Nëse ju bie rruga në sheshin e piktorëve në ishullin grek të Rodosit, ju mund të hasni në Bekim Fehmiun të pikturuar nga dora e artistit shqiptar që me vite jeton në Greqi, Diamant Shehu. Dashurinë, mallin dhe frymëzimin që mori nga vendlindja, ai e zbërthen në pikturat e tij mahnitëse.
Lindur në qytetin e Memaliajt, vitet e para të fëmijërisë i kaloi në fshatin e lashtë të Shehajt (i njohur tashmë si Anëvjosë), sipas tij fshati më i bukur në gjithë trevën shqiptare. Piktori Diamant (Elmas) Shehu i cili sot bënë një jetë boheme, është një vizionar që ka gjetur frymëzim të veçantë në peizazhin dhe trashëgiminë e tij kulturore, shkruan KultPlus.
Jeta e thjeshtë i ka ndihmuar të mbajë fokusin tek krijimi, pa ju nënshtruar rregullave dhe konvencioneve të shoqërisë. Që në kohën e tij të fëmijërisë, Diamanti manifestoi aftësinë e tij të jashtëzakonshme për të vizatuar dhe për të përdorur ngjyrat në mënyrë të mahnitshme. Në ato fusha të gjelbra dhe kodrat e Anëvjosës, ai gjeti burimin e parë të inspirimit për kreativitetin e tij të ardhshëm. Fshati i tij i lindjes nuk ishte vetëm një vendbanim, por një burim i pashtershëm për të nxjerrë në pah bukurinë natyrore dhe ritmet e jetës rurale.
Filloi të vizatoj që kur mban mend vetën. Me mbështetjen e babait të tij, që për të mbetet i paharruar, ai vazhdoi pandalur rrugën e pikturës.
“Babai gjeti te unë talentin dhe nuk u tërhoq kurrë, as kur mori vlerësim negativ për talentin tim. Andaj i jam mirënjohës përjetë”, shprehet Diamanti në një intervistë për KultPlus.
Përderisa përkrahja nuk i mungoi, ajo u kthye në punë e vullnet për të kaluar me sukses konkursin për pikturë në liceun artistik “Jordan Misja” në Tiranë dhe tutje shkollën e mbaroi në qytetin e Beratit me mësues, artistë të njohur të pikturës, skulpturës dhe grafikës.
“Ekspozitën e parë e kam hapur në vitin 1987 në SHQUP (Shtëpia Qëndrore e Ushtrisë). Me rënien e sistemit totalitar kontakti me artin u bë më tepër shpirtëror, për më shumë se 20 vjet. Në vitet e para të demokracisë kam qenë në kërkim të vetvetes dhe në këtë periudhë deri në vitin e Zi për Shqipërinë, 1997, kam mbijetuar duke bërë punë nga më të ndryshmet”, shprehet Diamanti për një ndër periudhat më të vështira të jetës.
Sot, kur ne po bisedojmë me të, ai jeton dhe punon në sheshin e piktorëve në ishullin grek të Rodosit.
Ishulli grek i Rodosit, ky ishull i lashtë, i mbushur me pasuri historike dhe pamje natyrore të mahnitshme, i ofroi artistit një platformë për të shprehur ndjenjat e tij më të thella. Duke përdorur teknika të ndryshme dhe kombinime ngjyrash, Diamanti i dha jetë peizazheve të pafundme të ishullit, duke i dhënë atyre një dritë të re dhe një kuptim të thellë emocional.
Pikturat e tij kanë një shtrirje të gjerë, ndërsa për portretet që duket sikur janë pjesa dërmuese e punës së tij të përditshme, ai thotë se akoma nuk ka gjetur arsye tjetër për të punuar portrete ,veç atyre ekonomike.
“Portreti është gjini e vështirë nga ana teknike por vetëm si portret, pa u plotësuar me atmosferën historike dhe pa u kompozuar nga syri i artistit, ngelet larg artit”, shprehet Diamanti.
Edhe pse sot jeton në Greqi, ai ka mbetur i pandarë nga kujtimet e fëmijërisë së tij në Anëvjosë. Për artistin, kjo pjesë e jetës së tij është burimi i vërtetë i identitetit dhe frymëzimit të tij. Duke mbajtur gjallë trashëgiminë kulturore të fshatit të tij të lindjes, ai ka sjellë në jetë historinë dhe traditat e tij nëpërmjet pikturave.
Ndërsa kur flasim për portretet, aty ku piktori duket sikur ka zhytur veten dashje padashje, ai në këtë pikë ka një portret që e ka realizuar qindra herë.
Është portreti i aktorit të njohur shqiptar, Bekim Fehmiut, për të cilin piktori flet me superlativa dhe dëshmon se ka ruajtur lidhjen e fortë me identitetin shqiptar dhe e ka sjellë atë me pasion në punën e tij artistike.
“Bekim Fehmiu është një mit i madh dhe një pikë referimi për të gjithë ata artistë që e shikojnë se jeta e tyre artistike dhe kulturore ngjan për nga natyra dhe kushtet politike dhe shoqërore në të cilat duhet të gjej rrugën për të punuar dhe jetuar normalisht dhe duhet të bëhen ura lidhëse për popujt dhe politikën e stilit ballkanik, që punon për të kundërtën”, shprehet artisti Shehu.
Përkundër dashurisë së madhe për këtë aktor, Diamanti nuk e ka pasur fatin ta takoj fizikisht asnjëherë, por me figurën e tij artistike ai pohon se takohet çdo ditë.
“Takohem me të kur turistët serb thonë se është serb dhe kur ata shqiptarë e blejnë portretin e tij ,apo edhe kur vendasit grekë befasohen kur mësojnë kush është artisti që ka luajtur rolin e Odiseut përkrah të madhes Irene Papas. Por momentet më të mira i kam me bashkatdhetarët tanë të cilët befasohen kur mësojnë se jam shqiptar dhe marr guximin të pikturoj Bekim Fehmiun në Greqi”, shprehet Diamanti teksa ndan me ne edhe një moment shumë emocional kur një djalë nga Vlora, me profesion aktorë në Londër, po qante përballë portretit të Bekim Fehmiut derisa nuk po mund të merrte veten për tu shprehur nëse mund ta blinte atë portret.
Përmes pikturës së tij, Diamanti ka një synim, që figura e Bekim Fehmiut të njihet edhe nga populli artdashës grek dhe të largohet çdo pengesë fetare, ideologjike dhe kulturore ndaj krijimeve artistike të cilat përcjellin mesazhe që nuk përkojnë me këndvështrimin e ngushtë që kultivojnë për shekuj me radhë në Ballkan.
“Arti është shpirti i njeriut. E bukura do të duhet të kultivohet kudo dhe ajo duhet të triumfojë. Mbi të zakonshmen, të rëndomtën ,mbi atë që përmban kotësinë. Nëpërmjet artit mund të shkruajmë historinë njerëzore pa ftuar politiken në kuvend”, thotë piktori.
Krejt për fund, Diamanti ka zbuluar për KultPlus se është duke punuar për një ekspozitë individuale në grafikë dhe skulpturë të cilën do ta prezantojë në Ishullin e Rodosit ku jeton që nga viti 1997.
Përkundër jetës së vështirë e plot sfida, nëse do të kishte një gjë për të cilën do të kthehej në kohë dhe ta bënte ndryshe, Diamanti nuk është i kësaj natyre.
“Nuk do doja të shikoj prapa për të ecur përpara. Besoj se koha nuk kthehet më. Për më tepër besoj te thënia: Mos humb kohë për kohën që iku. / KultPlus.com
Zjarrfikësit grekë vazhdojnë të luftojnë tre fronte kryesore të zjarrit për të tretën ditë radhazi, në perëndim të Athinës.
Pesë avionë zjarrfikës dhe tetë helikopterë zjarrfikës u vendosën sot në mëngjes në dispozicion, tha një zëdhënës i brigadës së zjarrfikësve.
Në perëndim, afër qytetit të Loutraki, katër avionë zjarrfikës dhe tre helikopterë u ngritën në ajër për të shuar një tjetër flakë, sipas shërbimit zjarrfikës.
Erërat verilindore pritet të fryjnë në rajon gjatë ditës, duke i bërë operacionet e shuarjes së zjarrit shumë më të vështira dhe potencialisht të nxisin rindezjen e zjarreve.
Një zonë pyjore ishte gjithashtu në flakë në ishullin Rodos, një destinacion popullor pushimesh. Megjithatë, banesat apo fshatrat thuhet se nuk janë kërcënuar nga zjarret.
“Zjarri ne pyjet e ishullit pranë fshatit Apollona mbulon një sipërfaqe prej rreth 30 hektarësh”, sipas brigadës së zjarrfikësve.
Në Greqi prej disa kohësh nuk bie shi.
Fundjavën e kaluar, një valë e nxehtë disaditore e intensifikoi thatësirën.
Në fundjavë, temperaturat pritet të rriten sërish deri në mbi 40 gradë Celsius në shumë vende./ atsh/KultPlus.com
Lindi në Tiranë, më 1964. Ai ka mbaruar shkollën Artistike “Jordan Misja” dhe Institutin e Lartë “Artet e Bukura” në degën Skulptor. Që student ai dallon me basorelievin e diplomimit “Shtegtimi”, vepër që vazhdon të jetë e instaluar në hollin e Fakultetit të Artit Skenik në Universitetin e Arteve, duke e bërë një nga veprat e pakta të diplomimeve që i ka rezistuar kohës.
Kontakti i parë i tij me Greqinë daton në vitin 1991, me një udhëtim për të njohur artin e lashtë grek, art që la mbresa në jetën tij artistike dhe personale çka ndikoi të bëhej edhe pjesë e jetës artistike dhe sociale të këtij vendi të lashtë. Falë talentit Iliriani në pak kohë arriti ë të krijojë një reputacion mes skulptorëve grekë dhe të jetë i pranishëm në shumë ekspozita dhe galeri. Tashmë Iliriani ka studion e tij ku krijon, frymëzohet dhe punon çdo ditë për diçka të re.
Pas viteve ’90 si në shumë fusha të jetës edhe në art u riformatua hierarkia artistike duke sjellë në skenë një brez të “ndryshëm” artistësh, të cilët e shihnin formën dhe mjetin si një mënyrë për të qënë më komunikues dhe intim me publikun. Dhe kur flasim për këtë gjeneratë artistësh, nuk mund të mos fokusohemi tek Ilirian Shima. Në sajë të formave të thjeshta dhe elegante, artisti Shima krijon narrativë intriguese dhe e fton shikuesin të krijojë interpretimin e tij, duke u kthyer në një bashkëbisedim të heshtur, që nuk duhet ndërprerë. Punimet e tij janë aq të plota në thjeshtësinë e tyre, sa që sa më i përpiktë është paraqitja, aq më e plotë është forma dhe kuptimi i tyre.
Mjeshtri Shima eksperimenton vazhdimisht, duke bërë që të jetë në kërkim të rrugëtimeve të reja. Ai ka hapur 12 ekspozita. E para starton në 1991, duke u ndjekur më pas nga ekspozita të tjera në 2001, 2002, 2004, 2006, 2007, 2008 si në galeritë e Athinës, ashtu edhe në galeritë evropiane dhe ato amerikane. Një ndër ekspozitat që ka shenjuar jetën artistike të Ilirianit është ekspozita “FARAJON” e hapur në Tiranë me mbi 40 vepra, që i kushtohen origjinës së lashtë ilire dhe që inspirohen nga imazhi i një vathi ilir 4000-vjeçar, çka tregon dashurinë që artisti ka për vendin e tij, për gjenezën e tij si shqiptar. Gjithashtu, në 100 vjetorin e pavarsisë, u shpall fitues mes 11 studiove që morën pjesë në konkursin kombëtar për monumentin e Kongresit të Lushnjes, “Shpiponjën Dykrenare” prej bronxi. Vepra është e vendosur në parkun e madh të qytetit, përballë shtëpisë ku u mbajt Kongresi.
Një tjetër moment kulmor i krijimtarisë së tij artistike është monumenti i Homerit vendosur në ishullin Ios, ku ndodhet edhe varri i poetit të lashtë grek. Kjo vepër është një nga destinacionet turistike kulturore të ishullit dhe konsiderohet si një arritje tejet ambicioze për çdo krijues. E veçantë ishte edhe ekspozita “The sound of art”, një ndër ekspozitat më mbresëlënëse të Shimës, në bashkëpunim me “Crystal Audio” duke krijuar skulpturën zanore “Melody”, që lë një përshtypje të fortë me pamjen e veçantë, duke promovuar kështu akustikën dhe artin e skulpturës njëkohësisht. Si një mjeshtër i rrallë i mermerit, Iliriani po punon me një tjetër vepër arti, monumentin e të madhes Nënë Tereza, si një figurë që sipas Shimës i ka kaluar dimensionet njerëzore.
Krahas daltës, Shima nuk ka ndarë as penelin duke qenë kështu sa një skulptor i suksesshëm aq edhe një piktor origjinal, një nga pasionet që e ka shoqëruar gjithë jetën. Pikturat e tij janë një thirrje e brendshme e artistit për të dalë jashtë kornizës asfiksuese të kohës, si dhe një kërkesë e brendshme për liri. Veҫojmë këtu pikturat “Mjeshtri”, Vajza qeramiste”, “Muza”, etj, etj.
Dhe një artist me vlera nuk ka se si të mos vlerësohet e nderohet. Iliriani është nderuar me disa ҫmime si kombëtare ashtu edhe ndërkombëtare.
Ilirian Shima – sinjifikimi i artistit të realizuar dhe vlerë e shtuar e artit shqiptar në Greqi!!
*Marrë nga faqja facebook e Ambasadës shqiptare në Greqi / KultPlus.com
Këtë fundjavë u mbajt në Selanik seminari për mësuesit e mësimit plotësues të gjuhës shqipe. Tema e këtij viti ishte “Shkëmbim përvojash, orë praktike mësimore në shërbim të rritjes së cilësisë së mësimdhënies, kryesisht për mësuesit e Greqisë”
Në seminar morën pjesë dhe përfaqësues të institucioneve shtetërore nga Shqipërisa, Kosova dhe pushteti lokal në Selanik.
