“Në garë me botën gri”, ekspozita personale nga Rexhep Selimi së shpejti në Muzeun Kombëtar të Kosovës

Me datën 25 nëntor, nga ora 12:00, në hapësirat e Muzeut Kombëtar të Kosovës, bëhet hapja e ekspozitës personale të Rexhep Selimit, me titull “Në garë me botën gri”, përcjell KultPlus.

Në 4 vitet e fundit, Selimi ka përfunduar më shumë se 250 piktura, dhe disa prej tyre do të ekspozohen për publikun në muze.

Ekspozita do të qëndroj e hapur deri më 4 dhjetor 2022. / KultPlus.com

Muzetë të rëndësishëm si spiranca në kohë stuhish, Leci: Fuqia kryesore e muzeut është ndërgjegjësimi i shoqërisë

Uranik Emini

Muzeu është një institucion i përhershëm në shërbim të shoqërisë dhe zhvillimit të saj, ai përvetëson, konservon, hulumton por mbi të gjitha komunikon me publikun rreth trashëgimisë së njerëzimit e gjithashtu edhe për historinë e një vendi, shkruan KultPlus.

Me rastin e 18 Majit – Ditës Ndërkombëtare të Muzeve, në Lapidariumin e Muzeut Kombëtar të Kosovës, është organizuar punëtoria për Programin Kombëtar të muzeve në Kosovë.

Punëtorja profesionale në Muzeun Kombëtar të Kosovës, Dafina Morina, e hapi këtë punëtori.

“Sot jemi mbledhë përveç se me zhvillu punëtorinë për programin kombëtar të muzeve në Kosovë, gjithashtu shënojmë edhe Ditën Ndërkombëtare të Muzeve, që ka nisur si një iniciativë që ka nisur që nga viti 1977”.

Më pas, Morina ka ftuar edhe drejtorin e Muzeut Kombëtar të Kosovës, Ajet Lecin, i cili tregoi edhe për agjendën e ditës së sotme dhe një ekspozitë që do të hapet në ora 19:00.

“Sot është Dita Ndërkombëtare e Muzeut, dhe Muzeu Kombëtar i Kosovës i bashkëngjitet këtij organizimi. Ne kemi parë një agjendë për ditën e sotme, ku do të fillojmë me këtë punëtori e më pas do të nënshkruajmë edhe një marrëveshje me Ministrinë e Mbrojtjes, e për të vazhduar në mbrëmje me hapjen e një ekspozite me fotografitë e artefakteve të Kosovës që po mbahen në Serbi. Dua të përgëzojë edhe Komisionin që kanë të bëjnë me konceptin e Muzeut që kanë filluar punën në këtë drejtim”, përfundoi Leci duke falënderuar të gjithë për pjesëmarrje dhe duke uruar edhe Ditën Ndërkombëtare të Muzeut.

Morina tutje bisedoi edhe për pjesën e punëtorisë dhe aktivitetet që kanë zhvilluar ky komision, që në përbërje ka katër persona.

“Punëtoria, grupi që është themeluar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për të zhvilluar përkrahjen e muzeve në Kosovës ka filluar që nga muaji i kaluar dhe ky grup e ka një përbërje prej katër personave. Deri tash kemi zhvilluar disa prej aktiviteteve në kuadër të përmbledhjes së materialit, sfidave, problemeve dhe të mirat që Muzetë i kanë”.

Dita Ndërkombëtare e Muzeve me temën “Fuqia e Muzeve” i ka dy objektiva të caktuara përmes fuqisë së të arritur të qëndrueshmërisë, fuqisë së inovacionit në digjitalizim dhe në qasje, si dhe fuqia e ndërtimit të komunitetit nëpërmjet komunikimit.

Këto objektiva, siç thotë Morina, gjithashtu ndërlidhen edhe me qëllimin e programit kombëtar për zhvillimin e projekteve, ku synohet fuqizimi i institucioneve të muzeve dhe të zhvillimit të një vizionit të përbashkët për ruajtjen, interpretimin dhe promovimin e veprimtarisë krijuese nga e kaluara deri për gjeneratat e ardhshme.

“Në kuadër të këtij programit, gjatë viteve 2022/23 janë paraparë edhe hapat që do të ndikojnë në krijimin e një  baze stabile, legjislative, programore dhe kapitale për zhvillimin e muzeve në territorin e Kosovës. Në kuadër të këtij grupi ne kemi menduar që ta zhvillojmë punëtorinë e sotit në ndarjen e disa grupeve dhe katër grupe do të fokusohen në tema të caktuara në kuadër të kësaj punëtorie. Përzgjedhja e temave dhe ndarja e tyre si grup punues ka të bëjë me legjislacionin, interpretimin dhe ekspozimin, programet edukative dhe metodat e ruajtjes edhe invertarisë”, u shpreh punëtorja profesionale e këtij muzeu.

Në këtë konferencë u diskutua edhe për pjesën e hartimit të dokumentit, që vjen si rrjedhojë e kërkesave dhe nevojave të përbashkëta të punonjësve profesional të muzeve dhe avancimin e fushës së muzeologjisë në përgjithësi.

“Deri më tani grupi punues ka hartuar një pyetësor që i trajton veprimtarinë muzeale dhe ka ndarë me përfaqësuesit e muzeve në Kosovë, si dhe ka filluar edhe punën në terren për të dokumentuar gjendjen aktuale të muzeve qendror dhe atyre lokal, ku janë shfaqur problematikat e ngjashme gjithandej, si mungesë e stafit profesional, mungesë e buxhetit, objekte jo-adekuate, mungesë e trajtimit adekuat e trajtimit të koleksioneve si rrjedhojë e një problemi kryesor që vjen si rrjedhojë e mungesës së infrastrukturës ligjore në Kosovë”, përfundoi ajo.

