Zbulohen detajet e edicionit të 60-të të Festivalit të Këngës në RTSH

Përmes një konference për media, Radiotelevizioni Shqiptar (RTSH) ka publikuar detajet e fundit në lidhje me edicionin e 60-të të Festivalit të Këngës.

Ky edicion jubilar do të ketë pesë prezantues dhe do të mbahet në tri net, më 27, 28 dhe 29 dhjetor.

Drejtimi artistik i festivalit i është besuar kantautorit Elton Deda, ndërsa do të prezantohet nga Ardit Gjebrea, Xhemi Shehu, Jonida Maliqi, Isli Islami dhe Kelvi Kadilli.

Nata e parë i dedikohet konkurrimit të 20 këngëtarëve, nata e dytë nostalgjisë, duke qenë i pranishëm çdo emër që ka lënë gjurmë, në 60 vjet histori dhe nata e tretë, më 29 dhjetor, do t’i dedikohet formatit të “Eurovisionit”, pasi fituesi do të përfaqësojë Shqipërinë në “Eurovision 2022”, i cili do të mbahet në Torino të Italisë./ KultPlus.com

KultPlus sjell Gjon’s Tears në Prishtinë, koncerti do të mbahet në Bibliotekën Universitare të Kosovës

Edicioni i katërt i mbrëmjes artistike “Ta zbardhi ftyrën” që mbahet nën organizimin e gazetës online për art dhe kulturë “KultPlus”, do të shënohet në fund të këtij muaji, duke sjell artistin kosovar Gjon Muharremaj, i njohur si “Gjon’s Tears”, shkruan KultPlus.

Ardianë Pajaziti, drejtoresha e KultPlus ka shpjeguar se kjo mbrëmje artistike do të mbahet më 23 gusht, në Bibliotekën Universitare të Kosovës.

“Për shkak të rrethanave pandemike, jemi detyruar që kjo mbrëmje të bëhet me masa kufizuese, ku të pranishëm mund të jenë vetëm ata që kanë ftesa”, ka thënë Pajaziti, e cila është shprehur të jetë e kënaqur që KultPlus po sjell  Gjon’s Tears në Prishtinë, i cili në Evrovizion, me vota të jurisë profesionale doli të jetë i pari, por votat e publikut atë e renditën të tretin.

Mbrëmja artistike ku do të ketë edhe bashkëbisedim me Gjon Muharremaj, por edhe performancë do të mbahet prej orës 19:00, ku të pranishmit do të kenë rastin ta përcjellin nga afër këtë mbrëmje artistike në kuadër të projektit “Ta zbardhi ftyrën”.

Kujtojmë që në edicionet paraprake në “Ta zbardhi ftyrën” mysafirë ishin artistët e njohur si: Sislej Xhafa, Imer Kutllovci, Flaka Goranci dhe Erza Muqolli, të cilët edhe kanë një karrierë të pasur në botën ndërkombëtare. / KultPlus.com