Përfundojnë punët restauruese në shtëpinë e familjes Zhoriç në Prizren (FOTO)

Pas një angazhimi dhe punës disa mujore, kanë përfunduar punët restauruese në shtëpinë e familjes Zhoriç në Prizren, përcjellë KultPlus.

Memorandumi i Mirëkuptimit i lidhur ndërmjet Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren dhe Këshillit Danez për Refugjatë (DRC) mbështetur financiarisht nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar e akredituar në Kosovë për restaurimin e shtëpisë së vjetër në Qendrën Historike të Prizrenit ka rezultuar të jetë tejet i suksesshëm.

Ndërtesa në fjalë gjendet në rrugën “Marin Barleti” prapa xhamisë së Sinan Pashës në Prizren dhe gjendja e saj ishte shumë e vështirë, andaj pas konsultave dhe një bashkëpunimi të ngushtë të Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren me donatorët është përzgjedhur nga Ambasada Britanike dhe DRC për restaurim në kuadër të programit “për kthim dhe integrim të qëndrueshëm” të personave të zhvendosur.

Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren përmes këtij memorandumi ka marrë për obligim të hartojë projektin e restaurimit si dhe të bëj restaurimin dhe konservimin e fasadës së jashtme të ndërtesës.

Fasada e shtëpisë së familjes Zhoriç është punuar në frymën neoklasike të dekoruar me profilime të ndryshme në gjithë sipërfaqen e saj. Materiali që është përdorur është llaçi gëlqeror. Gjatë viteve nga ndikimi i kushteve atmosferike dhe nga mos mirëmbajtja, fasada ishte dëmtuar mjaft shumë, andaj si rezultat i kësaj ka qenë i pashmangshëm intervenimi në këtë ndërtesë. / KultPlus.com