“Skënderbeu” dhe delegacioni i komunave arbëreshe i ‘pushtojnë’ zyrën Veliajt

Një delegacion prej 60 personash, ardhur nga komunat arbëreshe të Italisë, në përbërje të së cilëve ishte dhe Loris Castriota Scanderbeg, stërnipi i Gjergj Kastriotit u pritën në një takim të veçantë nga kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Gjatë këtij takimi, kryetari i bashkisë Lungro Giuseppino Santoianni dhe Noè Andreano kryetar i bashkisë së Casalvechio-s, theksuan se Tirana është kthyer në një kantier të hapur ku po punohet për zhvillimin e qëndrueshëm të qytetit. “Është një kantier i hapur. Unë ju komplimentoj, një kryetar bashkie aktiv! Nuk është e lehtë, e kuptoj, por unë pashë se, si në Durrës, si në Vlorë edhe këtu në Tiranë ka një lëvizje, rinisje të këtij komuniteti. Kështu që ju bëj komplimentet dhe urimet më të mira për vazhdimësinë dhe për të forcuar gjithmonë e më tepër marrëdhëniet e bashkëpunimit mes Arbërisë dhe Shqipërisë”, – theksoi kryetari i bashkisë së Lungro-s, Giuseppino Santoianni.

Teksa i uroi mirëseardhjen në Tiranë, kreu i bashkisë Erion Veliaj u shpreh se Tirana po punon për të rikuperuar kohën e humbur në këto 27 vite. “Jam shumë i lumtur që jemi këtu sot dhe ky ka qenë një vit fantastik: Viti i Skënderbeut dhe besoj ka qenë një arsye, një mundësi edhe të shikohemi, edhe të takohemi si një familje e madhe. Dua t’ju uroj mirëseardhjen në Tiranë, në shtëpinë tuaj. Ju kërkoj ndjesë! Tirana është e gjitha një kantier, e keni parë kudo po punohet, edhe arsyeja është se kemi humbur shumë kohë, 27 vjet, kështu që duhet të punojmë shumë shpejt të rikuperojmë kohën që kemi humbur. Jam i lumtur që miku im, Fate Velaj, ka mundësuar këtë vizitë në Tiranë”, – nënvizoi Veliaj.

Loris Castriota Scanderbeg, i cili është stërnipi i Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastriotit, theksoi se rezultatet e arritura këto vite falë ndërhyrjeve për përmirësimin e infrastrukturës, por jo vetëm, kanë bërë që gjithmonë e më shumë të flitet pozitivisht për Shqipërinë.

“Rezultatet se si është transformuar pozitivisht Tirana, sigurisht me bashkëpunimit e qeverisë, por me përgjegjësinë e madhe që merr kryetari i bashkisë së Tiranës, po i shikojmë dhe jo vetëm për aspektet e jashtme si transformimi i një sheshi apo i shumë lagjeve, por edhe me ndërhyrjet me vlera arkitektonike sepse kryetari i bashkisë zgjedh edhe bashkëpunime prestigjioze me arkitektë italianë. I kemi ndjekur këto gjëra dhe na bëhet shumë qejfi. Fakti është se ju po ndërhyni dhe në shumë sektorë socialë duke vlerësuar dhe bashkëpunimet e bukura prandaj kjo na bën krenar që të mund të flasim gjithmonë e më mirë për Shqipërinë”, tha Loris Castriota Scanderbeg. /m.z//r.e/