Ndërkaq, Kryetarja e Këshillit për Trashëgimi Kulturore, Zanita Halimi, theksoi se është një hap shumë i mirë formimimi i grupit punues për të dokumentuar gjendjen ekzistuese të muzeve në Kosovë.

“Ndoshta është një gjë jo shumë e mirë që ende nuk kemi një dokumentim të mirë se sa koleksione ose sa lloje të muzeve ka në Kosovë, e aq më tepër pjesën legjislative kanë statut të akt-themelimit e shumë çështje të tjera. Është shumë e vërtetë që muzetë në përgjithësi, edhe vetë prej definicionit të muzeve, edhe rolit e fuqitë të cilat i kanë muzetë. Gjithmonë në kemi menduar që muzetë janë vende të ftohta, të cilat në një lloj forme e arkivojnë një pjesë të kaluar, ku mund ta vizitosh një muze vetëm një herë, pasi herave të tjera nuk do të jetë më interesante”.

Halimi pati disa fjalë edhe për pjesën që vizitat në Muze duhet të jenë më të shpeshta, për arsye se gjithmonë mëson diçka të re.

“Në fakt, ajo ka po shkon vetë muzeu edhe ideja që muzetë janë edhe vende ku ti mundesh me i vizitu shumë më shumë se një herë dhe çdo herë me mësu diçka të re, dhe kjo falë interaktivitetit dhe metodologjisë së re që përdoret nëpër muze, d.m.th. që përmendet digjitalizimi, interaktiviteti e çështje të tjera. Po ashtu është e rëndësishme që edhe vetë definicioni i muzeve, nuk e di cili do të jetë këtë vit, zgjidhet vetë, për të ndërruar e për t’i parë muzetë në qendra polifonike që përveç arkivimit, mund të bëjnë edhe një farë forme çështje të tjera që kanë të bëjnë, për atë arsye është edhe fuqia e muzeve, që edhe muzetë mund të përdoren si institucione për ndryshime shoqërore. Vetë muzeu është një institucion që ngërthen në vete dhe nxitë pyetje”, tha Halimi duke i ofruar përkrahjen e departamentit të cilit ajo udhëheq.

Në anën tjetër, drejtori i Muzeut, Ajet Leci, ka thënë për KultPlus se ka bashkëpunim të mirë mes muzeut që ai drejton dhe atyre qendror e rajonal.

“Muzeu Kombëtar i Kosovës i bashkëngjitet datës 18 maj me aktivitete të ndryshme. E kemi filluar me një punëtori me një përbërje të komisionit për konceptit e muzeve, aty ndërlidhet edhe puna mes muzeve rajonal e qendror. Me Muzeun Kombëtar Historik kemi një kalendar të përbashkët me aktivitete të paraparë që kemi filluar t’i realizojmë disa ekspozita, ku njëra është mbajtur në fund të marsit që është mbajtur së fundmi. Ne kemi shtyrë për shkaqe teknike deri në qershor”.

Ai tutje tregon se ka bashkëpunime edhe me muzetë në Maqedoninë e Veriut, ku së shpejti Leci beson se do të ketë edhe një memorandum bashkëpunimi me këto institucione.

Sa i përket pjesës së digjitalizimit, Leci thotë se njëri ndër planifikimet për këtë vit është edhe pasurimi i ekspozitës bazë.

“I kemi dy ekspozita të përhershme në këtë institucion që jemi. Ekspozitën e arkeologjisë dhe historisë që përfshijnë të gjitha periudhat historike. Në planifikime bënë pjesë edhe digjitalizimi”.

Muzeu Kombëtar i Kosovës në vartësi të veten ka kompleksin “Emin Gjiku” dhe shtëpinë e pavarësisë Dr. Ibrahim Rugova.

I pyetur se cila është fuqia e muzeut, sipas mendimit të tij, Leci thotë se ndërgjegjësimi i shoqërisë është fuqia kryesore e një muzeu.

“Domethënë, vetë fakti i emërtimit Muze Kombëtar i Kosovës ka një fuqi të madhe. Fuqia kryesore e muzeut është ndërgjegjësimi për të vizituar këtë pasuri që e kemi këtu. Sot e kemi edhe një ekspozitë ku i kushtohet një koleksioni të gjerë, rreth 1247 artefakte që i kemi, të cilat janë marrë nga Serbia gjatë luftës së fundit.

Një nga vendet më udhëzuese dhe edukative për të mësuar nga shtizat parahistorike te mumiet egjiptiane, nga skulpturat e lashta greke te armatura mesjetare dhe shumë e shumëçka tjetër janë pikërisht muzetë, që posedojnë artefakte madhështore të historisë. E pikërisht Muzeu Kombëtar i Kosovës ka rreth 50 mijë artefakte. /KultPlus.com

Sot hapet ekspozita “Mozaik me drithëra” në Muzeun Kombëtar të Kosovës

Artisti Alkent Pozhegu vjen me ekspozitë personale në Muzeun Kombëtar të Kosovës, përcjell KultPlus.

Ekspozita personale e titulluar “Mozaik me drithëra” do të hapet sot duke filluar nga ora 19:00.

Ndërkaq, kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur deri më 15 prill. / KultPlus.com

Hapet “Thesare të Muzeut Historik Kombëtar”, ekspozohen eksponatet me vlera artistike, estetike dhe historike së qyteteve ilire

Gjithsej 25 stenda të cilat përmbajnë objekte e përzgjedhura nga pavijonet e muzeut, erdhën nëpërmjet ekspozitës së titulluar “Thesare të Muzeut Historik Kombëtar” që u shpalos sot për publikun në hapësirën e Muzeut Kombëtar të Kosovës, shkruan KultPlus.

