Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka hapur konkursin për ndarjen e Çmimeve për Dramë Origjinale Shqipe “Katarina Josipi” për vitin 2023, shkruan KultPlus.
Sipas MKRS, tri dramat më të mira përveç shpërblimit financiar, fitojnë të drejtën për lexime skenike në Teatrin Kombëtar të Kosovës si dhe botohen në një edicion special në gjuhën shqipe.
“Tri dramat më të mira të përzgjedhura nga juria profesionale, përveç shpërblimit financiar, fitojnë të drejtën për lexime skenike në Teatrin Kombëtar të Kosovës si dhe botohen në një edicion special në gjuhën shqipe”, thuhet në njoftimin e MKRS në facebook.
Data e fundit për aplikim është data 1 gusht 2023/KultPlus.com
Janë shpallur sot fituesit e edicionit të IV-të të konkursit të përvitshëm për Çmimin Letrar Vexhi Buharaja 2023, përcjell KultPlus.
Juria profesionale e përbërë nga Ymer Çiraku, Diana Kastrati, Agim Baci, Aleksandër Çipa dhe Yzedin Hima kanë vendosur që çmimet të ndahen si në vijim.
Në përkthim – Granit Zela, Shqipëri, në poezi – Vlora Ademi, Kosovë dhe Rozafa Shpuza, Shqipëri.
Ceremonia e çmimit do të zhvillohet ditën e mërkurë, datë 24 Maj 2023, ora 11:00 në Bibliotekë. / KultPlus.com
“Kengo Kuma and Associates” u shpall fituese e konkursit ndërkombëtar mes 4 studiove të arkitekturës për hartimin e projektit për Qendrën e Vizitorëve në Parkun Kombëtar të Butrintit.
Studioja fituese u përzgjodh për qasjen unike arkitekturore në krijimin jo thjesht të një objekti, por të një porte hyrëse në pasurinë e Butrintit, me një pamje të mrekullueshme dhe krijimin e një hapësire publike takimi për komunitetin lokal dhe turistët.
Juria ndërkombëtare e mbledhur sot shqyrtoi katër projektet finaliste për Qendrën e Vizitorëve në Parkun e Butrintit, portën hyrëse në këtë pasuri të UNESCO-s.
Katër studiot finaliste ishin:
• Kengo Kuma & Associates (Japoni)
• Lahdelma & Mahlamäki Architects (Finlandë)
• Philippe PROST / AAPP (Francë)
• William Matthews Associates (Mbretëria e Bashkuar)
Procesi i seleksionimit dyfazësh u organizua nga Malcolm Reading Consultants në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës së Shqipërisë dhe Fondacionin për Menaxhimin e Butrintit. Konkursi u financua nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim
Juria përbëhej nga: Elva Margariti, ministre e Kulturës, Shqipëri; Martin Mata, bashkë-CEO, Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim The_AADF; Aleksandër Sarapuli, bashkë-CEO, Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim; Róisín Heneghan, bashkëthemeluese dhe Drejtuese e ‘Architects Heneghan Peng’; Mónica Luengo Añón, themeluese, “Arkitekturë, Territor dhe Peizazh, ATP”; Suzanne Ogge, drejtuese e Projekteve dhe Trashëgimisë Ndërkombëtare, studio Milou, dhe konsulente e UNESCO; Thomas Vonier, iIsh-kryetar i Unionit Ndërkombëtar të Arkitektëve, partner i Chesapeake Strategies dhe Matilda Pando, kryetare e Shoqates se Arkitekteve te Shqiperise dhe themeluese e MATT Architects.
I shpallur nga Fondacioni për Menaxhimin e Butrintit, konkursi ndërkombëtar i qendrës së vizitorëve u mbështet financiarisht nga Fondi Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim dhe u organizua nën mbikqyrjen e Ministrisë së Kulturës nga kompania britanike Malcolm Reading Consultants.
Kjo qendër, e denjë për të mikpritur vizitorët, me të gjithë infrastrukturën e nevojshme në shërbim të tyre do të respektojë së pari vlerat e jashtëzakonshme universale jo vetëm të zemrës arkeologjike, por të të gjithë Parkut Kombëtar./atsh/KultPlus.com
Doli nga shtypi përmbledhja me tregime të përzgjedhura në konkursin e pestë Biber.
Përmbledhjen mund ta shkarkoni në faqen Biber në formatin elektronik.
