Koncerti i dytë i “Kosova Brass”, jehoi në tingujt e kornistit Ilir Kodhima

Festivali “Kosova Brass” hapi mbrëmjen e dytë koncertale me kronistin e shquar nga Shqipëria, Ilir Kodhima dhe i shoqëruar nga pianisti kosovar, Adem Hasani, e më pas edhe me zërin magjepsës të sopranos Eriona Dragoica, shkruan KultPlus.

Gili Hoxhaj

Në sallën e ftohtë të Amfiteatrit të Bibliotekës Universitare, tingujt e Ilir Kodhima e të Adem Hasanit, krijonin një distancë të publikut ndaj të ftohtit.
Ilir Kodhima, kornisti i parë në Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë, mbrëmë erdhi në këtë festival, për të dhënë një komunikim të veçantë artistik, përmes instrumentit të tij frymor. Tingujt e instrumentit të tij, vetëm se rëndonin mbi bukurinë e melodisë që përcillej me përkushtim të rrallë nga pianisti Adem Hasani.

Kornisti Ilir Kodhima, ardhjet në Prishtinë i ka mjaft të shpeshta, ndërsa shtoi se këtu ndihet si në shtëpi falë bashkëpunimit dhe miqësisë me artistët e Kosovës.
“Përkundër sallës së ftohtë, unë isha gjithë djersë nga emocionet dhe nga loja së bashku me Ademin dhe Erionën. Unë vi për të satën herë në Prishtinë, që nga viti 98’. Gjithmonë këtu ndihem si në shtëpinë time. Ndihem shumë mirë këtu dhe me pedagogët dhe instrumentistët e Filharmonisë, me të cilët gati se jemi rritur bashkë edhe ku jemi njohur edhe gjatë Akademisë dhe gjatë bashkëpunimeve që kemi pasur me njëri-tjetrin”, tha kronisti Kodhima për KultPlus.

Ilir Kodhima, po ashtu tregoi për KultPlus se mbrëmë përpjekjet e tyre i kishin përqendruar në prezantimin e një programi pak më ndryshe për publikun, duke përfshirë edh elemente të muzikës xhaz nga interpretimi i veprës së Miljenko Prohaska.

“Në një sallë kaq të ftohtë s’kisha luajtur asnjëherë. Është pak e vështirë për neve që nxjerrim tingujt nga muskujt por jemi munduar që sonte të sjellim një program pak më ndryshe, pasi që në muzikë klasike njerëzit zakonisht rrinë serioz dhe vetëm duke vështruar, duke e respektuar kështu artistin. Kurse ne sonte jemi munduar që të ndjekim një program që edhe ne të kënaqemi dhe të jemi më të lirshëm në skenë duke pasur bashkëbisedim midis muzikës dhe publikut. Mendoj çdo gjë ishte në vendin e duhur dhe pjesa e fundit ishte një pjesë kroate e luajtur ndoshta për herë të parë në Kosovë, pra një pjesë e re të cilën jemi munduar ta fusim në muzikën klasike me akorde të muzikës xhaz. Është një pjesët që korno është adaptuar aq mirë në muzikën xhaz sepse kjo është e vështirë pasi që korno është instrument shumë klasik”, tregoi tutje kornisti Kodhima.

Pianisti Adem Hasani, e përcillte lojën e kornistit Kodhima me shumë emocion muzikor, e lojë të bindshme artistike. Ai tha për KultPlus se ndihej shumë i kënaqur nga bashkëpunimi me dy artistët nga Shqipëria.
“Fillimisht do të doja të falënderoj organizatorët e këtij festivali që përmes këtij festivali na mundësoi të njoftohemi dhe të luajmë bashkë me kornistin Kodhima, kjo ka qenë një kënaqësi shumë e madhe për mua. Kjo vepra e fundit që ishte si tip xhazi, si impresionizëm, ishte një vepër shumë interesante që e luajtëm bashkë me kronistin Ilirin. Mua më pëlqeu kjo mbrëmje, edhe publiku ishte i këndshëm, ishim mes miqve, familjarëve. Ka qenë kënaqësi bashkëpunimi me Erionën dhe me Ilirin”, ka thënë pianisti Hasani.

Më pas në skenë u ngjit edhe sopranoja Eriona Gjyzeli, e cila u largua nga skena vetëm pasi mahniti të pranishmit me këngën e vjetër shkodrane “Pranvera filloi me ardhë ”.
“Për mua është hera e parë që marr pjesë në Festivalin e Tunxhit. Isha e ftuar nga kronisti, Ilir Kodhima. Kur Iliri ma paraqiti idenë e bashkëpunimit që unë të jem mysafire e këtij koncerti. Sigurisht nuk hezitova që t’i them një “po” të madhe. Prishtina është shtëpia ime e dytë për katër vite kështu që ndihem shumë mirë pasi që e njoh ambientin- publikun, ky është profesion që kudo që shkon merr vetëm përkëdhelje, duartrokitje dhe kënaqësi. Në realizimin e këtij koncerti kemi qenë shumë spontan, pra nuk kemi harxhuar shumë kohë me njëri-tjetrin, ka mjaftuar vetëm dita e djeshme për të krijuar një lidhje sa i përket materialeve, por kur midis muzikantëve dhe artistëve ekziston tërheqja kimike, çdo gjë shkon shumë mirë, ndoshta kjo është edhe arsyeja që nuk ka lindur nevoja që të punojmë shumë gjatë para koncertit”, theksoi sopranoja Eriona Gjyzeli për KultPlus.

Festivali “Kosova Brass” i cili këtë vit po e sjellë edicionin e dytë të tij, nesër do të sjellë trombonistin nga Prishtina, Betim Krasniqi dhe në piano do të interpretoj pianisti nga Prishtina, Misbah Kaçamaku./ KultPlus.com