Ndër temat që u prezantuan me shumë interes sidomos për mësuesit e mësimit plotësues në Greqi, ishte prezantimi i studimit “ Shqipja dhe greqishtja, ndikimi te njëra tjetra, duke u nisur nga përvoja e mësimdhënies te fëmijë dygjuhësh”, studim i përgatitur nga Aurela Konduri, mësuese e gjuhës shqipe, studiuese për çështje të dygjuhësisë dhe shumëkulturës në arsim dhe në shoqëri dhe prof.as.dr. Rozana Rushiti, Pedagoge e Sintaksës, Departamenti i Gjuhësisë, Universitetit i Tiranës.
“Objekti i studimit është parë brenda dygjuhësisë së emigracionit që karakterizohet nga fakti se fëmijët dygjuhësh (tipike për fëmijët dhe moshat e reja) duhet të përballojnë jashtë mjedisit familjar, përgjithësisht, njëgjuhësh (monoling), një gjuhë të ndryshme, që nuk e flasin domosdoshmërisht prindërit e tij ose që e flasin keq. Bëhet fjalë për një pjesë të mirë të shoqërisë shqiptare, për fëmijët e emigrantëve ekonomikë që sot punojnë e jetojnë Greqi” shpjegoi për “Diaspora Shqiptare”, Konduri.
Qëllimi është për të kuptuar më mirë situatën e dygjuhësisë, ndikimet dhe interferencën mes dy gjuhëve: shqipes dhe greqishtes do duhet kuptuar shkalla e përvetësimit dhe e zotërimit të këtyre gjuhëve nga fëmijët shqiptarë, si dhe dhënia e disa përgjigjeve, në lidhje me pyetjet: Në ç’situata ligjërimore përdorin greqishten dhe në ç’situata shqipen?
Në ç’kushte i këmbejnë apo i alternojnë të dyja gjuhët?
Çfarë dukurish të ndërveprimit e ndikimit shfaqen në përdorimin e këmbyeshëm të dy gjuhëve?
“Për të shpjeguar këto çështje u ndalëm konkretisht në përvojat e mësimdhënies me fëmijët shqiptarë për të parë se si ndërveprojnë gjuhët që ata njohin e mësojnë. Rastet e studimit tonë u mbështeten në të dhënat nga materialet e mbledhura (detyra, ushtrime, diskutime, intervista) të fëmijëve shqiptarë që mësojnë gjuhën shqipe në shkollën shqipe të shoqatës së emigrantëve shqiptarë “Nënë Tereza” në Selanik, Greqi dhe nga të dhënat nga tri projekte te realizuara me ta në bashkëpunim me universitetin “Aristoteli” dhe universitetin e “Kretës”, shpjegon ajo.
Shumica e fëmijëve dygjuhësh nuk i përdorin në mënyrë të barabartë të dyja gjuhët: njëra gjuhë është më e rrjedhshme se tjetra, edhe në të folur, edhe në të shkruar, duke ndikuar te gjuha tjetër (ku si gjuhë dominante, të favorizuar jo domosdomërisht kanë shqipen, pasi si gjuhë e parë e tyre mund të jetë edhe gjuha e mjedisit, e vendit ku jetojnë, gjuha që përdorin në shkollë, pra greqishtja)
“Për fëmijët dygjuhësh, mësimi dhe përvetësimi i shqipes bëhet nëpërmjet shfrytëzimit të të gjitha mjeteve gjuhësore që ata kanë në repertorin e tyre, pavarësisht nga niveli i zotërimit apo mënyra se si i kanë arritur ato njohuri. Një qasje e tillë pedagogjike jo vetëm lejon, por edhe inkurajon përdorimin e dy gjuhëve në klasë,për qëllime të mësimdhënies”, shpjegon më tej Konduri.
Me rritjen dhe shkollimin te fëmijët shfaqen jo vetëm mbizotërimi i njërës gjuhë në raport me tjetrën, diferencat gjuhësore, vështirësitë në nxënie, por edhe ndikimet që luajnë te këta fëmijë sistemet gjuhësore te njërës apo tjetrës gjuhë.
Problematikat e ndikimeve mbeten dhe shfaqen kryesisht tek ata folës të shqipes, psh, te studentë shqiptarë, që e mësojnë shqipen në moshë të madhe, që nuk ndjekin kurse të gjuhës shqipe, që e njohin shqipen vetëm nga mjedisi familjar dhe nga kontaktet që kanë pasur me këtë gjuhë gjatë vizitave të tyre në Shqipëri.
“Është normale që në gjuhë të ndryshme të kemi struktura gramatikore të ndryshme. Në këtë raste ndodh që ndikimi të jetë i dukshëm, sepse struktura gramatikore të njërës gjuhë janë të ngulitura në vetëdijen e folësve. Si rrjedhim, gjatë ligjërimit folësi dygjuhësh do të ketë prirjen të përdorë modelin që ai njeh më mirë, nga gjuha dominante e tij, pavarësisht se ky nuk është modeli i saktë në ligjërimin e gjuhës tjetër. Për t’iu mësuar sa më mirë gjuhën shqipe nxënësve dygjuhësh, përparësi marrin metodat e mësimdhënies. Nëpërmjet dygjuhësisë zbulohen jo vetëm interferncat mes dy gjuhëve, por dhe aftësia e shqipes për t’u përshtatur e për t’u përballur me gjuhët në kontakt”, përfundoi ajo./ Diaspora shqiptare / KultPlus.com
Pas motit ekstrem që i mori jetën dy personave, deti në Kretë është mbushur me një lloj shkumbe të bardhë. Vende-vende në brigjet e Kretës shkuma merr edhe ngjyrë kafe pasi përzihet me sasinë e madhe të baltës.
Mediat në vend, duke cituar ekspertë thonë se fenomeni është rezultat i sasisë së madhe të baltës që përfundoi në det pas shirave.
Balta transportoi në det edhe lëndë ushqyese duke bërë që këto lëndë ushqyese të shkaktojnë një rritje intensive të mikroorganizmave planktonikë, të cilët, si produkte të metabolizmit të tyre, lëshojnë proteina dhe përbërës të tjerë organikë.
Të gjithë këto faktorë, sipas ekspertëve, shkaktojnë edhe fenomenin e shkumëzimit (njëlloj si në rastin kur rrahim të bardhën e vezës që është proteinë.) Fenomeni nuk është as i rrezikshëm dhe as helmues, por gjithsesi do të merren mostra dhe do të kryen analiza./ KultPlus.com
Fëmijët e komunitetit shqiptar në Halkidha të Evias në Greqi nga sot e tutje do të kenë një shkollë për mësimin e gjuhës shqipe.
Hapja e këtij kursi u realizua falë përpjekjeve të vazhdueshme të Shpresa Rajta, Drejtuese e Shoqatës së Emigrantëve Shqiptarë në Evia dhe anëtarëve të saj, si dhe falë bashkëpunimit të ngushtë midis shoqatës, Ambasadës dhe pushtetit vendor.
Pjesë e ceremonisë së hapjes ishte edhe Ambasadorja e RSh-së në Athinë, Luela Hajdaraga së bashku me Oficeren Koordinuese për Diasporën, Joneda Dodaj.
Të pranishëm gjithashtu në këtë ceremoni ishin Drejtoresha e Liceut të Përgjithshëm grek ku do të zhvillohet mësimi plotësues i gjuhës shqipe, Maria Mattheu, Kryetari i Komunitetit Shqiptar në Greqi, Ermal Sulaj, Kryetari i Lidhjes së Mësuesve Shqiptarë në Greqi, Pierin Lleshi, Kryetarë dhe anëtarë të shquar të komunitetit, prindër, nxënës, të cilët dhanë mbështetjen e tyre për këtë aktivitet.
Aktiviteti u përshëndet nga Ambasadorja Hajdaraga, e cila pasi përgëzoi shoqatën për këtë iniciativë, vuri në dukje se ruajtja dhe promovimi i gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare përbën prioritet të rëndësishëm për Ambasadën, ndërsa theksoi se e drejta e të mësuarit gjuhën amtare është detyrë jo vetëm e mjedisit familjar dhe atij shkollor, por gjithashtu detyrë e vendit amë dhe shtetit pritës.
Mësimdhënia e gjuhës shqipe në Halkidha do të zhvillohet çdo të dielë, ora 10:00 – 12:00. Për më tepër informacion, të interesuarit mund të kontaktojnë Shoqatën e Emigrantëve Shqiptarë në Evia në linkun https://www.facebook.com/shoqataevias. / Diaspora shqiptare / KultPlus.com
Franca ka evakuuar më shumë se 16 mijë njerëz të kërcënuar nga zjarret në jugperëndim, pasi zjarret u përhapën edhe në Spanjë, Kroaci dhe Greqi.
Autoritetet në Gironde të Francës, një rajon i njohur turistik, kanë evakuuar rojet nga kampingjet – turistët u larguan më herët. Zjarret janë përhapur në zonat Teste-de-Buch dhe Landiras.
Në Spanjën jugore, më shumë se 3 mijë e 200 njerëz u larguan nga zjarret në kodrat Mijas, megjithëse më vonë disa mundën të ktheheshin.
Zjarret e Portugalisë janë vënë nën kontroll për momentin.
Më shumë se 1000 vdekje i janë atribuar vapës në Portugali dhe Spanjë ditët e fundit. /Express / KultPlus.com
Fondacioni “Andreas Lentakis” për Kulturë dhe Edukim po organizon një ekspozitë arti nga Amandia Rokai, kushtuar Frida Kahlo, një personalitet i çuditshëm që gëzon popullaritet në mbarë botën.
Ekspozita e cila do të hapet më 20 maj 2022 në ora 20:00 është në vetvete një ngjarje artistike, pasi do të prezantohet për herë të parë në Athinë nga një artiste e re.
Amandia Rokai është përfshirë në art në forma të ndryshme këto dymbëdhjetë vitet e fundit. Frymëzimi i saj kryesor është Frida Kahlo dhe veprat e saj pasqyrojnë në radhë të parë pasionin për punën e saj, origjinalitetin, por edhe një admirim të pamasë për Frida Kahlo.
Ekspozita është kuruar nga kritikja e artit Naka Evangelia.
Në këtë ekspozitë, gjithashtu do të marrë pjesë dhe Vilma Zioga, violiniste e Orkestrës Simfonike të ERT (Radio Televizioni Kombëtar). / Diaspora shqiptare / KultPlus.com
Pas dy vitesh mbyllje dhe masa të rrepta kufizuese Greqia merr vendimin e shumëpritur. Vendi rikthehet në normalitet menjëherë pas Pashkëve Ortodokse me një plan që përfshin 2 faza zbatuese.
Për sa i përket festës më të madhe të vendit, Pashkëve Ortodokse, masat kufizuese për mbrojtjen nga covid 19 mbeten në fuqi, por pas plot dy vjetësh banorët do mund të udhëtojnë lirshëm brenda dhe jashtë vendit, për të festuar më në fund me familjarët e tyre.
Temperaturat e larta dhe sezoni turistik i shumëpritur për të përballuar sfidat e shumta ekonomike duket se kanë bindur qeverinë greke të hedhë hapin final drejt rikthimit në normalitet, duke ndjekur formulën e mjaft vendeve të tjera të BE-së. Në fazën e parë, nga 1 maj plani i lehtësimit të masave parashikon:
Nuk do të kërkohet më certifikata e vaksinimit për hyrjen në çdo ambient. Punonjësit do kryejnë vetëm 1 self test në javë për t’u lejuar në punë. Nga 3 maj anulohen self test të nxënësve dhe studentëve. Deri në 31 gusht pezullohet numri i kufizuar i personave për ambientet e mbyllura. Pezullohet gjoba mujore 100 euro për moshat mbi 60 vjeç që refuzojnë vaksinimin. Faza e dytë fillon nga 1 qershori: Një ndryshim i madh në rutinën e qytetarëve të vendit do të jetë pezullimi i përdorimit të detyruar maskës në ambientet e jashtme dhe të brendshme, hyn në fuqi nga 1 qershor. Përdorimi i maskës në ambiente të jashtme është prej javësh në vullnetin personal të qytetarëve, por në ambiente të mbyllura akoma edhe në muajin maj rregulli do të vijojë të jetë shumë strikt. Ndërkohë që gjatë verës do mbetet në fuqi përdorimi i maskës në mjetet e transportit si Metro, autobusë, tren, anije, taksi. Në pritje mbetet një vendim për certifikatën e vaksinimit për hyrjen në Greqi, deri tani mbetet kusht për të gjithë sa duan të udhëtojnë në Greqi. Ministri i Shëndetësisë, Thanos Plevris ka theksuar se të gjitha masat do të rishqyrtohen në 1 shtator 2022, kur dhe nuk përjashtohet disa të rikthehen. / Diaspora Shqiptare / KultPlus.com
Qendra Kinematografike e Kosovës në bashkëpunim me Zyrën e Interesave të Kosovës në Athinë dhe Cinobo (distributori grek i filmit), sjellin në Athinë filmin fitues të shume çmimeve ndërkombëtare “Zgjoi” të shtunën më 19 mars në orën 19:30 në kinemanë TRIANON, ku do të jetë prezente edhe regjisorja, Blerta Basholli.
‘Zgjoi’ tregon një histori të fuqishme të vendosmërisë, elasticitetit dhe triumfit të një gruaje në rrethana të vështira. Është një dramë e zjarrtë e bazuar në historinë e vërtetë të Fahrijes (Yllka Gashit), e cila, si shumë gra të tjera në fshatin e saj patriarkal, ka jetuar me shpresën e zbehur dhe pikëllimin në rritje që kur burri i saj u zhduk gjatë luftës në Kosovë.
Debutimi i regjisores Blerta Basholli u bë i pari në historinë e Festivalit Sundance që fitoi të tre çmimet e mëdha në Konkursin Botëror të Kinemasë Dramatike (Çmimi i Audiencës, Çmimi i Madh i Jurisë, Çmimi i Regjisë). Ndër triumfet e tij ndërkombëtare, filmi u vlerësua së fundmi me çmimin e publikut në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Selanik.
