“Fan Noli poliedrik”, konferenca shkencore në Akademinë e Shkencave

“Fan Noli poliedrik” titullohej konferenca shkencore e organizuar sot nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë dhe Muzeu Historik Kombëtar në kuadër të 140-vjetorit të lindjes së Nolit dhe të 100-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në konferencë ishin të pranishëm kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akad. Skënder Gjinushi, ministrja e Kulturës Elva Margariti, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar Dorian Koçi dhe studiues, akademikë e profesorë.

Kryetari i Akademisë së Shkencave akad. Skënder Gjinushi në fjalën e tij tha se “Fan Noli është një prej mendjeve më të ndritura që ka nxjerrë historia shqiptare. Personalitete me formim enciklopedik dhe me gjurmë të pashlyera në dhjetëra fusha krijimtarie, veprimtarie dhe shërbimi, si ai i Fan Nolit, janë të papërsëritshëm dhe shfaqen në horizontet e kulturës dhe të mendimit kombëtar shumë rrallë”.

“Fan Noli është poet-tribun, që ka ngritur më këmbë popullin në kohë kthesash të mëdha; shkencëtar i shquar, të cilit i dukeshin të pamjaftueshme dy doktorata: një në historiografi e një tjetër në muzikologji; orator, që trondiste Asamblenë e Lidhjes së Kombeve në vitin 1924; poliglot, që mund t’u fliste popujve të Ballkanit e të Evropës, madje dhe të persëve të periudhës klasike në gjuhët e tyre dhe që në vitet e fundit të jetës iu kushtua mësimit të aramaishtes; përkthyes, për të cilin u tha me të drejtë se vetëm Fitzgerald-i mund t’i afrohej; meshtar, peshkop e kryepeshkop, figura kryesore dhe me rol vendimtar për autoqefalinë e kishës ortodokse shqiptare dhe i pari që mbajti një meshë shqip në pikëpamjen kronologjike”, tha Gjinushi

Akad. Gjinushi u shpreh se, “Fan Noli ishte kompozitor e muzikolog; më i lirë se një libertin, më i përkushtuar në besim se apostujt, aq sa i kishte caktuar vetes detyrë të përkthente ungjijtë nga aramaishtja, nga gjuha e Krishtit, me sloganin e mirënjohur të kthimit te burimi; lider shpirtëror i mërgatës shqiptare në Botën e Re, themelues i Vatrës dhe i Diellit; revolucionar në misionet qytetare dhe konservator në zgjedhjet kulturore e letrare; pa dyshim kryeministri më i kulturuar që ka nxjerrë ky vend që nga njohja e pavarësisë më 1920; Fan Noli është një figurë që do t’i bënte nder çdo populli, çdo gjuhe e çdo historie. Populli shqiptar ka qenë me fat që e ka birin e vet”.

Pas këtij vlerësimi, akad. Gjinushi vuri në dijeni se gjatë këtij viti Akademia e Shkencave do të organizojë një varg veprimtarish në kuadër të vitit të akademizmit shqiptar, që do të shpallet së afërmi.

“Pa dyshim veprimtaria krijuese dhe shkencore e Fan Nolit, kontributet e tij për oksidentalizimin e kulturës dhe të qytetërimit shqiptar; meritat e tij për çlirimin e mendësisë shqiptare nga trashëgimia anadollake dhe nga sundimi i bejlurçinës, do të zënë vend kyç në evokimin e parahistorisë dhe të historisë së akademizmit në botën shqiptare, e bëjnë atë një akademi më vete”, tha akad. Gjinushi.

Akad. Gjinushi theksoi gjithashtu se “figura e Fan Nolit është nga ato figura të rralla që të vë në vështirësi që në momentin e parë; ç’meritë t’i veçohet në krye – ajo e kryengritësit emancipues, e demokratit qytetërues, e pasuruesit cilësor të thesarit kulturor-letrar shqiptar, e qeverisësit popullor, e mendimtarit origjinal, e polemistit sarkastik e thumbues, e sjellësit të Shekspirit, Ibsenit, Omar Khajamit, Servantesit dhe shumë të tjerëve në gjuhën shqipe, kontribuues i paranjësimit të saj; e priftit me zë baritoni, që i jepte shije kulture meshimit; e publicistit qesëndisës dhe promovuesit të historisë shqiptare në Botë, për të përmendur fare pak prej tyre. Dhe kjo është shenja e parë e një njeriu që e dominoi si qytetar gjysmën e parë të shekullit të 20-të; e dominoi si kryepeshkop gjysmën e dytë të tij dhe mbetet krijues me kurorë sot e mot”.

“Le të japim të gjithë kontributin tonë më të mirë që kjo figurë të dritësohet edhe më shumë në këtë përvjetor”, përfundoi akad. Gjinushi. / KultPlus.com