Çmimi i parë “Ndërrimi i qimeve” i autores Ana Kutlesha nga Zagrebi; Çmimi i dytë: “Fertik” i autores Lidija Dedush nga Varazhdini; Çmimi i tretë “Toka e lumturisë” i autorit Ante Storiq nga Shibeniku dhe “Fjalët” i autorit Milosh Perishiq nga Arangjelovaci.
Konkursi i pestë Biber qëndroi i hapur nga data 10.12.2021 deri me datën 1.6.2022. Në konkurs u paraqitën gjithsej 473 tekste anonime. Njëzet e pesë tregimet që u përfshinë në përmbledhje u zgjodhën nga juria e përbërë nga: Lejla Kalamujiq, Kalina Maleska dhe Ola Saviçeviq Ivançeviq. Janë shpërblyer katër tregime. / KultPlus.com
Universiteti i Prishtinës (UP) “Hasan Prishtina” ka shpallur konkurs plotësues për pranimin e studentëve të rinj në vitin e parë të studimeve bazë për vitin akademik 2022-23, shkruan KultPlus.
Sipas njoftimit të publikuar në llogarinë zyrtare të universitetit, thuhet se 2,144 studentë të rregullt parashihen të regjistrohen në këtë afat të dytë të konkursit.
Gjithashtu, në njoftim bëhet e ditur se aplikimi nis nga sot dhe do të jetë i hapur deri më datë 16 shtator 2022.
“UP-ja e shpall të hapur konkursin plotësues për pranimin e studentëve të rinj në vitin e parë të studimeve themelore për vitin akademik 2022-23. 2,144 studentë të rregullt parashihen të regjistrohen në UP, në këtë afat të dytë të konkursit. Aplikimi nis nga sot dhe do të jetë i hapur deri më datë 16 shtator 2022”, thuhet në njoftim. /KultPlus.com
Teatri Kombëtar i Kosovës ka hapur sot konkurs për regjisor për Skenën e vogël të TKK-së për vitin 2022.
Skena e Vogël e TKK, si një laborator për kultivimin e shprehjeve inovative dhe eksperimentale teatrore, është krijuar për të mbështetur dhe nxitur idetë dhe format e reja kërkimore teatrore duke synuar të jetë strehë e të gjithë atyre që teatrin e shohin si mjet të shprehjes.
Gjithnjë duke synuar realizimin e këtyre që u thanë më lartë, menaxhmenti i Teatrit Kombëtar të Kosovës ka shpallur konkurs publik për regjisor të projektit.
Ky është njoftimi i plotë nga TKK:
Në bazë të Ligjit për Teatrot Nr. 04/L – 106 Neni 10 paragrafi 1.9, Statutit të Teatrit Kombëtar të Kosovës Neni 10, si dhe të Rregullores Nr. 04/2016 për Punën e Këshillit Drejtues të Teatrit Kombëtarë Kosovës Neni 3 dhe Neni 12, në bazë të Rregullores Nr. 03/2019 për skenën e vogël të Teatrit Kombëtar; dhe vendimit të KD të TKK të datës 2 Qershor 2022, Drejtori i përgjithshëm i TKK merr vendim për shpallje të konkursit publik për Skenën e vogël:
Konkurs publik për përzgjedhjen e regjisorëve për projekte të Skenës së vogël të Teatrit Kombëtar të Kosovës për vitin 2022:
Shfaqje autoriale me temën “ Personat me aftësi të kufizuar”
Kushtet për aplikantët:
1. Regjisori konkurron me projekt skenik /vizion dhe ide/ si dhe propozon qasjen dhe platformën regjisoriale
2. Regjisori nuk ka të drejtë të konkurroj për dy projekte në të njëjtin vit.
3. TKK organizon intervistë me regjisorët me rastin e përzgjedhjes.
4. Regjisorët përzgjidhen për idenë dhe vizionin më të mirë nga një komision profesionist i cili përbëhet prej tre deri pesë (3-5) anëtarë.
5. Komisioni përzgjedhës përbëhet ekskluzivisht nga profesionist të teatrit, autor të njohur dhe të verifikuar të kësaj lëmie
6. Regjisori i përzgjedhur nga komisioni ka të drejtë ekskluzive të përzgjedh ekipin kreativ të projektit.
7. Të drejtë aplikimi kanë të gjithë regjisorët vendës dhe ndërkombëtar
8. Për inskenim do të përzgjidhen dy platforma regjisoriale.
9. Aplikimet mund të bëhen përmes e-mailit [email protected] ose edhe duke i dorëzuar fizikisht në TKK tek asistentja e Drejtorit të TKK -së.