Nëpërmjet këtij ekrani debutues të Zgjoit në Greqi, tentohet të dali në pah rëndësia e kinemasë së rajonit tonë dhe prania e saj në kinemanë ndërkombëtare.
Përmasat e tokës helene, të kësaj bote nga më të moçmet e më magjepset e universit njerëzor, bëhen të plota, kur i kundron dhe nga deti. Deti i jep Greqisë atë konfiguracion origjinal, të cilën e ndjen në tokë, kurse nga largësia e ujërave, të duket sikur e sheh me sy.
Nuk e di si më lindi ky mendim fillimisht, por mbaj mend se tek sillesha tërë ato ditë i trullosur udhëve të Athinës, nisa të kuptoja se diçka e rëndësishme i mungonte përfytyrimit tim për këtë vend. Vetëm kur, pas disa ditësh, u gjenda në mes të detit, mendimi m’u ftillua. Tani po, thashë me vete, bota helene gjendet brenda kufijve të saj të mirëfilltë.
Udhëtonim me anijen turistike “Poros” nëpër gjirin e Saronikut. Miqtë tanë grekë të Universitetit Kombëtar të Athinës kishin organizuar një shëtitje nëpër ujërat dhe ishujt e Egjeut. Një rast i bukur që zor se mund të përsëritej. Prapa kishte kohë që kishim lënë portin e zhurmshëm të Pireut dhe kishim dalë në det të hapur. Vetëm konturet e ishujve të vegjël, aq të shpeshtë të këtyre anëve, dukeshin e zhdukeshin në rrafshin e kaltër të horizontit. Anija gumëzhinte nga qindra turistë, që flisnin në gjuhë të ndryshme. Ishte një ditë tepër e kthjellët, nga ato ditë maji, kur kaltërsia e detit dhe e qiellit të bëhet se e ka shndërruar hapësirën përqark në një gjysmësferë të qelqtë, brenda së cilës vërtitej anija jonë e bardhë. Në këto çaste mund të shquaje kaltërsinë e veçantë të botës helene, një kaltërsi e thellë, farfuritëse, transparente, një dritë që ngrihej nga ujërat dhe zbriste nga qielli.
Udhëtimi nëpër arqipelagun e Saronikut është më shumë se një shëtitje zbavitëse. Nuk janë vetëm pamjet piktoreske të peizashit, ngjyrat e forta, ajo begati drite e pafundësi hapësirash, ai shoqërim ledhatar pulëbardhash, plot pirueta e zhytje fantastike nëpër kreshtat e dallgëve që tërheqin e hutojnë udhëtarët. Shumë lidhje asociative të natyrave nga më të ndryshmet përftohen e krijohen te njeriu në këto anë. Vijnë këto nga mitologjia dhe historia, nga kohë të lashta e të reja. Janë perëndi e njerëz, mite e ngjarje të vërteta, të përcjella nga një brez në tjetrin dhe që kanë hyrë aq natyrshëm në qytetërimin e çdo kohe.
Bota helene dhe në det ka se ç’t’u kujtojë e t’u mësojë njerëzve nga madhështia e urtësia e lashtësisë së saj. Sa e sa legjenda e figura të zgjohen në ujërat e Egjeut në çaste të një meditimi të thellë. Të zgjohen me nje forcë sugjestive, të ngacmojnë mendimet, të gjallërojnë përfytyrimet, të trondisin lehtazi e të marrin me vete. Ndoshta askund, sa këndej, nëpër këto hapësira ujore nuk të faniten, tërë ato qënie mitologjike që i takojnë deteve helene. Ngul sytë në kreshtat e dallgëve dhe i pari që të bëhet se del prej tyre është Poseidoni, perëndia e deteve, me sfurkun tridhëmbësh në dorë, hipur mbi një qerre, që e tërheqin kuaj veshur me leshterikë. Ishte Poseidoni, ai që ngrinte dallgët e stuhitë, që u jepte ngjyra valëve dhe drejtonte lëvizjet e tyre. Nëpër këto ujëra, zemërimi i tij nuk iu nda për asnjë çast Odiseut dhe me dallgët e veta i shkatërroi anijet e mbretit të Itakës. A thua të kenë lindur këndej nereidat, nimfat e deteve helene, këto zana të lashtësisë, që legjenda na i tregon si vajza të bukura, flokëlëshuara, të zbukuruara plot stoli, tek shëtisin hipur mbi kuaj të artë e delfinë? Pas nereidave të faniten qenie të tjera. Gjithë ç’ke mësuar nga mitologjia për detin, ta ndjellin tani ujërat e pafundme të Saronikut, të krijojnë mirazhe nga më të çuditshmet dhe padashur të shkon mendja te një mendim i njohur. Tërë këtë univers të mrekullueshëm qëniesh, idesh e veprimesh, njerëzimi e krijoi në fëmijërinë e tij. Një fëmijëri që Marksi e quan gjeniale!
Rrugët e kaltërta nga po kalojmë në mes Atikës dhe Peleponezit janë nga më të rrahurat e më të moçmet e botës. Mendoj këtë dhe kujtoj se këto janë jo vetëm hapësira të mitologjisë, po dhe arena të historisë së këtij vendi të lashtë. Nga larg, pas vellos së përhimtë të mjegullës, duken brigjet e ishullit të Salaminës. Të vjen padashur ndër mend beteja e famshme detare e lashtësisë. Grekët në këtë ngushticë i mundën persët, që kishin ardhur t’i pushtonin. Legjenda rrëfen se orakulli i Delfit tha se vetëm “Muri prej dërrase do ta shpëtojë Athinën” dhe Themistokliu e kuptoi se ç’kuptim kishin këto fjalë dhe e zmadhoi me të shpejtë flotën. Kjo i siguroi fitoren. Në këtë betejë, tregon kronika e kohës, mori pjesë si ushtar i thjeshtë dhe Eskili, ku iu vra edhe vëllai.
Mjafton ta dish sadopak historinë e shqiptarëve të Greqisë dhe të kujtohesh se ky ishull nuk qe i huaj për ta. Përkundrazi, ai është i banuar prej tyre dhe quhet me emrin Kulluri. Kulluri njihet mirë në jetën e shqiptarëve këndej. Ky ishull është vendlindja e Anastas Kulluriotit, figurës ndoshta më të shquar të lëvizjes së arbëreshëve të Greqisë. Askush si ai nuk e ngriti zërin në këto anë, shekullin e kaluar, për kauzën e Shqipërisë dhe të drejtat e vëllezërve të tij Gazeta “Zëri i Shqipërisë”, që nxori në Athinë, u bë tribunë e atdhetarizmit të arbëreshëve. Ky bir i lavdishëm i Kullurit shkroi sa e sa artikuj, zhvilloi polemika, botoi një abetare të shqipes, i dha emër vendlindjes së tij aq sa të kujtohet dhe në ditët tona.
Salamina është ishulli i parë i ishujve të Egjeut që u bënë djepi i Revolucionit. Grek të 1821-shit. A nuk qenë këto ato që ndihmuan në përgatitjen Rilindjen Kombëtare të këtij vendi, që u kthyen në skena të historisë, të një historie heroike që tronditën botën e atëhershme.
Të zgjohen vetvetiu emocione, kur zhduken brigjet e Salaminës dhe anija zbret më tutje për një jug. Sa më poshtë zbret, aq më shumë i afrohesh teatrit detar e tokësor të ngjarjeve të revolucionit. Dhe në këtë çast, ti që ke ardhur nga Shqipëria dhe nuk të është e panjohur jeta e vëllezërve të tu në këtë vend mik, domosdo do të sjellësh nëpër mend ngjarjet e kaluara të këtyre viseve dhe historia do të marrë atëherë kuptim konkret, të gjallë e të afërt.
Qëndroj në një cep të anijes dhe rri e shoh i përqëndruar. Mendoj për rrugën që po bëjmë e për vendet nga do të kalojmë, për ishuj ku do të zbresim. Pra, kemi lënë Salaminën dhe shkojmë drejt Eginës. Pas Eginës vjen Porosi dhe më tutje Hidra. Caku ynë i fundit. Nuk do të shohim Specien, që ngrihet fill pas Hidrës, aq më tepër Psarën, që gjendet shumë larg prej tyre, në pellgun lindor të Egjeut. Të gjithë këta ishuj janë të banuar nga arbëreshë dhe tek kujtoj këtë gjë, humbas përherë e më shumë në mendime.
Një natë më parë, në Athinë tok me Aristidh Koljen ishim ngjitur deri në kodrën e Likavitosë. Kishim zënë vend në një nga kafenetë që vështronte poshtë panoramën e qytetit. Sapo kishte rënë mbrëmja dhe drita e artë e hënës binte mbi shtyllat e Akropolit. Diku përtej tij dukeshin shtëpitë e lagjes së njohur arbëreshë “Plaka”. Aristidhin e kisha takuar për herë të parë në një kongres ndërkombëtar të pakicave etnike të Italisë, në Palermo. Por e njihja nga emri, nga veprat dhe punët e çmuara, si një nga drejtuesit e lëvizjes kulturore të shqiptarëve të Greqisë. Ai është kryetar i Lidhjes së tyre, kryeredaktor i revistës “Besa”, që ata nxjerrin, autor i librit aq të njohur “Arvanitasit”. Prandaj isha aq i gëzuar që e kisha takuar, bile i dëshiruar. Shtatshkurtër e pak i imët, me një gaz të përhershëm në buzë dhe me ca sy që i shkëndijonin nga një përzemërsi e çiltër, ai më kishte bërë menjëherë për vete. Te Aristidhi gjeje shqiptarin e devotshëm, krenar për prejardhjen e tij, studiuesin e zellshëm e të palodhur, njeriun me besim në vetvete, modest e fjalëpak. Tek qëndronim përballë njëri-tjetrit në Likavito, ai më fliste i menduar, me atë zërin e qetë për vëllezërit e tij të një gjaku, për historinë e virtytet e tyre, për studimet që kishte kryer e do të kryente. Në heshtjen e asaj nate të ngrohtë athinjote, fjalët e Aristidhit bartnin një besim mbresëlënës. Për të s’kishte gjë më të shenjtë se historia e fisit të tij, një histori e lashtë, e ndershme, trimërore. Ai e njihte mirë, që nga shtegtimet e para shqiptare të kohës së Bizantit e pastaj dyndjet osmane, kur arbëreshët zbritën në viset e jugut të gadishullit, në Peleponez e Atikë dhe në ishujt e Egjeut, në pellgun e Saranikut e më tej. Kjo ishte e para shpërngulje masive e shqiptarëve nga shekujt XIII-XIV, ndoshta më e madhja. Toka dhe detet helene u bënë për to strehë mikpritëse dhe zunë vendin e atdheut të dytë. Me kohë, ata hodhën rrënjë, jo vetëm se ishte e njëjta tokë, e njëjta klimë, ajo e Ballkanit, e gadishullit të përbashkët, po dhe ngaqë kishin fate të përbashkëta historike. Rrugët për në këto vise ata i dinin. Aristidhi që i kishte studiuar te burimet, i njihte me themel. Prandaj kur unë i fola për udhëtimin që do të bëja të nesërmen për në ishujt e Egjeut, ai ngriti zërin dhe tha:-Këta ishuj janë nderi ynë. Pa lavdinë e tyre, ne s’do e kishim atë emër të mirë që gëzojmë sot në vëllazërinë greke.
Ndalesën e parë “Pulëbardha” jonë gjigande e bën në brigjet e Eginës. Ajo hedh spirancën në limanin e saj të vogël dhe ne zbresim në stere. Një tokë shkëmbore, e rrahur nga dielli përvëlues i Mesdheut. Është ishulli i parë që shkelim, por unë nuk di asgjë për të veç një fakti të rëndësishëm historik. Egina ka qenë i pari kryeqytet i Greqisë së lirë. Mendoj për këtë, por më shumë mendoj për Eginën, si një nga ngulimet e hershme të arbëreshëve në Egje. Kështu e thërrasin ata Eginën. Shëtisim nëpër rrugën bregdetare të qendrës së ishullit. Padashur më vjen ndërmend që këtu N. Kazanxaqisi, në vitet e luftës së fundit shkroi romanin “Aleks Zorba”. Gjithë qyteti i vogël është kthyer në një treg turistik. Ardhja e anijes sonë i ka bërë vendësit të gjallërohen. Eginën e mban turizmi, prandaj ajo i thërret. Përpiqem t’u vë veshin fjalëve. I dëgjoj ato në çdo gjuhë, veç shqip jo. Ndiej një trazim që ma prish qetësinë e brendshme. Është një trishtim i lehtë, po që as unë nuk di si erdhi. Më mbetën sytë te shtëpitë e bardha, te muret e vjetër, te rrugicat që degëzohen gjithandej. Egina, ndoshta, s’ekziston më dhe nga kjo dilemë më shpëton sirena e anijes. Kishte ardhur koha të largoheshim. Po mendimet për shtegtimet e ngulimet e arbëreshëve në këto anë nuk më ndaheshin. Tani s’më tërheqin më si më parë pamjet që ndronte deti, çukat e bardha që ngrinin dallgët, vijat gjeometrike të pulëbardhave, shpinat e ishujve të vegjël, që u ngjanin kuajve e gamileve gjysmë të fundosura nën ujëra. Ndjeja se isha nën pushtetin e një joshjeje tjetër, e një magjepsjeje që më zgjonte thirrja e të parëve të mi. Ishte kjo thirrje që më sillte përpara historinë e më ndizte përfytyrimet e fantazinë. Deri këtu, nëpër këto hapësira të botës helene, kishin shtegtuar arbëreshët dikur, të shtyrë sa nga baticat e zbaticat e kohërave, aq dhe nga nevoja për të jetuar, por për të jetuar të lirë brenda identitetit të tyre. Dhe kishte ndodhur ashtu siç thotë diku Cabej për karakterin e shqiptarit tek i cili bashkohen “në mënyrë të çuditshme dëshira për shtegtim dhe malli i tokës”. Historia e pohon këtë dhe për arbëreshët e Greqisë, sepse ata vërtet kishin zbritur deri këtu, por emrin e vet nëpër shekuj e kishin mbajtur lidhur me mallin e tokës amtare. Këndej nga po kalonim ne, janë hapësirat gjeografike të shtegtimeve dhe ngulimeve të tyre, të cilat nuk është zor t’i përcaktosh qoftë dhe me hartë, mjafton të heqësh kordinatat e të shikosh se ku gjendesh momentalisht. Por zor, për të mos thënë e pamundur, është të vihesh në kërkim të dimensionit shpirtëror të arbëreshëve, të gjithë atij trashëgimi që ata përcollën nga brezi në brez. Këtë nuk e gjen në asnjë manual të sotëm, s’ta thotë asnjë ciceron, s’ta përmend ndoshta asnjë historian. Duket si gjë e tepërt, jashtë kohe, një realitet i kapërcyer. Është fati tragjik, ngaherë i pashmangshëm i çdo diaspore që rrahën egërsisht dallgët e historisë dhe që kohërat vijnë dalëngadalë dhe e rroposin. E, megjithatë, diaspora shqiptare në botën helen është një realitet që ekziston jo vetëm në gadishuj afër qendrave të mëdha, por dhe në periferi nëpër tokat dhe ujërat e Egjeut. E ç’mund të ishin tjetër, këta ishuj njëherë e një kohë, veç vise të largëta e të vetmuara! Por ndodhi ajo që s’kishte ndodhur gjëkundi, që kjo diasporë bëri histori, një histori të dyfishtë, të bashkësisë së vet dhe të vendit që e mirëpriti dhe i dha strehë të përhershme.
