Shfaqja “Ëndrrat e Hamletit” mori pjesë në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrove në Dagestan

Shfaqja “Ëndrrat e Hamletit” ishte pjesë e Festivalit Ndërkombëtar të Teatrove në kryeqytetin e Dagestanit në Makhachkala, shkruan KultPlus.

Kjo shfaqje ishte shfaqja e parë pjesëmarrëse në këtë festival e cila solli para publikut një shfaqje në gjuhën shqipe. Shfaqja u vlerësua dhe u cilësua në të gjitha segmentet artistike të realizimit.

“Ëndrrat e Hamletit mori epitetin si shfaqja më e mirë e Festivalit së bashku me shfaqjen nga Gjeorgjia. Vlerësimi u dha në Konferencën për Media e cila u organizua në fund të Festivalit. Pas këtij cilësimi dhe vlerësimi të lartë nga kritika profesionale në përbërje të: Nikolay Zhegin (Moske), Gulizar Sultanova (Dagestan), Nina Mazur (Gjermani), Alexander Mjagchekov (Moske), Valery Podgorodinsky (Moske), pasoi edhe një nderim në përmbylljen Solemne edhe mirënjohja e veçantë nga Ministria e Kulturës së Dagestanit për aktorin dhe regjisorin Mentor Zymberaj”, tregoi vet regjisori Zymberaj për KultPlus.

“Ëndrrat e Hamletit” e cila shfaqje-monodrame u dha këtë vit si Premiere e Shtëpisë Teatrore Filmike AKT dhe ITI-Qendra në Kosove. Kjo shfaqje mori pjesë edhe në Festivalin Ndërkombëtar të Monodramës në Ukraine ku mori dy çmime.

“Ëndrrat e Hamletit” është realizuar duke u bazuar në veprën e Shekspirit “Hamleti”, Mbreti i Danimarkës”. Autor është Nina Mazu, aktorë dhe regjisor Mentor Zymberaj, skenografia dhe kostumet janë realizuar nga Zeni Ballazhi, muzika nga Andin Randobrava, dizajni i dritave nga Skender Latifi, udhëheqës teknik është Albert Gashi ndërsa koordinator të shfaqjes janë Kaltrine Zeneli dhe Mirak Zymberaj./ KultPlus.com