Dirigjentin shqiptar me famë ndërkombëtare, Ermir Krantja nderohet me titullin “Nderi i Kombit”

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta dekoron me titullin “Nderi i Kombit” dirigjentin shqiptar me famë ndërkombëtare, Ermir Krantja, një nga artistët dhe personalitetet më të shquar jo vetëm të Teatrit të Operas dhe Baletit. Ky vlerësim erdhi edhe në kuadër të 65 vjetorit të krijimit të TKOB.

Presidenti i Republikës ndër të tjera u shpreh:

“Dirigjenti i mirënjohur ndërkombëtarisht, Maestro Ermir Krantja është një nga ikonat më të veçanta të skenës dhe muzikës shqiptare, i cili nuk ka nevojë për shumë prezantim. Prej dekadash ai ka fituar duartrokitjet e ngrohta dhe zemrat e artdashësve duke dhënë një ndihmesë të vyer për pasurimin e trashëgimisë tonë artistike dhe treguar me pasion e punë të palodhur se muzika është jo vetëm një gjuhë universale e njerëzimit, por edhe një urë lidhëse që afron popujt.

Në vlerësim të kontributit të shquar për ngritjen lart të vlerave të mirëfillta të artit dhe kulturës shqiptare, për zhvillimin e institucioneve muzikore në vend, si dhe për rolin e rëndësishëm në mbështetjen dhe promovimin e kompozitorëve shqiptarë në botë, kisha sot kënaqësinë ta çmoja Maestro Ermir Krantjan me një nga dekoratat më të larta të shtetit shqiptar.

Trashëgimia e punës së tij është një shembull frymëzimi, që jam i bindur do të nxisë edhe brezat e ardhshëm, drejt rrugës së bukur të artit dhe muzikës.

Shumë suksese dhe krijimtari të re Maestro Krantjas!” / KultPlus.com

“Nderi i Kombit” për studiuesin dhe publicistin e shquar, Ndriçim Kulla

Presidenti i Republikës, Ilir Meta çmoi sot me Dekoratën e lartë “Nderi i Kombit” studiuesin dhe publicistin e shquar Ndriçim Kulla.

Në ceremoninë solemne të dekorimit, merrnin pjesë ish-kryeministri prof. dr. Sali Berisha, prof. i Shkencave të Filozofisë Gjergj Sinani, prof. dr. Josif Papagjoni, shkrimtarja Nadire Buzo, studiues, akademikë, politikanë dhe intelektualë.

Presidenti Meta u shpreh se, “nderimi për studiuesin, publicistin dhe botuesin Ndriçim Kulla është vlerësim ndaj kontributit të një intelektuali, i cili përbën shembull unik në krijimin e vlerave të mëdha kulturore e shkencore me rëndësi kombëtare. Me aktivitetin e tij, zoti Kulla ka kryer një kontribut për të cilin ndoshta do të duhej të punonin stafe të tëra të një Akademie, duke realizuar një mision të rëndësishëm në rivlerësimin e mendimit shqiptar. Nuk duhet harruar kontributi me vlerë i këtij intelektuali për mbledhjen dhe botimin e veprave të shkrimtarëve të persekutuar dhe të burgosur politikë nga regjimi komunist. Krahas veprimtarisë botuese, Kulla është autor i 36 librave në gjini të ndryshme të cilat janë një kontribut me vlerë për kulturën dhe shkencën shqiptare. Janë të njohura veprat e tij si ‘Historia e mendimit shqiptar’, ‘Kush jemi ne shqiptarët’, ‘Enciklopedia Antologjike e Mendimit Shqiptar’ në tre vëllime voluminoze, ‘Antologjia e Mendimit Shqiptar’, ‘Marrëdhëniet Shqiptaro-Amerikane’, ‘Neoshqiptarizma një model i braktisur’, ‘Biografi e Ismail Kadaresë – nga koha e diktaturës deri në ditët e sotme’, ‘Ylli i Shkrimtarit’ dhe vepra të tjera.