Meditoj për këto dhe sytë më terratisen nëpër det dhe deti më krijon kohë pas kohe mirazhe që më shfaqen përmes zhurmës së potershme të dallgëve. Më krijohet rishtaz ajo gjendje shpirtërore, kur realiteti i çastit e humbet peshën e vet dhe peshën e marrin mendimet dhe përfytyrimet. Në rrafshin e dallgëzuar të detit, shoh barkat dhe anijet arbërore tek vozisin lart e poshtë, fytyrat e detarëve të djegur nga dielli i Egjeut, dëgjoj thirrjet e tyre shqip. Pse a nuk është e vërtetë, që nën këtë qiell helen ushtuan britma në gjuhën shqipe? Ishin britma ngadhënjyese për të mbijetuar, për të hedhur rrënjë në tokë e në det. Ishin prapë britma lufte për lirinë e këtij vendi, kundër pushtuesve osmanë, që i bënë ata heronj! Për këta heronj, grekët ngritën këngën aq popullore, të njohur edhe sot, “Kapitanos arvanitos”. Nga cili pellg i deteve helene doli kjo këngë?
Kjo pyetje mbeti pa përgjigje dhe pa përgjigje do të mbeteshin sa e sa pyetje të tjera. Ishim përballë ishullit Poros dhe anija jonë afrohej ngadalë, me një zhurmë nanuritëse. Vështrimi im qëndronte mbi qytetin e bardhë ishullor. E njëjta pamje pothuaj me atë të Eginës. Gati po ato shtëpi të gurta, po ajo shpërndarje, po ato udhë që zgjateshin nga rruga bregdetare në thellësi. Porosi i është përshtatur dhe u shërben kohëve të reja. Edhe relievi i tij, edhe reliktet e historisë, edhe lokalet publike, edhe kishat janë për ata që vijnë nga përtej detit! Ishulli me këto jeton. Mendimi se mund të ndesh këtu me diçka nga etnia arbëreshe në kalim e sipër, më tingëllon naiv, por nuk dua të mbetem në rolin e turistit. Mjafton fakti që Porosi është ngulim i njohur arbëresh, më bën ta shoh me një sy tjetër. Kështu e shoh bustin e ngritur në këndin e një rruge, lapidarin e mermertë në sheshin kryesor, ku janë gdhendur një varg emra luftëtarësh të rënë në luftë. Me siguri ka në mes tyre dhe arbëreshë. Janë gjurmë të historisë, që u dëshmon ishulli të ardhurve. Por historia arbëreshe këtu fle. Atë mund ta gjesh vetëm nëpër libra. Mund ta gjesh librin “Netë pellazgjike” të K. Rainholdit me këngë arvanitase. Një pjesë të tyre, ai i pat mbledhur pikërisht në Poros. E thotë vetë, madje shton se pat shërbyer këtu si mjek i flotës detare. Nuk më harrohen sidomos dy vargje të një kënge për Shkodrën, që albanologu e dëgjoi në Poros:
Shkodrë, Shkodrë, trima ke
që dyfeqi nuk i ze!
Në Poros kjo këngë për Shkodrën këndohej shekullin e kaluar. Ku Shkodra e ku Porosi dhe prapë këndohej. Kurse tani ka shumë të ngjarë të jetë harruar. Dikur Porosi ishte nga portet e njohura të Egjeut ku, ankoroheshin anije që vinin nga Evropa, Azia dhe Afrika. Ishulli kishte kantiere, që i ndërtonin vetë anijet. Asnjë nga ciceronët nuk di të tregojë për këto, por dhe ti vetë s’je në gjendje t’i biesh pas gjurmëve të së kaluarës.
Me një ndjenjë pakënaqësie ngjita shkallët e anijes, që si për inat mbante emrin e Porosit, por nuk kishte asgjë prej tij dhe kalova në kuvertën e sipërme. Anija më doli nga porti për në det të hapur dhe mori drejtimin për nga jugu. Tani luftonte paralel me brigjet e Peleponezit, përballë të cilëve qëndronte Porosi dhe pak më poshtë Hidra. Të them të drejtën, tek kjo e fundit më rrinte mendja dhe kisha varur të gjitha shpresat e këtij udhëtimi. Në qoftë se për ishujt e tjerë të Saronikut dija vetëm se disa prej tyre qenë ngulime arbëreshe, për Hidrën kisha mësuar aq shumë gjëra dhe kisha aq mbresa nga sa kisha lexuar e dëgjuar, sa më ngjante që e njihja prej kohësh. Mbetej vetëm të shihja nga afër, të shkelja në tokën e saj.
Dhe tani që shkonim drejt Hidrës më kujtohej se ç’më kishte thënë një natë më parë Aristidhi për këtë ishull:
-Hidra është ajo që përfaqëson dhe personifikon, mbase më mirë se çdo ngulim tjetër arbëresh, gjithë sa dha bashkësia jonë në Revolucionin Grek. Vërtet, flamurin e kryengritjes e ngriti në krye fare ishulli i Species. Vërtet që ishulli i Psarës kreu një akt të madh heroizmi, duke asgjësuar të gjithë garnizonin turk dhe e tregoi këtë me një vetëflijim të rrallë, saqë poeti kombëtar grek Dionis Sollomosi i kushtoi një vjershë, të cilën e ngriti lart dhe Gëtja, po prapë Hidra zë një vend të veçantë. E zë këtë vend, jo aq si ishulli më i rëndësishëm i pellgut perëndimor të Egjeut, se sa nga vepra dhe emri famëmadh që mori në histori. Është ashtu, siç thuhet e shkruhet, se Rilindja e Greqisë së pavarur u krye nën mbrojtjen e Hidrës. Bukur thotë Anastas Kullurioti se këtë ishull të thatë “asnjë nga perënditë e Olimpit nuk e kishte zgjedhur për strehë të tij pasi nuk kishte jo vetëm lumë e përrua, po as dhe një burim. Prandaj asnjë poet nuk arriti të zgjojë në Hidër muzat”.
Historia e Hidrës që kur e kisha dëgjuar së pari më kishte magjepsur. Mjaft fakte e hollësi më ngjanin të çuditshme, për të mos thënë të pabesueshme. Në qoftë se në fillim fare ajo u njoh si strehë piratësh e të arrestuarish e si vend i vetmuar peshkatarësh, historia e vërtetë nis me zbritjen në brigjet e saj të arbëreshëve. Ata erdhën nga ana e përtejme e Peleponezit dhe Atikës, por erdhën dhe drejt nga Shqipëria. Këta të fundit qenë nga vise bregdetare si Vlora e Himara, po dhe nga Suli dhe Arta. Shtegtimi i tyre ka ngjarë aty nga shekulli XV dhe ka vazhduar gjatë tërë shekujve të mëpastajmë. Gojëdhëna thotë se disa prej banorëve të hershëm kishin qenë bashkëluftëtarë të Skënderbeut. Prej këtyre përmenden vëllezërit Llazar dhe Zerva, nga të cilët zë fill familja e njohur e Kunduriotëve, që më vonë luajtën role të dorës së parë në jetën e Hidrës dhe të Greqisë. Në këtë kohë a diçka më vonë hodhën rrënjë këtu dhe familje të fiseve më në zë si Vullgarët e Vokët, prej të cilëve dolën Miaulët, Tombusët, Ikonomët, Gumajt, Gjinajt, Lazarajt etj. Hidra do t’u jepte arbëreshëve strehë, jo aq për të jetuar (se për të jetuar kishte plot vise më të mira), sesa për të qenë krejt të lirë dhe larg zgjedhës e dhunës osmane. Në qoftë se pozicioni i ishullit u siguronte lirinë, toka e tij s’u premtonte asgjë, veç gurishte e shkëmbinj. Megjithatë, këta njerëz krenarë nuk u dhanë, vendosën të qëndrojnë e të mbijetojnë në Hidër, falë shpirtit të paepur dhe natyrës liridashëse. Me punë titanike e me vullnet të papërkulur me kohë këtu ngjallën jetën mbi shkëmb dhe i dhanë frymë njerëzore ishullit. Zeja e parë e tyre do të ishte blegtoria dhe këtë do ta përballonin me përpjekje tepër të mundimshme për t’i kthyer vendet e thata në kullota për gjënë e gjallë. Por sido që iu përkushtuan për një kohë blegtorisë dhe bënë të mugullojë bari në mes gurishteve, ajo nuk qe në gjendje t’i mbajë dhe atëhere ata u dhanë u pas detarisë. Arbëreshët e Hidrës e lidhën jetën e fatin e tyre me detarinë dhe historia tregon se ata u njohën nga detarët më të mirë të të gjithë Mesdheut. Detaria pastaj i bëri hidriotët dhe tregtarë dhe si detarë e tregtarë morën nam nëpër botë. Me barkat e anijet e tyre, ata jo vetëm do t’u binin kryq e tërthor ujërave Mesdhetare, por do të hidhnin spirancat në Aleksandri e Venecie, Odesë e Triste e deri në brigjet e Ballkanit e të Amerikës së largët.
Po të shfletosh enciklopedinë greke “Pyrsos” mëson se Hidra deri në fund të shekullit të XVII qëndronte krejt e mënjanuar nga bota. Turqit as e kishin shkelur, as i kishin vënë taksa.
Hidriotët kishin krijuar vetvetiu autonominë e ishulit të tyre. Kjo dhe sot tingëllon e çuditshme. Atëherë ndodhi që atë të cilën s’e arriti dot Porta e Lartë, e bëri Patriarkana. Të dërguarit e saj erdhën në ishull dhe vunë dorë mbi këta ortodoksë me kokë më vete. Nuk vonoi dhe ajo ngriti mitropolinë dhe dalëngadalë i futi hidriotët në vathën e saj.
Ngado që t’i afrohesh jetës dhe historisë së Hidrës e kupton menjëherë se ato janë të lidhura e të pleksura me detin e detarinë. Këta arbëreshë në këtë cep të Egjeut fituan emër si zotër të deteve, lundërtarë të guximshëm dhe peshkatarë të talentuar, po dhe si mjeshtër të ndërtimit të anijeve dhe tregtarë të zgjuar. Jo më kot analet e kohës shkruajnë se Hidra e varfër dhe e zhveshur, falë njerëzve të saj, arriti të bëhet një qendër e lulëzuar. Bukën ishulli e gatuante me grurin që sillte nga Egjipti, direkët e anijeve i ndërtonte me pishat e Parmasit, kurse krahët e tyre me bredhat e Olimpit e ndërsa velat e bardha i thurnin me pambukun e Peleponezit. Në sofrën e hidriotëve shtrohej verë nga Tira dhe Mesina.
Edhe pse Hidra do të shikonte punët e veta, ajo nuk do të rrinte larg ngjarjeve dhe situatave politike të botës. Detarët dhe tregtarët e saj do të trazoheshin në një mënyrë a në një tjetër me to. Ata dhanë e morën, madje u sollën shqetësime kancelerive të Stambollit e të Petërburgut, të Parisit e të Londrës. Sado e çuditshme të duket kjo, hidriotët në raste të caktuara, u gjendën në vorbullën e ngjarjeve dhe të situatave më të rrezikshme të kohës. Një gjë e tillë s’ka si të mos ketë tërhequr vëmendjen e studiuesve. Të gjithë janë përpjekur t’i japin përgjigje pyetjes se si është e mundur që ky ishull i vogël të ketë një histori të madhe. Ata që kanë lexuar veprat e historianit të Revolucionit greke Dhimitër Fotiadhit, që shkruan me aq simpati për arbëreshët e ishujve të Egjeut, do të kuptojnë si u ngrit e u lartësua fuqia e nderi i Hidrës. Kjo u arrit përmes detit, të cilit hidriotët iu përkushtuan me shpirt dhe falë kësaj, mori një zhvillim të jashtëzakonshëm detaria, mjeshtëria detare dhe ndërtimi i mjeteve të lundrimit. Përvoja vendëse në këtë zeje ishte e pamjaftueshme dhe atyre iu desh të pasurojnë dhe ta forcojnë me përvojën e sjellë nga brigjet e Afrikës. Qenë detarët hidriotë të zënë rob nga berberët e Afrikës Veriore, që pasi punuan nëpër kantieret e tyre navale, prunë në ishull teknikën e përparuar të ndërtimit dhe të armatosjes së anijeve. Me këtë teknikë ata arritën, që me mjete rrethanore, të ndërtojnë anijen e parë qysh në mesin e shekullit XVII për të arritur te anijet e mëdha nga fillimi i shekullit të XVIII. Kështu, nga punishtet e thjeshta, u ngritën kantiere të vërteta. Për këtë morën deri dhe mjete mekanike moderne nga Triestja, dërguan të rinj të mësonin mjeshtërinë në shkollat e Evropës, siç sollën dhe specialistë të shquar nga jashtë po për këtë qëllim. Erdhi një kohë që anijet e ndërtuara në Hidra, u bënë të njohura jo vetëm për tonazhet e mëdha, por dhe si mjete lundrimi të forta e të sigurta, të hijshme e të shpejta. Thonë se ato qenë më të shpejtat në të gjithë Mesdheun. Hidra arriti krijojë fllotën e vet të një niveli bashkëkohor, që do ta përdorte për nevojat e saj, por dhe për ato të botës. Po të shikosh gravurat dhe litografitë e piktorëve të shquar të kohës të Dypresë e të Hesit, do të vësh re si madhështinë e anijeve të mëdha, adhtu dhe hijeshinë e kaikeve të vogla vendëse me vela, që i ngjanin triremit të lashtësisë, me tri radhë lopatash. Me këtë fllotë, Hidra u bë një forcë navale e vërtetë, e përfillshme në mbarë Mesdheun. Duke qenë kështu, ky ishull i vogël krijoi lidhje dhe hyri në marrëdhënie me fuqitë e mëdha detare të kohës. Hidriotët trima e krenarë zunë të bëjnë politikë, një politikë të zgjuar e të shkathët. Historianët përmendin vitin 1770, kur plasi kryengritja e Orllovit dhe Hidra refuzoi të bashkëpunojë me rusët kundër turqve. Një qëndrim i tillë realist bëri që ajo të fitojë përkrahjen e Portës së Lartë, kurse vite më vonë, më 1807, në luftën me turqit, kur rusët i braktisën dhe i lanë në mëshirën e sulltanit, hidriotët, siç thonë kronikat, u treguan të pjekur e të shkathët dhe sado që u dëmtuan rëndë, ditën ta marrin veten dhe t’i kundërvihen edhe pabesisë ruse.
