Diaspora bashkon fëmijët shqiptarë

Shoqata kulturore “Korça” në Athinë, në bashkëpunim me “Lobi Euroatlantik Shqiptar” dhe “Swiss Albania Event”, organizojnë edicionin II të konkursit për fëmijë në poezi dhe prozë të shkurtër (përrallë ose tregim).

Ftohen të gjithë krijuesit e vegjël në diasporë, nga mosha 7-15 vjeç, të marrin pjesë në këtë konkurs letrar, me një ose dy krijime, ndërsa tema është e lirë.

Si aplikohet:

Krijimet mund të dërgohen në adresën elektronike: talentet.e.vegjel@gmail.com

Çmimet: Do të jepen tri çmime, në varësi të tri zhanreve letrare.

Krijimet  më të mira të edicionit II  të konkursit letrar për fëmijë do të përfshihen në Antologjinë e parë letrare, për fëmijë.

Gara për konkurrimin do të mbyllet më 20 janar 2021 dhe përzgjedhja për finalistët do të bëhet nga juria e përbërë prej pesë anëtarësh, specialistë në fushën e artit dhe të letërsisë. Shpallja e fituesve do të zhvillohet më 21 mars 2021 (duke qenë në varësi të situatës pandemike). /albinfo.ch / KultPlus.com

Publikohet revista elektronike ‘Jam Shqiptar’ për fëmijët e Diasporës

Agjencia Kombëtare e Diasporës ka bërë të ditur se ka publikuar revistën elektronike informuese ‘Jam Shqiptar’, përcjellë KultPlus.

Revista informuese ‘Jam Shqiptar’ është një botim i vecçantë elektronik, i cili paraqet kuadrin ligjor rregullues për mënyrën e funksionimit për Shkollën Verore në Republikën e Shqipërisë.

Shkolla Verore, përmes programit “JAM SHQIPTAR”, është një mundësi për pjesëmarrësit shqiptarë të Diasporës nga mosha 11- 17 vjeç, të cilët dëshirojnë të vizitojnë vendin e tyre të origjinës si dhe të njihen me natyrën, vendet turistike, mjedisin, traditat, kulturën, doket, zakonet, historinë shqiptare, gjuhën dhe letërsinë shqipe, si dhe parqet arkeologjike.

Qëllimi Programit “Jam Shqiptar” është organizimi i veprimtarive kulturore, gjuhësore dhe turistike gjatë periudhave të ndryshme te vitit, kryesisht gjatë pushimeve verore, që ndihmon për formimin kulturor, gjuhësor, njohjen me vendet turistike dhe historinë e Shqipërisë të nxënësve shqiptarë në diasporë në funksion të ruajtjes së identitetit kombëtar.

Revistën e plotë mund ta gjeni në linkun e mëposhtëm. / KultPlus.com

https://online.fliphtml5.com/wpfxe/isrt/?fbclid=IwAR2HyRtpcyko947DCC4AA3k8kODiQvCxEUvqON5Ujqb8wxx_HxRdoNibZBE

Fillon në Prishtinë festivali me fëmijët e diasporës

Në Prishtinë ka filluar festivali me fëmijët e diasporës, i cili është organizuar në kuadër të “Ditëve të Diasporës”. Ky festival do të zgjasë dy ditë, kurse ditën e tretë për pjesëmarrësit do të organizohet një ekskursion.

Pjesëmarrësit nga vende të ndryshme kanë defiluar nga Teatri Kombëtar te sheshi “Zahir Pajaziti”, për të vazhduar në bibliotekën “Hivzi Sylejmani”, ku do të ketë orë letrare, ekspozitë të arteve pamore dhe interpretime nga nxënësit e diasporës.

Në hapje të këtij festivali, drejtoresha e departamentit për Ruajtjen dhe Kultivimin e Arsimit dhe Kulturës në Diasporë, në kuadër të Ministrisë së Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Maliqe Hashani, tha se ky është edicioni i parë i këtij festivali.

Ajo ka falënderuar të gjithë mësuesit shqiptarë që japin mësim plotësues për fëmijët e diasporës, duke thënë se në këtë mënyrë ata po ruajnë traditat shqiptare.

“Më lejoni që në këtë rast të gjithë nxënësve dhe mësuesve tanë kudo që ndodhen në diasporë t’i falënderojmë në mënyrë të posaçme për punën e tyre të palodhshme që bëjnë për ta mbajtur gjallë traditën tonë. Me mundin, vendosmërinë dhe përkushtimin e tyre shkolla shqipe sot mbahet gjallë në Austri, Greqi, Gjermani, Zvicër, Itali, Suedi dhe në shumë vende të tjera të botës. Me gjithë vështirësitë për ta mbajtur gjallë mësimin plotësues të gjuhës shqipe, mësuesit tanë me shumë përkushtim, me shumë dashuri mbajnë gjallë shkollën shqip, identitetin tonë”, tha ajo, raporton Ksp.

Fëmijët e diasporës janë ata të cilëve më së shumti po iu pëlqejnë këto aktivitete që janë organizuar enkas për ata.

Nga Italia për të marrë pjesë në këtë festival kishte ardhur Sara Hoxha, e cila thotë se ky aktivitet është shumë i mirë pasi janë mbledhur shumë fëmijë që jetojnë jashtë Kosovës.

“Jemi të gjithë, jemi me gjithë komunitetin shqiptar që jeton nëpër botë. Është shumë bukur”, tha ajo.

Se po i pëlqen festivali me fëmijët e diasporës e thotë edhe Marigona Zeka, madje ajo shprehet shumë e lumtur që ka ardhur në Kosovë me shokët dhe shoqet e saj.

“Jam shumë e lumtur që kemi ardhur këtu dhe që kemi një mësuese që na mëson shqip dhe që na ka organizuar këtë aktivitet”, tha ajo.

Festivali me fëmijët e diasporës do të vazhdojë edhe ditëve në vijim, ku do të ketë organizime të ndryshme.