Ekspozita në kujtim të fëmijëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë vjen edhe online

Veshmbathjet, lodrat e gjësende të ndryshme, janë ato që kanë mbetur pas nga 1024 fëmijë të vrarë dhe 109 të zhdukur në luftën e fundit në Kosovë, të cilëve iu këputën ëndrrat e shpresat.

Ekspozita “Na ishte njëherë që kurrë mos qoftë” e cila u hap në muajin maj të vitit të kaluar nën organizimin e Fondit për të Drejtën Humanitare, tashmë vjen në formatin online, duke i mundësuar publikut të kenë më afër rrëfimet e ndarjes së qenieve më të pafajshme nga jeta, shkruan KultPlus.

Ekspozita e cila tanimë na shfaqet edhe virtualisht, është kuruar nga Blerta Hoçia, ndërkaq është mbështetur nga National Endoëment for Democracy, Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport si dhe Komuna e Prishtinës.

Në hyrjen e ekspozitës virtuale pas historikut të luftës së Kosovës dhe pasojave që la pas, shfaqen në një mur të bardhë lista të gjata emrash të fëmijëve që humbja e tyre ka bërë familjet të vuajnë dhe të ndjejnë dhimbje të pakrahasueshme, e sidomos nga drejtësia e paardhur që vazhdon.

I vetmi faj që kishin këta 1024 fëmijë të vrarë dhe 109 të zhdukur, ishte përkatësia e tyre nacionale. Për okupatorin serb nuk pati rëndësi frika në sytë e tyre, dridhjet trupore dhe shpesh edhe aktrimi i tyre kinse janë të vdekur. Vetëm pse ishin shqiptarë, atyre iu ndal loja, iu morr fëmijëria dhe u bënë engjëjt e Kosovës, të cilët pëherë do të kujtohen me mall.

Në ekspozitë shfaqen fotografi, fustane, pantallona, këpucë, mjetet e lojës dhe gjësendet e tjera të tyre. Një ndër to janë edhe këpucët e Shqipronit, i cili bashkë me familjen e tij ishte detyruar të marrë rrugën për në Shqipëri. Të ndalur në fshatin Nagavc më 2 prill 1999, kur ra terri, u strehuan në bodrumin e një shtëpie të zbrazët.  Atëherë edhe do të fillonin bombardimet, ku nga shpërthimi i fuqishëm një pjesë e shtëpisë u shemb, duke rënë mbi familjen e cila mbeti e vdekur me 14 persona, 12 prej të cilëve fëmijë. Këpucët e Shqipronit ishin aty dhe kishin mbetur të palidhura në njërën këmbë, e që sot shfaqen po me të njëjtën pamje në ekspozitë.

2 prilli do të ishte edhe fatkeqësia e familjes Berisha. Adelina, Njomëza, Shkurtesa, Lezija dhe Elhamja ishin 5 motrat të cilat bashkë me prindër dhe kushërinj u nisën në Shqipëri, për t’u ndalur edhe ata në fshatin Nagavc, atëherë kur bombardimet filluan. Nga bombardimet vdiqën të pesë motrat, ndërkaq familja e ruan djepin në të cilin ishte përkundur pafajësia fëmijërore e vajzave.

Një rrëfim të prekshëm ka edhe Redoni, i cili ende pa i mbushur dy vite u dëbua nga shtëpia e tyre në Suharekë më 26 mars të vitit 1999, për t’u strehuar në picerinë Kalabria. Redoni ishte aty bashkë me motrat e tij, Herolindën, Majlindën, vëllain Altinin dhe familjarë të tjerë. Nga sulmi i forcave serbe mbetën të vrarë 45 persona, në mesin e tyre edhe Redoni me motra e vëlla. Ajo çka mbetet pas nga Redoni janë këpucët e tij, të cilat i kishte pasur dhuratë.

Në të njëjtin vend ishte strehuar edhe  vëllai i Redonit, Altini i cili ishte nxënës i klasës së katërt. Gjatë sulmit, ai mbeti i plagosur teksa nëna e tij e porositi të bënte kinse është i vdekur në mënyrë që të shpëtonte. Pavarësisht pse ishte shumë i vogël, ai kishte kuptuar rrethanat dhe nuk kishte lëvizur fare. Ndërkaq teksa policia po barte trupat, ata e dalluan që Altini ishte gjallë, me këtë rast nuk kursyen ta vrajnë një fëmijë të pafajshëm. Edhe 20 vite pas luftës, trupi i tij mbetet i pagjetur. Ajo që ka mbetur pas nga nxënësi i cili nuk kishte mundur të dal as në klasë të pestë është çanta e tij, në të cilën kishte vendosur librat e fletoret e tij.

Kjo ekspozitë në njërën anë shpreh dhimbjen dhe mallin që ndjejmë për këta engjëj të lirisë së Kosovës por, në anën tjetër është një përkujtim ndaj shtetit tonë dhe arenës ndërkombëtare për drejtësinë e pa ardhur./KultPlus.com