Por faqen e saj më të ndritur si fuqi detare Hidra e shkroi gjatë luftrave napolonike, në kohën kur Anglia vendosi bllokadën në mbarë Evropën. Hidriotët e sfiduan “mbretëreshën e deteve”, duke u kthyer në tregtarë e transportues kryesorë të grurit për kontinentin e kërcënuar nga uria. Njohës dhe zotërues të rrallë të rrugëve detare, ata me zgjuarësi e shkathtësi sillnin grurë nga Rusia në brigjet e Marsejës dhe ushqenin Evropën. Guximi i tyre çante bllokadën dhe habiste opinionin. Anglezët kjo i shqetësoi pa masë, jo vetëm për dëmet ekonomike e strategjike që sillte, por edhe për faktin se prekte nderin e perandorisë para botës. Forcat e tyre u vunë në ndjekje e ç’nuk bënë për t’i penguar dhe dënuar këta “rebelë” deti! Atëherë ndodhi që njerëzit e admiralit Nelson, komandantët e flotës angleze kapën Andrea Miaulin, një nga kapedanët e famshëm hidriotë dhe e dënuan me vdekje. Para ekzekutimit Nelsoni urdhëroi t’ia sillnin ta shikonte dhe ai u habit pa masë kur ky njeri u paraqit para tij me një pamje burrërore, me njëri sy të lidhur dhe krejt mospërfillës. Admirali e pyeti:
-Pse e shkele udhrin tim? A e di se do të humbasësh kokën?
Kapedani trim,qetë-qetë, duke e vështruar serbes, ngriti njërën dorë, lëvizi dy gishtat dhe me këtë gjest i dha të kuptojë se e ka bërë për të fituar dhe jo për shkaqe politike.
Mjaftoi kjo përgjigje e zgjuar e këtij “shqiptari flokëverdhë e sy blu” siç do ta kujtojë më vonë Nelsoni, që ai t’ia falë jetën!
E vërteta është se gjatë kohës së bllokadës, Hidra u pasurua aq shumë, sa nuk merret dot me mend. “Pyrsosi” shkruan se fitimet arritën në shifra kolosale. Vetëm Llazar Kundurioti, një nga paria e ishullit që kishte 22 anije, mblodhi 200.000 napoleonat e fituara, prandaj u detyrua t’i vendosë nëpër bodrume dhe dhoma të veçanta të siguruara mirë.
Mbas bllokadës, pasuan vite përafërisht të qeta, ku s’kishte më burime të ardhurash. Gjendja e Evropës kishte ndryshuar dhe fuqitë e mëdha kishin probleme të tjera. Pikërisht në këtë kohë, Hidra ra në hall, deti nuk i sillte më fitime si më parë dhe hidriotët e thjeshtë, duke qëndruar duarlidhur, thoshin: “Ç’të punojmë tani, detin apo shkëmbin?” Kronikat tregojnë se kjo gjendje do të shkaktonte një ashpërsim të luftës klasore në mes parisë dhe masës së detarëve. Në këtë situatë e gjetën Hidrën ngjarjet e para të revolucionit që kishte plasur në metropole, në Peleponez e Atikë, dhe po përhapej nëpër ishujt e Egjeut. Të parët nga ishujt u hodhën në luftë Specia dhe Psara, kurse Hidra vonoi. Kjo ndodhi për shkak të ngurrimit që tregoi paria. Mirëpo detarët e thjeshtë u treguan të gatshëm. Doli trimi Andrea Ikonomi, mblodhët shokët e papunë rreth vetes dhe iu kundërvu krerëve. “Në qoftë se s’dilni ju në luftë-u tha ai,-do t’i marrim anijet dhe do të shkojmë ne”. E gjetur para këtij presioni të fortë, paria u dha dhe Hidra hyri në luftë një muaj më pas nga shoqet.
Por futja e Hidrës në revolucionin çlirimtar ishte vendimtare për fatin e saj. Ajo kishte një ekonomi të pasur, një përvojë lufte të mbledhur nga koha e bllokadës dhe ç’ishte më e rëndësishme, kishte një flotë të fuqishme, më të madhen në Greqinë e robëruar. Brenda një kohe tepër të shkurtër flota e saj detare shndërrua në një flotë luftarake. Ishte kjo flota e tmerrshme që e ndihmuar nga ajo e Specës dhe e Psarës, përballoi me sukses përfundimisht flotën e madhe turke. Prej detarëve të saj, do të dilnin, siç thotë Anastas Kullurioti, një brez heronjsh që do të merrnin komandën e gjithë flotës greke. Ishte ky admiraliati më popullor që njeh historia e gjithë detarisë luftarake. Atë do ta përbënin kapedanët trima të detit si K.Kanarisi, Gj. Andruci, A.Miauli me shokë, njerëz pa shkollë, po që mundën admiralët e dalë nga akademitë ushtarake. Heroizmi dhe fitoret e tyre do të frymëzojë poetët e mëdhenj bashkëkohës V.Hygonë e A.Pushkinin, Xh. Bajronin e Lamartinin, Berzhanenë me shokë.
Hidra do të qëndronte në ballë të luftës dhe lufta e saj do të ishte ngaherë në det. Në betejat më të mëdha detare roli që do të luante do të qe kurdoherë vendimtar. Ka mbetur e paharruar beteja në gjirin e Gerontit në Egje, që u fitua nga forcat kryengritëse. 70 anije greke me 5.000 detarë mundën fllotën turko-egjiptiane me 400 anije dhe 30.000 detarë. Në krye të saj do të ishte admirali popullor, hidrioti Andrea Miauli. Po jo vetëm në këtë betejë, po dhe në të tjerat sado e rreptë që u zhvillua lufta, Hidra nuk u shkel asnjëherë nga turqit. Gjatë kryengritjes ajo mbeti një fortesë e papushtueshme dhe u kthye në flamur lufte e guximi. Emri i bijve të saj u bë tmerri i armiqve. Ishin këta guerilas deti, që duke hipur në zjarrëvënëset e lehta, u ngjiteshin nga pas natën karvanëve të flotës turke, futeshin në të fshehurazi, u vinin flakën dhe zhdukeshin në ujërat e Egjeut. Ka mbetur anekdotike ngjarja që tregohet edhe sot kur Ibrahim Pasha, komandanti i forcave turke, që kishte marrë përsipër shuarjen e kryengritjes greke, kishte ardhur deri në Peleponez dhe duke parë me dylbi brigjet e Hidrës, kishte thirrur:
-Ah, Ingliterë e vogël, Ingliterë e vogël!
Pesha e Hidrës në Revolucionin Grek nuk u ndie vetëm në betejat detare, ku ajo mbajti barrën më të rëndë. Disa nga banorët e ishullit të pamposhtur luajtën role të dorës së parë në jetën politike të Greqisë në prag dhe fill pas çlirimit, po dhe në dhjetëvjeçarët e mëvonshme. Në 1824 kryetar i qeverisë së Greqisë u vu Gjergj Kundurioti nga Hidra, kurse komandant i flotës kombëtare, Qiriako Shkurti, një nga kapedanët e vjetër hidriotë të detit. Më pas, më 1835, Dhimitër Vulgarisi po nga Hidra u bë kryeministër i Greqisë. Këtë post e mbajtën tradicionalisht sa e sa herë Kundriotët, siç e patën Miaulët e hidriotë të tjerë drejtimin dhe komandën e flotës ushtarake e tregtare greke deri në dhjetëvjeçarët e parë të shekullit tonë. Aq e fortë u tregua paria e Hidrës, sa kur shteti grek u fuqizua, ajo u ngrit nga ishulli dhe u vendos në 1830 në Athinë. Atje familjet hidriote krijuan një lagje të lirë, që njihet me emrin “Hidrejka”. Prej këndej do të dalin pastaj shtetarë, politikanë me emër, kryetarë republike, kryeministra, admiral, ministra etj.
Më mirë se duke lundruar drejt Hidrës nuk mund ta sjellë ndër mend njeriu historinë e saj. Një histori legjendare, gati e pabesueshme, me një dendësi ngjarjesh e figurash që të hutojnë. Ajo i bën nder çdo vendi, po nderi i parë i takon Greqisë,për të cilën hidriotët derdhën gjakun dhe u treguan binj të denjë të atdheut të tyre të adoptuar. E, megjithatë, ata nderuan dhe vendin origjinës, popullin e fisin prej të cilit vinin. Prandaj dhe ti si shqiptar, s’ke si mos të ndihesh krenar dhe i emocionuar, kur evokon vemëvete historinë e tyre të lavdishme, ndërsa shkon për në Hidër.
2.
Anija jonë ka kaluar kepet e Peleponezit dhe ka marrë kursin për nga juglindja. Nuk jemi larg ujërave të Hidrës e megjithatë mbetet ende kohë për të medituar. Ishulli është nga ato vende madhështia e të cilit nuk matet nga madhësia fizike, por nga vlerat shpirtërore të njerëzve të tij. Nuk është i gjatë më shumë se njëzet kilometra dhe i gjerë më tepër se pesë kilometra po tepër i vogël për historinë dhe jetën që mbart. Të gjithë studiuesit, duke u përpjekur të zgjidhin enigmën e Hidrës janë të një mendjeje se këtij ishulli të vogël shkëmbor i dhanë lavdi e begati kryesisht bijtë e tij. Ata u njohën si njerëz me karakter të fortë, të mençur e trima, krenarë dhe energjikë që në shumë pikëpamje të kujtojnë spartanët e moçëm. Ndershmëria dhe besa e tyre ishin virtyte të provuara dhe shembull për vendësit. Këtë e thotë pa mëdyshje dhe “Pyrosi”. Në luftë e në punë ata kishin një disiplinë të hekurt dhe sado që vlonin nga vrulle të brendshme, kur e donte nevoja bëheshin natyra të vetpërmbajtura. Në qoftë se shumë prej tyre qenë të pashkollë dhe tërë kulturën e përbënte detaria, kjo s’do të thotë se nuk e donin dhe e respektonin librin. Në anijet e tyre lexoheshin me zë të lartë librat që tregonin për bëmat e Aleksandrit të Madh ( me të cilin ata e mbanin veten se ishin të një gjaku) dhe për ato të heronjve të Greqisë së lashtë. Këto do të ishin arsye të mjaftueshme, që ta bënin Anastas Kulluriotin të shkruante se “Gjaku i pasur i Shqipërisë në Hidra, as u ndryshua e as humbi”.
Hidriotët u dalluan për bukurinë fizike, për një hijeshi të rrallë, sidomos të grave, portretet e të cilave i gjen të fiksuara në veprat e piktorëve grekë dhe evropianë. Natyra dhe shpirti luftarak i burrave nuk i pengonte të qenë dhe të ndjeshëm dhe të përkorë. Tregojnë se në det të hapur, gjatë netëve të tilla mesdhetare, ata mblidheshin e kuvendonin kokë më kokë ose vallëzonin. Këto qenë këngë dhe valle të ashpra e burrërore për luftërat dhe detin, për vendlindjen dhe njerëzit e tyre, për trimërinë. I këndonin shqip, me thekse të fuqishme epike, po që me kohë, për arsye të ndryshme, humbën. Rrallë i këndonin dashurisë, ndoshta në çaste të veçanta, pasi donin t’u shmangeshin lektisjeve që mund të dobësonin qëndrueshmërinë e vendosmërinë e jetës spartane.
Kisha dalë në kuvertën e sipërme, nga ana e bashit të anijes, kur përtej u duk masivi i ishullit, silueta e lakuar e Hidrës që dallonte nën qiellin e rimtë.
-E shikon? Ja, dhe Hidra,-dëgjoj nga prapa zërin e Paskalit, shokut dhe kolegut tim me të cilin kemi ardhur në Greqi. Si specialist i historisë së Ballkanit dhe ai është interesuar për Hidrën. Për më tepër, di dhe greqisht dhe kjo më gëzon se kur të zbresim do të shëtisim së toku dhe do të mësoj diçka më shumë për Hidrën.
Qëndrojmë të dy në heshtje dhe sytë i mbajmë të mbërthyer përpara. Ndërkaq anija mori një kthesë të shpejtë dhe u drejtua për nga gjiri kryesor i ishullit. Menjëherë u gjendëm përballë qendrës së Hidrës dhe ky çast qe një shkreptim drite. Një dritë ylberi, e bardhë dhe e kaltërt, e kuqe dhe vjollcë.