Konkursi është i hapur deri më 15.09.2022. Të gjitha aplikacionet pas kësaj date nuk do të pranohen. / KultPlus.com
Është hapur konkursi për pranimin e studentëve të rinj në Universitetin e Prishtinës. Gjithsej 5497 studentë të rregullt planifikohet të bëhen pjesë e UP-së për këtë vit akademik, në afatin e parë të konkursit, njofton UP.
UP-ja numëron dhjetëra programe studimore në 14 fakultete, për t’u bërë pjesë e të cilave mund të aplikoni deri më datë 19 korrik.
Njoftimi i plotë i UP-së:
Të dashur maturantë,
Njoftoheni që Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” do të shpallë konkursin për pranim të studentëve të rinj më datë 12 korrik 2022.
Deri në hapjen e konkursit, ju mund të kuptoni më shumë rreth mundësive të studimit në UP, duke shfletuar uebfaqen zyrtare www.uni-pr.edu ose ueb faqet e fakulteteve përkatëse: https://uni-pr.edu/page.aspx?id=1,34. / KultPlus.com
Zbresim shkallët teposhtë në heshtje nga kati i shtatë Me bisht syni i shikojmë supet e njani tjetrit dhe siluetën e portreteve të ngrysuna nën dritën e paktë
Një kat më poshtë bajmë
një ngatërrim të hapave
dhe gati përfundojmë në përqafim të trembun E sforcojmë ecjen vertikale
dhe shikimin e rreptë
derisa shkelim të pestin
dhe të katërtin kat si dy armiq të rastësishëm
E shtrëngon çantën tuj m’pa si një rrëmbyes Kurse unë me qëllim nuk e shpejtoj hapin Arrimë tek i dyti tashmë të militarizuem
në mospërfillje
Zhurma e takeve t’ua e tradhëtojnë heshtjen e zemrave dhe shpeshtojnë frymëmarrjen Për herë të parë e shoh ngjyrën e syve të kaltër
Në përdhese gjithçka fashitet tokëzohen ndjenjat e trazueme dhe kujtimet se dikur të kisha njohur mirë Por tash maska e moshës na kishte tjetërsue
Ti vazhdon ma tutje e bindur se shpëtove nga një vardisës i mundshëm i bezdisshëm
Kurse unë vazhdova për në bodrum tek fletoret e moçme të kërkoj përshkrimin tim për portretin tand në rini
–Poezi e shkruar nga Afrim Demiri, njëra nga poezitë finaliste në konkursin mbarëkombëtar të poezisë ‘KultStrofa’, organizuar nga gazeta online për kulturë KultPlus./KultPlus.com
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka hapur edhe një herë tjetër konkursin për drejtor të Teatrit Kombëtar të Kosovës, shkruan KultPlus.
Rishpallja e konkursit për pozitën Drejtor i Përgjithshëm i Teatrit Kombëtar është publikuar të premtën nga MKRS-ja, derisa është bërë e ditur se ai konkurs do të jetë i hapur nga data 8 janar deri më 22 janar të vitit 2022.
Personat që aplikojnë për këtë konkurs duhet që të kenë së paku shtatë vite përvojë pune profesionale dhe gjithashtu katër prej tyre në ndonjë pozitë udhëheqëse apo drejtuese.
Problemet në TKK kanë vazhduar ndër vite, derisa drejtori i kaluar Agim Sopi fillimisht ishte shkarkuar jashtëligjshëm, për t’u rikthyer përsëri në pozitën e tij.
Më pas, më 18 janar të vitit 2020, Sopit i kishte skaduar përfundimisht kontrata e tij.
Regjisori Naser Shatrolli ishte zgjedhur si drejtor i përkohshëm në nëntorin e vitit të kaluar, derisa më pas ishte konkluduar se zgjedhja e tij si drejtor ishte në shpërputhje me ligjin.
Përkundër kësaj dhe ankesave të vazhdueshme, zyrtari i Ministrisë së Kulturës, vazhdon të jetë në krye të TKK-së. /KultPlus.com
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka njoftuar se ka hapur konkursin për pozitën e Drejtorit/es në institucion e Baletit Kombëtar të Kosovës, përcjell KultPlus.
Në njoftim përmendet se kategoria funksionale ka koeficientin 10.
Ndërkaq, për tu njoftuar për më shumë detaje në lidhje me konkursin, klikoni në linkun e bashkangjitur më poshtë. / KultPlus.com
Fëmijëve të Kosovës ju dha mundësia që t’i drejtohen me një letër presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmanit, përmes një konkursi të hapur nga KultPlus.
