‘Nostromo’ i Fisnik Maxville fiton çmimin kryesor në festivalin zviceran ‘Visions du Réel’

Era Berisha

Realizimi i filmave në kuadër të emocioneve që shpalosen tërësisht në një histori eksperimentale jashtëzakonisht të vrazhdë është gjithmonë një nisje e rrezikshme, e sidomos kur ato emocione rezonojnë fuqishëm me situatën pandemike e cila aktualisht po vë në pikëpyetje të gjitha mundësitë për të jetuar me të tjerët duke çuar në një përfundim të distancuar nga ‘turma e çmendur’, e pikërisht këtë histori e sjell edhe regjisori Fisnik Maxville në dokumentarin e tij ‘’Nostromo’’, shkruan KultPlus.

Regjisori i filmit i cili fitoi çmimin ‘Pack & Pitch’, të Talenteve të Sarajevës me filmin e tij “The Land Within Me”, kësaj radhe erdhi me një dokumentar për të shfaqur një histori të një njeriu i cili dëshiron të jetojë vetëm duke dhuruar kështu emocione unike të përplasura së bashku në një vetmi dëshiruese.

‘’Nostromo’’, ngërthen në vete tre histori të tre personazheve të dokumentarit, i cili për regjisorin radhitet si dokumentari i tij i tretë me metrazh të gjatë. Dokumentari është filmuar në vitin 2019 në territoret veriore të Kanadasë, ku ekipi ka kaluar rreth 6 javë nga procesi i xhirimit në një ishull shumë të vogël të titulluar ‘Great Slave Lake’, pak para fillimit të stinës së dimrit.

Ndërsa, se si erdhi ideja për realizimin e këtij dokumentari dhe nga ku lindi inspirimi, për KultPlus, ka folur edhe vetë regjisori.

“Historia e protagonistit tim kryesor, Oliver, më është sjellë nga një mik që personazhin e ka takuar dy vjet më parë. Miku im më tregoi për këtë personazh i cili vendosi të shkojë të jetojë vetë, në ‘egërsinë’ e Kanadasë, duke u përpjekur të ndërtojë një jetë të mirë, prandaj në ato momente unë menjëherë ndjeva që potenciali narrativ ishte absolutisht i pranishëm”, tregon Maxville.

Sipas tij, finalizimi i dokumentarit ishte mjaft i shpejtë, pasi që ai e ka shkruar historinë gjatë stinës së verës në vitin 2019 për rreth dy muaj kur edhe është arritur të financohet. Së pari, është kërkuar financimi i një filmi të shkurtër, i cili u mundësua në Zvicër. Pastaj, nga fundi i vitit 2019 deri në gjysmën e parë të vitit 2020 është përfunduar dhe redaktuar i tërë filmi duke kaluar në fazën e post-produksionit.

“Ishte vërtetë e vështirë të editoje një film artistik (tani 82 minuta) me buxhetin e një filmi të shkurtër, por e gjithë ekipi e kuptoi që ia vlente”, potencon ai.

Për Maxville, ishte një surprizë e madhe që dokumentari ishte zgjedhur në kategorinë ‘filmi më i mirë’ në konkursin kombëtar në festivalin ‘’Visions du Réel’’, sepse Zvicra është shumë e njohur për filmat dokumentarë, dhe për këtë arsye, të jesh pjesë e garës, ishte tashmë një sukses i madh për të.

‘Visions du Reel’ u cilësua nga regjisori si një nga festivalet më të mira të dokumentarëve në botë prandaj edhe rreziku për të paraqitur këtë lloj filmi që është shumë i vrazhdë, shumë i dhunshëm, dhe shumë eksperimental, është shumë i lartë por megjithatë ai shprehet i kënaqur dhe i lumtur që shumica e kritikave ishin shumë pozitivë dhe inkurajues.

Pjesëmarrjen në këtë festival me filmin ‘’Nostromo’’, regjisori e ka shoqëruar edhe me rrëmbimin e çmimit për filmin më të mirë. Këtë vlerësim dhe arritje të veçantë regjisori e ka pritur me një habi të vërtetë.

“Ishte një befasi e plotë, për arsye se konkursi i dokumentarëve zviceranë është shumë i vështirë dhe dalja nga festivali me çmime për filmin më të mirë nuk është vetëm një befasi por një nder masiv”, shprehet ai.

Tutje ai ka shprehur dëshirën dhe shpresën e madhe që filmi të shfaqet edhe në Kosovë.

“Unë gjithashtu shpresoj që ne do të jemi në gjendje ta sjellim filmin në Kosovë shumë shpejt. Atëherë, padyshim, një shfaqje në kinema do të ishte e shkëlqyeshme, por situata aktuale është aq e komplikuar për tu trajtuar”, përfundon Maxville.

Ndërsa, rrugëtimi i dokumentarit pas këtij çmimi të fituar është menduar të pritet një reagim mbështetës për potencialin e filmit nga disa kompani shpërndarëse. “Visions du Réel”, ishte një premierë botërore dhe tani filmi pritet që të ketë premierën ndërkombëtare të filmit në festivale të tjerë gjithashtu shumë të mëdha. / KultPlus.com