Pas këtij çasti, vështrimi sikur na u kthjellua, sepse pamja që kishim përpara u bë më e qartë. Dalloheshin shtëpitë e bardha, çatitë e kuqe, shkëmbinjtë e përhimtë dhe ujërat e qielli të mbytur në një kaltërsi të thellë. Qytetin e kishim tani të gjithin përpara syve, sikur të kishte mbirë nga shkëmbinjtë e thatë e të thepisur. Gjiri, që zbriste nga tri anët e ishullit, i ngjante një amfiteatri gjigant natyror, ndërsa sipër tij ngriheshin si karakolle çukat e disa kodrave të zhveshura.
Pa hyrë në port, nga krahu i majtë, të përshëndesin prej sheshit të vogël të një kodre grykat e disa kanoneve. Janë nga trofetë e shenjta që ruajnë hidriotët në kujtim të luftës për pavarësi. Ka diçka epike kjo pamje, që ndjell me kontaktin e parë zulmën e historisë së Hidrës.
Porti është i mbushur plot e përplot me anije, barka, kaike, të cilat zbardhojnë nën dritën e fortë të mesditës. “Porosi” ynë kalon mes tyre dhe mezi hedh spirancën në njërën nga kalatat e gjirit. Në sheshin e vogël të portit është vendosur një bust. Pamja e tij trimërore na tërheq menjëherë një fytyrë krenare, me tiparet e një bariu malesh me mustaqe të plota, me thika në brez dhe jelek me komça. Afrohemi dhe lexojmë diçka të heronjve të revolucionit, arbëresh nga Psara, por që Hidra e nderon dhe nuk e ndan nga bijtë e saj.
Ekskursioni prej disa orësh në qytetin e vetëm të ishullit mund të bëhej i lirë, por edhe i organizuar me ciceronë, që prisnin të porsaardhurit në port. Unë e Paskali e kishim ndarë mendjen sapo zbritëm. Me një guidë që kishim blerë në anije fare mirë mund të shëtisnim vetë nëpër qytetin e vogël. Jo vetëm kaq, por qemë të bindur se për ato që interesoheshim ne, zor se mund të na thoshin gjë ciceronët. Vetë guida nuk kishte as dhe një radhë për faktin e njohur botërisht se në këtë ishull jetonte nga mesjeta një ngulim arbëresh. Por kjo nuk na shqetësonte, sepse ishim të përgatitur, para se të vinim këtu.
Morëm të shëtisnim dhe gjithë shpresën e kishim të takonim ndonjë vendës dhe me ndihmën e tij të njiheshim me Hidrën arbëreshe. Po ku ta gjeje atë dhe në ç’mënyrë? Rruga e gjerë që lakohej gjatë bregut e nga po kalonim ne, i ngjante një pazari të pafund. Njerëzia e sidomos turmat laramane të turistëve venin e vinin lart e poshtë dhe vendi ushtonte nga zërat e thirrjet. Lëvizja ishte krejt e lirë. Nuk kishte asnjë makinë e mjete të tjera të motorizuara, veç karrocave, mushkave, kuajve e gomerëve që bartin të ardhurit. Hidra, si dhe ishujt e tjerë ishte vënë e tëra në shërbim të turizmit. Në krah të rrugës vinin njëri pas tjetrit dyqane e tregtiza, Baraka e kioska, tezga dhe karroca shitore; binin në sy veçanërisht kafene, tavern, restorante. Të gjithë jepnin e merrnin me turmat e mysafirëve, që mësynin valë-valë ishullin gjatë ditës. Kjo ishte Hidra turistike, Hidra tregtare, Hidra e kohës sonë, të cilën sado që isha përpjekur ta merrja me mend, nuk kisha arritur ta përfytyroja kështu.
Nuk mbaj mend se sa u vërvitëm nëpër rrugën kryesore, kur na tërhoqi vëmendjen një shitës, mesoburrë, tek rrinte anës bregut para një tezge me guaska deti të zbukuruara me dorë. Ai thithte një bisht cigareje, krejt i shkujdesur dhe shikonte me ca sy të rrudhur nga dielli i fortë. Dhe ne sepse na u duk të kishte tipare nga ato të burrave tanë dhe iu afruam. Paskali, si e pyeti për çmimin e guaskave dhe bleu për të dy nga një, i tregoi se po i merrnim si kujtim nga Hidra për t’i çuar në Shqipëri. Shitësi vetëm tundi kokën dhe nuk e zgjati. Atëherë ne buzëqeshëm hidhur dhe vazhduam rrugën. Po ç’të bënim? Për një gjë ishim të bindur se arbëreshë do të takonim patjetër, veç jo ku po i kërkonim tani. Duhet të futeshim nëpër rrugicat e qytetit. Atje do të ndeshnim, në mos tjetër, pleq e plaka, që me siguri ishin arbëreshë. Por kjo ndodhi më përpara se të arrijmë atje dhe rasti erdhi fare vetiu. Hymë në një librari të vogël, që të blinim nga një album të Hidrës, dhe ndërsa bisedonim me njëri-tjetrin, i zoti i dyqanit, që rrinte në këmbë para një rafti, ktheu kokën nga ne me ca sy të çuditur dhe tha qartazi:
-Ego jam arvanitas!
Ne mbetëm, gati sa nuk iu hodhëm në qafë, i shtrënguam dorën dhe nisëm të bisedojmë në gjuhën e përbashkët. Librari ishte një plak i gjatë e i hollë, me syze në majë të hundës dhe me blana të errëta në fytyrën e bardhë, por tepër i gjallë dhe me një shikim gazmor, që na bëri për vete menjëherë. Filluam të bisedojmë sikur njiheshim prej kohësh. Ai na tha se ishte hidriot dhe se i pari i tyre kishte ardhur me det nga Himara. Thonë se atje qenkeshin dhe trojet e fisit të tyre. Ai s’dinte si ta shprehte gëzimin dhe gëzimi ynë arriti kulmin kur ra fjala për gjuhën dhe ai shqiptoi serbes:
Këjo gjuha arberishte
Eshte shumë trimerishte
Përpara një tavoline të vogël qëndronte një djalë, flokëverdhë, trupbëshëm, që rrinte ulur dhe lexonte i tërhequr pas një libri
-Ky është im bir, Andrea, po nuk di arvanitçe.
Djaloshi u ngrit menjëherë në këmbë dhe duke buzëqeshur si i zënë ngushtë, na përshëndeti në heshtje.
-Gluha jonë, -vazhdoi plaku,-ka bjerrë dhe kjo të vret zemrën. Njerëzia këtu nuk fjasën në gjuhën e nënës. Vetëm ca pak pleq e fjasën. Të tjerët dinë se kanë gjak arbëror.
Plakut nga mallëngjimi sikur i merret goja; sidomos kur pyet për Shqipërinë. Ishte hera e parë që takonte në Hidër shqiptarë.-Mund të kenë ardhur-shton,- po njerëzia këtu s’takohen kollaj e lëre të njihen e të vëllazërohen…
Ai pyet pa reshtur dhe kërkon të mësojë sa më shumë prej nesh, kurse ne e kthejmë bisedën gjithnjë te Hidra, te jeta e saj. Atij i bëhet qejfi që ne e njohim, po pastaj tund kokën i menduar, ndërsa një dritë e dobët i regëtin në sy. Papritur, kthehet nga dritarja nga duket një pjesë e qytetit dhe ia bën me dorë:
– Ja, vreni atë kodrën atje. Ajo është kodra me nam e Milinit. Ato shtëpi që ngrihen mbi shkëmb janë shtëpitë e qëmotshme të zotrinjve hidriotë. Në to linfën Miaulet, Kunduriotët, Tombazisët e sa e sa bij të tjerë të ndjerë të Hidrës. Të Hidrës që ish njëherë e tani s’është më. Sa njëherë e një kohë ishte djep i trimërisë, shesh burrave të besës arbëreshe. Tani e vreni vetë, është kthyer në një panair, si të gjitha ujëdhesat e Egjeut, ku vijnë njerëzia nga të katër anët e dheut. Ky panair e mban Hidrën sot dhe për këtë punojnë të tërë nga plaku deri te femija. Sikush përpiqet si di vetë të tërheqë jabanxhinjtë, kurse Hidra meremetohet e zbukurohet paprerë: u tregon atyre historinë e saj, me ato gjëra antike që kanë mbetur, po më shumë bën tregti. Tregtia e mban atë më këmbë, e mbajnë dyqanet, zanatet vendase, shtëpitë që kthehen në hotele, gjer mushkat dhe gomerët që zënë vendin e makinave, duke dëfryer jabanxhinjtë…
Librari plak heq syzet, i fshin dhe vijon të tregojë: – Hidra arbëreshe sa vjen e po fundoset nën ujërat e halleve të saj. Rrallë e tek kujtohemi se nga kemi ardhur e kush jemi. Askush sot nuk merret me gjuhën dhe historinë tonë. Njëherë e një kohë bëri këtë Panajot Kupiton, biri i Hidrës, njeri me dituri të madhe, shok i Kulluriotit, që arriti drejtor gjimnazi në Athinë dhe hapi atje shkollë nate arbëreshe për të vëllezërit. Atij duhet t’ia dimë për nder që mblodhi gluhën e ujdhesës sonë e studioi dhe na e la trashëgim.
Edhe hidrioti Andon Miauli ka shkruar një libër për të atin Andrea, admiralin e famshëm, dhe e ka botuar në Gjermani. Po kjo është punë e vjetër shumë, mbase ju nuk e dini. Të tjerë që erdhën pas tyre nuk bënë ndonjë gjë të madhe për t’u lavdëruar me gjakun që u lëvrin nëpër damarë. Plot hidriotë kanë pasur punëra të mëdha në Athinë e gjetkë, megjithatë s’kanë bërë asgjë për të mirë të fisit tonë e prapë s’është për t’u vënë faj. Ne jemi ata që jemi, dhe kemi ato që kemi. Gjakun nuk e kemi bërë ujë, po dhe as e kemi turpëruar në dhe te huaj. Me grekët qemë gjitonë e tani jemi një shtëpi. Shkojmë mirë, por sado mirë që shkojmë, shumë prej nesh nuk harrojnë se kush jemi. Sa do të vazhdojë kjo, s’di të them!
Ai kishte folur greqisht për t’u shprehur më lirisht, po fjalët e fundit i ktheu në gjuhën e tij:
– Tani, merrni me vete tim bir Andrea, dhe ai do t’u gjezdisë për aq kohë sa keni, në ato vende që doni të vreni.
Pastaj duke na përcjellë te dera e librarisë, u ndal e tha me një zë që i dridhej pak sa:
– Ah, sa bukur do të qe sikur të rrinit, të shkonim nga shtëpia, të gëzonim njëri-tjetrin. Vëllai s’shkon turist te vëllai. Të mirë u pjekshim!
Dolëm në rrugë me Andrean dhe morëm për nga qendra e qytetit. Ai nuk dinte nga të niste bisedën dhe për të na gëzuar zuri të shqiptojë disa fjalë shqip si: Qafa, Guri, Bishti, Oborri. Këto dhe të tjera ishin emra vendesh, toponime në Hidër që thirren dhe sot në gjuhën shqipe nga të gjithë. Pastaj shtoi me të qeshur se perëndia ia ka bërë me të padrejtë Hidrës, sepse s’i kishte dhënë fare tokë për të mbjellë, veç ca shkëmbinj dhe për të rregulluar këtë padrejtësi, ishte munduar t’i jepte klimë të shëndetshme, ajër të pastër, det të pasur e të bukur. Në ishull nuk bie kurrë borë, dimri është i butë dhe në ditët e nxehta fryjnë fllade të freskëta. Eshtë vetëm ky qytet dhe ka vetëm disa fshatra peshkatarësh e barinjsh në anën tjetër të ishullit. Gjithë-gjithë popullsia arrin në 10-15.000 banorë, po në kohë të caktuara të vitit shtohet me të ardhur.
Andrea qëndroi një hop në vend dhe si të na tregote një gjë të rëndësishme tha:
– Hidra është dhe vend i artistëve të mëdhenj. Në asnjë ishull tjetër nuk mblidhen artistë nga gjithë bota si te ne. Këtu vjen e pushon lulja e kinematografisë: Tejlori, Gabeni, Mastrojani, Bardoja, Bertoni e sa e sa të tjerë. Ato kanë shtëpitë e tyre, siç i kanë dhe piktorët këtu, të cilët vizatojnë bukuritë e Hidrës . Nuk e teproj po të them se përsa kohë që rrijnë në ishull ata bëhen hidriotë, vijnë nëpër shtëpitë tona, shëtisin me ne, flasin e bisedojnë…
Vështrojmë qytetin, i cili nga anija na është dukur i vogël dhe tepër i përmbledhur, kurse tani që po shkelim nëpër të, na ngjan krejt ndryshe. Ndiejmë frymëmarrjen e gjirit, gjerësinë e rrugës bregdetare, hapësirat e kaltëra që ngrihen mbi to, udhët e kallderëmta që ngjiten përpjetë lagjeve të qytetit. Përtej dallohet muraja ose muri, që mbron Hidrën nga deti dhe erërat e forta; pastaj vemë re shtëpitë e dendura, të ngjeshura njëra mbi tjetrën. Shumë prej tyre janë me mure të bardha dhe çati të kuqe, me dyer në ngjyrë blu dhe dritare që shohin nga deti. Shtëpitë ngjiten deri lart në kodër, po ndërsa poshtë janë të shpeshta, sipër vijnë e rrallohen. Të bën përshtypje që gjelbërimi këtu është i varfër, sado që njerëzit kanë bërë të pamundurën. Me perjashtim të një cepi mbushur me drurë anash kodrës së Melinit, gjithë vendi është i zhveshur. Këtë shtrëngesë të natyrës, siç do ta shohim pastaj, sikur e plotësojnë saksitë e panumërta me lule, të vendosura në parvazet e dritareve dhe qoshet e shtëpive.