Pas mbylljes së aplikimeve ku kanë arritur mbi 100 letra në adresën e KultPlus, juria profesionale e përbërë nga shkrimtari Ibrahim Kadriu, aktorja Adriana Matoshi dhe përfaqësuesja e KultPlus, redaktorja Jeta Zymberi, janë zgjedhur edhe dhjetë letrat më të mira drejtuar presidentes përmes sëcilave fëmijët e moshave prej 10 deri 15 vjet i drejtohen presidentes duke shprehur kërkesat dhe dëshirat e tyre.
Për të shënuar këtë organizim përmes një ceremonie, KultPlus ka organizuar eventin “Letër Presidentes” ku do të jetë e pranishme edhe presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ku me këtë rast dhjetë fëmijët e përzgjedhur nga kjo garë do të jenë të pranishëm e do t’i lexojnë letrat e tyre para presidentes.
Krejt në fund fëmijët do të certifikohen, kurse tri letrat më të mira edhe do të shpërblehen.
Eventi mbahet nesër, më datë 30 qershor, në ora 13:00 në KultPlus Caffe Gallery. / KultPlus.com
Qendra Kombëtare të Librit dhe Leximit (QKLL) si çdo vit organizon aktivitetin e “Fondit te Krijimtarisë Letrare për të Rinj 2021”.
Ky është një projekte që është hapur së fundmi për pjesëmarrësit. Thirrja së fundmi u bë më datën 6 prill dhe që do të qëndrojë hapur për të aplikuar deri më datë 31 maj të këtij viti. Kjo thirrje u drejtohet të gjithë lëvruesve të zhanreve si poezia, proza dhe dramës shqipe për konkurrentët nga mosha 18 deri në 35 vjeç.
Në këtë projekt do të ketë edhe një mbështetja financiare që do të ofrohet për botimin e veprave letrare nga autorë të rinj shqiptarë në prozë, poezi, dramë dhe do të jetë në shumën 150 000 lekë.
Edhe këtë herë aplikimi duhet të bëhet nga shtëpi botuese të licencuara dhe vepra e propozuar nuk duhet të jetë botuar asnjëherë më parë. QKLL bën me dije se projektet e dorëzuara, të financuara pjesërisht ose tërësisht nga institucione të tjera brenda territorit të “Republikën e Shqipërisë”, dhe mund të përzgjidhen për mbështetje financiare nga “Fondi i Krijimtarisë Letrare për të Rinj 2021”. Ekspertë të fushës së letërsisë, do të përbëjnë jurinë e përzgjedhur, dhe vlerësimi i projektit bëhet duke u bazuar te vlerat artistike të veprës.
Pas shqyrtimeve që do të bëhen rast pas rasti rezultatet do të do të njoftohen dhe bëhen publike pasi juria të vlerësojë propozimet dhe të marrë vendimin përfundimtar në lidhje edhe me fondin e mbështetjes financiare.
“Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit” në rast miratimi, do të nënshkruajnë një kontratë me Periudha së bashku me botuesit dhe autorët për botimin e titujve të mbështetur për periudhën brenda vitit 2021.
Sipas “Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit”, botuesi i sponsorizuar duhet të përmendë mbështetjen e dhënë në faqen e dytë të librit, ku duhet të shfaqet logoja e QKLL, dhe kjo do të kryhet sipas modelit: “Ky libër u botua me mbështetjen e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Shqipëri”.
Për sa i përket aplikimit përkatës dhe dokumentacionit, ato duhet të jenë kryer dhe përfunduar dhe më pas të dorëzohen pranë “Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, brenda datës 31.5.2021, ora 14:00. / atsh / KultPlus.com
Artpolis Qendra për Art dhe Komunitet ka shpallur konkurs për pesë vende të lira në pozitën e aktor/e, shkruan KultPlus.
ArtPolis e konsideron këtë konkurs si një dëshmi për talentin, kreativitetin, vullnetin dhe bashkëpunimin e punës me komunitet.
Artpolis është Organizatë Jo-Qeveritare që vepron në Kosovë duke e promovuar kulturën, artin dhe bashkëjetesën multi-etnike, nëpërmjet dialogut social dhe përdorimit të teatrit si mjet për promovimin e diverzitetit dhe ndryshimeve shoqërore.
Kriteret që duhet plotsuar për të konkuruar, janë si në vijim:
-Të kenë diplomë universitare (bachelor ose master), Fakulteti i Arteve, drejtimi aktrim.
-Bashkangjitur me Cv dhe biografi të dërgohet një video e ndonjë shfaqje/ përformance në 3 vitet e fundit ( kohëzgjatja, minimum 2 minuta max 5 minuta)
-Aftësi të mira Ritmike (të cilat do të provohen gjatë audicioneve)
-Mosha: 20-40 vjet.
