Vahide dhe Fadil Hoxha, me paramilitarët e Serbisë te dera

Vahide Hoxha është një ndër gratë më të njohura kosovare në kohën e saj, jo vetëm për faktin se ishte bashkëshorte e Fadil Hoxhës, politikanit dhe udhëheqësit më të njohur kosovar, por sepse kreu funksione të shumta, që nga profesoresha e Normales në Prishtinë deri te kryetarja e Bashkësisë së Kulturës.

Nga Prishtina nuk u nda për rreth gjysmë shekulli.

Vahide Hoxha tregon shumë në librin –“Ecje nëpër kujtesë” të Sanije Gashit, por ne po e sjellim sot vetëm një pjesë kur ajo tregon për kohën e NATO-s dhe hyrjen e paramilitarëve serb në shtëpinë e saj.

– Intervenimin e NATO-s e kaluam në Prishtinë. Ditët e para në shtëpinë tonë, përderisa një mesditë erdhën paramilitarët. Hynë në oborr, trokitën gjatë, ndonja 10 minuta në derën tonë të mbyllur, ndërkohë që Fadili, unë, motra Nahirja dhe Veton (Surroi) qëndronim të përgatitur. Fati deshi që u tërhoqën vazhduan te fqinji pranë, të cilit ia thyen derën. Pas asaj dite, e lëshuam shtëpinë dhe për dy muaj të tjerë, qëndruam në dy shtëpi të tjera.


E marrë nga Besnik Pula / Facebook

Vahidja tregon për një jetë të lumtur krahas bashkëshortit. Pas Demonstratave ´81, Fadil Hoxha atakohet nga ana e komunistëve dhe funksionarëve shtetëror të Republikës Socialiste të Serbisë të cilët më vonë nxisin luftën ballkanike të viteve ´90. Nga mesi i viteve ´80 ai tërhiqet nga jeta politike dhe publike.
Vahidja tregon për bashkëshortësinë me Fadilin.


Oral History Kosovo

– Sinqerisht them se kam kaluar një jetë të lumtur. Jemi marrë vesh për çdo gjë, kemi qenë si shokë. Prandaj, nuk e kam pasur lehtë që pas 56 vjetësh të ndahem prej tij. Ishte vështirë. Por, jam munduar të mbahem. Në cdo skutë të shtëpisë sime janë kujtimet, që më lidhin me të.

Vahide Hoxha (1926-2013) punoi si edukatore gjatë tërë jetës, ishte reformuese dhe aktiviste. E lindur në Prizren në familjen e ngritur Kabashi, së bashku me motrën Rahmije ishin gratë e para shqiptare në Prizren që kishin përfunduar studimet universitare. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Vahidja u bë aktive në lëvizjen e të rinjve anti-fashiste, shkruan KultPlus.

Pas luftës, Vahidja përfundoi studimet në degën e historisë dhe u aktivizua si mësuese, hulumtuese dhe aktiviste në emancipimin e gruas. Si presidente të Këshillit Kulturor të Kosovës, ajo mbikëqyri krijimin e serive të institucioneve edukative dhe kulturore kudo në Kosovë. Para vdekjes ishte kryetare e Shoqatës së Veteranëve së Luftës Nacionale Anti-fashiste të Kosovës. / KultPlus.com