– Ju keni ardhur herët, – vazhdon të na tregojë Andrea, duke bërë me dorë nga gjiri i detit, – sepse këtu çdo vit më 22 deri në 25 korrik, ne festojmë Miaulinë. I thërrasim kështu për nder të kapedanëve të Miaulëve. Është festa e ishullit tonë. Këto ditë mijëra turistë shohin paradën e flotës së Hidrës, bëhen gara të barkave me vela, gara noti dhe plot shfaqje të tjera të bukra.
Kur arrijmë në qendër, aty ndalemi. Është sheshi ku njerëzit derdhen nga të gjitha anët. Nëpër qindra karrige nën çatitë e bardha të çadrave të mëdha prehen të ardhurit. Ata sodisin Panoramën hidriote dhe thithin ajrin e saj të shëndetshëm. Andrea na kalon përmes një likali veror dhe na nxjerr para një monumenti prej mermeri, te shtatorja e admiralit PavIlo Kundurioti, veshur me uniformën detare dhe me një luan te këmbët.
– Është arbëresh, i gjakut tonë, – thotë Andrea dhe pa e zgjatur shkon më tutje, duke na drejtuar nga një rrugicë, që vinte përbri lokalit veror. Para nesh ngrihej një kambanare e lartë kishe, ndërtuar me plaka graniti e mermeri. Një rrugë e kalldrëmtë ngushtuar anash nga mure të vjetra zgjatej në thellësi drejt një porte të hapur. Drejt saj zumë të ecim dhe ne.
– Këtu gjendemi, – shpjegon Andrea me zë të lartë – te manastiri “Fjetja e zonjës shën Mëri”… (Kimissis the Theotoks) Është ngritur nga të parët tanë më 1641!
Përpara nesh hapet oborri i gjërë i manastirit, krejt i bardhë, veshur me mermer gjithë andej. Ndryshe nga rruga, këtu zotëron heshtja, një qetësi solemne, që përftohet nga mjedisi i zbrazët e farfuritës. Në ballë të oborrit shohim të gdhendur një shqiponjë me dy krerë e vitit 1774. Shqiponja me dy krerë është një simbol i shenjtë për arbëreshët e ishullit. Manastiri përbën në një farë mënyre muzeun e historisë së Hidrës, që ruan relike me vlerë të madhe, por dhe vetë është arenë ngjarjesh të paharruara për hidriotët. Dhe kjo shihet nga bustet e vëna ne shesh, nga kisha e moçme, nga ndërtesat që ngrihen në të dy krahët. Ja busti prej mermeri i Llazar Kunduriotit (1769-1852), figurë e njohur e Revolucionit të 1821-shit, me pamjen e një luftëtari të sprovuar dhe me njërin sy të lidhur. Më tutje vjen heroi tjetër, admirali popullor Andrea Miauli, me qeleshe të lartë mbi krye, si fshatar i zbritur nga malet e arbërisë.
Duke parë këtë kapedan të famshëm të Hidrës, se si m’u kujtua atë çast një letër e De Radës dërguar të atit, në dimrin e vitit 1841, ku i shkruante për gëzimin që kishte ndjerë kur kishte takuar Miaulin në Napoli, gjatë kalimit të tij nga Greqia për në Gjermani. Gjithë biseda e tyre i qe kushtuar fatit të rëndë të Shqipërisë, që vuante nën sundimin turk. Pranë bustit të Miaulit shtrihet varri i bardhë i Kostandin Neomontisit, për të cilin ne nuk dimë asgjë, por me siguri i ka sjellë shërbime të çmuara Hidrës, përderisa e kanë vendosur në muzeun e saj. Çapitemi ngadalë. Historia e ishullit këtu sikur zgjohet: Ajo flet me heshtjen e vet krenare.
– Manastiri që shikoni, – i thyen qetësinë zëri i Andreas, – është për ne jo vetëm një vend fetar, por dhe historik. Mendoni se njëherë e një kohë këtu mblidheshin në kuvend të parët tanë. Ishte si të thuash parlamenti i Hidrës, ku u bënë sa e sa diskutime të zjarrta e u morën vendime që përcaktuan fatin tonë, veçanërisht në ngjarjet e stuhishme të kryengritjes e të pavarësisë.
Dyert e kishës dhe të ndërtesave të manastirit, s’di sepse ishin mgyllur atë orë dhe ne nuk arritëm t’i vizitojmë. Por Andrea na tregon se ato ruajnë relike nga kryengritja, që i kanë dhruar detarët hidriotë, një bibliotekë të pasur me antikuare, ikona shumë të vjetra e sidomos një llampadar të famashëm, të madh, i sjellë nga Franca. Këtu gjenden dhe dokumente, kodike e burime të tjera arkivore, që flasin për të kaluarën e bujshem të Hidrës.
Nuk kemi kohë të rrimë gjatë dhe nxitojmë të dalim përsëri në rrugën që gëlon e zhurmon. Andrea s’di ç’të na tregojë më parë dhe tek ecim duke bërë me dorë në drejtim të kodres që bie nga jugu thotë: – E shikoni atë shtëpi të madhe që dallon nga të tjerat? Ajo është shtëpia e moçme e Tombazisëve, nga dyert e para të Hidrës. Tani e kemi vend pritjeje ku bujtin artistët e shkollës së arteve të bukura. Kjo na nderon sigurisht, pro më shumë na nderon, madje në shkallë kombëtare, Shkolla e Marinës, që nxjerr oficerë për flotën tregtare të vendit. Është ajo ndërtesa e lartë, që ju ka rënë në sy me siguri kur keni zbritur nga anija. Gjendet në krahun verior të ishullit.
Në fakt, fill pas bustit të Kanarit, ishte një godinë prej katër katesh, krejt e ngurtë dhe me nje pllakë të shkruar në ballë. Në shesh do të vinim re, kur u ktheym, dhe grupe kursantësh.
Koha e qëndrimit tonë në Hidër po i afrohet fundit. Një kohë jashtëzakonisht e shkurtër për të njohur këtë ngulim arbëresh që ka bërë histori.
Dëgjojmë të bjerë sirena e parë e anijes sonë. Po vjen koha të ndahemi: Andrea këtë nuk e di, po dhe ne sikur nuk na pëlqen t’ia themi. Ai na kap përkrahu dhe na fut në një dyqan të vogël bizhuterish. Papritur gjendemi brenda në mes të vitrinave që shkëlqejnë nga zbukurimet e argjendta dhe para nesh qëndron e zonja e dyqanit, ulur pas një banaku te vogël.
– Mellani, jepi dorën vëllezërve!
Një vajzë e zeshkët, me ca sy ngjyrë ulliri trupdrejtë dhe me flokë të gjata të lëshuara në njërin sup, u ngrit menjëherë në këmbë dhe na zgjat dorën, duke u munduar të buzëqeshë. Ajo dukej e hutuar dhe papritur krijohet një heshtje gati shqetësuese. Ne s’dimë ç’të themi dhe shohim përqark. Ndërkaq Andrea, gjithë gaz duke iu drejtuar vajzës shton:
– Ty s’ta merr mendja se ç’mund të jenë këta zotërinj! Janë vellezërit tanë të ardhur drejt e nga Allvania!
Vajza hapi sytë, ndërsa supet e brishta sikur i fërgëlluan.
– 0 feemu!…1) -thirri ajo lehtazi, thua të kishte këlthitur një zog dhe pas kësaj i shkuan faqeve lot.
Ne mbetëm si të shtangur dhe ndjemë të na vërshojë mallëngjimi. Edhe Andrea u trondit, sepse për një çast iu lidh fjala dhe vetëm si kaloi ky çast, tha:
– Edhe Mellania është gjaku ynë! E shikoni si i qan zemra?
Kështu na qan të gjithëve. Qan Hidra arbëreshe!
Vajza fshiu lotët dhe guxoi për herë të parë të na shohë në sy. S’dinim ç’të thoshnim, veç krejt vetiu dikush nga ne pëshpëriti:
– Lotët e Hidrës!
Dhe u harruam fare për një kohë. Harruam madje që anija te bregu na priste. Vajza ndërkaq lëvizi xhamin e një vitrine dhe pastaj na zgjati nga një argjenturinë.
– Një kujtim nga Hidra jonë, – pëshpëriti Mellania dhe deshi të flasë akoma, po diçka iu mblodh në gjoks dhe heshti me sytë ulur.
Dëgjuam të bjerë sirena e dytë dhe Andrea tha:
– Nxitoni se s’ju mbetet kohë ta kapni.
Mellania doli te dera për të na përcjellë dhe na u hodh në qafë. Po aty u ndamë dhe me Andrean, i cili sado i mallëngjyer që ndihej përpiqej të mbante veten. Me sa duket, burri i Hidrës e ka për turp të tregojë lotët.
Ishin çastet e fundit kur ngjitëm shkallët e anijes dhe sapo zumë vend në kuvertë, pasi levizën dorën në ajër në shenjë lamtumire, nxorëm kujtimin e Mellanisë. Ishin dy pulëbardha të Hidrës, të qëndisura në filigram.
– Pulëbardha malli, – kështu i quajtëm me njëri-tjetrin dhe kështu ua tregojmë dhe miqve sa herë që bie rasti të flasim për Hidrën.
Gjuha shqipe e dokumentuar e Buzukut, është përplasur me dallgët titanike të zhdukjes. Ndërsa dyndjet e shqiptarëve, janë në këngët heroike të popullit, përcjellë brez pas brezi.
Të vendosur në Greqi gjatë mesjetës, arvanitasit ishin element dominant i popullsisë në disa rajone të Peloponezit dhe Atikës, deri në shekullin e 19-të. Me gjithë përpjekjet e pareshtura për asimilimin e tyre, legjendat e këngët e lashta ende këndohen.
Me shumë studiuesish, Aristidh Kola do të ishte një zë i fortë i historisë dhe prejardhjes së shqiptarëve në Greqi.
“Ata që u përpoqën të ndajnë arvanitët myslimanë nga ata të krishterët, duke i quajtur të parët “turkallvanos” dhe të dytët helenë, nuk dinin ç’të bënin me Skënderbeun, të cilin populli, të krishterë e myslimanë, e quanin hero kombëtar.” – do të shkruante ai.
Ndërsa kjo këngë e vjetër arvanitase, është ruajtur ndër breza. Ishte Panagis Pappas (1880-1976), arvanitas nga Elefsina (Eleusis), i cili e mësoi atë nga e ëma, ndërsa ajo vetë e kishte mësuar nga kapiteni Anagnostis, luftëtar i Pavarësisë së Greqisë, më 1821.
Muzetë në Greqi u rihapën për vizitorët të premten, ndërsa vendi nisi zyrtarisht sezonin turistik.
Muzeu i Akropolit, shtëpia e thesareve të gjetura në kështjellën antike dhe përreth saj, bashkë me muzetë e tjerë janë mbyllur që nga mesi i nëntorit, si pjesë e masave për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.
Zonat arkeologjike në ambient të hapur në gjithë Greqinë, përfshirë Akropolin, janë lejuar që të rihapen në muajin mars.
Vitin e kaluar numri i vizitorëve në Greqi ka rënë në 7.4 milionë ose 78.2 % më pak nga shifra rekorde prej 34 milionë sa ishte në vitin 2019 – sipas të dhënave zyrtare.
Greqia po shpreson të kthejë së paku gjysmën e numrit të vizitorëve sa kishte në vitin 2019.
Autoritetet atje janë zotuar që do ta përfundojnë vaksinimin e të gjithë popullsisë gjatë gjashtë javëve të ardhshme, derisa kanë hequr dorë nga kërkesa për testim për turistët që kanë marrë vaksina të prodhuara në Rusi dhe Kinë e të cilat nuk janë aprovuar për përdorim në vend./ KultPlus.com
Një statujë në miniaturë e një dëmi prej bronzi është zbuluar në Greqi. Deri mendohet se kjo statujë mund të jetë deri në 2500-vjeçare.
Zbulimi është bërë pas një shiu me intensitet të lartë pranë vendit antik të Olimpit. Në statujë janë fjetur disa shenja që për zbuluesit tregojnë se ajo është antike.
Zbulimi i sendit të vogël u bë nga arkeologët pranë një tempulli, tha ministria e kulturës e Greqisë. Tashmë statuja është marrë nga arkeologët për t’u ekzaminuar në laborator.
Demi është një kafshë që është adhuruar në lashtësi. Ndaj janë shtuar dyshimet se kjo statujë e zbuluar pas reshjeve të shiut mund të ketë një vlerë të veçantë.
Kjo statujë nuk është e para që është gjetur pranë vendit antik, edhe më herët arkeologët kanë gjetur sendet ndryshme e rëndësi të madhe./tvklan.al/ KultPlus.com
Greqia vendosi izolimin e Selanikut dhe zonave përreth si pasojë e koronavirusit.
Duke nisur prej orës 6 të mëngjesit të sotëm ndalohen aktivitetet e panevojshme, përjashtuar këtu marketet, furrat e bukës dhe farmacitë.
Ndalohet qarkullimi në rrugë pa një vërtetim dhe transporti për në ambientet e punës do të bëhet vetëm me leje te posaçme. Shkollat do qëndrojnë hapur por gjimnazet dhe sistemi universitar duhet të aplikojnë mësimin online.
Ky izolim është i ndarë me dy fasha orare që i takojnë ditës dhe natës dhe do të qëndrojë në fuqi për 14 ditë për të parë nëse do të ketë përmirësim në gjendjen me pandeminë.
Mbrëmjen e djeshme qindra qytetarë dolën në protestë kundër masave të qeverisë. / KultPlus.com
Sopranoja e njohur shqiptare Ermonela Jaho, me 10 tetor, do të ketë performancë në Operën Kombëtare Greke. Artistja, e cila jeton në SHBA, do të performojë në rolin e Cio-Cio-San në operan “Madama Butterfly” të Giacomo Puccini-t.
“Sopranoja më e famshme në botë ”, sipas Economist, “Mad Madama Butterfly më e mira që Londra ka parë në shumë vite ′ sipas Independent” dhe “paraqitje triumfuese në Madama Butterfly” sipas Guardian.