-Kondicion dhe përgatitje të mirë fizike e vokale
-Të jenë kreativ dhe të hapur për detyrat artistike që do të kërkohen nga komisioni përzgjedhës
-Të kenë përvojë pune aktive në realizimin e roleve në teatër dhe të ketë dëshirë e vullnet të punojë edhe me komunitet.
-Të dëshmojë talentin dhe përvojën e tij/saj para audicionit që e organizon Komisioni profesional i Qendrës për Art dhe Komunitet – Artpolis;
-Të ketë aftësi të mira për komunikime ndër-njerëzore dhe të jetë i/e gatshme të punojë me orar fleksibil të punës;
-Të flas rrjedhshëm gjuhën shqipe dhe preferohet të ketë njohuri të gjuhës angleze
Procesi i aplikimit:
Të gjithë të interesuarit/at duhet të dërgojnë CV-të e tyre, letrën motivuese, tri referenca dhe dëshminë për shkollimin e mbaruar (diplomë) në e-mail adresën: [email protected]
Afati i aplikimit: 08/02/2021- 15/02/2021
Artpolis, ndër të tjera ka bërë të ditur se vetëm personat që futen në listën e ngushtë do të kontaktohen për intervistë.
Për tu informuar më shumë për punën e Artpolis, klikoni në linkun e bashkangjitur më poshtë. / KultPlus.com
Në fund të muajit nëntor të vitit të kaluar është hapur konkurs për Drejtor Artistik në Teatrin Kombëtar të Kosovës dhe pikërisht ndaj këtij konkursi ka reaguar Shoqata e Artistëve të Teatrit të Kosovës të cilët e kanë konsideruar në kundërshtim me ligjin për Teatër.
Sipas tyre kjo pozitë, në bazë të legjislacionit në fuqi nuk ekziston fare. Pra, konkursi në fjalë është hapur për një pozitë të punës e cila nuk ekziston në strukturën e Teatrit Kombëtar të Kosovës, andaj kërkohet edhe anulimi i menjëhershëm i këtij konkursi dhe të hapët konkursi i ri, shkruan KultPlus.
KultPlus ju sjell edhe reagimin e plotë të SHATK-së:
Kërkesë ndaj MKRS për anulim të Konkursit me nr. Reference 4163/2020 (Titulli i punës: Drejtor Artistik; Institucioni: Teatri Kombëtar i Kosovës)
Datë: 25 Janar 2021
Ref: K-01/21
Shoqata e Artistëve të Teatrit të Kosovës (SHATK) me vëmendje të shtuar është duke e përcjellur procesin e përzgjedhjes së udhëheqësve të ri të Teatrit Kombëtar të Kosovës.
Në kuadër të mandatit të shoqatës është realizuar një vlerësim i dokumenteve bazike të Konkursit Zyrtar të hapur nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit. Gjatë këtij vlerësimi është vënë re që njëri prej dy konkurseve është në kundërshtim me ligjin për Teatër. Në Konkursin me referencë 4163/2020 specifikohet Titulli i Punës i konkursit që është “Drejtor Artistik”. Kjo pozitë, në bazë të legjislacionit në fuqi nuk ekziston fare. Teatri Kombëtar i Kosovës ka vetëm një drejtor, atë të Përgjithshëm. Njëherit ka edhe udhëheqës të ndryshëm, ndër ta edhe Udhëheqësin Artistik.
Pra, Konkursi në fjalë është hapur për një pozitë të punës e cila nuk ekziston në strukturën e Teatrit Kombëtar të Kosovës. Si i tillë ky konkurs nuk është valid, dhe është jo-legjitim. Për këtë arsye SHATK kërkon që ky konkurs të anulohet menjëherë, dhe pa humbur kohë të hapet konkursi për Udhëheqësin Artistik të TKK.
Me respekt,
Bordi Ekzekutiv i Shoqatës së Artistëve të Teatrit të Kosovës:
Organizata “Zëri i Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianeve”, në kuadër të Festivalit Multikulturorë, po organizon ngjarjen që promovon identitetin dhe kulturën e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, rolin e grave në shoqëri dhe ofrimin e mundësive të barabarta.
Ftoheni të merrni pjesë në garën për pikturën/fotografinë më të mirë, 30 prej të cilave do të ekspozohen në Galerinë e Arteve në Prishtinë.