Kur ora shënoi fiks 18:00, ishin të pranishmit ata që zunë vend për të parë nga afër stendat si: Portreti i Erosit nga mermeri, Mbulesën e Ikonës së Gjën Gjergjit nga argjendi dhe ari që ndodhet në Kishën e Gjirokastrës, Dyert e Bukura që i përkasin vitit 1591 e që gjenden në Kishën “Shën Maria” në Berat, Këmbën vazi në formë feniksi që vjen në formën e bronzit, skulpturën Athina Promahos e punuar në mermer, Kokën e Apollonit që po ashtu është punuar në mermer, Dividi dhe kama e shkruesit së Ali Pashë Tepelenës si dhe shumë të tjera që tërhiqnin vëmendjen e gjithsecilit.

Kjo ekspozitë që vjen në kuadër të Kalendarit të Përbashkët Kulturor për vitin 2022, është realizuar nga Muzeu Historik Kombëtar me mbështetjen e fotografit Fation Plaku, për realizimin e fotove të vendeve ku janë zbuluar objektet e paraqitura në ekspozitë, dhe në bashkëpunim me Muzeun Kombëtar të Kosovës.

“Thesare të Muzeut Historik Kombëtar” solli para publikut një numër të madh të objekteve të shumta, koleksion të pasur me artefakte arkeologjike siç është koleksioni i objekteve prehistorike, koleksioni i skulpturave, enët nga qeramika, monedhat ilire greke e romake, objekte të punuara në qeramikë dhe metal si dhe koleksione që hyjnë në vazhdën e antikitetit greko-romak për të vazhduar deri në mesjetë.

Pra, qysh nga periudha e antikitetit të vonë e deri tek ajo bizantine dhe osmane, ekspozita synon të paraqes larminë e këtyre objekteve mesjetare që në thelb shpërfaqin kulturën materiale që është formuar në territorin e Shqipërisë si dhe ngjarjet kryesore që kanë zënë vend në territorin e saj.

Ekspozita “Thesare të Muzeut Historik Kombëtar” krejt në fund paraqet disa objekte ikonografike, të cilat përfshijnë një hark kohor, që fillon nga shekulli XVI e vazhdon deri në fillim të shekullit XIX.

Ndërkaq, objekt i veçantë në këtë ekspozitë u konsiderua edhe Epitafi i Gllavenicës që daton në vitin 1373.

Fillimisht, fjalën e parë e mori drejtori i Muzeut Kombëtar të Kosovës, Ajet Leci, i cili foli rreth bashkëpunimit mes Muzeut Historik Kombëtar dhe Muzeut Kombëtar të Kosovës.

“Ju uroj mirëseardhjen në ekspozitën e organizuar nga Muzeu Historik Kombëtar në koordinim me Muzeun Kombëtar të Kosovës. Siç e dini më parë kemi pasur një memorandum bashkëpunimi mes dy institucioneve tona që i ka parapri një marrëveshje dhe një kalendar i përbashkët për organizimin e ekspeditave në mes institucioneve. Kjo është ekspozita e parë që po organizojmë dhe të tjerat do të zhvillohen gjatë tërë vitit 2022. Shpresoj që shpejt do ta kemi edhe ekspozitën nga Muzeu Kombëtar i Kosovës në Muzeun Historik Kombëtar”, thotë Leci.

Sipas tij, kjo ekspozitë paraqet thesare nga Muzeu Historik Kombëtar që tashmë veçse ekziston rasti që të shihet.

Po ashtu, ministri i Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku foli rreth veçantisë së kësaj ekspozite që sipas tij dëshmojnë për të kaluarën e historisë tonë.

“Është kënaqësi e veçantë që sot edhe njëherë gjatë këtij viti, disa muaj pas ceremonisë në Elbasan, po kalojmë nga akti i nënshkrimit tek akti i zbatimit. Është një ekspozitë interesante ku paraqiten thesaret e Muzeut Kombëtar Historik. Është dëshmia e të kaluarës, e historisë tonë dhe e të tjerëve, por mbi të gjitha është një moment për ta freskuar bashkërisht atë që na bashkon dhe çka më mirë se kultura, trashëgimia, identiteti dhe historia jonë e përbashkët”, thotë Çeku.

Sipas tij, në aktivitetet e kalendarit të përbashkët, qëndron synimi për afrimin sa më të madh dhe pikërisht në këtë drejtim do të bëhet gjithë ajo se çfarë i takon Ministrisë së Kulturës.

Ndërkaq, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi theksoi se në këtë ekspozitë gjenden gjurmët e një Shqipërie të hershme që vjen nëpërmjet imazheve.

“Është një kënaqësi e veçantë që të rikthehemi sërish pas një periudhe të aktivitetet këtu në Muzeun Kombëtar të Kosovës për të ardhur në një ekspozitë e cila realizon dhe tregon gjurmët e identitetit kulturor shqiptar. Në këtë ekspozitë ka pjesë të madhe të objekteve kryesore të thesarit që  ndodhen në Muzeun Historik Kombëtar për të vendosur kështu gjurmët e një Shqipërie të hershme e cila vjen jo vetëm përmes teksteve por edhe fotove dhe imazheve”, thotë Koçi.

Sipas tij, kënaqësi tjetër është që në vazhdën e aktiviteteve që do të vinë, fundin e vitit do të përmbyllet me botimin e katalogut të përbashkët të trashëgimisë arkeologjike të Muzeut të Kosovës dhe atij të Shqipërisë.

Gjithashtu, Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi tregoi për dimensionin e lartë nëpër të cilën ka kaluar Kosova dhe Shqipëria me rastin e kësaj ekspozite.