Ermonela Jaho unike, një nga sopranot më me zë në botë, është tashmë në Athinë për provat e Madama Butterfly të Operas Kombëtare.
Lajmi u bë i ditur sot nha, ΒΗΜagazino e cila botoj së bashku me Tovimagr të së Dielës, Ermonella Jaho në kopertinën e gazetës, me rastin e intervistës së saj të parë me një medium grek, Kosmas Vidos./ KultPlus.com
Gramoz Palushi kishte lindur dhe ishte rritur në Kukës. Për të siguruar një jetë më të mirë ai kishte emigruar në shtetin fqinj, atë Grek, shkruan KultPlus.
Në ndeshjen e 2004-ës mes Shqipërisë dhe Greqisë në stadiumin “Qemal Stafa”, Shqipëria fitoi 2 me 1, duke mundur kështu edhe të sapo shpallurën Kampione të Evropës. Gëzimi i fitores ishte i jashtëzakonshëm për të gjithë shqiptarët, e veçanërisht për diasporën.
Në ishullin Zakinthos në Greqi po festonte edhe Gramozi. Një turmë grekësh e sulmuan pas shpine duke i ngulur thikën. Kur ai shkoi në spital nuk mori trajtimin e duhur nga personeli mjekësor dhe u la për një kohë të gjatë pa ndihmën e askujt nën pretekstin se ai nuk posedonte sigurim shëndetësor.
Tifozit shqiptar ia morën jetën në rrugicat e shtetit grek vetëm e vetëm pse mbajti flamurin kombëtar në dorë. Gramozi vdiq sepse po festonte fitoren e Shqipërisë kundër Greqisë. Ai ishte vetëm 20 vjeç kur gëzimin më të madh ja kthyen në gëzimin e tij të fundit./ KultPlus.com
Greqia inauguroi muzeun e parë nënujor me mbetjet e një anije që transportonte mijëra amfora që u fundos në shekullin e V para Krishtit, një thesar i mbytur në Detin Egje që entuziastët e zhytjes tani do të lejohen ta eksplorojnë.
Ministrja e Kulturës, Lina Mendoni mori pjesë në ceremoninë e cila u zhvillua në bordin e një anijeje dhe nën ujë me pjesëmarrjen e zhytësve.
Zona, që ndodhet pranë ishullit të Peristeras, në brigje e ishullit Alonissos, do të hapet për amatorët e zhytjes nga 3 gushti deri më 3 tetor, ndërkohë që turistët që nuk praktikojnë zhytjen do të kenë të drejtë për një vizitë virtuale në një qendër informacioni që ndodhet në Alonissos.
“Mbetjet e kësaj anijeje ndodhen në 21-28 metra thellësi afër bregdetit të ishullit të Peristeras dhe përmbajnë 3 000 deri në 4 000 amfora”, theksoi Maria Agalou, presidente e këshillit bashkiak të Alonissos./ atsh/ KultPlus.com
Në përkujtim të 76- vjetorit të genocodit grek mbi shqiptarët e Çamërisë, në Izmir të Turqisë janë organizuar shoqatat shqiptare, transmeton KultPlus.
Shqiptarët e Turqisë kanë lënë gjithashtu kurorë të zezë para konsullates greke në kordon, Izmir, Turqi
Gjatë fjalës së tij Kryetari i shoqatës për Kulturë Shqiptare Alaçatı-Çeşme, Ibrahim Topalli u shpreh se “Ne jemi me origjinë shqiptarë, nënshtetas e qytetarë të Republikës së Turqisë që jetojmë në qytete të ndryshme të Turqisë. Ne jemi shqiptarë nga Shqipëria, nga Shkodra, nga Çamëria, nga Janina, nga Kosova, nga Presheva, nga Plava e Gucia, nga Ilirida, nga Manastiri, të dëbuar të internuar e të shpërngulur nga trojet tona etnike. Ne jemi elemente thelbësore dhe qytetarë besnikë të këtij vendi dhe themeluesve të Republikës së Turqisë, që neve na përqafoi në ditët e vështira.
Sigurisht që tani e tutje ne do të kujtojmë më shumë Çamërinë, dhe do ta përmerndim edhe më shumë. Ne do të punojmë edhe më shumë ta sjellim në axhendën e aktualitetit ndërkombëtar genocidin që populli shqiptar Çam pësoi nga Greqia.”
Në përfundim të aktivitetit përfaqësuesit e shoqatave shqiptare lanë një kurorë të zezë para konsullatës greke në Kordon, Izmir, Turqi me mbishkrimin “Çamërinë nuk e harruam”.
Fjalimi i plotë:
Sot u mblodhëm për të dënuar gjenocidin që ka bërë Greqia ndaj shqiptarëve Çamë më 27 Qershor 1944. Këtë ne do ta zhvillonim më 27 Qershor javën e kaluar, por për shkak të pandemise dhe që nuk ka qenë e lejuar të dalim përjashta, e shtymë atë për një javë më vonë, pra për sot.
Të nderuar pjesëmarrës;
Ne jemi me origjinë shqiptarë, nënshtetas e qytetarë të Republikës së Turqisë që jetojmë në qytete të ndryshme të Turqisë. Ne jemi shqiptarë nga Shqipëria, nga Shkodra, nga Çamëria, nga Janina, nga Kosova, nga Presheva, nga Plava e Gucia, nga Ilirida, nga Manastiri, të dëbuar të internuar e të shpërngulur nga trojet tona etnike. Ne jemi elemente thelbësore dhe qytetarë besnikë të këtij vendi dhe themeluesve të Republikës së Turqisë, që neve na përqafoi në ditët e vështira. Ne jemi anëtarë dhe fisnikë të kombit Turk, me të cilët së bashku mposhtëm forcat shoviniste greke nënkontraktore në Luftën e Pavarësisë së Turqisë, po ashtu jemi nga ata të cilët u martirizuan në Çanakkale e në frontin e Kaukazit.
Me fuqinë që marrim nga historia jonë e përbashkët; vlerat tona që i kanë shërbyer vendit ku ne sot jetojmë; Hoxha Hasan Tahsin-in, Sami Frashëri, Mehmet Akif Ersoy-in, dhe heronjtë e heshtur të Luftës së Pavarësisë të Turqisë: tani e tutje do t’i sjellim në aktualitetin e ditës edhe më shumë. Kështu për shqiptarët që janë mposhtur, për shqiptarët që jua kanë ngrënë hakun dhe i kanë plagosur deri më sot në mbarë trevat dhe botën shqiptare; ne do të mbajmë një qëndrim krenar e paqësor, që të kemi e ta kërkojmë të drejtën tonë në arenën ndërkombëtare. Tani e tutje ne si shqiptarë të Turqisë do të kemi këtë vetëdije dhe do të fokusohemi më shumë dhe do t’i dalim zot më tepër historisë e kulturës tonë.
Sigurisht që tani e tutje ne do të kujtojmë më shumë Çamërinë, dhe do ta përmerndim edhe më shumë. Meqenëse ekziston një “Komunitet Çam” shumë i madh dhe që jeton këtu në vendin tonë, ne do ta sjellim në axhendë edhe më shumë genocidin çam. Ne do të kërkojmë të drejtat e bashkëqytetarëve tanë dhe fëmijëve të tyre, që i janë nënshtruar genocidit në Çamëri. Ne do të punojmë edhe më shumë ta sjellim në axhendën e aktualitetit botëror genocidin që populli shqiptar Çam pësoi nga Greqia.
Në 27 Qershor të vitit 1944, shovinistët grekë masakruan dhe bënë genocid në mbi 3000 shqiptarë çamë të çdo grupmoshe, nga 2 deri në 80 vjeç. Ne këtë do të ja tregojmë botës me një zë më të lartë. Tani e tutje ne, pasardhësit e shqiptarëve të Çamërisë, të cilët të parët tanë u shtypën, u persekutuan dhe u masakruan vetëm sepse ishin shqiptarë myslimanë, axhendën e “Genocidit Çam” do ta mbajmë me studime shkencore dhe akademike në fushën e së drejtës ndërkombëtare.
Ne i bëjmë thirrje botës Shqiptare, nga perla e Egjeut, nga Izmiri. Shqiptarët e Çamërisë duhet të marrin të drejtat e tyre. Në këtë mënyrë ju arbëreshët e Italisë dhe ju arvanitët e Greqisë ejani në ndihmë të shqiptarëve të Turqisë dhe na ndihmoni në këtë drejtim. Ju lutemi mbështesni përpjekjet tona paqësore që të përmbushet drejtësia.
Të gjithë shqiptarët që jetojnë në Turqi janë pranë shqiptarëve të Çamërisë. I gjithë populli turk jep mbështetjen pa masë për Shqiptarët çamë që vuajtën genocidin grek.
Tani e tutje ne shqiptarët e Turqisë “Genocidin Çam” do ta sjellin në rendin e ditës çdo vit dhe do ta kthejmë në një traditë të ngjarjeve përkujtimore të “Genocidit Çam” dhe do ta vendosim këtë si çështje e pazgjidhur në axhendën ndërkombëtare. Gjithashtu qëllimi ynë është të kërkojmë që Shqiptarët e Çamërisë që ju nënshtruan genocidit sistematik ushtarak nga Greqia në 1944, po ashtu edhe ata të cilët arritën të largohen të gjallë nga Çamëria, në përputhje me të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, t’ ju sigurohet lëvizja e lirë në atdheun e tyre dhe e drejta e pronës.
Gjenocidi është një krim kundër njerëzimit dhe gjykimi i tij nuk ka asnjë pengesë kohore. Për këtë drejtim, për 76 vjet duke e injoruarur dhe duke mbuluar të vërtetën mbi “Problemin Çam”, duke u përpjekur me çdo kusht ta lërë atë në errësirën e historisë, ne edhe si shqiptarë por edhe si OJQ shqiptare të Turqisë, të ndjeshëm ndaj çështjes Çame, po shprehim reagimin tonë sot dhe po vendosim një kurorë të zezë në Konsullatën e Greqisë në Izmir.
Ne i kujtojmë me respekt shqiptarët që humbën jetën gjatë këtij gjenocidi dhe dëbimi. Shpresoj të takohemi në ngjarje që sjellin më shumë zë në vitet e ardhshme, dhe, dua të jua jap besen se do të përmbushim kërkesën e kësaj përgjegjësie të nderuar që mbajmë në të gjitha rrethanat; Lufta e shqiptarëve të Çamërisë është beteja jonë.
Me respekt për mbarë opinionin publik. /27.al/ KultPlus.com
Greqia po i jep fund mbylljes së shkaktuar prej koronavirusit, duke u hapur plotësisht në mes të muajit qershor.
Më konkretisht më 15 qershor, Greqia do të hapë kufijtë për turistët.
Deklarata u bë këtë të martë nga Kryeministri grek Kiryakos Mitsotakis duke folur gjatë një samiti të përbashkët me vende të tjera të Ballkanit.
“Në fillim të muajit qershor do të hapen kufijtë për udhëtimet e bizneseve, punëtorët sezonal dhe për pjesëtarët e familjeve që banojnë në vende të tjera. Ndërsa për turistët kufijtë do të hapen më 15 qershor”, u shpreh Mitsotakis.
Greqia humbi 165 persona nga koronavirusi, ndërsa në total u infektuan 2.840. / KultPlus.com
Piktori shqiptar Kristo Dëfrim Hasa, ka vendosur që dy piktura të tij t’ia dhurojë spitalit të qytetit Amaliada të Greqisë, ku jeton prej 30 vitesh.
Hasa e ka cilësuar këtë si një gjest simbolik sipas tij, për të dhënë një kontribut në këto ditë të vështira sidomos për sistemin shëndetësor.
Piktori është shprehur se i ka ngelur në mendje një shprehje e presidentit amerikan John F. Kennedy e cila thotë, “mos shiko çfarë bën atdheu për ty, por çfarë bën ti për atdheun” dhe sipas mundësive të tij modeste ka dhuruar dy punimet që do të vendosen në pavijonin e ri.
Më përpara Hasa ka dhuruar punime të tij në spitalin e Gramshit, qytet ku kishte planifikuar të hapte dhe një ekspozitë me punimet e tij, së shpejti.
Gjatë ceremonisë së mbajtur me këtë rast drejtoresha e spitali të Amaladias, Irini Aggelaku e ka falenderuar piktorin shqiptar për dhuratën e tij.
Gjesti i piktorit shqiptar është pasqyruar edhe në mediet lokale greke./ atsh/ KultPlus.com
Për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, ministria e Arsimit në Greqi ka vendosur të mbyllë shkollat në Athinë dhe Selanik.
Në të gjithë vendin, autoritetet kanë vendosur mbylljen ose pezullimin të 28 institucioneve arsimore. Po ashtu me vendim të ministrisë janë pezulluar edhe të gjitha udhëtimet shkollore të organizuara jashtë vendit, të paktën deri në 13 mars.
Pas vlerësimeve të fundit të rrezikut nga Agjencia Evropiane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve vlerësohet se rreziku i shpërthimit të COVID-19 në Greqi është i moderuar deri i lartë.
Duke marrë parasysh sa më sipër, Komiteti Kombëtar për Mbrojtjen e Shëndetit Publik kundër koronavirusit COVID-19 rekomandoi pezullimin e shkollave që kanë grupe studentësh që janë kthyer nga udhëtimet e organizuara shkollore në zona me sëmundje të transmetueshme në Itali ose që mund të kenë pasur kontakt me persona të konfirmuara të koronavirusit. / KultPlus.com
Në Athinë fillojnë pregatitjet për festat e nëntorit, njofton Ministri i Shtetit dhe Diasporës në Shqipëri, Pandeli Majko, shkruan KultPlus.com
Këto organizime po bëhen të mundura përmes angazhimit të organizatës “Jeta” e cila së fundmi është shtrirë edhe në Greqi.
“Në klasën e mësimit të gjuhës shqipe në Selanik, ku këtë fundjavë fëmijët filluan përgatitjet për festat e nëntorit. “Mësojmë shqip në Selanik” është një nismë e organizatës “Jeta”, e cila së fundmi ka hapur degët e saj edhe në Athinë”, ka shkruar Majko në Facebook.