Për të qenë pjesëmarrës ju duhet:
– Të postoni fotografinë tuaj në faqen tuaj personale në Facebook, duke përdorur hashtagun #Letëfestojmëngjajshmëritëtona dhe
– Të bëni TAG faqen e “Voice of Roma, Ashkali and Egyptians in Kosovo”
A. Tema dhe Qëllimi:
Ftesë për pjesëmarrje në konkurs të pikturës/fotografisë me temën:
“Le të festojmë ngjashmëritë tona!”
B. Afati i aplikimit
Data e fundit e aplikimit është 5 Nëntor 2020, deri në ora 17:00.
C. Ceremonia e shpërndarjes së çmimeve
a. Çmimet fituese, punimet e të cilëve do të vlerësohen si të denja do të ekspozohen në Galerinë e Arteve në Prishtinë.
b. Kandidatët me fotografitë më të mira do të kenë mundësi pjesëmarrjeje në trajnim për fotografi. / KultPlus.com
Shoqata kulturore “Korça” në Athinë, në bashkëpunim me “Lobi Euroatlantik Shqiptar” dhe “Swiss Albania Event”, organizojnë edicionin II të konkursit për fëmijë në poezi dhe prozë të shkurtër (përrallë ose tregim).
Ftohen të gjithë krijuesit e vegjël në diasporë, nga mosha 7-15 vjeç, të marrin pjesë në këtë konkurs letrar, me një ose dy krijime, ndërsa tema është e lirë.
Çmimet: Do të jepen tri çmime, në varësi të tri zhanreve letrare.
Krijimet më të mira të edicionit II të konkursit letrar për fëmijë do të përfshihen në Antologjinë e parë letrare, për fëmijë.
Gara për konkurrimin do të mbyllet më 20 janar 2021 dhe përzgjedhja për finalistët do të bëhet nga juria e përbërë prej pesë anëtarësh, specialistë në fushën e artit dhe të letërsisë. Shpallja e fituesve do të zhvillohet më 21 mars 2021 (duke qenë në varësi të situatës pandemike). /albinfo.ch / KultPlus.com
SEE Cinema Network (Rrjeti Fondeve të Filmit i Evropës Juglindore) ka hapur konkursin për mbështetje të prodhimit të filmave të shkurtë dhe zhvillim të projekteve për filma të gjatë.
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit fton të gjithë dramaturgët shqiptarë që të konkurrojnë me dramat e tyre në konkursin për Dramë Origjinale Shqipe “Katarina Josipi për vitin 2020”.
Çmimet të cilat i ndanë Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit për çdo vit janë si në vijim:
Çmimi i parë për Dramë origjinale Shqipe “Katarina Josipi”
Çmimi i dytë për Dramë origjinale Shqipe “Katarina Josipi”
Çmimi i tretë për Dramë origjinale Shqipe “Katarina Josipi”
Vlerësimin për ndarjen e çmimeve e bën juria profesionale e përbërë nga 5 anëtarë e emëruar nga Ministri.
Tri Çmimet për dramat më të mira, jepen në të holla, të shoqëruara nga një certifikatë të nënshkruar nga Ministri dhe një kopje origjinal të vendimit.
Çmimet dorëzohen në një ceremoni të veçantë të organizuar nga MKRS, me 9 nëntor në ditëlindjen e “Katarina Josipit”
Tri dramat fituese botohen në një edicion special në gjuhën shqipe;
Kriteret dhe kushtet për pjesëmarrje
Laureat të Çmimit mund të jenë dramaturgët që janë shtetas të Republikës së Kosovës.
Një autor mund të sjellë më së shumti dy drama për shqyrtim;
Dramat që konkurrojnë në këtë konkurs duhet të jenë jo më të shkurtra se 50 minuta;
Dramat e të gjitha zhanreve do të merren në shqyrtim;
Tema dhe as numri i personazheve nuk janë të limituara,
Dramat e papërfunduara apo sinopsiset nuk do të merren në shqyrtim;
Dramat që sillen në këtë konkurs duhet të jenë origjinale, të shkruara mbas vitit 2000, dhe nuk duhen të jenë të inskenuara apo të botuara më parë;
Drama që fiton vendin e parë, konsiderohet si dramë potenciale për t`u inskenuar në njërin nga sezonet e ardhshëm në TKK;
Dramat që shpërblehen për vendin e dytë dhe të tretë, fitojnë të drejtën për lexime skenike në TKK;
Dramat dorëzohen në tri kopje me mbishkrimin “Konkursi për Dramë Kombëtare ‘Katarina Josipi 2020” ;
Autorët duhet të nënshkruhen me shifër dhe shifrat fituese do të shpallen në media për konfirmimin e emrave të fituesve. Për konfirmim të shifrës, autori duhet të sjell si dëshmi dramën origjinale.