“Shqipëria ka një avantazh në këtë drejtim sepse për të pasur një ministër të suksesshëm siç është Çeku, i ka dhënë një vizion më të gjerë se thjesht të qenurit një ministër, por një njeri intelektual, kulturalisht i përmbushur për të kuptuar edhe ato pak ndasi që ekzistojnë midis nesh por që mund të jenë një vlerë e shtuar për punën që bëhet në Kosovë. Duke parë këtë ekspozitë, më vjen në mendje që po kalojmë në një dimension tjetër më të lartë. Kemi të bëjmë me trashëgiminë kombëtare, që është më e rëndësishme sesa sensi kulturor i ngushtë”, thotë Minxhozi.

Sipas tij, këto ekspozita të kësaj natyre janë shumë të rëndësishme, jo thjesht për t’i vizituar por pse jo që këto të jenë edhe pjesë e teksteve shkollore për arsye se ka shumë mangësi, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri.

Krejt në fund, u bë e ditur se me iniciativën e ministrit Ceku, do të organizohet 150 vjetori i Asdrenit, (Himnit Kombëtar), ku në Prishtinë do të bëhet një ceremoni e madhe. / KultPlus.com

Kosova pjesë e një prej ekspozitave më të mëdha botërore “Expo 2020 Dubai”

192 Pavijone të vendeve të ndryshme të botës janë bërë bashkë në një vend. Po prezantojnë arritjet dhe pasuritë kombëtare në Dubai, në një hapësirë ku historia dhe e ardhmja bëhen bashkë dhe turistë nga gjitha bota mblidhen për të parë inovacionet më të reja, kulturën dhe traditat e shteteve pjesëmarrëse.

Për herë të parë këtë vit, në këtë vend po prezantohet edhe shteti ynë.

Një pjesë e madhe e Pavijonit të Republikës së Kosovës rrëfen historinë tonë përmes artit, kulturës, trashëgimisë kulturore dhe sportit.

Ndër të tjera ekspozita përmban koleksionin e veprave artistike origjinale të artistëve tanë më të njohur dhe artefaktet origjinale nga fondet e çmuara shtetërore, ai i Galerisë Kombëtare të Kosovës dhe Muzeut Kombëtar të Kosovës. Ekspozimi i tyre dëshmon qytetërimin e lashtë të vendit tonë ndërsa vazhdon me të ardhmen, ku shfaqen xhudistët tanë olimpik e artistët me famë botërore, si Rita Ora, Dua Lipa, Shkëlzen Doli e shumë të tjerë.

Jemi shumë të kënaqur që Republika e Kosovës po prezantohet para botës edhe përmes aktiviteteve tjera në këtë ekspozitë, siç është turizmi, bukuritë natyrore, energjia dhe shumë sektorë të tjerë me rëndësi për vendin.
Ndërtimi dhe funksionalizimi i Pavijonit u mundësua nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe organizimi i Pavijonit të Kosovës u arrit pas një koordinimi ndërministror, nën administrim të MINT
“, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. / KultPlus.com

Shpaloset ekspozita ‘Raffaello portertist’, Çeku: Mos e humbisni rastin të shihni një nga ekspozitat më të arrira artistikisht në Kosovë

Era Berisha

Gjithsej 14 vepra të përmasave origjinale të piktorit të njohur italian Raffaello Sanzio da Urbino, sot përmes teknikave inovative duke filluar pikërisht nga riprodhimet e pikturave të cilat jepnin iluzionin se çdo nuancë, ngjyrë, teknikë e ngjyrosjes e edhe detajet nga më të voglat, pothuajse dilnin nga pëlhura e tyre për të hyrë në vëmendjen e çdokujt e grabitur mendimet e tyre nën strofullën artistike, për të vazhduar me sistemin e ndriçimit të pasmë që dallohej si një siluetë e pikturave, e deri tek fotografitë të cilat i përkasin arkivave të televizionit publik italian RAI e të cilat shfaqeshin në një ndërlidhje të vazhdueshme kinematografike për syrin e pranishëm, shpalosën kështu ekspozitën e titulluar “Raffaello portretist” të kuruar nga historiani i artit Antonio Paolucci, shkruan KultPlus.

E tërë jeta e mjeshtrit të madh italian, Raffaello, të cilit në vitin 2000 i ishte shënuar 500 vjetori i vdekjes, kishte gjetur shtëpinë e përkohshme në Muzeun Kombëtar të Kosovës duke shfaqur kështu vepra tejet të mrekullueshme dhe krejtësisht origjinale. I frymëzuar nga piktorët si Leonardo da Vinci dhe Michelangelo, Raffaello na dërgon në rrugëtimin pasionant të ndjenjave diversive përmes portretizimit të identiteteve reale të cilat shfaqeshin në mënyra të ndryshme në secilën pikturë.

Gjestet e duarve, pozita e personazheve, shfletimi i faqeve të Biblës, satenet dhe kadifet e veshjeve të papëve dhe kardinalëve, imazhet e një zgjuarsisë të mprehtë, stili antik, emblemat aristokratike, portreti i një dashurie të dalluar në teknikë, fisnikëria e të shkruarit, portrete të shkëlqyera në butësinë e përpiktë, mistere portretesh nga perspektiva e syrit të piktorit, simbole të shfaqura përmes kafshëve mitike, lumturia rinore, eleganca e peizazheve të ndërthurura mes etikës dhe estetikës si dhe sfondet poetike janë këto vetëm disa nga elementet që Raffaello ka përplasur para syrit të shikuesit e njëkohësisht duke na dërguar në botën e skenave groteske, erotike e mitologjike gati në çdo cep të Muzeut Kombëtar.

