Artisti shqiptar Erjon Nazeraj hap ekspozitën personale “Gravita” në Milano

Është çelur më 29 prill në “Galleria Bianca” në Milano në bashkëpunim me “Loppis” ekspozita personale e artistit shqiptar Erjon Nazeraj.

Ekspozita e cila do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 5 qershor 2022, çdo ditë ora 10:00 me 19:00  paraqet punët më të fundit të artistit Erjon Nazeraj, një seri tablosh me bojëra uji që modelojnë trupa që bien, të varura në sfondin e bardhë të letrës poroze. Titulli i referohet lëvizjes së cilës i nënshtrohet trupi, këmbët, krahët, gjoksi që përdridhen në forma plastike. Rënie që nuk parashikojnë zbarkim, sepse janë figura të lira, emigrantë, trupa që kërkojnë perspektiva të reja, iluzione të reja pa gjetur kurrë një qetësim vendimtar.

Akuareli, nëpërmjet rrjedhshmërisë së lëngshme që e karakterizon, nënvizon humbjen e ekuilibrit dhe paqëndrueshmërinë e gjestit.

Punimet e Erjon Nazerajt shfaqen si shtresime të lehta, vëllime të mbivendosura, në një proces transformimi të përhershëm. Vetëm iluzioni i vizatimit lejon një pauzë, Nazeraj kthen kornizat në të cilat trupi duket se gjen pozicionin e tij të saktë dhe të pafuqishëm, por është vetëm një ushtrim i përkohshëm, i zhdukur si piktura./diasporashqiptare/ KultPlus.com