Kosova pjesë e një prej ekspozitave më të mëdha botërore “Expo 2020 Dubai”

192 Pavijone të vendeve të ndryshme të botës janë bërë bashkë në një vend. Po prezantojnë arritjet dhe pasuritë kombëtare në Dubai, në një hapësirë ku historia dhe e ardhmja bëhen bashkë dhe turistë nga gjitha bota mblidhen për të parë inovacionet më të reja, kulturën dhe traditat e shteteve pjesëmarrëse.

Për herë të parë këtë vit, në këtë vend po prezantohet edhe shteti ynë.

Një pjesë e madhe e Pavijonit të Republikës së Kosovës rrëfen historinë tonë përmes artit, kulturës, trashëgimisë kulturore dhe sportit.

Ndër të tjera ekspozita përmban koleksionin e veprave artistike origjinale të artistëve tanë më të njohur dhe artefaktet origjinale nga fondet e çmuara shtetërore, ai i Galerisë Kombëtare të Kosovës dhe Muzeut Kombëtar të Kosovës. Ekspozimi i tyre dëshmon qytetërimin e lashtë të vendit tonë ndërsa vazhdon me të ardhmen, ku shfaqen xhudistët tanë olimpik e artistët me famë botërore, si Rita Ora, Dua Lipa, Shkëlzen Doli e shumë të tjerë.

Jemi shumë të kënaqur që Republika e Kosovës po prezantohet para botës edhe përmes aktiviteteve tjera në këtë ekspozitë, siç është turizmi, bukuritë natyrore, energjia dhe shumë sektorë të tjerë me rëndësi për vendin.
Ndërtimi dhe funksionalizimi i Pavijonit u mundësua nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe organizimi i Pavijonit të Kosovës u arrit pas një koordinimi ndërministror, nën administrim të MINT
“, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. / KultPlus.com