Perspektiva dhe syri i tij kërkon të shpalos një simfoni të nuancave të errëta duke nisur nga ngjyra e kuqe, e zeza e deri tek e bardha, të cilat evokonin një përqendrim e përhumbje mjaft të dëshiruar të të pranishmëve. Piktori vazhdimisht në një mënyrë paralele qëndron në transparencën e pëlhurës, mëndafshit si një peizazh ku shikuesi vëren hovin e rilindjes italiane e që në realitet ashtu edhe dukej; një renesancë e brendshme.

Të pranishëm në ceremoninë hapëse të kësaj ekspozite ishin edhe Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, Zv. Ambasadori i Ambasadës Italiane, Ugo Ferrero dhe Drejtori i Muzeut Kombëtar të Kosovës, Ajet Leci.

“Është një ngjarje ku shënohet një bashkëpunim i rëndësishëm kulturor mes Kosovës dhe Italisë. Jemi të lumtur që sot kemi mundësinë që para publikut të Kosovës të kemi një ekspozitë të veçantë të një prej artistëve të mëdhenj botërorë, i cili na sjell një dimension të rafinuar të paraqitjes artistike. Unë jam shumë i lumtur që si Ministri e Kulturës kemi mundësinë të jemi pjesë e organizimeve të tilla të nivelit ndërkombëtar”, thotë Çeku.

Sipas tij, një ekspozitë e tillë lëvizëse ka lëvizur në tërë botën dhe do të lëvizë ende, andaj lumturia që Muzeu Kombëtar i Kosovës është pjesë e një organizmi ndërkombëtar, është tejet e lartë.

“I bëj thirrje publikut që duke i respektuar masat pandemike, të mos e humbin rastin të shohin një nga ekspozitat më të arrira artistikisht që ndonjëherë prezantohet në Kosovë”, përfundon Çeku.

Ndërsa, Drejtori i Muzeut Kombëtar të Kosovës, Ajet Leci foli rreth rëndësisë që kjo ekspozitë ka për Muzeun Kombëtar.

“Falënderoj të gjithë të pranishmit që ishin prezent në këtë ngjarje të rëndësishme. Shpresoj se këso bashkëpunime do të kemi edhe në të ardhmen. Është tejet e rëndësishme që kjo ekpozitë është shfaqur sepse është një organizim ndërkombëtar mjaft i rëndësishëm”, thotë Leci.

Po ashtu, Zv. Ambasadori i Ambasadës Italiane, Ugo Ferrero

“Ne jemi shumë të lumtur që po shpalosim këtë ekspozitë në Muzeun Kombëtar të Kosovës. Hapja e kësaj ekspozite ka qenë shumë e rëndësishme sepse sjellja e një artisti të njohur italian si Raffaello, i cili ndërlidh klasiken dhe teknologjinë e re, është shumë e rëndësishme, andaj edhe ftojmë të gjithë që të vijnë ta shikojnë dhe të kënaqen me këto vepra të mrekullueshme”, thotë Ferrero.

Ekspozita “Raffaello portretist” është promovuar nga Ministria e Punëve te Jashtme e Italisë dhe Raicom, në kuadër të projektit Opera Omnia.

Ekspozita e realizuar me mbështetjen e Ambasadës së Italisë në Prishtinë, Institutit Italian të Kulturës në Tiranë dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, do të qëndroj e hapur në Muzeun Kombëtar të Kosovës çdo ditë nga e marta, 21 shtator deri te dielën 10 tetor 2021 (orari 10:00 – 18:00), përveç të hënave.

Ekspozita, e cila tashmë ka ndaluar në Tunizi, Turqi dhe Finlande, pas Kosovës do të vazhdojë në Maqedoninë e Veriut. / KultPlus.com

Promovohet Katalogu i Ekspozitës Arkeologjike të Muzeut Kombëtar të Kosovës

Në Muzeun Kombëtar të Kosovës do të promovohet Katalogu i Ekspozitës Arkeologjike të Muzeut Kombëtar të Kosovës i punuar nga arkeologët Milot Berisha dhe Arben Hajdari, shkruan KultPlus.

Në këtë katalog janë paraqitur artefaktet dhe eko faktet që datojnë nga epoka e gurit të ri (neolitit) e deri te mesjeta e vonë, kohë kjo rreth tetë mijë vjeçare.

Promovimi i këtij katalogu do të bëhet këtë të premte me fillim nga ora 15:00

Në vijim gjeni agjendën e promovimit:

15.00 – 16.00 Promovimi i Katalogut të Ekspozitës Arkeologjike të Kosovës

Hapja e aktivitetet – Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit;

Fjalë hyrëse – Z. Ajet Leci, Drejtor i Muzeut Kombëtar të Kosovës;

Fjalë rasti – Z. Albin Kurti, Kryeministër i Republikës së Kosovës;

Prezantimi i Katalogut – Z. Arsim Canolli, profesor-Departamenti i Antropologjisë

Falënderim dhe mbyllje – Z. Milot Berisha dhe Z. Arben Hajdari – autorët e katalogut./ KultPlus.com

AAVK do të hap ekspozitën vjetore në Muzeun Kombëtar

Asociacioni i Artistëve Vizual të Kosovës do të hap ekspozitën vjetore këtë të enjte të Muzeun Kombëtar të Kosovës, shkruan KultPlus.

Ekspozita e cila do të hapet me fillim nga ora 12:00 shpërfaq vepra nga fusha e pikturës, skulpturës, grafikës, dizajnit grafik, fotografisë artistike dhe vizatimit  duke filluar nga fryma e introduktit real, ekspresiv, surreal, abstrakt, e deri te trendët më aktuale të artit konceptual. 

