemi nga njerëzit e dështuar, që si proces pastaj kthehet në gjeneratë të dështuar, ndërkaq për ta kundërshtuar këtë fenomen duhet personi të ketë fuqi të madhe.

Një tjetër temë e prekur përgjatë këtij podcasti u bë edhe seksizmi. Elvira i sheh si seksiste shikimet në rrugë, ngacmimet që bëhen me fjalë të ndyta, me vende edhe shakat familjare, të cilat gjuhen kundër gruas. Ky fenomen negativ, sipas Elvirës, në shoqërinë tonë shfaqet në familje, rrugë, madje edhe në institucionet ku punojmë.

“Mashkullit i kanë jap të drejtat ta ngacmojë një femër, ose t’i thotë bëje ose mos e bëj këtë, madje edhe të vendos ai për jetën e dikujt tjetër. Seksizmi shfaqet në atë relacion saqë gruaja bie aq poshtë e kërkon ndihmë, sepse është në depresion, ndjehet e lënduar dhe e dëshpëruar”, shtoj tutje Elvira Haxhiaga.

Seksualiteti i gruas në Kosovë nuk ekziston sipas saj, ndërkaq prezente janë vetëm dëshirat dhe preferencat e mashkullit. Elvira vazhdon duke thënë se nëse gruaja merr hap që t’i shpreh ato, ajo do të poshtërohet, pështyhet madje as s’do të pranohet në familje. Rëndësi të madhe në këtë mes ka edukimi që prindërit ia falin fëmijës, e cila ndikon pastaj në perceptimet e individit.

Shprehja e ndjeshmërisë së brendshme shpesh është e përcaktuar nga normat shoqërore. Vijat e kuqe për ndarje gjinore ekzistojnë edhe për të qajturit. Përderisa gruaja shihet si e butë dhe të qajturit për të është normale, burrat steretiopizohen se nuk duhet të derdhin lot. Sipas Elvirës, duke qajtë ne e lirojmë emocionin dhe marrim frymë më lehtë.

“Trupi është aq i mrekullueshëm saqë vet e di kur duhet të qahet e kur jo, nuk kemi nevoje me ia ndal procesin. Ndërkaq, për të pasur një trup të shëndoshë, duhet të kemi një mendje të shëndoshë, në këtë rast ta dimë se nëse e bëj këtë do të ndjehem kështu, nëse e neglizhoj veten do të ndjehem keq”, sqaron tutje psikologja Elvira Haxhiaga.

Krijimi i solidaritetit dhe qëndrueshmërisë në mes komuniteteve është tejet i vështirë, ndërkaq arsyeja për këtë ndarje sipas Elvirës qëndron në ego, e cila i shkëput bashkëpunimet.

“Arsyeja pse jemi të ndarë është sepse s’e duam veten, aq shumë e urrejmë veten saqë as tjetrin s’mund ta durojmë. Sa ma shume që se do veten aq më shumë ke ego, kur ki ego nuk mund të bashkëpunosh”, thotë ajo.

Haxhiaga tutje vazhdon duke thënë se duhet të kemi komunikim më shumë, mirëpo që në fakt ne nuk dimë ta bëjmë këtë, sepse ne vetëm bërtasim. Nuk e dëgjojmë tjetrin për ta kuptuar por, për t’u përgjigjur.

Në fund të podcast u shpreh mungesa e vetëdijes në hallka të thella të shoqërisë, duke përfshirë familjen, socialen, politiken. Mirëpo kontributi i një personi do të krijoj një lëvizje, e cila dalë ngadalë do të kthehet në ndryshim./KultPlus.com