Dramat duhen të dërgohet në Arkivin e MKRS-së, për Departamentin e Kulturës, në Zyrën nr. 022 (Adresa: MKRS, 10.000 Prishtinë, Rruga “Nëna Terezë” nr. 35), ose përmes postes elektronike: [email protected];
Autorët që sjellin dramat e tyre në këtë konkurs konsiderohet se i pranojnë kushtet e këtij konkursi.
Konkursi do të jetë i hapur nga dita e publikimit në medie deri me 21 Shtator 2020. Çdo Dramë e ardhur mbas kësaj date nuk do të merret në shqyrtim. / KultPlus.com
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, (MBZHR) publikoi sot 10 fotografitë finaliste nga 117 pjesëmarrëse, në edicionin e dytë të konkursit fotografik “Bujqësia dhe turizmi”, organizuar nga programi “Zhvillimi i Qëndrueshëm Rural” (SRD), në bashkëpunim me FUJIFILM Albania.
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ftoi publikun për të zgjedhur së bashku fituesit. Këta të fundit do të vlerësohen 50% nga vota e qytetarëve dhe 50% nga vota e jurisë.V
otat e publikut duhet të jepen brenda datës 12 korrik.Ndërkohë 107 fotografitë e tjera pjesëmarrëse në konkurs, do të jenë pjesë e një ekspozite që hapet së shpejti në Tiranë. /atsh/ KultPlus.com
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural e Shqipërisë, njoftoi se programi “Zhvillimi i Qëndrueshëm Rural” (SRD), në bashkëpunim me FUJIFILM Albania, kanë hapur edicionin e dytë të konkursit fotografik me temë nga bujqësia dhe turizmi.
Ky konkurs i drejtohet të gjithë fotografëve të rinj (18-40 vjeç) nga e gjithë Shqipëria, për të marrë pjesë në aktivitetin e fotografisë me tematikë bujqësinë dhe turizmin në Shqipëri.
Fotografitë duhet të jenë punime origjinale nga aktivitete apo ngjarje reale nga zonat rurale të vendit.
Fotot mund të shfaqin aktivitete bujqësore, turizëm rural, agroturizëm, jetë në fermë.
Konkurrentët për të aplikuar duhet të postojnë tri fotot që kanë përzgjedhur, në facebook, apo instagram duke përdoruar hashtagun dhe duke plotësur në linkun përkatës një cv të shkurtër të tyre. Aplikimet mbyllen në datën 30 qershor 2020.
Konkursi do të shpallë 3 çmime fituese nga FUJIFILM, të cilët do të shpërblehen me aparat fotografik profesional. /KultPlus.com
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka shpallur konkursin për projektet në fushën e trashëgimisë kulturore për vitin 2020, shkruan KultPlus.
Afati i fundit për dorëzimin e aplikacioneve: 15 ditë pune dhe përfundon më datën 08 Qershor 2020.
Mbështetja financiare për projekte kulturore-artistike është paraparë deri në 200,000.00 Euro
Shuma minimale e mbështetjes financiare për OJQ-të që mund të aplikohet për çdo projekt është 2,000.00 Euro, ndërsa shuma maksimale për një projekt është 10,000.00 Euro.
Kush mund të aplikoj?
Të gjitha Organizatat e regjistruara si OJQ (sipas kërkesave të legjislacionit në fuqi për lirinë e asocimit në organizata jo-qeveritare në Republikën e Kosovës apo në shtetin ku është e koncentruar diaspora), si dhe Individët, programi i të cilëve është i fokusuar në fushën e Trashëgimisë Kulturore.
OJQ-të mund të aplikojnë më së shumti (1) projekte në kuadër të kësaj ftese publike. Periudha e zbatimit të projektit është më së largu deri me 24 dhjetor 2020.
Shtëpia Botuese “Magjia e Librit” ka shpallur konkurs për fëmijët e klasës nga 1 deri në 5, për tregimet e mira që janë shkruar gjatë karantinës.
Kjo shtëpi botuese ka marrë përsipër që këto botime të botohen me rastin e ditës së fëmijëve 1 qershorin në Kosovë.
Përmes një njoftimi, ata bëjnë me dije se ky konkurs është i hapur për të gjitha shkollat.