“Vlerësimi sot për zotin Ndriçim Kulla me Dekoratën e lartë ‘Nderi i Kombit’ është dëshmi e respektit, obligimit dhe nderimit, për gjithçka që ky personalitet ka bërë për shoqërinë shqiptare, si një intelektual atdhetar dhe i përkushtuar, me kontribut të rëndësishëm në kulturën shqiptare. Ky vlerësim është një nderim edhe ndaj çdo intelektuali, studiuesi, krijuesi e botuesi shqiptar të përkushtuar ndaj kauzës së atdheut dhe kulturës sonë kombëtare”, theksoi Meta./ KultPlus.com

“Nderi i Kombit” ndahet për gazetarin dhe publicistin Ferdinand Samarxhi

Presidenti i Republikës, Ilir Meta me propozimin e të gjithë krerëve të bashkësive fetare në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, vlerësoi sot gazetarin dhe publicistin e mirënjohur Ferdinand Samarxhi, me Dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”.

Me anë të një ceremonie të veçantë solemne, ku ishin të pranishëm krerët e të gjitha bashkësive fetare, akademikë, profesorë, gazetarë, sipërmarrës, bamirës e shumë personalitete të tjera, Kreu i Shtetit i akordoi vlerësimin e lartë me motivacionin: “Për punën gjysmëshekullore plot përkushtim të rrallë, me dinjitet e integritet, për pasqyrimin e realiteteve të kohës, sfidave të saj. Njeriut që frymëzon besimin tek Zoti, tek harmonia, bashkëjetesa fetare, në mbrojtje të virtyteve njerëzore dhe në shërbim të atdheut dhe kombit.”

Meta u shpreh se, “do doja ta nisja me një falënderim për të gjithë udhëheqësit e komuniteteve fetare për propozimin e tyre prej kohësh, për të akorduar këtë vlerësim të lartë, për Ferdinand Samarxhi. Çdo ditë e jetës së njeriut është e çmuar, por ajo bëhet e vyer kur i përkushtohesh shoqërisë, atdheut dhe kombit. Ndaj edhe gjithë këto vlerësime të deritanishme të bëra, janë pikërisht për të vlerësuar shembullin që është zhvilluar më shumë se gjysmëshekulli, në shërbim ndaj shoqërisë, atdheut, kombit dhe në veçanti, ndaj zotit dhe njeriut.”

“Këtë preambul e gjejmë të përputhur me jetën dhe veprimtarinë publicistike të zotit Ferdinand Samarxhi, këtij intelektuali aktiv, që me talent, frymëzim dhe mirësi, ka spikatur në fushën e gazetarisë televizive”, tha Meta.

“Ferdinand Samarxhiu lindi në Elbasan në një familje adhuruese të arsimit dhe dijes, por dhe e shenjtërisë së Zotit. Nuk ishin të pakta rreziqet që ai kaloi në kushte të ushtrimit të profesionit, në një sistem monopartiak. Por ishte vullneti, dashuria për njerëzit dhe talenti,  që e bënë Ferdinandin të hynte në epokën e re të demokracisë, përmes një origjinaliteti të jashtëzakonshëm dhe të spikatur, duke krijuar për herë të parë në vendin tonë kolanën e gazetarisë televizive të përkushtuar ndaj fesë dhe besimit, që kishte qenë rreptësisht e ndaluar”, u shpreh Meta.

“Në fillimet e para të punës dhe veprimtarisë intelektuale të fuqishme të zotit Samarxhi, spikat hapja për herë të parë e dritares në ekranin e Televizionit Shtetëror Shqiptar prej nga ku kundrohej me adhurim liria dhe besimi. Janë të lidhur me zërin dhe kronikat e veçanta të zotit Ferdinand Samarxhi, ekspozimi, prezantimi, njohja me emrat e shquar tashmë të kësaj bote si Hafiz Sabri Koçi, Kryepeshkopi Anastas, Dede Reshat Bardhi, Monsinjor Frano Ilia, Monsinjor Rrok Mirdita e deri tek Kardinali i ardhëm Dom Ernest Troshani”, tha Meta.