Asociacioni i Artistëve Vizual të Kosovës është organizatë joqeveritare, joprofitabile dhe profesionale, në të cilën në bazë vullnetare, janë bashkuar shoqatat regjionale të artit vizual të Republikës së Kosovës./ KutPlus.com

“Bukuria e betonit” në Prishtinë, inspirim për fotografin Etienne Rémond

 

Fotografi Etienne Rémond do të sjellë fotografi të Prishtinës në ekspozitën e tij, të quajtur “Concrete Beauty”, shkruan KultPlus.

Etienne Rémond është marrë me fotografi për afër 6 vjet, por asnjëherë nuk ka qenë aq i inspiruar sa në Prishtinë ku ai tani jeton prej një viti. Edhe pse, për shumë njerëz, pamjet e errëta të luftës mund të jenë gjëja e parë që ju bie në mend kur flasim për Kosovën, ju duhen vetëm disa ditë këtu për të kuptuar që këto pamje i përkasin të kaluarës.

I befasuar nga gjallëria e Prishtinës, ai shpejt e kuptoi se ajo që e befasoi me të vërtetë ishte se sa i fortë ishte kontrasti me kornizën e saj brutale të betonit.

Kjo është ajo që ai është përpjekur ta kapë duke e lënë veten të humbiste nëpër qytet dhe ta bënte atë pjesë të vetes: jetën dhe energjinë që përmban brenda kufijve të mbyllur, një rini të gjallë që ekziston në mes të këtyre ndërtesave të tmerrshme e të shkatërruara jugosllave, hoteleve dhe ndërtesave krejt të reja dhe baletit të pandërprerë të vinçave që i shoqërojnë.

Ekspozita do të hapet më datë 13 dhjetor në ora 12:00 në Muzeun Kombëtar të Kosovës dhe do të qëndrojë e hapur deri më datë 19 dhjetor. / KultPlus.com

Veprat e artistëve nga 70 vende të botës, ekspozohen në Muzeun Kombëtar të Kosovës

Ekspozita “Bienalja e Akuarelit edicioni 2-të” do të zërë vend në Muzeun Kombëtar të Kosovës ditën e hënë, shkruan KultPlus.

Kjo ekspozitë sjellë vepra arti të artistëve nga 70 vende të botës me rreth 380 piktura. Ekspozita do të përcillet edhe me demonstrim të akuarelit në pikturë nga artistët.

Hapja e ekspozitës bëhet më datë 18 nëntor në ora 19:00 në Muzeun Kombëtar të Kosovës. / KultPlus.com

Sindikata e Muzeut del kundër drejtorit të ri

Sindikata e Muzeut Kombëtar të Kosovës, pas gjendjes së krijuar me vendimin e Komisionit për Ankesa dhe Parashtresa në MKRS, për kthimin e drejtorit të Muzeut Kombëtar të Kosovës, Ajet Leci, ka shprehur shqetësimin lidhur me ecurinë e procesit në fjalë.

Sipas sindikatës, zgjedhja e  drejtorit të Muzeut Kombëtar të Kosovës nuk është bërë mbi bazën e respektimit të procedurave ligjore dhe përformancës së kandidatëve, por mbi baza partiake dhe nepotike, duke shkelur mbi parimet ligjore të përcaktuara me ligjet në fuqi.

Sindikata thotë se ky proces fillojë të degradohet nga periudha e hartimit të rregullores 15/2018 për gradat dhe pagat e krijuesve dhe përformuesve të kulturës dhe punonjësve profesional të trashëgimisë kulturore dhe me theks të veçantë,  statuti i MKK-së, i cili është hartuar dhe miratuar pa konsultimin e punëtoreve të MKK-së dhe si i tillë është hartuar me përmbajtje komplet politike, kundër parimeve profesionale të punëtoreve të Muzeut.

“Gjatë gjithë procesit të rekrutimit kishte shkelje në zhvillimin e procedurave, si procesi i rekrutimit në karrierë i zhvilluar si procedurë e parë, nuk është zhvilluar sipas procedurave të rregullores nr. 21/2012 për Avancimin në Karrierë të Nëpunësve Civil, organizimi i testit me shkrim kishte karakter selektues, duke hartuar pyetje jo profesionale të pa artikuluara  drejtë dhe me tendencë të manipulimit politik.

Po ashtu edhe vlerësimi u manifestua me ndërhyrje të plotë politike, i gjithë procesi degradoj me organizimin e intervistës dhe rrjedhimisht me publikimin e rezultateve përfundimtare nga Këshilli Drejtues i MKK-së, ku është emëruar  drejtor i MKK-së, anëtari i PDK-së dega në Drenas, kandidati me përfomancën  më të dobët dhe jo-profesionale, në kundërshtim me statutin që e kishin përpiluar vet Këshilli Drejtues i MKK-së, së fundmi, në vend që të anulohet e gjithë procedura dhe procesi të kthe het në piken zero, përkundrazi disa akter aventurier të MKRS-së, përkatësisht, Komisioni për Ankesa dhe Parashtresa në MKRS,  ia mundësuan  kthimin në punë, z. Ajet Leci, që bie në kundërshtim të plotë me vendimin për shkarkimin e Leci nga Ministri z.  Kujtim Gashi, Sekretari Permanent z. Veton Firzi dhe Zyra e Personelit në MKRS. I gjithë ky mashtrim rezulton me nënshkrimin e kontratës, drejtor i MKK-së, të z. Ajet Leci, i cili nga data 12.11.2019 filloj të ushtroj detyrën e drejtorit në MKK.

Kryesia e Sindikatës,  vlerëson se muzeu vazhdon të mbetet në udhëkryqe, duke u ofenduar dhe degraduar në mënyra dhe forma të ndryshme nga partitë politike të cilat e drejtuan MKRS-në, në rasti konkret, PDK-ja”, thuhet në reagim.

