Historia e dhimbshme e Gramoz Palushit, tifozit që fajin e vetëm e kishte gëzimin

Gramoz Palushi kishte lindur dhe ishte rritur në Kukës. Për të siguruar një jetë më të mirë ai kishte emigruar në shtetin fqinj, atë Grek, shkruan KultPlus.

Në ndeshjen e 2004-ës mes Shqipërisë dhe Greqisë në stadiumin “Qemal Stafa”, Shqipëria fitoi 2 me 1, duke mundur kështu edhe të sapo shpallurën Kampione të Evropës. Gëzimi i fitores ishte i jashtëzakonshëm për të gjithë shqiptarët, e veçanërisht për diasporën.

Në ishullin Zakinthos në Greqi po festonte edhe Gramozi. Një turmë grekësh e sulmuan pas shpine duke i ngulur thikën. Kur ai shkoi në spital nuk mori trajtimin e duhur nga personeli mjekësor dhe u la për një kohë të gjatë pa ndihmën e askujt nën pretekstin se ai nuk posedonte sigurim shëndetësor.

Tifozit shqiptar ia morën jetën në rrugicat e shtetit grek vetëm e vetëm pse mbajti flamurin kombëtar në dorë.  Gramozi vdiq sepse po festonte fitoren e Shqipërisë kundër Greqisë. Ai ishte vetëm 20 vjeç kur gëzimin më të madh ja kthyen në gëzimin e tij të fundit./ KultPlus.com