“Është i paharrueshëm portreti i At Zef Pllumbit, që gjithashtu erdhi përmes këtyre kronikave të Ferdinand Samarxhiut, në mozaikun e botës demokratike ku u shfaq përfundimisht me një aspekt jetik, origjinal por të nevojshëm më shumë se vetë kapitalizmi që kishte hyrë”, theksoi Meta.

“Ai është vlerësuar nga shumë institucione kombëtare e ndërkombëtare me tituj e çmime, nga Papa Françesku në vitin 2015, është cilësuar si ambasador i paqes dhe mbi të gjitha në këtë udhëtim të gjatë të jetës së tij gjysmëshekullor si gazetar, ai është i njohur prej të gjithë shqiptarëve jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë, Maqedoninë e Veriut e Malin e Zi, të cilëve iu është gjendur si gazetar për të gjitha problemet sociale, fetare, shoqërore dhe kombëtare”, u shpreh Meta. / KultPlus.com

Heronjtë e Betejës së Topanasë dekorohen me ‘Nderi i Kombit’

Presidenti i Republikës, Ilir Meta përkujtoi betejën historike të Topanasë së 18 tetorit 1942 në Vlorë, duke vlerësuar me Dekoratën “Nderi i Kombit” katër heronjtë, të cilët dhanë jetën e tyre të re për lirinë dhe sovranitetin e Atdheut.

Kreu i Shtetit nderoi me Titullin e lartë (pas vdekjes)  Hajredin Bylishin “Për kontributin e shquar deri në flijimin e jetës  në mbrojtje të  lirisë interesit kombëtar dhe pavarësinë së vendit, Një ndër heronjtë dhe luftëtarët më të  shquar në betejën  e Topanasë  në Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare, shembull frymëzimi për shqiptarët e gjithë brezave”.

Hiqmet Buzin “Si një ndër heronjtë dhe luftëtarët më të  shquar në betejën e Topanasë në Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare. Për kontributin e shquar deri në flijimin e jetës  në mbrojtje të  lirisë, pavarësisë dhe interesit kombëtar, duke u bërë shembull frymëzimi për shqiptarët e gjithë brezave.”

Bajram Tushën “Për kontributin e shquar deri në flijimin e jetës  në mbrojtje të  lirisë interesit kombëtar dhe pavarësinë së vendit, Një ndër heronjtë dhe luftëtarët më të  shquar në betejën  e Topanasë  në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, shembull frymëzimi për shqiptarët e gjithë brezave.”;

Si dhe Mumin Selamin “Si një ndër heronjtë dhe luftëtarët më të  shquar në betejën e Topanas në Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Për kontributin e shquar deri në flijimin e jetës  në mbrojtje të  lirisë, pavarësisë dhe interesit kombëtar, duke u bërë shembull frymëzimi për shqiptarët e gjithë brezave.”

Presidenti i Republikës çmoi gjithashtu Heroin e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare Resul Veli (Çelaj) “Për përkushtimin atdhetar, betejat e sakrificat deri në flijimin e jetës në mbrojtje të lirisë. Një ndër heronjtë dhe luftëtarët legjendarë në qëndresën dhe drejtimin e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Burim frymëzimi për të gjitha gjeneratat e reja”.

Në fjalën e tij Meta u shpreh se, “Vlora dhe vlonjatët mishërojnë si rrallëkush aspiratën dhe luftën e gjithë shqiptarëve për liri e pavarësi në të gjitha kohët”.