Me ketë rast,  Sindikata e  Punëtoreve të Muzeut Kombëtar të Kosovës,  i bënë thirrje ministrit në detyrë Kujtim Gashi, sekretarit permanent Veton Firzi, zyrës së personelit në MKRS dhe Komisionit për Ankesa dhe Parashtresa në MKRS;

“Të anuloj vendimin antiligjor të Komisionit për Ankesa dhe Parashtresa në MKRS, të ndalen emërimet partiake politike të cilat e degradojnë institucionin më të lartë të trashëgimisë kulturore-muzeore në vend të organizojnë një konkurs të ri me kritere të pavarura profesionale, etj. Sindikata e punëtorëve të MKK-së, përmes kësaj shkrese rikonfirmon edhe një herë se në rast të mosplotësimit të kërkesave të lartcekura do të vazhdoi të kërkoj respektimin e kërkesave në fjalë përmes rrugëve ligjore dhe formave tjera”, thuhet në reagim. /syri.net/ KultPlus.com

Artistët e rinj prezantojnë pikturat në Muzeun Kombëtar të Kosovës

Në mjediset e Muzeut Kombëtar të Kosovës, të martën u hap ekspozita “Dekonstruksion”, e kuruar nga piktorja Majlinda Kelmendi.

Kjo ekspozitë përmban veprat e studentëve dhe të diplomuarve të Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës.

Ekspozita paraqet krahasimin dhe kontrastimin e ideve bashkëkohore dhe shembujve historikë, duke bërë një rikthim në kohë. Artistët dhe studentët e artit janë në gjendje të shohin se si idetë evoluojnë dhe si e kaluara informon tendencat e ditëve të sotme me ide të reja, shkruan rtv21.tv  

Kuratorja e ekspozitës, Majlinda Kelmendi, u shpreh e lumtur për punën e studentëve të saj. Theksoi se ekspozita paraqet të gjithë procesin e ngritjes profesionale të këtyre artistëve.

“Me fjalën dhe me titullin “Dekonstruksion” e ekspozitës kam dashur të them që të kthejmë kokën mbrapa tek ajo që është ë bukur, e bërthamës, e traditës sonë  por sigurisht duke e sjellur ne kohë. Ne jemi pjesë e këtyre viteve e këtij shekulli dhe sigurisht ne do të moderohemi dhe do të ecim me kohën, por asnjëherë nuk duhet ta harrojmë atë që kemi në bërthamë. Punët të cilat janë këtu janë menduar gjatë prej këtyre artisteve, ne kemi komunikuar gjatë gjithë kohës, kemi ardhur tek ideja, tek hulumtimi dhe pastaj deri tek realizimi i këtyre veprave. Unë jap lëndën e pikturës konceputale dhe së bashku me ta kemi punuar prej dy vjetëve për këtë qëllim, për realizimin e kësaj ekspozite”, tha Kelmendi.

Për punën e studentëve dhe dëshirën e madhe të Kelmendit për realizimin e ekspozitës, fjalë të mira patën edhe disa nga profesorët e Fakultetit të Arteve, Xhevdet Pantina e Agnes Nokshiqi.

“Faktikisht , arti konceptual vet me krijimin e kësaj dege në Fakultetin e Arteve po e dëshmon vazhdimisht punën e tyre, sidomos profesoresha Majlindë që më ngulm dhe arriti t’i paraqes vlerat e studenteve dhe me të vërtet është një punë vuliminoze që unë do të them tamam që jem krah jo vetëm ndaj shteteve të rajonit, por edhe shteteve evropiane sa i përket punës profesionale të studentëve, por edhe nivelit te tyre akademik dhe artistik, është gjë që duhet vlerësua jashtëzakonisht shumë”, tha Pantina.

Ndërkaq Nokshiqi tha se “Më së pari po shihet që është punë që e bën me përkushtim, dhe kur i sheh punimet është shumë interesante. Mënyra qysh jonë të punuara dhe secili e ka qasjen e vet edhe atë artin që don me shpreh në secilin punim. Edhe tepër bukur po duket. Unë jam tepër e kënaqur dhe shumë krenare që në kemi këtë kuadër dhe studentë në fakultet”.

Secila nga këto vepra interesante përmbante një mbishkrim përshkrues rreth temës së trajtuar.

Artistët e ekspozitës janë: Rea Latifi, Agnesa Eshrefi, Endrita Ibishi, Art Terstena, Ema Isaku, Enkela Maxhuni, Drilon Haxhijaj, Endrit Jashanica, Abetare Syla, Ardhmerie Bregovina, Diore Buzhala, Erza Kryeziu, Fikrete Misini dhe Kybra Alemdar. Ekspozita “Dekonstruksion” e piktorëve të rinj të Fakultetit të Arteve, do të qëndrojë e hapur në Muzeun Kombëtar të Kosovës deri më 17 nëntor./KultPlus.com

Yuichiro Morishita, erdhi me thirrje për Paqe në Muzeun Kombëtar të Kosovës

Xhemile Hysenaj

Me rastin e shënimit të 10-të vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Japonisë dhe Kosovës, në Prishtinë po vazhdon të mbahet Java e Kulturës Japoneze në Kosovë, e cila pritet të përfundoj më 10 nëntor, shkruan KultPlus.

Sot, në Muzeun Kombëtar të Kosovës, u shpalos nisma e aktivistit japonez Yuichiro Morishita, i cili përmes ekspozitës e dokumentarit të shkurtë, të cilin e paraqiti në muret e Muzeut Kombëtar, tentonte të tregonte tmerrin e përjetuar në Hiroshima dhe Nagasaki, qytetet e vetme në botë që kanë qenë viktimë e shpërthimeve të bombës atomike.