Njoftimi i plotë në faqen zyrtare të Shtëpisë botuese “Magjia e librit”:
Me rastin e 1 Qershorit, ditës ndërkombëtare të fëmijëve, shtëpia botuese “MAGJIA E LIBRIT” ka ndërmarrë nismën për botimin e një libri me krijimet e nxënësve të të gjitha shkollave të Kosovës.
Kriteret e garës së krijimtarisë letrare
1. Në këtë garë ftohen të marrin pjesë të gjitha shkollat në nivel vendi.
2. Nxënësit pjesëmarrës duhet t’i përkasin klasave 1-5.
3. Shkrimi i tyre mund të jetë në poezi dhe në prozë (pranohen edhe ese).
4. Nxënësit duhet t’i dorëzojnë punimet te mësuesi, profesori apo drejtori i shkollës.
5. Shkolla i grumbullon punimet (të pajisur me titull, me të dhënat e nxënësit dhe foton e secilit), i përzgjedh dhe na e dërgon në word në adresën e e-mail-it: [email protected].
6. Numri i faqeve të pranueshme për një shkollë është deri në 30 faqe word-i (shkrimi Times New Roman, 12).
7. Dorëshkrimet shkollat duhet t’i dorëzojnë brenda datës 20 maj 2020.
Juria do të përbëhet nga: një shkrimtar/e, një gazetar/e të rubrikës së kulturës, një drejtor/eshë shkolle, një mësues/e dhe një përfaqësues i shtëpisë botuese.
Juria do të përzgjedhë 15 poezitë dhe 15 shkrimet në prozë më të mirat, të cilat do të botohen në libër.
Juria do të vlerësojë me çmim të parë, të dytë e të tretë krijuesit më të mirë në prozë dhe në poezi, si dhe shkollat me nxënësit më të talentuar.
Lista me 15 fituesit në prozë e poezi do të shpallet më datë 25 maj 2020 në faqen zyrtare të web-it dhe të Facebook-ut të shtëpisë botuese “Magjia e librit” (ëëë.magjiaelibrit.com) dhe libri do të jetë gati, në duart e fituesve, më datën 1 Qershor.
Nëse situata përmirësohet, do të mbahet një aktivitet me përfaqësuesit kryesorë për shpalljen e fituesve të vendit të parë, të dytë e të tretë, në prozë, në poezi, si dhe shkolla me më të talentuarit, për t’u dhuruar atyre librin e botuar, certifikatën e vlerësimit dhe me një kupë-simbol.
Për çdo pyetje mund të na kontaktoni në nr. e telefonit +383-45-507-155.
Shtëpia botuese “Magjia e librit” synon që ky festival të bëhet traditë, pra, të jetë i përvitshëm dhe të shtrihet më tej edhe në ciklet më të larta të shkollimit./ KultPlus.com
Shoqata “Tradita” shpall konkurs për ndarjen e Çmimit Kombëtar ,,Ali Vishko” për vitin 2020
Çmimi Kombëtar “Ali Vishko” jepet në bazë të Statutit të Shoqatës për kulturë dhe art “Tradita” dhe i njëjti u ndahet personaliteteve nga vendi, rajoni e bota, në çdo përvjetor të Lidhjes së Prizrenit.
Çmimi Kombëtar ,,Ali Vishko” u ndahet personaliteteve për vepër jetësore, kontribut të shquar dhe të arritura me rëndësi të veçantë në lëmin e arsimit, shkencës dhe kulturës shqiptare.
Të drejtë konkurrimi kanë:
Institucionet e arsimit të lartë;
Institucionet shkencore;
Shoqatat shkencore dhe profesionale;
Shoqatat tjera të qytetarëve dhe studiues individualë.
Propozimet duhet të jenë të arsyetuara me shkrim dhe të përmbajnë:
Të dhëna personale për autorin,
Të dhëna bibliografike dhe
Arsyetim të propozimit për marrjen e çmimit.
Propozimet duhet të dërgohen në 5 kopje dhe të njëjtat duhet të dorëzohenderi më 5. 6. 2020, në adresën: Shoqata për kulturë dhe art ,,Tradita”- Tetovë, Këshilli për ndarjen e Çmimit Kombëtar ,,Ali Vishko”, 1200 Tetovë, Rruga ,,Ivo Llolla Ribar”, Nr. 211/10, Fahu postal, Nr. 50.
Propozimet e pakompletuara dhe ato të cilat nuk do të dorëzohen në afatin e paraparë nuk do të merren parasysh. Për më shumë informata na kontaktoni përmes adresës elektronike: [email protected]. /Kultplus.com
Me respekt,
Tetovë, më 8 maj 2020 Shoqata për kulturë dhe art “Tradita”