“Betejat e vlonjatëve dhe të gjithë Labërisë për mbrojtjen e trojeve tona të lashta janë betejat për mbijetesën e vetë kombit tonë. Në çdo etapë të historisë, Vlora ka vulën e saj autentike, qysh nga Aulonët e lashtësisë, Principata e Aranitasve, kryengritjet e Pavarësisë, ngritja e Flamurit, epopeja e 1920-ës, Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe deri në ditët e sotme. Vlora ka hyrë në histori si qytet hero. Vetëm në Luftën e Antifashiste ajo i dha vendit gjakun e 870 bijve dhe bijave të saj më të mirë dëshmorë dhe 18 Heronjve të Popullit”, u shpreh Meta.

“Vlerësimi i gjakut të derdhur prej tyre për Shqipërinë është borxhi, që ne të gjithë u kemi për të gëzuar lirinë, pavarësinë dhe sovranitetin në saje të sakrificës së tyre sublime. Është detyrimi ynë dhe i çdo brezi ndaj historisë sonë të përbashkët, por edhe ndaj së ardhmes europiane të Shqipërisë. Ky nderim është edhe vlerësimi e respekti ndaj vetë integritetit dhe dinjitetit tonë si shqiptarë! Ne sot nuk duhet të lejojmë nga askush që të eklipsohet drita e flakës së lirisë që ata ndezën! Lirinë mund ta mbrojmë vetëm duke forcuar demokracinë dhe duke refuzuar çdo lloj shtypje shoqërore”, tha Meta.

“I ftoj të gjithë qytetarët e Vlorës që të marrin pjesë në zgjedhjet e 25 prillit dhe të tregojnë dinjitetin e tyre, dhe njëkohësisht edhe fuqinë e tyre përmes votës së lirë e të barabartë”, përfundoi Meta. /atsh/ KultPlus.com

Piktorët e shquar Vangjush Mio dhe Abdurrahim Buza vlerësohen me çmimin ‘Nderi i Kombit’

Me anë të një ceremonie solemne, Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta vlerësoi sot piktorin e shquar, Vangjush Mio (pas vdekjes) me Dekoratën “Nderi i Kombit”, me motivacionin “Si një ndër piktorët e parë profesionistë në Shqipëri.

Me metodën e impresionizmit ka pikturuar me dashuri peizazhin shqiptar, me dritë dhe gjuhë artistike të nivelit më të lartë. Ai mbetet “Poet i natyrës” dhe pararendësi në formimin e peizazhistëve të mëvonshëm”.

Po kështu me Dekoratën “Nderi i Kombit”, Kreu i Shtetit çmoi edhe piktorin e shquar Abdurrahim Buza (pas vdekjes), me motivacionin “Si një ndër piktorët e parë që hodhi bazat profesionale të arteve figurative në Shqipëri. Për krijimtarinë e tij të gjerë që përshkohet dallueshëm nga fryma kombëtare, e ndërthurur me vlera artistike. Si një zë unik e individualitet i dallueshëm në artin pamor shqiptar”.

Duke iu drejtuar të pranishmëve në ceremoninë e dekorimeve të dy mjeshtrave të papërsëritshëm të artit pamor shqiptar, Presidenti Meta u shpreh se, “ky aktivitet zhvillohet sot në ditën e parë të muajit Tetor, i cilësuar tradicionalisht si muaji i letërsisë dhe artit, por edhe si muaji kur kanë lindur shkrimtarë të shquar të letrave shqipe dhe kulturës sonë, si Gjergj Fishta, Dritëro Agolli, Migjeni por edhe të tjerë.

Aktiviteti i sotëm shënon njëkohësisht, fillimin e një sërë aktivitetesh të tjera kulturore e artistike, që do të zhvillohen në këtë Institucion, gjatë muajit tetor.

Artistët shqiptarë i kanë patur dhe do i kenë dyert e Presidencës gjithmonë të hapura, për të performuar e për të shpalosur krijimtarinë e tyre.

