Dirigjentin shqiptar me famë ndërkombëtare, Ermir Krantja nderohet me titullin “Nderi i Kombit”

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta dekoron me titullin “Nderi i Kombit” dirigjentin shqiptar me famë ndërkombëtare, Ermir Krantja, një nga artistët dhe personalitetet më të shquar jo vetëm të Teatrit të Operas dhe Baletit. Ky vlerësim erdhi edhe në kuadër të 65 vjetorit të krijimit të TKOB.

Presidenti i Republikës ndër të tjera u shpreh:

“Dirigjenti i mirënjohur ndërkombëtarisht, Maestro Ermir Krantja është një nga ikonat më të veçanta të skenës dhe muzikës shqiptare, i cili nuk ka nevojë për shumë prezantim. Prej dekadash ai ka fituar duartrokitjet e ngrohta dhe zemrat e artdashësve duke dhënë një ndihmesë të vyer për pasurimin e trashëgimisë tonë artistike dhe treguar me pasion e punë të palodhur se muzika është jo vetëm një gjuhë universale e njerëzimit, por edhe një urë lidhëse që afron popujt.

Në vlerësim të kontributit të shquar për ngritjen lart të vlerave të mirëfillta të artit dhe kulturës shqiptare, për zhvillimin e institucioneve muzikore në vend, si dhe për rolin e rëndësishëm në mbështetjen dhe promovimin e kompozitorëve shqiptarë në botë, kisha sot kënaqësinë ta çmoja Maestro Ermir Krantjan me një nga dekoratat më të larta të shtetit shqiptar.

Trashëgimia e punës së tij është një shembull frymëzimi, që jam i bindur do të nxisë edhe brezat e ardhshëm, drejt rrugës së bukur të artit dhe muzikës.

Shumë suksese dhe krijimtari të re Maestro Krantjas!” / KultPlus.com