Eva Alikaj: Kur më sulmon maskarai unë bëhem maskareshë

Ndonëse 59-vjeçare, ajo i përgjysmon vitet me energjinë, buzëqeshjen dhe zërin e saj që ka ngelur i paprekur nga koha.

Aktorja e madhe Eva Alikaj ka qenë e ftuar e rubrikës “Opinion” në News24, ku ka treguar shumëçka për jetën e saj mes Shqipërisë dhe Austrisë, familjen, dy prindërit dhe djalin tashmë 28-vjeçar si dhe anën profesionale dhe rikthimin në skenë.

Alikaj tha se është duke organizuar një mbrëmje poetike me aktorët Timo Flloko dhe Ndriçim Xhepa.

“Për momentin po merrem me organizimin e një mbrëmjeje poetike ku do të jenë aktorët Timo Flloko dhe Ndriçim Xhepa. Unë nuk e kam lëvruar këtë zhanër por më ka pëlqyer shumë. Shpresojmë që së shpejti ta shfaqim. Provat në ambient të hapur, pa maskë por me distancë.
Teatri po punon me shumë dëshirë por me frikë për shkak të COVID. Po bëjnë prova, janë dy shfaqje paralele. Për festat e nëntorit shpresojmë të kemi dramat në shqip.

Aktorët janë vërtetë të dëshiruara. Të gjithë njerëzit janë sensibël por për aktorët duket si fundi i botës dhe mezi presim të shkojë mirë”, tha Alikaj.

Sa i përket jetës në Austri ku jeton me prindërit, ajo tha se e ka të dashur dhe këtë vend teksa djali Xhino jeton në Gjermani.
“Nuk bëj një jetë spektakolare, një jetë normale. Normalisht që Austria ka një standard tjetër. Këto vitet e fundit më është bërë e dashur Austria. Nuk e di se ku do doja të rrija në Shqipëri apo Austri. Është bërë dhe aty si vendi im.
Djali 28 vjeç është në Gjermani, është në orkestër, punon atje, është i dashuruar, nuk shihemi shpesh por flasim në telefon”, tha aktorja e njohur.

A ka qenë djali, arsyeja që Eva jeton mes Shqipërisë dhe Austrisë dhe a është penduar për këtë sakrificë?
“Jo jo. Isha e vetëdijshme për atë. Çdo nënë do ta bënte por nuk e di si e bëra unë. Ngaqë nuk do ta bëja kurrë, arrita në një pikë kulminante që nuk doja asgjë tjetër, përveç teatrit, jetës që kisha në Shqipëri. Nuk ëndërroja Hollivud apo… absolutisht jo. Më mjaftonte ajo që bëja në Shqipëri. Fëmija im kishte prioritet, ishte fëmijë i vogël dhe zinte vendin e parë. Ishin prindërit e mi dhe tani e kam radhën unë. Mezi qëndroja kur isha e detyruar të ndiqja tim bir, mezi qëndroja se më tërhiqet ky magneti. E vuaja shumë por e dija se do vinte koha ime dhe kjo kishte raste që më lëndonte sepse shikoja reagime të atyre që mendonin se ishte fundi im. E thosha jo gaboni. Unë jam këtu, për fatin tim, aktorët nuk janë balerinë.
Çudia ishte kur erdha këtu, edhe këtu vazhdon e njëjta gjë për verbërinë e tyre. Jo mua vetëm por çdo artist që ka spikatur në fushën e vet duhet vjelë. Besoj që kjo nuk ndodh në Shqipëri. Nuk është një monopol një film, është për popullin.

Është ndryshe në botë, aty ku kam qenë unë dhe ndryshe në Shqipëri. Nuk mendohet të arrihen të tilla standarde si jashtë Shqipërisë. Nuk është ndjekur një politikë e duhur. Shtetit duhet ti kishte dhënë një lloj statusi artistit, që të kishte dinjitet. Qoftë dhe nga ana monetare”, tha më tej aktorja. / KultPlus.com