Vërtet jam shumë i nderuar për këtë ceremoni vlerësimi të organizuar sot për këto dy personalitete shumë të mëdha të kulturës sonë kombëtare, sepse në këtë periudhë globalizimi, vetëm forcimi i identitetit kombëtar dhe krenarisë për kulturën tonë kombëtare, mund të na mbajë të bashkuar dhe të fortë, në mënyrë që të mos zhbëhemi si komb, as si shtet dhe as si shqiptarë”, përfundoi Presidenti i Republikës së Shqipërisë. /atsh/ KultPlus.com

Figura historike e Tafil Buzit ‘Nder i Kombit’ përjetësohet në monument artistik

Figura historike e Tafil Buzit, “Nder i Kombit”, që ka kontribuar dhe ka dhënë jetën për lirinë e vendit, do të përjetësohet në një monument në qytetin  Memaliaj.

Kreu i bashkisë Memaliaj Gjolek Guci, zhvilloi një takim në zyrën e tij, me skulptorin e mirënjohur Mumtaz Dhrami, si dhe një pjesë të kryesisë së shoqatës “Tafil Buzi”, me të cilët diskutoi mbi realizim e veprës artistike .

Fokus i takimit ishte vendosja e monumentit të “Nderit të Kombit” Tafil Buzi në rrugën nacionale, në zonën e njohur si “Ura e Parë” në hyrje të qytetit.

Guci u shpreh se kjo iniciativë e bashkisë Memaliaj përbën prioritet dhe kërkon përkrahje për të vijuar më tej projektin.

Ndërsa shtoi se është e rëndësishme që figurat historike të nderohen, për kontributin që kanë dhënë për lirinë e vendit.

Tafil Buzi ishte udhëheqës i kryengritjeve antiosmane të viteve ’30 të shek.XIX në Shqipëri.

Në vitin 1828 mori pjesë në Kuvendin e Beratit. U kthye nga Greqia, ku kishte ikur për të shpëtuar nga ndjekjet e osmanëve, në gusht 1834 dhe zbarkoi në Pashaliman.

Me ftesë të kryengritësve të Beratit mori detyrën e udhëheqësit ushtarak dhe të ndërlidhësit të kryengritësve me Mehmet Aliun e Misirit.

Në ditët e para të vitit 1835 kryengritësit u shkëputën autoriteteve lokale osmane disa të drejta vetëqeverisëse, që nuk u njohën nga Stambolli. Tafil Buzi nisi një kryengritje të re, por nuk gjeti përkrahje te paria e Beratit.

Më 1836 u orvat edhe një herë të organizonte kryengritjen në krahinën e Vlorës, Ndërsa mori pjesë në kryengritjen e vitit 1847. /atsh/ KultPlus.com

Dy kolosët e valles shqiptare, Çeliku e Cingu marrin dekoratën ‘Nderi i Kombit’

Presidenti i Republikës Ilir Meta, dekoron Rexhep Çelikun dhe Liljana Cingun, dy kolosët e valles shqiptare popullore me dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”. Në një ceremoni në presidencë, kreu i shtetit vlerësoi artistët e shquar të valles dhe kulturës shqiptare.

Presidenti Ilir Meta ka vlerësuar me dekoratën ‘Nderi i Kombit’ dy valltarët e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve, Rexhep Çeliku dhe Liljana Cingu për kontributin ndër vite.

Valltarët Rexhep Çeliku dhe Liljana Cingu, kanë falënderuar Metën për dekoratën, ndërsa e kanë cilësuar si një vlerësim për të gjithë trupën.
“Falënderoj Presidentin për dekoratën. Është një gjë shumë e vlefshme, jo vetëm për mua, por për të gjithë kolektivin që kemi punuar”, u shpreh Çeliku.

Meta i cilësoi si dy artistë të jashtëzakonshëm.
“Dua të falënderoj dy artistët tanë të jashtëzakonshëm, e lartësojnë këtë dekoratë. Dua t’i kujtoj ansamblit që ka mjaft punë këtë vit të ‘Skënderbeut’ si brenda dhe jashtë vendit”, përfundoi kreu i shtetit.
Rexhep Çeliku dhe Liljana Cingu, janë dy valltarë të njohur të Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore./ KultPlus.com