Ai sapo kishte përfundur turneun e tij rreth Afrikës, duke mbledhur kështu të rinjë, që i shtynte të bërtisnin fjalën ”Paqe” në gjuhën japoneze dhe atë vendase.

Paqen ai e konsideronte si gjënë më të rëndësishme e thelbësore në jetë, duke qenë shumë i prekur më ndodhinë e dy qyteteve të Japonisë dhe duke ndarë dhimbjen me viktimat e këtyre dy qyteteve.

Morishita me nismën e tij, poashtu tentote të bëntë thirrje për paqen dhe të nxiste vetëdijësimin nëpër botë për sa i përket paqes.

”Unë dikur kam ëndërruar të jem basketbollist por e kam parë se vendi im është në koordinim dhe organizim, aty ku duhet të bëjë paqe”, shprehej ai.

Yuichiro Morishita, vari në muret e Muzeut Kombëtar fotografi të Hiroshimës e Nagasakit, në të cilat shiheshin qytetet e njerëzit pas sulmit të bombës atomike. Bashkangjitur kishin edhe mbishkrimet që tregonin historinë e secilës foto.

Ai synonte të tregonte gjallërinë e rinisë dhe solidaritetit në të gjithë botën, dhe t’i tërheqë këto pamje në Japoni e në botë për vëmendjen e mediave.

Në dokumentarin e shfaqur, Morishita shpaloste udhëtimin e tij nëpër Afrikë, bisedat e tij me viktimat e dy qyteteve japoneze dhe përvojat e tij gjatë këtij rrugëtimi.

Kento Hara, i cili ishte përfaqësues i Ambasadës Japoneze në Kosovë, për KultPlus tregoi të jetë shumë i kënaqur me mikëpritjen e shqiptarëve të Kosovës, duke thënë se një mikëpritje kaq të madhe e kanë edhe populli japonez. ”Edhe pse në Kosovë dëmi i luftës ka qenë më i vogël në krahasim me atë të Hiroshimës e Nagasakit, prapë se prapë dhimbjet e vuajtjet kanë qenë pak a shumë të njejta, andaj është e rëndësishme që dëmi i shkaktuar në këto dy qytete japoneze të mos harrohet nga historia e botës”, potencoi ai për KultPlus.

Morishita për KultPlus, u shpreh shkurt dhe qartë se si e sheh ai Paqen. ”Paqja është e thjeshtë, do të thotë të mos jesh në luftë”, potencoi ai.

Alisa Gojani Berishaj, kuratorja e Muzeut Kombëtar të Kosovës, tregoi të jetë shumë e kënaqur me gjithë organizimin e javes japoneze në Kosovë. ”Ne dëshirojmë të vazhdojmë me shpërndarjen e mesazhit për paqe, sepse mendoj që roli i Muzeut, përvec prezentimit të vlerave të trashëgimisë kulturore të Kosovës, është edhe roli i edukimit të fëmijëve të këtij vendit, drejt një të ardhmeje me të ndritur e më paqësore”, deklaroi ajo për KultPlus.

Java e Kulturës Japoneze pritet të përfundoj me datën 10 nëntor të këtij viti, duke qenë kështu një javë shumë e rëndëishme edhe për kulturën e vendit tonë. / KultPlus.com

Muzeu i Kosovës vjen me disa aktivitete për Ditën Ndërkombëtare të Muzeve

18 maji shënohet si Dita Ndërkombëtare e Muzeve. Me këtë rast Muzeu i Kosovës organizon një sërë aktivitetesh, duke synuar të rrisë ndërgjegjësimin mbi rëndësinë e muzeve në zhvillimin e shoqërisë .

Aktivitetet fillojnë më 18 maj, nga ora 10:00 deri në orët e vona, në ambientet e Muzeut të Kosovës, shkruan KultPlus.

Më poshtë gjeni edhe agjendën e aktiviteteve që do të mbahen më 18 maj në Muzeun e Kosovës.

10:00h- 11:00 h Programi edukativ interaktiv –Edukimi për Paqe
“Cities of peace illuminated atelier”
Pjesëmarrës; Institucionet parashkollore grupmoshat 5-6 vjeç,

11:30 h- 12:30 h Programi edukativ interaktiv- Edukimi për Paqe
“Cities of peace illuminated atelier”
Pjesëmarrës; Shkollat fillore, grupmoshat 7-12 vjeç ,

13:00 h -14:00 h Pauza

14:00 h- 15:30 h Programi edukativ interaktiv- Edukimi për Paqe
“Cities of peace illuminated atelier”
Pjesëmarrës; Shkollat e mesme, grupmoshat 14-18 vjeç,

19:30h- 20:30h Prezantimi i punimeve dhe dokumentareve “Citites of Peace” të realizuara më parë në 10-të vende të botës,

20:30h- 21:00h Shpërndarja e çertifikatave për vullnetarët e Termokiss në Muzeun e Kosovës,

21:00 h- 24:00h Muzeu i hapur për të gjithë,
21:00h- 23:00h Nezafete Shala & Band,
23:00h- 24:00h Muzikë,

*Edukimi për Paqe, është një program i cili përmes punëtorisë artistike inspiron gjeneratat e reja me trashëgiminë kulturore të Kosovës, duke promovuar paqen dhe mirëkuptimin.
*Atelijeja e Qyteteve të Paqës, zhvillohet përmes punës praktike me artin e shëndritjes, ku fëmijët mësojnë teknika të ndryshme të muraleve, kaligrafisë dhe ikonografisë. Atelijeja do të ofrojë punën me fleta të arit nga nuanca të ndryshme, dhe do të përshtatet për të gjitha grupmoshat.
Ri – interpretimi i Trashëgimisë Kulturore përmes artit.